Si t’i kurojmë me ushqime natyrale sëmundjet

F

Flori

Vizitor
Si t’i kurojmë me ushqime natyrale sëmundjet

Nuk ekziston në ushqyerjen e shëndetshme një lidhje e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme midis sëmundjeve dhe ushqimit. Mendoni p.sh. nëse do të kishit një problem lidhur djegie të stomakut, dhembje të tij, nuk mundet që duke ngrënë për disa ditë pjepër, kajsi, lulelakër, carangthi, kungull i verdhë etj., fruta dhe perime, të arrihet zgjidhja e problemit. Por nëse ky proces vazhdon për një muaj dhe i mbivendos edhe metoda të tjera, suksesi sigurohet. Për të qenë më konkretë: Një ushqyerje e shëndetshme më shumë sesa shëron, parandalon mjaft patologji. Është e vështirë të shërohet një problem i retinës së syrit me ushqime të veçanta, por nëse gjatë gjithë jetës ka ngrënë shumë fruta, boronica, perime, vështirë të shfaqen probleme në retinën e syrit. Megjithatë, më mirë vonë sesa kurrë. Na duhet të rikuperojmë gjithçka. Pra, nëse kjo patologji është e trashëguar, me parandalimin mund të bëjmë shumë. Janë të pakta patologjitë që lidhen ngushtë me terapinë ushqyese, një pjesë të mirë të të cilave keni mundësinë t’i gjeni sot në suplementin e radhës në gazetën “Tirana Observer”. Do të gjeni terapi mbi një pjesë të mirë sëmundjesh si: Gastriti, artriti urik, mëlçia, hipertensioni, menopauza, obeziteti, dhimbja e barkut, gurët në veshka etj. Për këtë dhe shumë të tjera sëmundje do të gjeni kura me terapitë përkatëse në suplementin e gazetës “Tirana Observer”.
Gastriti (inflamacioni i stomakut)
“Djegiet e stomakut” janë tipike për studentët nën ethet e provimeve dhe zakonisht për të gjithë personat që kequshqehen dhe që janë nervozë. Paretet e brendshme të stomakut janë si një kadife e shkëlqyeshme dhe delikate; kequshqyerja, duhani, kafetë e shumta, një armik i pabesë, janë dëmtuesit kryesorë të stomakut, i cili herët a vonë, nëse këto “sulme” vazhdojnë, zhvillon një ulcer të mirëfilltë.
Por, nëse armiqtë janë të shumtë, rreziku numër një është nënushqyerja; kjo për një arsye të thjeshtë; shumë pacientë kërkojnë të dobësohen. Duke u dobësuar, reduktojnë ushqime në përgjithësi, por nga ana tjetër duhet të përdorin një dietë të shëndetshme, ku të hanë pak nga gjithçka.
Në këtë mënyrë, pacienti mund të ndihet i kënaqur me dobësimin, por mbi të gjitha nuk do të ndiejë simptomat anësore si dhimbje koke e dhimbje stomaku. Përfundimi që nxirret është: nëse mirëushqehemi i gjithë trupi ynë do të ndihet mirë.
Ja cilat janë ushqimet ideale dhe ato që duhen evituar për stomakun.

Ushqimet që duhen preferuar:
Ka me shumicë. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se në kosin e freskët dhe të plotë gjenden substanca të ngjashme me hormonet, të afta të “riparojnë dëmet” e mukozës gastrite. Gjithashtu, këshillohen: pjepri, kajsia, lulelakra, carangthi, kungulli i verdhë.
Eleminoni: Pijet alkolike dhe duhanin.
Reduktoni: Sugot, ragunë, ushqimet pikante dhe ato të përpunuara.
Fitoterapia: tinkturë me lule sahati: 20 pika esëll në mëngjes dhe para darke.

Artriti urik
Një sëmundje e lashtë sa dhe vetë njeriu, është mjaft e ndërlidhur me ushqyerjen, duke konsideruar faktin që prek persona të cilët abuzojnë në ushqimet me mish (kryesisht mish i egër). Faza e shkatërrimit të proteinave të mishit shkakton një produkt të rrezikshëm katabolik, siç është acidi urik, i cili duke u vendosur në kyçe krijon dëme të paimagjinueshme.
Ushqimet që duhen përdorur më shumë: ananasi, shalqini, sallatat, kungulleshkat, speci djegës, orizi, misra, peshq pa yndyrë.
Ushqimet që duhen evituar: përveç mishit, bishtajoret, djathrat e fermentuar, sallamrat, erëzat, frutat e thata, sardelet.

Fitoterapia:
• Tinkturë mështekne: 10 pika esëll në mëngjes dhe para darke
• Tinkturë me rrush: 12 pika esëll në mëngjes dhe para darke
• Valim me alte dhe mëllage: në një litër ujë të valuar shtoni 5 gram kërcell alteje dhe 5 gram lule mëllage: zieni për dy minuta, pas gjysmë ore, kullojeni dhe pijeni gjatë ditës me filxhanë të vegjël.
• Jamball( bimë bishtajore si shkurre, me kërcell të gjatë, që ka shije të ëmbël dhe që përdoret për të përgatitur barëra e pije të ndryshme): në 250 gram ujë zieni për 10 minuta 2 gram rrënjë jamballi. Mund të pini në filxhanë të vegjël para vakteve kryesore. Por kujdes: mos përdorni në rast tensioni të lartë.

Mëlçia
Është dirigjenti i orkestërs së organizmit tonë. Përveç kësaj ëhstë dhe kontrolluesi i parë i gjithçkaje që tresim. Ekzaminon substancat e ndryshme të ardhura, i ripërpunon dhe i fut si energji në gjak. Sintetizon gjithashtu edhe molekulat kryesore si hormonet dhe vitaminat. Ndodh fatkeqësisht që ne e “ofendojmë” vazhdimisht me një ushqyerje jo të rregullt, ku mbizotërojnë ushqime të rënda, me yndyrë, të skuqura me vaj jo cilësor, me pije alkoolike e medikamente, të cilat ehde pse në kohët e sotme i vijnë në ndihmë shëndetit tonë, në rast abuzimesh, ndikojnë në keqfunksionimin e mëlçisë. Sa herë që në organizimin tonë fusim alkoolin, duhanin apo barna, do të na duhet të pyesim mëlçinë se si ndihet ajo.
Ushqyerja: sido që të jetë sëmundja hepatite, ushqyerja duhet të jetë korrekte dhe e pasur me produkte që nuk rëndojnë punën e qelizës hepatite.
Ushqime që duhen preferuar: preferoni gatimet e thjeshta: më të mirat janë zierja apo zierja në avull. Sa më shumë ananas, dardha, kumbulla, fruta pylli, pjepër, carangth, angjinare, groshë, kos rikota, peshq pa yndyrë.
Ushqime që duhen kufizuar: alkooli në të gjitha format e tij, ushqime shumë të përpunuara, produkte me yndyrë, pjekjet në hell.

Fitoterapia:
• Sëmundjet e mëlçisë janë të shumta, për secilën prej tyre fototerapia mund të vijë në ndihmë.
Hepatitet: janë patologji të shkaktuar nga viruset A, B, C, D ose fenomene intoksikuese. Në fazën akute të sëmundjes, është e pakët ndihma e bimëve, por nëse hepatiti është drejt rrugës së shërimit, ato ndihmojnë në përshpejtimin dhe përmirësimin e saj:
• Valim me carangth, gjethe angjiri, lule rozmarine; në një litër ujë zieni për 10 minuta 5 gram fara carangthi, 5 gram gjethe të thara argjinari dhe 10 gram lule rozmarine. Pijeni gjatë ditës.
• Valim me lëpjetë dhe ribes: në një litër ujë zieni 10 gram rrënjë lëpjete, 20 gram gjethe ribes(rrush frëngu). Lëreni të ziejnë për 8 minuta. Piheni gjatë ditës.

Steatozë hepatite (mëlçia e mbushur me yndyrë)
• Valim me carangth dhe tarasak(bimë dhëmbluani): në një litër e gjysmë ujë zieni 20 gram rrënjë të thata tarasaku dhe 10 gram rrënjë të thata carangthi. Lërini të ziejnë për njëzet minuta. pijeni në çdo moment të ditës.

Litiazë e kolecistit:
• Valim me rrodhe dhe trëndafil të egër: në dy litra ujë zieni për 20 minuta 10 gram rrënjë të freskëta rrodheje dhe 20 gram rrushqe trëndafili të egër. Piheni gjatë ditës.

Hipertensioni
Patologji në të cilën mirëushqyerja mund të ndihmojë shumë. Nëse tensioni arterioz ëhstë i lartë, veprimi i parë që duhet të bëni ëhstë reduktimi rreptësisht i kripës dhe i të gjitha ushqimeve që e përmbajnë(sallatat, ushqimet e ambalazhuar, prodhime furre etj). Gjithashtu kufizoni të gjitha ushqimet e pasura me yndyrna të ngopura si mish, pana, gjalpi, margarina e hidrogjenuar.
Ushqime që duhen preferuar: hudhra, qepa, frutat e freskëta, lakra. Përdorimi i vazhdueshëm i hudhrës jep rezultate fantastike: tri kokrra hudhra në mbrëmje kanë veti të forta hipotensive(për uljen e tensionit).
Ushqime që duhen kufizuar: kripa e gjellës, të gjitha ushqimet që përmbajnë kripë të fshehur, erëzat, sallamrat, mish i kuq, djathërat, pijet alkoolike, frutat e thata.

Fitoterapia:
• Valim me gjethe ulliri dhe lule murrizi: 5 gram gjethe ulliri, 10 gram lule murrizi zihen për 20 minuta në një liëtr ujë. Pihet gjatë ditës.
• Valim lulesahati, lule portokalli dhe gjethe ulliri: zieni për 10 minuta në një litër ujë 20 gram gjethe lulesahati, 5 gram lule portokalli, 15 gram gjethe ulliri. Pihet gjatë ditës.

Litiaza
Litiaza e rrugëve urinare është formimi i gurëve në pemën urinare. Sipas llojit të këtyre gurëve rekomandohet dhe lloji i ushqimit. Gjithsesi në çdo rast ka ushqime që duhen preferuar, ashtu sikurse edhe të tjera që duhen evituar.

Ushqime që duhen preferuar: kos, peshk pa dhjam, ananas, qershi, fruta pylli, karota.
Ushqime që duhen kufizuar: mishi i kuq, bishtajat e thata, pijet alkoolike, çokollata, ëmbëlsirat me yndyrë.

Fitoterapia:
• Infuzion me mështeknë e lule dhëmbluani: në dy litra e gjysmë ujë të valuar shtoni 10 gram gjethe mështeknë dhe 20 gram gjethe dhëmbluani. Lërini në infuzion për 10 minuta dhe piheni gjatë ditës.
• Valim me thekra misri: në dy litra ujë zieni 20 gram thekra misri për 20 minuta. piheni gjatë ditës.
Menopauza
Prej mijëra vjetësh gruaja rreth moshës 45 vjeç kalonte në menopauzë duke toleruar afshet, luhatjet e humorit, djersitjen si dhe plakjen e lëkurës. më vonë, me zbulimin e hormoneve sintezë gjithçka ndryshoi. Konsumimi i shpehstë i bishtajave gjatë javës jep një prurje shumë të mirë izoflavonesh, të vlefshme, përveçshqetësimeve të menopauzës edhe në profilaksinë e tumorit në gji.

Ushqime që duhen preferuar: bulmetra, bishtaja(sidomos fasule, soja), lakra, karrota, mëlçitë( të pasura me vitaminën A), vaj i ullirit(i pasur me vitaminë E), gruri, bajamet, arrat, rrushi.
Ushqime që duhen kufizuar: kafeja dhe pijet alkoolike.

Fitoterapia:
• Tinkturë lulesahati: 10 pika dy herë në ditë
• Valim lule kamomili e bar blete: zieni me një filxhan ujë për 2 minuta, 2 gram lule kamomili dhe 2 gram gjethe bar blete. Lëreni në zjarr të fikur për 10 minuta. dy filxhanë në ditë.

Menstruacionet (Menset)
Hemorragji fiziologjike e uterit të mitrës. Menstruacionet e rregullta dhe jo të dhimbshme janë pasqyra e shëndetit të gruas; një ushqyerje e gabuar pasqyrohet menjëherë në një cikël menstrual të parregullt. Ndodh shpesh për shembull që vajzat e reja, të pritura nga dëshira për t`u dobësuar me çdo kusht, eliminojnë nga dieta e tyre vajin, yndyrnat dhe karbohidratet. Si pasojë menstruacionet mungojnë. Për të pasur një cikël të rregullt duhet të ushqeheni me pak nga të gjitha duke i dhënë prioritet ushqimeve të pasura me ekstrogjenë vegjetal(soja, elbi, kulpës i butë).
Ushqime që duhen preferuar: sojë e verdhë, supë elbi, gruri, bishtaja të freskëta, qumështi, kos, djathërat.
Ushqime që duhen kufizuar: pijet alkoolike, kafeja, çaji.

Fitoterapia:
Menstruacione me dhimbje:
• Valim me sherebelë, dëllinjë, mjedhër: në dy litra ujë të valuar shtoni 10 gram gjethe sherbele, 5 gram rrushk dëllinje, 10 gram gjethe mjedhër. Lëreni të ziejnë për 20 minuta. pihet gjatë ditës.
Menstruacione të bollshme:
• Valim me bargjan dhe hardhi të kuqe: në një litër ujë mbani në infuzion për 15 minuta 10 gram hala bargjani dhe 15 gram gjethe hardhi e kuqe. Pijeni gjatë ditës.
Menstruacione të pakta:
• Valim me përqark dhe humulus: në një litër ujë zieni për 5 minuta 10 gram bohçe humulusi. Pihet gjatë ditës.

Obesiteti
Nuk ekziston asnjë bimë mjekësore e aftë të dobësojë një obesë, asnjë bimë që mund të tresë dhjamërat. E vetmja mënyrë për t`u dobësuar është kufizimi në të ngrënë dhe kryerja e sa më shumë lëvizjeve. Ushqimi edhe pse i reduktuar duhet të jetë i ekuilibruar. Asnjëherë mos ia eliminoni bukën, brumërat dhe vajin një adoleshenteje që kërkon të dobësohet. Rezultati i parë: i largohen menstruacionet.
Ushqime që duhen preferuar: zgjidhni ushqime të pasura me fibra, të cilat mund t`i hani në fillim të vaktit për të thyer urinë: sasi të mëdha me sallatë të përzier, brokoli(lakër romane) të ziera, kungulleshka e patëllxhanë të zgarës, përbëjnë një armë të fortë për të shuar urinë në tavolinë. Perimet e përgatitura në këtë mënyrë mund të merren në sasi të mëdha(nuk kanë shumë kalori), para drekës apo darkës. Gjithashtu sa më shumë bishtaja të freskëta dhe fruta me pak kalori si shalqiri apo pjepri.
Ushqime që duhen kufizuar: Sigurisht jo orizi dhe brumërat, por ushqime që me një vëllim të vogël nuk ngopin, por kanë shumë kalori: djathëra të yndyrshëm, sallamra me shumë yndyrë, ëmbëlsira me panë dhe gjalpë, karamele dhe pije alkoolike.
Fitoterapia: Detyra e vetme që mund të kenë tizanat për obesitetin është shuarja e urisë së ankthshme si dhe humbja e lëngjeve me tepricë.
• Valim “urishuajtëse” diuretike: në dy litra ujë shtoni 10 gram gjethe murrizi, 5 gram rrënjë dhëmbluani, 20 gram degë alteje, 5 gram bimë grami. Ziejini për 15 minuta. pihet gjatë ditës.

Osetoporoza (dobësim kockash)
Është një sëmundje tjetër e mirëqenies. Jeta gjithnjë e më shumë sedentare( pa lëvizje) që civilizimi i sotëm na ofron, bën që muskujt tanë të punojnë gjithnjë e më pak. Dhe kur nuk ka një aktivitet të mirë fizik, kalciumi nuk ngulitet mirë tek kockat. Le të rimarrim pra ato zakone të shëndetshme duke nisur që nga shëtitjett. S`ka gjë më të bukur se sa një shëtitje pasdite, por kujdes: dhjetë minuta shëtitje me ankthin dhe stresin për t`u kthyer shpejt në shtëpi bën vetëm keq. Ecja i bën mirë si zemrës dhe kockave, ashtu edhe mendjes. Të mendojmë për mënyrën e të ushqyerit që natyrisht duhet të jetë e p[asur me kalcium.
Ushqime të pasura me kalcium: qumështi, kosi, djathërat, perimet jeshile, frutat, buka dhe brumërat. Ndër perimet, lakra ëhstë një burim i mirë kalciumi. Nëse keni probleme kolesteroli të lartë, një gotë qumështi i skremuar ka saktësisht të njëjtën sasi kalciumi që përmban edhe një gotë qumështi i plotë.
Ushqime që duhen përdorur me masë: janë të gjitha ato ushqime që kufizojnë sasinë e kalciumit në organizimin tonë: sheqeri, ushqime me proteina(metepricë), fibra(përdorni ato të marra nga vegjetalë të freskët, një sasi e madhe krundesh të marra në mëngjes kundra kapsllëkut mund të frenojë absorbimin e kalciumit nga aparati tretës).
Ushqime që duhen preferuar: ato të pasura me kalcium: djathi, lakra, buka dhe brumërat.
Ushqime që duhen kufizuar: produktet e pasura me acid fitik si krundet, arrat, bajamet, kikirikët, alkooli, kafeja.
Ushqime të pasura me acid oksalik: panxhari, spinaqi, çokollata.
Këshilla: kryeni lëvizjetë paktën gjysmë ore në ditë, ekspozohuni sa herë mundni në diell edhe gjatë dimrit, mos pini duhan.
Fitoterapia: bargjani është një bimë shumë e pasur me minerale, mjaft i dobishëm në kurimin e osteoporozës.
• Infuzion me bargjan: në një filxhan me ujë të valuar vendosni 5 gram lule bargjan. Lëreni për 10 minuta, e pasi ta keni kulluar pijeni gjatë ditës.

Retina
Rezultate të dobishme me bimët mjekësore arrihen veçanërisht në rastet e degjenerimeve të enëve rrjetësore(të retinës) për shkak të hipertensionit apo diabetit.

Fitoterapia:
• Boronicë të shtrydhura: 200 gram lëng në mëngjes esëll.
• Valim me gjethe boronicash: zieni për 3 minuta me një filxhan ujë të valuar 10 gram boronicash. Dy filxhanë në ditë.

Reumatizma
Ekzistojnë lloje të ndryshme reumatizmash.
Ushqime që duhen preferuar: të gjitha llojet e peshqëve të pasura me acid omega 3: salmoni, sardelet, skumbrijet, açugat. Gjithashtu qershi, ananas, shalqi, nespulla, mandarina.

Ushqime që duhen kufizuar: mish i kuq, frutat e thata, bishtajat e thata, pijet alkoolike, kafeja.

Fitoterapia:
• Lëng qershie dhe ribes të zeza: 150 gram nga të dyja frutat. Pihet në mëngjes.
• Valim me hithra, gram, alte, sherebelë: vendosniprej secilës nga bimët 10 gram gjethe në një litër ujë.ziejini për 5 minuta dhe pijeni gjatë ditës.
• Kataplazmë me gjethe të freskëta rrodheje dhe lakre: thërrmoni 100 gram të freskëta të bimëve të mësipërme dhe përdorini për 20 minuta mbi pjesën e dhimbshme.
• Banjë me qitra, mëllagë e lule shtogu: në 3 litra ujë zieni për 20 minuta 100 gram gjethe qitroje, 150 gram gjethe mëllage, 300 gram gjethe lule shtogu. Pas kullimit derdheni preparatin në vaskën e banjës të mbushur me ujë të vakët.
• Vaj dafine: zbusni 30 gram gjethe të thata dafine në 60 gram alkool të mirëfilltë; një ditë më vonë solucionin e përftuar bashkojeni me gjysmë litri vaj ulliri. Pasi e keni zier në banjëmari për 3 orë, filtrojeni dhe mbajeni në një vazo qeramike.

Sinoziti
Pezmatimi i zgavrave të brendshme të hundës.
Ushqime që duhen preferuar: limoni, mandarina, qershitë, kajsitë, molla, renet, çikorja, karotat, lakra.
Ushqime që duhen kufizuar: të gjithë ushqimet që përmbajnë konservantë, djathërat e yndyrshëm, pijet alkoolike, kafeja, çokollata.

Fitoterapia: avullim me gjethe livandoje, sherbele, eukalipti: në 3 litra ujë të valuar hidhni pak nga secila bimë, kryeni inhalacione me avujt për 10 minuta në mëngjes dhe në mbrëmje.
Gjumi
Gjumi është një mekanizëm cerebral ende tërësisht i qartë. Ka persona që nuk arrijnë të flenë, të tjerë që i zë gjumi për pak dhe zgjohen në mes të natës, të tjerë akoma që flenë nëntë orë, por nuk bëjnë gjumë të qetë. Një darkë e tepruar në mbrëmje mund të provokojë një gjumë jo të qetë. Ndërsa një ushqim i rregullt me produkte që favorizojnë gjumin ndikom për një natë të mirë.

Ushqime që duhen preferuar: qumësht i ngrohtë me mjalt, sallatë jeshile, mollë të pjekura.
Ushqime që duhen evituar: mish i pjekur, sugot dhe ushqime të vështira në tretje: edhe mëlçia duhet të pushojë gjatë natës.

Fitoterapia:
• Infuzion me bar blete, shporiz e bli: në një filxhan me ujë të valuar shtoni 5 gram gjethe bar blete, 5 gram gjethe shporizi e 5 gram gjethe bliri. Lërini në infuzion për 5 minuta. pini një filxhan në mbrëmje para se të flini.
• Banjo e ngrohtë: në vaskën e banjos hidhni 3 litra çaj të përbërë nga 100 gram lule portokalli, 15 gram gjethe dafine, 150 gram fara manare, 200 gram petale lulëkuqeje.

Kapsllëku
Është rezultat i disa faktorëve: strukturorë, anatomikë, ushqimorë, nervorë e logjistik. Dalja jashtë është një moment delikat i organizmit tonë: një higjienë e rregullt intestinale mbron organet e brendshme nga shumë sëmundje. Në mëngjes(ose në darkë) duhet shkuar në banjo pa nxitim, pa stres, duke u përpjekur( u referohen personave që vuajnë nga kapsllëku) të qetësojnë muskujt abdominal. Por shpesh nxitojmë dhe na lind nevoja t`i drejtohemi medikamenteve edhe për jashtëqitjen.
Ushqime që duhen preferuar: dardhat, kumbullat, ikajsitë, pjepri, kivi(shumë të pjekura), fiqtë, shalqini, ananasi, panxhari, lakra, çikroja, angjinare, carangth, ushqime integrale(veçanërisht orizi), thjerrëzat, fasulet, gruri, thekra.

Ushqime që duhen kufizuar: limoni, karotat, bathët, mollët, orizi i shndritshëm.

Fitoterapia:
Ka shumë bimë që favorizojnë jashtëqitjen: gjethe sene, zogël, raven. Këto bimë barishtore përmbajnë disa substanca të quajtura “ antrakinon” të cilat irritojnë zorrën e trashë duke favorizuar kështu jashtëqitjen.
• Valim me lule shtogu, alte dhe kimus: në 250 gram ujë të valuar zieni për 5 minuta 5 gram lule kimusi, 5 gram bishta alteje e 5 rrushqe lule shtogu të tharë. Pihet në darkë.

Dhimbjet e barkut
Jo më kot njerëzit thonë se barku vendos. Tani për këtë edhe mjekësia atyre po u jep të drejtë. Truri i dytë i njeriut gjendet në bark. Rreth 100 milionë qeliza nervore mbështjellin zonën e tretjes në bark, duke formuar një shëmbëlltyrë të trurit ku llojet e qelizave, lëndët vepruese dhe marrësit janë po të njëjtit që gjenden në tru. Proceset fizike janë më tepër të lidhura me sistemin e tretjes nga sa mendohej deri më sot. Truri i barkut luan një rol të madh për ndjenjat e gëzimit dhe vuajtjes. Qendra operative e makinerisë së tretjes nuk merret vetëm me analizimin e përbërjes së ushqimit, nivelit të kripës dhe përqindjes së ujit apo vetëm me bashkërendimin e mekanizmave të përtypjes dhe tretjes. Përveç këtyre ai mban nën kontroll edhe baraspeshën e përsosur tek lëndët bazë të nervave, hormonet që mund të stimulohen dhe sekretet që duhen ruajtur. Sipas specialistëve të mjekësisë, përgjatë 75 vjetësh jetë në trupin e njeriut kalon më tepër se 30 tonë ushqim dhe 50 000 litra lëng nëpër zorrë. Kështu trurit të barkut i del për detyrë të analizojë me miliona lëndë kimike dhe të mposhtë miliona helme apo rreziqe të tjera të ardhura me ushqimin, punë të cilën ai arrin ta bëjë me një shkallë të lartë inteligjence. Zorra është organi me imunitetin më të madh në trupin e njeriut në të cilën gjenden më tepër se 70 për qind të qelizave mbrojtëse.
Funksioni
Barku dhe koka janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ajo që ndodh në kokë përcillet përnjëherë edhe në bark. Në rastet kur ndonjë helm arrin të depërtojë në trup, truri barkor e ndjen rrezikun dhe dërgon sinjale alarmi për në kokë. Pas kësaj, dhe truri i kokës dërgon sinjale në drejtimin e kundërt për poshtë. Truri i kokës zbut të ndjerin keq. Sipas mjekëve, po të ndjenim me tërë fortësinë e tyre tërë ato që ndodhin në bark, do të ndjeheshim shumë keq. Midis të tjerash nuk do të ishim në gjendje të flisnim, ndërkohë që do të hanim. Kur njeriu ka kaluar përgjatë një periudhe me stres të qëndrueshëm, atëherë ky ka mbetur akoma jo vetëm në tru, por edhe në bark. Barku midis të tjerash furnizon edhe katalogun e madh të ndjenjave dhe mendimeve që gjendet në tru dhe të cilin e shfletojmë kur duam të marrim një vendim mbi një rrethanë të ngjashme me një që kemi përjetuar më parë. Përvoja ka treguar se edhe kurat popullore kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në shërimin e shumë sëmundjeve. Disa prej kurave të përgatitura me bimë mjekësore përdoren edhe për shërimin e sëmundjeve të barkut.
Ushqimet me hekur
Mjekja rekomandon që në dietën e përditshme të mos mungojë asnjëherë ushqimet të pasura me hekur, si mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Dhe në rast se dhimbjet e barkut bëhen të shpeshta, mjekët këshillojnë përdorimin i frutave të freskëta, që përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit. Nëse pimë kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë, duhet t’i marrim dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit.

Gurët në veshka
Guri ne veshka është një masë e fortë që ndodh kur përbërësit e kalciumit ose kimikate të tjera në urinë formojnë kristale që ngjiten së bashku. Këto kristale rriten dhe formojnë gurë, madhësia e të cilëve luhatet nga një kokërr gruri deri në një top golfi. Çaji i përftuar nga bima e koprës ka dhënë rezultate të shkëlqyera në shkrirjen e gurëve në veshka. Mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e dy deri tri gotave me çaj kopre dhe shumë shpejt të sëmurët do të shohin rezultatet. Bima jo vetëm që ndikon në veshka, por edhe në rrugët urinare dhe shkakton urinim të shpeshtë, duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga helmet përmes urinimit. Specialistët që merren me sëmundjen e veshkave, deklarojnë se shfaqja e shqetësimeve nuk është gjithmonë e trashëguar. Madje, ata kanë vënë re se pjesa më e madhe e personave që kanë probleme me veshkat dhe kryesisht me gurët në veshka, vijnë nga prindër që nuk i kanë ndjerë asnjëherë shqetësimet, dhe pavarësisht moshës në të cilën ndodhen, veshkën e kanë organin më të shëndetshëm. Ajo çfarë specialistët u rekomandojnë të gjithë prindërve, në këtë rast është një dietë e ekuilibruar që në ditët e para të lindjes së fëmijës, madje ajo duhet të nisë që në barkun e nënës. Pikërisht në këtë kohë nis edhe dëshira e fëmijës për kripë, lëngje, ëmbëlsira etj. Nisur nga kjo, specialistët e nefrologjisë (mjekë të sëmundjes së veshkave), rekomandojnë që në ushqimin e përditshëm të ketë sa më shumë lëngje, supëra dhe fruta. Ekzistojnë shumë lloje, sipas natyrës kimike të toksinave apo mbetjeve në to. Këta gurë kanë karakteristikat e tyre të veçanta, çka dhe lejon identifikimin e tyre.
Burrat
Gurët në veshka janë më të zakonshme të burrat, ku katër në pesë raste kanë gurë në veshka. Disa nga faktorët që kontribuojnë në formimin e gurëve të njerëzit e prekshëm nga kjo sëmundje janë: marrja e paktë e lëngjeve, infeksionet kronike në rrugët urinare, keqpërdorimi i disa mjekimeve, bllokimi i rrugëve urinare me aktivitet të kufizuar për disa javë, si dhe disa sëmundje të caktuara gjenetike dhe metabolike.
Lehtësimi i dhembjeve
Pas përcaktimit të saktë të diagnozës, i sëmuri trajtohet me analgjezinë të lehtë dhe antiperistatike me efekt jo të fortë. Atij i jepen lëngje të ngrohta dhe i rekomandohet bërja e banjave në vaskë me ujë të vakët. Uji i ngrohtë çliron tek i sëmuri rrugët urinare. Për të lehtësuar dhembjet përdoren disa lloj ilaçesh, të cilat vetëm mjeku mund t’i japë. Rekomandohet konsumimi i ushqimeve të lehta, supave me zarzavate, lëngjeve të frutave, çajrat e ndryshme, etj.

Rekomandime
- Marrja e ujit dhe e lëngjeve është një domosdoshmëri edhe më e madhe për ata që vuajnë nga gurët e veshkave.
- Trajtimi i të gjitha llojeve të sëmundjeve me gurët në veshka qëndron në marrjen e një sasie të caktuar lëngjesh.
- Ky trajtim bëhet në raport me llojin e gurëve.
- Mjekët popullorë rekomandojnë disa kura me bimë për kurimin e gurëve në veshka.
- Sipas tyre, gurët në veshka kurohen me fier guri, gjethe delli, bishta qershie, etj.
- Këto bimë kuruese për gurët në veshka përdoren në formë çaji.
- Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka.
- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën.
- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara.
- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë.
- Yndyrat duhet të jenë vajra me një lidhje dyfishe (si vaji i ullirit).
- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra dhe bajame.
- Përdorni ushqime të lehta: supe me zarzavate, lëngje frutash, çajra mali dhe kamomili.
- Lëvizni sa më shumë të mundeni.
- Një herë në tre muaj bëni ECHO.
- Çdo 10 ditë bëni analizat e urinës dhe pehashit (Ph).
- Bëni banja me ujë të ngrohtë.
- Mos pini alkool dhe duhan.

Simptomat e gurëve në veshka janë:
- Dhembje barku.
- Frymëmarrje të ngadalta e të thella.
- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë.

Efektet e lëngut të mollës
Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka dhe ndikon mirë te njerëzit, që kanë vuajtur nga verdhëza. Mjeku rekomandon pirjen e çajit të mollës 3 herë në ditë 1 gotë, por gjithmonë pas buke. Lulet e mollës përdoren në formën e çajit që qetëson kollën. Për kollën e butë këshillohet 1 kokërr mollë, lëngu i një kokrre limoni, 2 lugë mjaltë dhe pak ujë. Molla pritet në kubikë të vegjël dhe zihet me ujë së bashku me lëngun e limonit. Më pas shtohet mjalti dhe lihet deri sa të formohet një masë e trashë si qull. Kura e përgatitur përdoret disa herë në ditë nga 1 lugë gjelle. Kurse gjethet e kësaj peme përdoren për lehtësimin e ënjtjeve në trup. Një grusht nga këto gjethe hidhen në 2 litra ujë dhe lihen të zihen për 20 minuta. Çaji pihet 2 herë në ditë nga gjysmë gote para buke. Molla zvogëlon kolesterinën në gjak dhe preferohet si preventiv për arteriosklerozën dhe hipertensionin në gjak. Është mirë të konsumohen 3 kokrra mollë në ditë.
Molla është një nga frutat që ndihmon ata që kanë probleme me tretjen e ushqimit. Këshillohet ngrënia e një kokrre molle 3 herë në ditë para buke, për 5 ditë me radhë. Të hash 2 kokrra mollë në ditë, pengon infarktin e miokardit dhe gëlqerosjen e enëve të gjakut. Gjithashtu konsumimi i këtij fruti ndihmon ata persona që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut si dhe të gjithë ata që vuajnë nga sëmundja e migrenës. Ky frut është shumë i mirë për ndalimin e dhimbjeve të saj. Nëse i sëmuri sulmohet nga krizat e migrenës, duhet të konsumojë patjetër një kokërr mollë. Për shkak se përmban substanca të shumta minerale, këshillohet kundër inflamacionit të zorrës, reumatizmës dhe gurëve në veshka. Një mollë e ngrënë në mëngjes, ndikon mirë në pastrimin e dhëmbëve dhe eliminon thartirën e tepërt në gjak.
Uthulla e mollës:
Uthulla natyrale e mollës është jashtëzakonisht e mirë për një forcë magjike dhe vlerësohet shumë që të jetë pjesë përbërëse e jetës së përditshme. Për të gjithë ata që vuajnë nga sinoziti këshillohet të pihet një gotë me ujë në të cilën është hedhur një lugë nga uthulla e mollës. Kjo kurë duhet të përdoret 7 herë në ditë për të pasur efektin e dëshiruar. Uthulla përdoret edhe për sytë që lotojnë. Një lugë uthull molle hidhet në një gotë ujë, në të cilën është hedhur dhe pak jodio e holluar. Pihet një lugë gjelle para drekës. Kjo kurë është mirë të vazhdojë për 15 ditë. Përveç vetive kuruese, uthulla e mollës është shumë e preferueshme të përdoret për sallata.
 
Sipër