Skematizimi i veprimtarisë artistike

Joni

Moderator
Skematizimi i veprimtarisë artistike

Pas viteve ’60 në Shqipëri artet zhvilloheshin të shkëputura jo vetëm nga vendet e zhvilluara perëndimore, por edhe nga shtetet e bllokut të Lindjes. Për artistët figurativë ishte i pamundur kontakti me veprat origjinale të autorëve të huaj, qoftë edhe në mënyrë klandestine sic mund të bëhej me tingujt e muzikës apo me letërsinë.

Pra ishte mbyllur çdo shteg për të mësuar nga përvoja e artit bashkëkohorë botërorë. Kështu, nga viti në vit, veprimtaria në këtë fushë skematizohej gjithnjë e më shumë dhe artistët e ndjenin veten gjithnjë e më ngushtë. Atëherë filuan disa reagime në forma të ndryshme. Artistë të veçantë preferuan të trajtonin më shumë temën historike, një pjesë e madhe i u përkushtua kryesisht peizazhit ; pra u futën ne ato tema dhe gjini ku bëheshin më lehte përpjekje për t’iu shmangur kanoneve të metodës së realizmit socialist që ngurtësonte fantazinë. Nga “devijime’ të tilla qëndroi më pak e prekur veprat e piktorit A. Buza (1905-1987) si dhe një pjesë e madhe e tablove të piktorëve K. Kodheli, (l. 1920), S. Kaceli (l. !913) etj.

Pas viteve ’70 në Shqipëri u edukuan tre breza pedagogësh që përgatisnin artistë të rinj. Grupi i parë vinte nga akademitë e perëndimit, i dyti nga shkollat e vendeve të Lindjes, dhe të tretët ishin përgatitur në Akademinë e Tiranës. Kontradiktat që filluan të shfaqeshin midis tyre vitet e fundit, riformonin grupe të tjera që nuk përcaktoheshin nga vendet ku kishin studiuar apo nga mosha, por nga aftësit, talenti dhe kultura e tyre. Përfaqësuesit që luftonin për tu shkëputur nga skematizmi gjendeshin në çdo brez. Por ndaj tyre qëndronte gjithnjë e fortë goditja nga ithtarët e realizmit socialist.

Atëherë artistët novatorë mbijetonin duke realizuar dy lloj veprash ; tablo për ekspozita, që plotësonin kërkesat e zyrtarëve të artit dhe vepra arti vetëm për në studio, tek të cilat bënin eksperimente artistike për një ditë që do të vinte. Herë pas here, vepra të tilla dorëzoheshin edhe në ekspozita. Ndonëse sillnin vlera të reja artistike ato jo vetëm nuk ekspozoheshin por bëheshin objekt kritikash. Një nga ato tablo ka qenë edhe “Betimi i Vrana Kontit” të S. Kamberit që sot cilësohet midis tablove më të mira.

Ndër artistët më të shquar, të asaj periudhe, që mundi të rezistonte duke iu përgjigjur kërkesave të kohës, por të jepte edhe vepra me vlera artistike ka qenë piktori S. Shijaku (l. 1933). Veprimtaria e tij shtrihet në disa gjini si tablo, peizazhe, portrete, afreske dhe së fundi në qeramikë të pikturuar dhe skulpturë.
 
Sipër