Tiranë, gruas i shkulin vëthët nga veshët në rrugë

Miri

Anëtar drejtues
Tiranë, gruas i shkulin vëthët nga veshët në rrugë


TIRANE- Një grua e moshuar 70-vjeçare ka qenë “viktima” e radhës së grabitësve në rrugë. Ajo është sulmuar nga një djalë i ri që lëvizte me një motor tip “Piaxho”, teksa po kthehej në shtëpinë e saj në zonën e “Tiranës së Re”. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në tunelin e një pallati pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku banonte gruaja e moshuar.

Sapo ajo është futur në ngushticën mes dy pallateve, që është në formën e një tuneli, autori i është afruar me motor dhe i ka shkulur me forcë vëthët e floririt që mbante në veshë. Menjëherë ai është larguar nëpër rrugicat e zonës, ndërsa 70-vjeçarja ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë pa ndjenja dhe e gjakosur në tokë. Dëshmitarët thanë dje se e kanë gjetur gruan e moshuar në dalje të tunelit dhe e kanë përmendur duke i hedhur një bidon me ujë e më pas kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Vetëm pasi është përmendur, e moshuara ka ndier dhimbje në veshë dhe ka kuptuar se çfarë i kishte ndodhur, pasi kishte të çara. Ajo është shoqëruar deri në shtëpi nga një patrullë policie që ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe është marrë në pyetje për të shpjeguar detajet e grabitjes. Gruaja nuk ka qenë në gjendje të kujtojë të gjithë skenën, madje është shprehur se autorin nuk ka arritur ta shohë, pasi i ka ardhur nga pas.

Ndërsa dëshmitarët e ngjarjes kanë treguar për policinë se grabitësi ka qenë i vetëm dhe ka lëvizur me një motor tip “Piaxho” mes për mes bllokut të pallateve të vjetra, që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Ata kanë arritur të përshkruajnë edhe një profil të autorit, i cili është ndërtuar në formën e një identikiti nga ana e oficerëve të Hetimit të Krimeve. Në të njëjtën zonë ku ndodhi dje grabitja e 70-vjeçares, sipas policisë kanë ndodhur edhe të paktën tri ngjarje të ngjashme, ku gratë ose vajzat kanë rënë pre e vjedhjes me dhunë të sendeve personale.
(m.a/panorama/BalkanWeb)
 
Sipër