Sulmi kuqezi, Sadiku shoqëron Bogdanin

M

martini

Vizitor
Sulmi kuqezi, Sadiku shoqëron Bogdanin

De Biazi eksperimenton në të gjithë repartet në ndeshjen kundër të rinjve të Teutës
Xhani de Biazi ka eksperimentuar dje me kombëtaren, duke aktivizuar Alban Mehën e Burim Kukelin si titullarë në ndeshjen e kontrollit kundër të rinjve të Teutës, zhvilluar paradite në fushën e kompleksit “Tropikal”. Trajneri italian është shprehur dy ditë më parë se të dy të ardhurit e rinj në kombëtare janë lojtarë shumë të mirë dhe aktivizimi i djeshëm mund të jetë një sinjal se ata do të jenë në fushë edhe kundër Qipros, që nga minuta e parë, sidomos për sa i përket Mehës, i cili konsiderohet pasues i Ervin Skelës.

Formacioni – De Biazi ka luajtur me skemën 4-4-2 në takimin e fituar 3-0, me gola të shënuar nga Sadiku në pjesën e parë dhe Hyka e Salihi në të dytën. Lajmi më i rëndësishëm për sa i përket formacionit është aktivizimi i Canës dhe Bulkut, të cilët i kanë lënë pas dëmtimet.
Në këtë mënyrë, italiani ka mundësi të plota zgjedhjeje për premierën e tij zyrtare si trajner i Shqipërisë. Përballë durrsakëve, De Biazi ka aktivizuar në portë Etrit Berishën, para tij katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Cana e Mavraj në qendër, Dallku nga e djathta dhe Lila nga e majta.
Para katërshes ka qenë Bulku i ndihmuar nga Kukeli, ndërsa Vila e Meha kanë vepruar në krahë, përkatësisht nga e djathta dhe e majta. Në sulm, Erjon Bogdani ka pasur një partner me të cilin nuk ka startuar kurrë më parë, Armando Sadikun. Pikërisht ky i fundit ishte edhe autori i golit të parë të takimit. Në pjesën e dytë, De Biazi ka aktivizuar edhe lojtarët e tjerë, ndërkohë që Berishën e ka kaluar në portën kundërshtare.
Taktika – Pavarësisht se paradite ka luajtur me katër lojtarë në mbrojtje, duket se De Biazi ende nuk e ka vendosur përfundimisht vendosjen taktike të skuadrës. Në stërvitjen e pasdites, skuadra ka punuar me disa rreshtime taktike, me katër dhe me tre lojtarë në prapavijë. Trajneri ka thirrur pesë sulmues dhe mundësia më e madhe për një Shqipëri ofensive është pikërisht kundër Qipros, për të marrë me çdo kusht tri pikët e para që në startin e kualifikueseve.

Formacioni
(4-4-2)

Berisha
Dallku Mavraj Cana Lila
Vila Bulku Kukeli Meha
Sadiku Bogdani


Lila, asnjë problem për vendosjen
Aktivizimi i Andi Lilës në krahun e majtë të mbrojtjes nuk përbën befasi, ndonëse roli i tij natyral është nga e djathta, por edhe në qendër. Në ditën e takimit me sponsorët e kombëtares, mbrojtësi u shpreh se nuk e ka problem vendosjen dhe mund të luajë i pashqetësuar nga e majta.

Retrospektiva
Batuta e Kuzhes
Ish-trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, u kritikua pas humbjes me Bosnjë-Hercegovinën në Sarajevë, ndër të tjera edhe për aktivizimin e Lilës në pjesën e dytë, si mesfushor i majtë. “Në fushë futbolli e hodha, jo në pishinë”, ishte përligjja e kroatit.


Formacioni sipas… Lilës
Andi Lila ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook formacionin e mundshëm për ndeshjen e nesërme. Sipas tij, De Biazi do të luajë me Bogdanin në sulm, të mbështetur nga Meha pas shpine dhe Roshi e Gilman Lika në krahë. Në portë do të jetë Ujkani dhe para tij katërshja tashmë e pritshme mbrojtëse. Mund të jetë formacioni i vërtetë, por ndoshta edhe një manovër e kuqezinjve për të ngatërruar Qipron.


Ndeshjet e Shqipërisë në Grupin E
07.09.2012 Shqipëri-Qipro
11.09.2012 Zvicër-Shqipëri
12.10.2012 Shqipëri-Islandë
16.10.2012 Shqipëri-Slloveni
22.03.2013 Norvegji-Shqipëri
07.06.2013 Shqipëri-Norvegji
06.09.2013 Slloveni-Shqipëri
10.09.2013 Islandë-Shqipëri
11.10.2013 Shqipëri-Zvicër
15.10.2013 Qipro-Shqipëri

Renditja FIFA, Shqipëria zbret 10 vende, Qipro 12
Islanda ka ngjitjet më të lartë nga kundërshtarët e Grupit E, Zvicra më e mira

Barazimi pa gola me Moldavinë, më 15 gusht, i ka kushtuar humbjen e dhjetë vendeve Shqipërisë në renditjen e përmuajshme të FIFA-s. Kuqezinjtë kanë zbritur në vendin e 84-t dhe janë në kuotën e 410 pikëve. Por, ka edhe më keq dhe ky është pikërisht kundërshtari i nesërm, Qipro. Ishullorët kanë zbritur 12 vende, në të 135-tin.
Nga skuadrat me të cilat Shqipëria do të ndeshet në Grupin E të eliminatoreve të botërorit, progresin më të madh e ka Islanda, e cila është ngjitur 12 vende, megjithatë mbetet përsëri shumë poshtë kuqezinjve, pasi renditet e 118-a. Ngjitje të dukshme ka edhe Sllovenia, me nëntë vende, tashmë e 24-ta, ndërsa Zvicra, e cila ka renditjen më të lartë nga kundërshtarët tanë, ka ngjitur tri shkallë dhe mban vendin e njëzetë. Norvegjika është e 34-ta, por ka zbritur nëntë vende.

Pozicioni i skuadrave të Grupit E në renditjen mujore të FIFA-s
Poz. Skuadra Pikë Ndryshimi
20 Zvicra 847 3
24 Sllovenia 784 9
34 Norvegjia 682 -9
84 Shqipëria 410 -10
118 Islanda 283 12
135 Qipro 232 -12


Qipro, besim para Shqipërisë
Skuadra kombëtare e Qipros mbërrin sot paradite në Tiranë, për t’u ndeshur nesër me Shqipërinë. Dje qipriotët kanë kryer stërvitjen e fundit në shtëpinë e tyre dhe, sipas sitit zyrtar të federatës, gjithçka ka shkuar mirë. I njëjti burim shprehet se edhe gjendja psikologjike e grupit është mjaft e mirë. Lojtarët kanë besim dhe janë të vendosur për të marrë një rezultat pozitiv në “Qemal Stafa”, stadiumi nga i cili kanë dalë të humbur 1-6 tre vjet më parë.

Debutim me pikë, detyrim për De Biazin

Të gjithë trajnerët e huaj para italianit kanë marrë rezultat në ndeshjen e parë eliminatore. Brigel mposhti kampionët e Evropës, Bariç e Kuzhe morën pikë jashtë

Xhani de Biazi ndoshta nuk është aq me fat sa Fabio Kapelo, i cili, si trajner kombëtareje ka drejtuar Anglinë dhe tani Rusinë. Megjithatë, Shqipëria është një skuadër që deri tani, të paktën në debutim, nuk ka lënë në baltë asnjë nga trajnerët e huaj. Që të gjithë paraardhësit e De Biazit, duke filluar me bashkatdhetarin e tij, Bepe Dosena, kanë arritur të marrin rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në grupin eliminator.
Qiproja do të jetë debutimi zyrtar i De Biazit dhe, ndërsa është e vërtetë që kjo ndeshje nuk ka asgjë të përbashkët me miqësoren e fituar 6-1; apo që kualifikimi në botëror do të ishte një mrekulli, është po aq e vërtetë që shqiptarët presin e pa e ekzagjeruar një sukses në takimin e parë nën drejtimin e italianit. Krahasuar me paraardhësit, De Biazi ka fatin që, të paktën në letër, ta nisë me një kundërshtar më të dobët se ai që kanë pasur ata.
Ja se si kanë dalë në ndeshjen e parë eliminatore trajnerët e huaj para De Biazit:

XHUZEPE DOSENA – Trajneri italian e drejtoi Shqipërinë, në vetëm dy ndeshje zyrtare, përpara se ta braktiste atë, pas humbjes 4-1 me Rusinë në Vollograd. Në ndeshjen e parë të tij, për eliminatoret e Euro 2004, Dosena barazoi 1-1 me Zvicrën, më 12 tetor 2012, në “Qemal Stafa”. Turko-zvicerani Murat Jakin shënoi i pari në minutën e 37-të, ndërkohë që barazoi Edvin Murati me një gjuajtje shumë të bukur nga distanca në minutën e 73-të. Një pikë për Bepe Dosenën.

HANS-PETER BRIGEL – Gjermani është ndoshta më pak i vlerësuari ndër trajnerët e huaj të Shqipërisë, megjithatë ai ka pasur dy “herë të para” dhe që të dyja kanë qenë ideale. Ai mori drejtimin pasi kishin nisur ndeshjet eliminatore për Euro 2004, duke zënë vendin e Dosenës, dhe ndeshja e parë ishte kundër Rusisë, në Shkodër. Fitore 3-1 për Shqipërinë e drejtuar nga gjermani. Fillimi i një edicioni eliminatoresh nën drejtimin e Brigelit ishte edhe më i bukur e i paharruar për shqiptarët.
Më 4 shtator 2004, për eliminatoret e Gjermani 2006, përballë ishte Greqia, kampione e Evropës, e drejtuar nga Oto Rehagel, “armik” personal i Brigelit. Në fushë, kuqezinjtë bënë të lumtur trajnerin, që fitoi sfidën personale, por sidomos një komb të tërë, me fitoren 2-1. Start me gol nga Edvin Murati, më pas një predhë fantastike e Adrian Aliajt dhe kampionët e kontinentit u ulën në gjunjë. Tri pikë të merituara për Brigelin!

OTO BARIÇ – Kroati vendosi një rekord, si trajneri më i moshuar në botë, kur mori drejtimin e Shqipërisë në moshën 75-vjeçare. Ndeshja e parë e “Oto Maksimales” (nofka e tij) ishte barazimi 2-2 kundër Bjellorusisë, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2008, në ndeshjen e luajtur në Minsk, më 2 shtator 2006. Skenari i sfidës është ky: Kalaçev shënoi qysh në minutën e dytë për Bjellorusinë, ndërkohë që Skela barazoi pesë minuta më pas, me penallti; Romashenko i çoi sërish në avantazh vendasit në minutën e 24-t, ndërsa golin e barazimit për kuqezinjtë e realizoi Besnik Hasi, me një gjuajtje të lirë, katër minuta para përfundimit. Barazim i merituar dhe një pikë për Bariç.

ARI HAN – Edhe holandezi pati fat në ndeshjen e tij të parë, madje kundër një Suedie prepotente, në gjirin e së cilës ishte edhe Zlatan Ibrahimoviç, një nga lojtarët më të shtrenjtë në botë, e që në atë kohë luante me Interin. Një 0-0 i fiksuar në “Qemal Stafa”, më 6 shtator 2008, gjatë së cilës heroi i kuqezinjve ishte një mbrojtje e tërë, përfshirë portierin Arjan Beqaj, por dhe kapitenin Altin Lala. Takimi ishte për eliminatoret e Botërorit 2010 dhe ai barazim në Tiranë e nxori Suedinë jashtë finaleve të Afrikës së Jugut.

JOSIP KUZHE – Kuzhe pasoi Ari Han në stolin kuqezi dhe ndeshjen e parë e pati kundër Portugalisë, në Tiranë. I pafat, sepse një lojë mjaft e mirë u shumëzua me zero në minutën e 93-të, kur Bruno Alvesh shënoi golin e fitores 1-1. Shqipëria nisi eliminatoret pasardhëse me Kuzhen në krye në Rumani. Stancu realizoi golin për ekipin e tij në minutën e 80-të dhe Kombëtarja jonë, pasi kishte rezistuar me heroizëm deri në ato momente, ra në një shok psikologjik. Por, zëvendësimi i trajnerit kroat, që hodhi në fushë Gjergji Muzakën, rezultoi vendimtar. Ishte pikërisht, mesfushori ai që realizoi me kokë golin e barazimit në minutën e 87-të. Një pikë edhe për kroatin Kuzhe.


XHUZEPE DOSENA
Shqipëri-Zvicër 1-1
Eliminatoret Euro 2004
12 tetor 2002

HANS-PETER BRIGEL
Shqipëri-Greqi 2-1
Eliminatoret Botërori 2006
4 shtator 2004

OTO BARIÇ
Bjellorusi-Shqipëri 2-2
Eliminatoret Euro 2006
2 shtator 2006

ARI HAN
Shqipëri-Suedi 0-0
Eliminatoret Botërori 2010
6 shtator 2008

JOSIP KUZHE
Rumani-Shqipëri 1-1
Eliminatoret Euro 2012
3 shtator 2010

Italiani, 26 lojtarë të aktivizuar
Në katër takimet miqësore, trajneri i Shqipërisë ka aktivizuar 26 lojtarë, në kërkim të formacionit ideal për ndeshjet zyrtare. Ja lojtarët e provuar nga italiani De Biazi në ndeshjet me Gjeorgjinë, Katarin, Iranin dhe Moldavinë:
Janë aktivizuar 26 lojtarë
Lila 4
Agolli 4
Bulku 4
Vila 4
Hyka 4
Çani 4
Bakaj 4
Zeqiri 4
Dallku 3
Veliu 3
Sadiku 3
Cana 3
Mavraj 3
Ujkani 2
Roshi 2
Shehi 2
Osmani 2
S. Lilaj 2
Bogdani 2
E. Berisha 2
Veliaj 1
Brahimi 1
Memushaj 1
Salihi 1
Muzaka 1
G.Lika 1


Shpresa, kuqezinjtë ulin siparin
Skuadra e Gegës luan sot ndeshjen e fundit, në Moldavi

Kombëtarja shqiptare U-21 do të luajë të sot në orën 18:00 kundër Moldavisë, në stadiumin e Tiraspolit. Kjo është ndeshja e fundit në eliminatoret e Euro 2013 të kësaj moshe, ku ka mundur të grumbullojë pesë pikë nga shtatë ndeshjet e zhvilluara. Ekipi që do të luajë kundër moldavëve është ky: në portë, Frashëri; në mbrojtje Fejzullahu, Prençi, Sallaj dhe Matoshi. Mesfusha do të përbëhet nga Barjaktari, Hasani, Deliallisi, Brahimi dhe Vajushi, ndërsa në sulm i vetëm do të jetë Bala.
 
Sipër