Zjarret, probleme në Pukë, flakë e tym tek Parku Kombëtar i Dajtit

V

Veptima

Vizitor
Zjarret, probleme në Pukë, flakë e tym tek Parku Kombëtar i Dajtit

57722.jpg
TIRANE- 29 vatra zjarri janë ende aktive në të gjithë vendin, teksa kushtet e vështira atmosferike e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen nga ajri në verilindje. Sipas Ministrisë së Brendshme helikopteri i ardhur nga Turqia sot ka operuar në Priskë me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, teksa është rritur dhe numri i forcave të armatosura në tërren, kryesisht në Pukë dhe Kukës.

Në Dibër aktualisht numërohen 7 vatra zjarri aktive dhe 4 të izoluara. Vazhdon vatra në Parkun Kombëtar Lura, ndërkohë në vendin e quajtur “Zhavori” është riaktivizuar gjatë ditës së sotme. në Kukës rezulton një vatër aktive në Komunën Tërthore, teksa 5 vatrat e tjera janë izoluar.

Qarku Shkodër ka 7 vatra zjarri aktive dhe 3 nën kontroll. Në rrethin e Shkodrës është 1 vatër aktive ndërmjet fshatit Ndërhysaj dhe Gimaj të komunës Shalë. Në rrethin e Malësisë së Madhe janë 3 vatra aktive. Këto vatra janë në terrene të thepisura dhe nuk mund të ndërhyhet nga toka. Në rrethin e Mirditës, në Bashkinë Rëshen, në 3 fshatra ka vatra zjarri. Vazhdon me intensitet vatra në fshatin Malaj i Epërm, ku 2 makina zjarrfikëse dhe forca të Shërbimit pyjor, por edhe banorët kanë punar për fikjen e tij dhe në fshatin Lurth. Në komunën Fan janë 2 vatra zjarri aktive, ajo në fshatin Konaj dhe vatra në Qafën e Komit, e mbartur nga Kukësi. Në komunën Kthellë janë 2 vatra zjarri aktive, në fshatrat Ujë dhe Shtrezë.

MAT
Komuna Ulëz ka mbajtur mbrëmjen e sotme një mbledhje urgjente për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga vatrat e zjarrit, të cilat prej 3 ditësh vijojnë të jenë aktive pranë Qafës së Ulzës.

Kreu i Komunës Adriet Gjeçi duke bënë në dukje rrezikun që i kanoset banesave të cilat ndodhen rreth 200 metra larg, ka apelur për ndihmë nga ajri.

DAJT
Rikthehen fluturimet nga ajri rreth ores 13:00 për shuarjen e flakëve në malin e Dajtit, ku operojnë përvec forcave zjarrfikëse edhe ato të pyjores edhe 40 forca ushtrie. Dhejtera banore te Qafe Molles dhe Priskes u jane bashkuar forcave per shuarjen e flakeve. Zjarret vijojnë të përparojnë për shkak të temperaturave të larta dhe të erës, e cila jep përparësi drejt qendrës së ish-kampit te pioniereve të Dajtit.

Një ditë më parë helikopteri special turk ëshë munduar të shuajë pjesën perëndimore të zjarreve, por zjarret dhe gjate dites se sotme evidentohet se janë ende aktivë.

Drejtori i Parkut Kombetar të Dajtit Lutfi Myftari në një proncim për NEWS24 informon me detaje rreth situatës aktuale atje, teksa helikopteri ka vijuar operacionin për izolimin e flakëve.
“Për momentin është ajo situatë që ju rapotova kemi një vatër zjarri tek lokali i ish-Pionerëve tek “King Park”. Ju theksoj se po digjen sipërfaqe barishtore dhe lëgusha dhe situata është nën kotroll. Vatra aktive kemi 2, që përbëjnë rrezikshmëri nëse nuk mbahen nën kontroll, ndërkohë që të tjerat nuk kanë rrezik. Ne do vijojmë operacionet dhe kontrollet cdo orë, deri në 12 të natës së bashku me mjetet zjarrfikësëe që ka Parku Kombëtar i Dajtit dhe të tjera, ajo cka ka rëndësë është se nuk rrezikohen lokalet në park dhe nuk kemi rrezik në pyll”,- theksoi Myftari.
Nje zjarrfikese ndodhet ne vendgjarje nderkohe qe terreni malor eshte teper i thyer dhe nuk lejon futjen e automjeteve ne vatrat e zjarrit ne lartesine 800 metra.

SARANDË
Flakët e zjarreve kanë përfshirë që prej pasdites së djeshme malin e Sopotit në Borsh, si dhe kurorën e Lukovës, në rrethin e Sarandës.
Banorët e këtyre dy fshatrave dhe zjarrfikësit që prej pasdites së djeshme po punojnë për shuarjen dhe mospërhapjen e zjarrit, i cili iu afrua mjaft banesave në Lukovë dhe kalasë historike të Borshit, që daton në shekullin e 4-t para Krishtit. Në ndihmë të zjarrfikësve nga Saranda, sipas shefit të këtij shërbimi, Remzi Bani, janë edhe banorët, që veprojnë me mjete rrethanore dhe me enë uji për të shpëtuar ullinjtë në pronësi të tyre e pemë të tjera. Dy zjarrfikëseve nga Saranda iu erdhi në ndihmë edhe një tjetër nga Delvina. "Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë fikur të dyja vatrat e mëdha të zjarrit dhe nuk është lejuar të preket asnjë banesë, ndërkohë që nuk bëhet fjalë për dëme në njerëz e bagëti dhe dëmet në frutikulturë janë minimizuar", shprehet Bani. E njëjta situatë, vijon Bani, është përballuar edhe në komunën e Finiqit të Delvinës. Për drejtuesit e Shërbimit Pyjor në Sarandë e Delvinë, burim i zjarreve të rënë në të tri vatrat ka qenë djegia e kullotave nga barinjtë, por askush nuk është identifikuar dhe nuk është denoncuar si shkaktar.

PUKË
Vazhdon të mbetet problematike situata nga zjarret në rrethin e Pukës. Banorët e zonave ku rrezikohen banesa së bashku me zjarrfikësit e Pukës dhe autoritetet vendore kanë kaluar një tjetër natë të frikshme. Gazetari Armir Mehaj ishte gjatë natës në malet sipër Kryeziut dhe e përshkruan sitatën atje të frikshme, për banorët e fshatrave Orosh e Kryezi. Grupi i xhirimit të News 24 ka ndjekur nga afër përpjekjet e punonjësve të shërbimit pyjor, zjarrfikësve dhe banorëve të zonës për mbajtjen nën kontroll të flakëve, por erërat shpesh gjatë natës vërshtirësuan punën.

Banorë të zonës bëjnë të ditur se zjarri nuk është shumë larg banesave, prandaj duhet të vazhdojë puna edhe gjatë natës.
“Kemi 10 ditë zgjuar, merremi me zjarret, në disa vende ka rrezik për banesat”, tha një banor.

Në vatrën e zjarrit sipër fshatit Kryezi, nën prefekti i rrethit, kreu i komunës Qafë Mali dhe i komunës së Blerimit lëshojnë apelin për ndihmë për shkak të situatës së krijuar. “E vetmja mënyrë është ndërhyrja nga ajeri”, shprehen ata. Zjarret, sipas gazetarit Armir Mehaj janë aktive edhe mëngjesin e sotëm, ndërsa ka pushuar era që favorizonte përhapjen e shpejtë të tyre.

KORCË
Vijon zjarri në Korcë, problematik mbetet zjarri i madh në Parkun Kombëtar të Bozdovecit, i cili ka shkrumbuar rreth 70 hektare pyje, situata është emergjente dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri me helikopter për shkak të terrenit të vështirë. Ndërkaq, sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor zjarri në Dardhë është nën kontroll, ndërsa ende vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në Malin e Bardhë.

KUKËS
Situata e zjarreve në qarkun e Kukësit vazhdon të jetë ajo e një dite më parë. Nga 6 vatra zjarri, 5 prej tyre janë vënë nën kontroll dhe janë drejt shuarjes së tyre. Ndërkohë jashtë kontrollit vazhdon të mbetet vatra e zjarrit në malin e Korektnikut, ku sot pritet ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve dhe normalizimin e situatës.

Aktualisht, nën kontroll janë vatrat e zjarrit në Qafën e Kombit, në Koj e Geghysen, në Lekbibaj , ndërsa pjesërisht e izoluar është vatra e zjarrit në zonën e Valbonës. Ndonëse nuk ka një përllogaritje të saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, prej afro 3 muajsh janë djegur tërësisht mbi 230 ha pyje.

ELBASAN
Gjashtë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në rajonin e Elbasanit, tre prej të cilave në pyjet e rrethit Librazhd dhe tre të tjera në Gramsh, ku flakët e zjarrit, të favorizuara nga temperatura e lartë dhe era e fortë, kanë djegur rreth pesë hektarë me pemtari dhe vreshtari, ndonëse fatmirësisht, pa prekur zonat e banuara.

Sipas shefit të Repartit të Zjarrëfikëses të Elbasanit, Aleksandër Hodo, vatrat e zjarrit kanë djegur më shumë se dhjetë hektarë pisha, vreshtari dhe pemtari. Ndërkohë në pyjet e komunës Pishaj, në rrethin e Gramshit, efektiva të Zjarrëfikëses dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për shuarjen e tre vatrave të zjarrit, të shfaqura dy ditë më parë.

Flakët e zjarrit në këtë zonë, të favorizuara nga temperaturat e lartë dhe era e fortë, kanë djegur rreth pesë hektarë me pemtari dhe vreshtari, por fatmirësisht flakët e tij nuk kanë prekur zonat e banuara. Nga ana tjetër, terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve të shërbimit zjarrëfikëses, duke bërë që flakët të shuhen në mënyrë primitive.

E njëjta situatë paraqitet sot dhe në zonat e thella të rrethit të Librazhdit, në pyjet e fshatrave Prevallë, Qafë Shapkë dhe Borovë, ku vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive, duke djegur rreth pesë hektarë me pisha, ndërsa në vendin e ngjarjes, efektivat e zjarrëfikëseve po punojnë për shuarjen e flakëve.
"Mendojmë se në orët e pasdites, vatrat e zjarrit do të lokalizohen dhe shuhen", tha Hodo, duke shpresuar që ato të jenë të fundit në rajonin e Elbasanit.
Mësohet se Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve zjarrëvënies, pasi shumica e vatrave të zjarrit rënë gjatë muajit gusht, mendohet të jetë shkaktuar nga vetë banorët e zonave përreth.
(ma.ar/e.m/BalkanWeb)
 
Sipër