Shqiptarët në mesjetë - Gjet Ndoj

Gjendja
Nuk është e hapur për përgjigje të mëtejshme.

Miri

Anëtar drejtues
Mendimi politik e kulturor i klerit katolik dhe i intelektualëve të veriut

Mendimi politik e kulturor i klerit katolik dhe i intelektualëve të veriut

KAPITULLI XIV

MENDIMI POLITIK E KULTUROR I KLERIT KATOLIK DHE I INTELEKTUALËVE TË VERIUT (1920-1939). PËRFAQËSUESI MË TIPIK I KËTIJ MENDIMI BËHET DEPUTETI I MIRDITËS AT AMBROZ MARLASKAJ.

Marlaskaj - Mendimtari i shquar dhe dijetari patriot.

Autori Pal Doçi në librin e tij “Fati i një dijetari”, kur don të hedhë dritë në vija të përgjithshme mbi zotsinë e Marlaskajt në fushën e diturisë gjen të udhës të perifrazojë tre momente (letra e dokumenta) kryesore:
1. “Në një studim mbi Fishtën shënohet- imzot Prend Doçi nga zotsia qe kish, dhe nga kopetenca në botkuptimin europian e modern, nga shpirti organizues që zotnonte mblodh rreth vetes yndyrën e personaliteteve letrare të vendit. Ai bani bashkpunëtorë Fishtën e Marlaskajn, Nikaj e Dodë Kalecin, Gurakuqin e Bardhin, etj.
2. Po në atë studim theksohet; “S’do harrue kolegu i At Gjergjit, At Ambroz Marlaskaj, i cili me Fishtën ndanë si në orë të parë bukën e krypën, helmin e mjaltin e kohës.
3. Në një dokument të datës 13 mars 1939 vetëm tre muaj para vdekjes vihet në dukje se: Mabroz Marlaskaj shquhet në çështjet e kulturës dhe të arsimit, “e ka tregue veten të fortë në logjikë e në letërsi… Në të kaluemen qe profesor i filozofisë i klerit të Shkodrës dhe universitete të huaja”.

Marlaskaj Filozof, sociolog e gjuhëtar
Ka një mungesë te dokumentacionit themelor, për të trashëguar në mënyrën më të plotë mendimin filozofik, por megjithatë, në ligjëratat e këtij lektori kopetent universitetesh, apo letrat të ndryshme gjenden mendime origjinale të tij, çështje filozofike e sociologjike dhe del më pak një talent i rrallë i kësaj fushe.
Piku në veprën e tij botuar ne vitin 1923 “Një munoment historik në lame t’arsimit në Shqypni” Marlaskaj thotë; “Një shtet i pabesim i hap dyert herët a vonë dy të zeza ma të tmerrshme të shoqnisë, despotizmit dhe anarshizmit. Nji shtet që nuk don me u përmbajt brenda caqeve të ligjes, të Zotit, në qeverisje të qytetasve, ka për të patur si masë e rregulltë të sundimit vetëm vullnesën e interesin e pushtetmbajtësve e ka për të përdorë mjetet gjithfarësh, të ligjshme e të paligjshme për të ngushtue të drejtat e lirinë e popullit deri ku mund të arrihen dëshirat e veta. Kurrgja s’ka për ta tremb shtetin në kërkesë të këtij qëllimi e po qe nevoja ti shtypë edhe krejt qytetasit e vet, vetëm që shteti të mund të qëndrojë në atë kamë që ka.
Në anën tjetër! Nji popull i rritun pa besim të zotit, nuk ka me ndigjue me i shtypun dhe i imponuar nga ndërgjegja, por vetëm prej frikës e kështu aty ku se kap ligja ka me vepru të nantëdhjetë e nantat, se mbrami a ka për ra në një robnitë padenjë për natyrë të vet, ose do të presë kohën e bukur të ngrejë krye të rrëzojë qeveri pas qeverie”.
Konkluzionet e filozofit qenë shkencore dhe të drejta ndërsa parashikimi qe profetik.
Ah sikur shqiptarët ta dëgjonin mendimtarin e urtë1. Po sikur intelektualët shqiptarë të dëgjonin dhe të vëmendësoheshin për ato konkluzione të Marlaskajt a do të vendosej despotizmi 50-vjeçar dhe më vonë të lulëzonte anarshia 50-vjeçare.
Se pari; Marlaskaj kishte të bënte me një popull të lodhur e të raskapitur për shkak të luftës për mbijetesë dhe pa eksperiencën e duhur në transformimin dhe i pa reformuar brenda vetes së tij.
Së dyti; Intelektualët mendje ndritur si ai, ishin mjaft të pakët dhe të pamjftueshëm për të menaxhuar të ardhmen e këtij vendi.
Së treti; Mungonte një aristokraci e mirfilltë me mënyrë jetese dhe mentalitet perëndimor.
Aristokracia e kohës ishte e vogël përfaqësohej kryesisht nga njerëz ofiqet e të cilëve bazoheshin në rregjime anodollake konservatore dhe pa një idenditet autokton shqiptar.
Mendimi filozofik i Ambroz Marlaskajt shihet qartë në ligjëratat e shumta që ka mbajtur. Një ligjëratë e tillë është ajo e mbajtur në kishën unite në Elbasan kur ishte i internuar atje në vitin 1934 me temë “Cili është qëllimi i njeriut në tokë”?
Kësaj pyetje Marlaskaj i përgjigjet; “Jeta pa një qëllim, pa nji fill është pa kuptim, asht nji marri sikur është pa kuptim çdo vepër e bame pa nji qëllim të caktuem… se jeta e njeriut do të ketë një qëllim shihet:
a) Prej veprimtarisë së njeriut të drejtueme për tu dapë diku, për t’ia mbërritë një të mirë.
b) Prej jetës e rregullimit shoqnuer që nuk mbahet mbi kambë pa nji qëllim, ashtu si nuk mbahet nji ndërtesë po nuk u rregulluan pjesët e saj…
c) Prej qëllimit që shofim se kanë sendet e tjera të cilat janë nën njeriun.
Kush do të na qesë në dritë, kush do të na mësojë se çfarë qëllimi ka jeta përgjithsisht e veçanërisht ajo e njeriut!
1. Ma së pari jo Materializmi. Ky fillo e mbaro vetëm me trup a fuqi të tija… Qëllimi lupë mendjen, qi të mjafë, lypë vullnesën që ta dëshirojë e më tej të vejë në veprim fuqitë e veta për t’ia mbërritë qëllimit… Trupi nuk ka as mendje e as vullnesë. Pra…
2. Në tjetrën anë as panteizmi. E pse?
Në bazë të panteizmit është një e kenme (qenme) e vetme. Kjo e qenme e vetme nuk mund të ketë qëllim se nuk mund të veprojë për tu kapë tek ndonjë e mirë mbasi i ka të gjitha të mirat, pra asht ajo vetë e jo tjetër gja.
Ai trajton duke kritikuar evolucionin e qënies njerëzore jo të inkuadruar në enolucionin e jetës në total (nga Dervini) por si një diçka specifike me kafshët dhe bimët dhe jo si pjesë të origjinës së tij. Ndërgjegja sipas tij është vetëm tek njeriu.
Në fushën e sociologjisë Marlaskaj trajton shumë probleme por me i spikaturi e më interesante janë pikpamjet e tij mbi gruan, vendin që zën ajo në shoqëri dhe ç’vend duhet të ketë.
Në një studim të tij ai shkruan; “Gruaja sa e pakët duket aq na del e fuqishme e plot rëndësi. Jemi msue me i ba n’asgja:.
Më poshtë vijon:
I- Pozicioni i gruas në jetë
II- Misioni i gruas në botë
III- Edukatë e gruas
Pozicioni i gruas në jetë.
A. Robnia e gruas dhe emancipimi i saj.
B. Zgjimi i një populli është të përtërimt e gruas, pra jo vetëm të mbarojnë tagret dhe liritë e saj por edhe ta shpëtojmë prej fenimizmit të kohës së sotme.
C. Gruaja me natyrë të andëshme shëmbëllen dashuri sikur trimi forcën. Me zyrë e detyrë që ka si nanë ashtë më e madhja trajtuese e njeriut, më i skajshmi cak (kufi) i flijeve (vetmohimit), e gurrave ma e plotë për kah njeriu, porsi vetja, por si pjestar familje, porsi gjymtyrë e shoqnisë, i rrjedhin të mirat nëpër zemër jeta, ndera, mirsitë e të prunit por shka asht njerëzore dhe e madhnueshme”.
Marlaskaj ka dhe ide origjinale dhe për dashurinë.
a) Pëlqimi i fuqive prej korpit a të shpirtit me nji të mirë. I pari, pëlqimi i shkaktuar prej të mirave të ndjeshme. I dyti prej të mirave të njoftëshme.
- Dashuria themelin e vet e ka në pamjaftim të vetvetes, në kreaturën.
b) Me pëlqim bashkue dëshira me perugja, mu ba nji më të mirë. Prandaj duhen njerëzit, miqtë ndër vedi… ata të nji gjaku…
c) Sa më e naltë të jetë e mira dhe arsyeja me e dashtë atë, aq më e naltë e bujare do të jetë dashnia.
A Marlaskaj ishte jo vetëm njohës i mirë i historisë së Shqipërisë, e kjo duket si në referatet, shkrimet e tij në shtypin e kohës por ai ndihmoi dhe pasuroi akoma më tij si në aspektin e këndvështrimit të problematikës historike, por edhe pasurimit me fakte të reja atë.
Vepër historike e mirfilltë e Marlaskajt mund të konsiderohet ndër të tjera dorëshkrimi origjinal në gjuhën gjermane me titull “Ligjëratë mbi Shqypninë” e cila ruhet në Arkiv dhe është e përkthyer nga redaksia e “Hyllit të Dritës”. Kjo kryevepër e tij në fushën e historisë është bërë prezent prej tij në një tubim shkencor historianësh në qytetin Achen të Gjermanisë më 15.01.1928. Në të zbërthehen çështje të vazhdimësisë Iliro-Shqiptare dhe Marlaskaj bën prezent në të argumenta gjuhsore, burime të shkruara historike etj. Një vend të rëndësishëm në këtë vepër ka dhe përhapjes së krishtërimit në Shqipëri dhe rolit të kishës Katolike në përhapjen e kulturës dhe lidhjes së Shqipërisë me Europën.
Në “Ligjëratën mbi Shqipërinë” Marlaskaj i jep një vend të veçante familjeve princore shqiptare si Ballshajt, Komenët, Topiajt, Kastriotët etj.
“Gjergj Kastrioti ishte i shkathët dhe i zgjuar si Çezari e Hamibali, i pandjeshëm ndaj vapës e të ftohtit e me një fuqi trupore të përkryer” thotë Marlaskaj.
Merita më e madhe e Marlaskajt si historian është se për herë të parë në historinë tonë gjene një trajtesë të plotë arsimi dhe vijimsia e tij në gjithë kohën pas pushtimit turk.
Vepra të tjera janë “Historia e Kryqit Kuq” në të cilin jepen të dhëna historike dhe vlerësime për këtë organizatë.
Në dorëshkrimin “Vezirat në Shqypni” trajtohen në formë kronike Begollajt, Çonshollajt e Bushatasit dhe ka të dhëna të vlefshme.
Në “Ligjëraten mbi Shqypninë” është një dorshkrim në gjermanisht me titull “Jeta e Shqiptarvet”. Këtu trajtohen qartë dhe shkurt familja, fejesa, martesa, edukimi i fëmijëve, jeta familjare, veshja, sëmundjet dhe mjekimi i tyre, varrimi dhe rite e doke të tjera. Pra Marlaskaj ishte pa dyshim dhe etnolog. Ambrozi vë në dukje disa veçori të jetës së shqiptarëve si; Këngët që i këndohen fëmijës në djep, mosthirrja e bashkshortëve me emër njëri-tjetrit, aftësitë e mjekëve popullorë që edhe pse ju mungojnë mjetet kryesore krijojnë operacione të vështira.

Gjuhëtar

Marlaskaj ishte gjuhtar i spikatur. Në një dorëshkrim “A asht gjuha shqipe për çështje ditunore?” Marlaskaj thekson:
“Dita me ditë jemi tue pa dhe tue prekë me dorë nevojën qi kemi, që ta mbështesim jetën tonë vetjake, shoqnore e industriale mbi parimet e dijës së vërtetë. Sa më afër tu bajmë vend këtyre parimeve në jetën tonë shqiptare, aq më shumë do të kemi të drejtë dhe themel gjallërimi, aq më fort do të hullemi (afrohemi) nga kulturë e qytetnimi”.
Në një vend tjetër Marlaskaj kritikon pseudointelektualët që e quanin veten aksidentale dhe që thonin se gjuha shqipe nuk është e përshtatshme për të njohur e shprehur njohuritë e larta ditunore.
“Unë - thotë Marlaskaj- kisha me ju thanë këtyne zotnive të mos nguten me marrë nëpër gojë atë gjuhë plot fuqi, por ti vihen e ta mësojnë, ta punojnë e atëherë të thonë fjalën”.
“Popujt e europës nuk e patën gjuhën gjithherë të përpunueme si sot. Por e punuen dhe e zhvilluen. S’bahen punët tue ndenjë pështetë me duer n’ij, por brezit të sotëm i përket me thye akullin e me vu dorë në krijimin e kulturës e të ditunisë shqiptare”.
Duke nisur vërejtjet mbi ortografinë shqipe, Marlaskaj shkruan Fishtës. “Një nga më të mëdhatë shërbime që i ke ba Kombit Shqiptar, qe miratimi i alfabetit latin në Kongresin e Manastirit të vjetit 1908 në të cilën iu qitën (hodhën) themelet nji ortografie të gjithmbarshme në Shqypni”.
Marlaskaj e quante alfabetin themelin e gjuhës ndërsa ngrehina (ndërtesa mbi to) ishte ortografia dhe morfologjia duke e krahasuar kështu me një shtëpi. Në këtë kuptim “ndërtesa” e pa ngritur pra ortografia duhej ngritur sa më parë.
Këtë detyrë e mori përsipër “Komisia Letrare” por sipas Marlaskajt “parimet e zgjedhura prej komisisë letrare nuk janë asosh që t’ju përgjigjen nevojave të gjuhës sonë, nuk po thom plotësisht, por as kah në të nevojshmet pikpamje. “Mendimi im – thotë Marlaskaj, se për të nxitë autoritetet e ligjshme që tu bien mbrapa këtyre mungesave kah ana e një ortografie të arsyeshme e të mjaftueshme, kam vendos të bëj disa oroe ma të nevojshme për ortografinë e komsisë letrare shqype, do oroe të cilat tuj u gjet në shkollë, në jetë praktike, ditë për ditë më bie në sy edhe pa dashtë”.
Marlaskaj këshillon se duhen bërë studime të mirfillta e të posaçme shkencore mbi gjuhë të vjetra për të dhënë një gjykim sa më të drejtë mbi etimologjinë e fjalës shqipe.

Mendimi dhe veprimi politik i mirditasve shprehet qartë tek DEPUTETI i tyre Marlaskaj.

Aktiviteti më i dendur politik i A. Marlaskajt vihet re pas luftës së I Botërore. “Në këtë kohë ky patriot ishte në ballë të luftës për bashkim kombëtar, liri, demokraci e përparim te shqiptarëve. Ai mori pjesë gjallërisht në jetën politike shqiptare të viteve 1920-1924, duke vepruar në rrymën me demokratike te kohës”1.
Duke vlerësuar gjendjen e vitit 1923, A. Marlaskaj shkruan:
“Njerëzit ma të mirë, sidomos në Shqypninë e Veriut ishin lodhun prej një sundimi të tillë të dhunshëm. Ata krijuen një shoqni zgjedhore kundër A. Zogut. Për këtë nji ndihmesë të madhe dhanë gazeta “Ora e Maleve”, dhe revista “Hylli i Dritës”.
Sipas Marlaskajt “Meqënëse në zgjedhje ishte fjala për hartimin e një Kushtetute të re përfundimtare i dërguari apostolik e porositi Klerin Katolik që të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe sipas dëshirës eventuale të popullit të dërgoje edhe klerikë në Këshillin Kombëtar”.
“Sapo u shpallën listat e kandidatëve për deputetë në Asamblenë Kushtetuese më 1923, intelektuali i shquar e veterani i arsimit kombëtar, atdhetar Gasper Beltoja prej Tirane i shkruan Marlaskajt në Shkodër. Jam gzue shume kur lexova nr1 “Orën e Maleve” emnin tuej për në kuvendin kushtetues. Po, u gëzova sepse ju nuk kini interesa individuale e kini mu mundue për të mirën e popullit”.
Me gjithë mjetet që përdori Zogu, legale e ilegale, te dhunshme e paqsore për të penguar fitoren e At Ambrozit, populli i Mirditës, vegjëlia por dhe një pjesë e parisë më 07.12.1923 e zgjodhi At Marlaskajn deputet në Asamblenë Kushtetuese. Zogu humbi kështu pothuajse gjithë Shqipërinë e Veriut. Që nga kjo kohë Zogu për të ardhur në pushtet kishte vetëm një shans: Duke u mbështetur nga Mbreteria Jugosllave.
“Ky fakt ishte i njohur, prandaj i shqetsonte atdhetarët pasi Jugosllavia kishte pushtuar Kosovën dhe synonte të përmbante edhe pjesën tjetër, të paktën Shqipërinë e Veriut”1.
Fitorja në zgjedhje dhe debutimi i A. Marlaskajt në këtë tribunë të lartë kombetare u prit me përzemërsi nga patriotët dhe rrethet intelektuale të kohës. Më 02.01.1924 Gjergj Vjerdha ndër të tjera i shkruan: “Tue ju urue prej Perendiet jetë, shëndet dhe plotsimin e gjithë dëshirave te Zotnis t’Uej në pikpamje të përparimit, lulzimit, nderës s’Atdheut dhe të bashkimit e nderës së të gjith popullit, gëzohem shumë për zgjedhjen t’Uej në Asamble”.
A Marlaskaj në fillim te jetës së ksaj Asambleje Kombëtare shënon:
“Sapo përfunduen zgjedhjet ne mbërritëm të kuptojmë se jemi në gjendje me krijue nji Parti te fortë kundër Qeverisë. Ndër 102 anetarë të kshillit kombëtar ne mund të llogaritnim të paktën 43 (m.gj.se kjo shpresë mund të përligjet në jetë kur nuk nevojitet frika)”.
“Bisedimet për një Qeveri të re zgjatën shumë. Një kualicion ishte i pamundur, sepse ne donim nga njëra anë përjashtimin e plotë të Zogut dhe nga ana tjetër kërkonim Ministrinë e luftës. Kështu kabineti i ri u formue përsëri nga Partia e Zogut, por vetë Zogu nuk merrte pjesë në të”1.
Ndonëse ishte në opozitë Marlaskaj dhe kolege të tij si Fishta, F. Noli, Avni Rustemi, Ndre Mjeda, L. Gurakuqi, Hile Mosi, Aqif Pashë Elbasani, Bumçi etj, rritën autoritetin e Asamblesë kombëtare, krijuan një kulturë të re përfaqsimi të popullit, demokratizuan jetën parlamentare, penguan mënyrën e sundimit anadollak dhe mesjetar të qeveritarëve si të Shevqet Verlacit, A. Zogut M. Libohovës etj.
Marlaskaj u përpoç që Asambleja dhe deputetët të intensifikonin punën për të bërë ligje të mira, për t’i shërbyer sa më mirë gjendjes së brendëshme dhe marrdhënieve me jashtë të shtetit shqiptar.
Kultura perëndimore dhe njohuritë e plota për shumë fusha e bënë A. Marlaskajn një nga parlamentarët më të spikatur dhe më progresiv të Asamblesë Kombëtare dhe një nga zërat më të dëgjuar të saj.
A. Zogu shkruan Marlaskaj “ruhej si ne në një kështjellë ditë e natë siç ishte ruejtun kur qe Kryeministër, megjithëse, për këtë nuk kishte asnjë arsye ligjore. Kundër këtij qëndrimi sfidues u ngrit në këshillin kombëtar edhe deputeti A. Rustemi”.
Disa ditë me vonë A. Zogu me njerëzit e tij e vrau atë ditën për diell në rrugë të madhe.
Vrasësi u largue me një hap krejt te zakonshëm pa u shqetsue.
Marlaskaj bashkë me Opozitën u drejtua për në Vlorë jo vetëm si përfaqsues i Mirditës, por edhe i intelektualëve e merr pjesë gjallërisht në mbledhjet e deputeteve që u mbajtën atje (Vlorë).
U vendos ti kërkohej me shkresë Qeverisë burgosja e vrasësit dhe e A. Zogut dhe dërgimin e tyre në gjyq. Qeveria trembej nga A. Zogu e nuk bëri asgjë. Përkundrazi A. Zogu mori para nga arkat e pushtetit lokal për të mbledh vullnetarë kundër opozitës. Në këto kushte rrugdalja e vetme ishte që ti besohej ushtrisë. Ushtria pranoi, veçse po të nevoiteshin forca duhet të shtohej numri me civile vullnetarë”. Në këto mbledhje të asamblistëve opozitarë, A. Marlaskaj është treguar mjaft i gjallë, i urtë dhe me një mprhtesi politike. Fjalimet e tij të spikatura bënë që ai në listën e asamblistëve të renditet i dyti, fill pas F. Nolit.
Ato ditë në një mbledhje Ali Këlcyra njofton se Ceno Kryeziu ka pushtuar Krumën. Marlaskaj i përgjigjet:
“Ka ardhë në Krumë se edhe ai asht Shqiptar”.
Qeveria kaloi hapur, në anën e Ahmet Zogut madje e emëroi atë kryekomandant të vullnetarëve që ai vetë kishte mobilizuar.
Nga jugu e veriu ushtria e udhëhequr nga opozita por e mbështetur nga jugu e veriu me vullnetarë pasi u ndesh në një rezistencë të dobët mori kryeqytetin dhe Zogu e vullnetarët e tij u arratisën në Jugosllavi. Situata pas disa betejave të shkurtëra (jug e veri 30 te vrarë) u shpëtua.

Krijimi i Qeverisë së Nolit 1924.
Lidhur me këtë Marlaskaj shkruan - “Pas arratisjes së Partisë Zogut u shtrua çeshtja e formimit te Qeverisë. Për formimin e Qeverisë së re kishte dy rrugë:
a) Civile, b) Ushtarake, dhe katër kandidatë; Noli, Gurakuqi, Koculi, Delvina, fitoi Noli”.
“Në ligjeratën mbi Shqipërinë” A. Marlaskaj shkruan “Ish opozita e mëparshme kërkoi zgjedhje të reja për ti tregue popullit se ajo ishte drejtue te ky jo për interesa vetjake”.
Pas vendosjes së Qeverisë e vendosjes së rendit Marlaskaj shkruan;
“Në këtë kohë sejcili prej nesh shkoi në shtëpi të vet”.
Ambroz Marlaskaj nuk bëri pjesë në ndonjë digaster të Qeverisë së Nolit. Qëndrimi i Marlaskajt për politikat qeverisëse të Nolit nuk është i qartë pasi ka mangësi dokumentash por sipas P. Doçit, autor i librit “Fati i një dijetari” thotë; “Një gjë bie në sy: Ambroz Marlaskaj është për veprime ushtarake, për një dorë të fortë kundër bandave Zogiste që prishnin qetësinë dhe shkaktonin ç’rregullime në popull”.
Personaliteti i spikatur i Marlaskajt shihet qartë në letërkëmbime të shumta (me qindra) që ka patur me atdhetarë dhe intelektualë të kohës të cilët (këta të fundit) e vlërsojnë si njeri të aftë, patriot dhe politikan i zoti.
Pas rënies se Qeverisë së Nolit në dhjetor 1924 si shmë të tjerë personalitete përndiqet dhe largohet nga Shqipëria (në mars 1925 në Itali). Për periudhën 1934-38 ka pak dokumenta për të dhe njohja e veprimtarisë tij është e vogël.
Me 15.03.1936 i shkruan P. Rrokut një letër ku ndër të tjera Marlaskaj thekson; “Përkujtimi e përtërin detyrimin. E kemi në dorë me ba diçka e nuk asht ba”.
Në letër i tregon se kishte krijuar një komitet me italianë të pasur për me ndihmu shqiptarët kryesisht komunitetin katolik e kur organizimi arriti kulmin nisi lufta në Abisini dhe i prishi gjithë planet – thotë Marlaskaj.
“Na Shqiptarët jemi msue tepër keq me u mbështet mbi ndihma. Asht e vërtetë se jemi të papasun tejet, as nuk jemi te zotë të bajmë vepra të mëdha me mjetet tona, por do punë të vogla mund të bajmë. Por nuk kemi kurr nji iniciativë… po kto punë kërkojnë mund, therrori, dizinteres, besë, drejtësi etj… ndërsa nga ne sa kanë qënë nga ata që edhe kur kanë mujt të kenë qelë një shkollë pa para për mësim të popullit.
Me 30 prill 1938, Marlaskaj i dërgon arqipeshkvit në Shkodër një letër në të cilën citojmë; “Asht kot të tham se nuk kam kurrnji tager ligjor të shkruaj ç’ka kam nda me shkrue shkëlqesisë sate si t’vetmit Metropolit të Shqypnisë e kështu gjithë ipeshkvijve të saj. Asgja mangut si katolik i Shqipnisë e njëherit si pjestar i Klerit t’atyshëm nuk mund të kesh kurrsesi mbi çka ashtë ken lajmue rreth martesës së mbrame në Tiranë, përsa i përket pjesmarrjes së Klerit Katolik në atë martesë…”.
Vetë në cilësinë e tregueme temen jam tue que zanin kundra këtij shkandali të madh që ka ndodh në Shqypni të shkaktuem aty e gjithkund, të asaj kunore që nuk asht kunorë por konkubinat në vështimin e plotë të fjalës”.
Mënyra e ashpër e trajtimit të kësaj letre tregon se sa i prerë ishte në mendimet e veta frati mirditas. Kjo nuk shprehte aspak mendjemadhësi por bindje për shkak të formimit të tij. Qëndrim në vijimësi antizogist që në vitin 1923 e deri në këtë letër që sapo cituam nuk mund të mos sillte rrjedhime për A. Marlaskajn qoftë edhe në Romë, pasi kumbarë i Zogut ishte vetë Konti Çiano.
Vdekja e Marlaskajt në pranverë 1939 ishte e mistershme. Ndoshta dhe kjo ishte qe bërë me kohë pjese e planeve për eleminimin e kundërshtarëve politik të Pushtetit Zogist.

[SUB]Të gjitha të drejtat e rezervuara © Autorit Gjet Ndoj[/SUB]
 
Gjendja
Nuk është e hapur për përgjigje të mëtejshme.
Sipër