Shirat, hapen portat në HEC-e, nën ujë 800 ha në Shkodër. Rrufeja vret 1 person

Miri

Anëtar drejtues
Shirat, hapen portat në HEC-e, nën ujë 800 ha në Shkodër. Rrufeja vret 1 person

TIRANE - Moti i keq me shira e erëra të forta ka shkaktuar probleme të disa zona të vendit si dhe 1 viktime ne Lushnje.

Reshjet kanë rikthyer rrezikun e përmbytjeve, pasi portat e hidrocentraleve janë hapur për shkak të prurjeve masive.

Shirat kanë shkaktuar rrëshqitjen e masiveve me inerte në segmentin rrugor Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur Kuqar. Për këtë arsye u paralizua për disa orë qarkullimi i automjeteve në këtë aks, deri në ndërhyrjen e fadromave që bënë të mundur lirimin e rrugës. Ndërkohë probleme janë vërejtur edhe në zona të tjera të vendit. Dallgët e detit, që kanë arritur deri në 8 ballë kanë bllokuar punën në porte.

Prurjet e shumta nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë ditët e fundit në vendin tonë kanë detyruar HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit të hapin portat e shkarkimit. Mësohet se nga hapja e portës HEC-i i Ulzës derdhet 300 m³ ujë për sekondë, po ashtu edhe nga hapja e portës së Hec-it të Shkopetit.

Prurjet në hidrocentralin e Ulzës shkojnë në 140 m³/sec, ndërsa në HEC-in e Shkopetit janë rreth 190 m³/sec. Hidrocentrali i Ulzës punon me kapacitet të plotë prej katër turbinash dhe ai i Shkopetit po me kapacitet të plotë prej dy turbinash. Stafi drejtues i këtyre dy hidrocentraleve bën të ditur se është në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës.

Pak pas dy hidrocentraleve të para kanë hapur portat edhe Komani e Vau i Dejës. Mësohet se shkarkimet nga hidrocentrali i Komanit janë 700 m³ për sekondë, ndërsa prurjet 1160 m3/s. Prurjet anësore në Hidrocentralin e Komanit janë 150 m³ për sekondë. Nërsa Vau i Dejës shkarkon 500 m³ për sekondë, niveli aktual është 75.42 m, prurjet anësore 200 m3/s..

Niveli aktual i HEC-it të Komanit është 174.94 metra, ndërsa pika kritike 175.6 m.

Sipas burimeve në vendngjarje nëse situate e shkarkimit vazhdon të jetë e njëjtë, nuk ka rrezik për përmbytje në zonën e Nënshkodrës. Por, nëse shkarkimet rriten, rreziku rritet gjithashtu, duke vlerësuar faktin që reshjet në vend pritet të vazhdojnë.

VLORE, DEL VJOSA NE ZONEN E NOVOSELËS
Ora 19:40 Del nga shtrati lumi Vjosa në zonën e Novoselës. Rreziku që kanoset për banesat e kësaj zone ka bërë që të mblidhet Shtabi i Emergjencave. Ndërkohë probleme ka patur edhe në qytetin e Vlorës, ku ashtu si edhe herë të tjerë, si pasojë e reshjeve të shiut janë përmbytur rrugët kryesore apo në brendësi të lagjeve.

Probleme ka edhe e portin e Vlorës, ku mësohet se është pezulluar dalja në det e të gjitha anijeve tregtare dhe peshkarexhave, si pasojë e erës së fortë dhe forcës së dallgëve që në det të hapur kanë arritur në 7-8 ballë. Në portin e Vlorës si pasojë e erës së fortë është pezulluar përkohësisht linja e trageteve Vlorë-Bari, ndërsa në një pjesë të qytetit ka patur dhe shkëputje të energjisë elektrike.

SHKODËR, DEL UJI NË HARKUN E BËRDICËS
Ora 19:13 Gjatë mbrëmjes është përkeqësuar situatë në harkun e Bërdicës. Në aksin nacional Shkodër Tiranë uji ka dalë në të dy anët e rrugës , ndërsa në rrugë niveli i ujit ka arritur në nivelin 70 cm. Reshjet e shiut kanë nisur me intensitet të lartë edhe ne komunën Dajç

SHKODER, PREZENCE UJI NE SHUME ZONA, JO BANESA TE PERMBYTURA
Ora 18:40-Korrespondentja e News24, Eliona Kodra beri me dije se situata me reshjet sa vjen e perkeqesohet. Fatmiresisht, theksoi ajo, sipas autoriteteve vendore nuk behet fjale per banesa te permbytura, por vetem prezence te madhe uji ne shume zona te Shkodres.

GJIROKASTËR-TEPELENË, RRËSHQITJE DHERASH
Ora 18:35 Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit kanë shkatuar vështirësi qarkullimi në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Rruga është mbushur me ujë dhe kalohet me vështirësi. Korrespondentët tanë raportojnë se si pasojë e reshjeve të shiut ka rrëshqitje dherash në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Ndërkohë, në aksin rrugor Gjirokastër-Këlcyrë ka rrjedhje të ujit nga mali.

FIER, MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCËS
Ora 18:10 Reshjet e vazhdueshme të shiut, që kanë përfshirë të gjithë vendin ditët e fundit, kanë shkaktuar problem në qarkullimin e mjeteve, anijeve, por edhe rrezikojnë përmbytje në veriperëndim të vendit. 4 HEC-t kryesore, Komani, Vau i Dejës, Ulza dhe Shkopeti, kanë hapur portat e shkarkimit, duke rrezikuar kështu përmbytjen e zonave të Nënshkodrës.

Ndërkohë situata paraqitet problematike edhe në Fier, ku është mbledhur edhe Shtabi i Emergjencës pas reshjeve të shumta të shiut për ti paraprirë një rreziku të mundshëm nga dalja nga shtrati i lumit Vjosa. Mbledhja është mbajtur mesditën e sotme me qëllim marrjen e masave nëse lumi Vjosa del nga shtrati, ndërkohë mësohet se shtabi i ka kërkuar informacione vendorëve për prurjet e shumta të ujërave.

LUSHNJE, RRUFEJA GODET BANESËN VDES-50 VJECARI
Ora 17:40-Mësohet se moti me shi dhe stuhi që ka përfshirë vendin prej disa ditësh ka shënuar viktimën e parë në vend. Shtetasi Jorgji Goga, 50-vjeç nga Lushnja humbi jetën si pasojë e motit të keq. Banesa e Gogës u godit nga rrufeja duke gjetur vdekjen. Goga ndodhej vetëm në banesë në momentin e stuhisë.
Nga të dhënat e para mësohet se rrufeja ka shkarkuar tek 50-vjecari përmes tubit të sobës së zjarrit që ai përdorte për ngrohje.

KRYETARI I KOMUNËS BËRDICË: MUND TË KETË PËRMBYTJE, BANORËT TË PËRGATITEN
Ora 15:50-Kryetari i komunës së Bërdicës në rrethin e Shkodrës, Besnik Xhemali bëri të ditur për News24 se banorët duhet të përgatiten pasi zona mund të përmbytet. Sipas Xhemalit, reshjet e shiut dhe hapja e portave në disa HEC-e mund të shkaktojë një situatë përmbytjesh si në vitet e kaluara. “Të marrin plackat, gjënë e gjallë dhe t’i transportojnë në vend tjetër pasi mund të ketë përmbytje”, theksoi Xhemali.

MOTI I KEQ, CEZ: JA QYTETET ME DEFEKTE
Ora 15:20 Shirat e stuhishëm dhe erërat e forta kanë dëmtuar mëngjesin e sotëm rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në disa qytete të vendit. CEZ Shpërndarje bën me dije se momentalisht janë pa energji Skrapari dhe fshatrat përreth .

Për shkak të përmbytjes së nënstacionit të Laçit, kanë mbetur pa energji qyteti dhe rrethinat e tij. Ndërkohë, parashikohet të stakohet energjia edhe në Lezhë, për shkak se niveli i ujit po arrin pikën kritike edhe në nënstacionin e Lezhës.

CEZ Shpërndarje njofton se po merr të gjtiha masat për riparimin e defekteve dhe kthimin e energjisë elektrike.

BURREL- FURTUNA DËMTON RRJETIN E ENERGJISË
Ora 15:13 Shirat e stuhishëm dhe erërat e forta kanë dëmtuar mëngjesin e sotëm rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike që furnizon qytetin e Burrelit. Për shkak të lëvizjes së tokës nga sasitë e mëdha të shiut dhe erës së fortë, janë dëmtuar dy shtylla të tensionit të mesëm në vendin e quajtur Muzhakë të Komunës Komsi, pranë varrezave të dëshmorëve.

Pas njohjes së situatës, menjëherë specialistët dhe punonjësit e ÇEZ Shpërndarje Burrel, kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku kanë nisur menjëherë riparimin e defektit. Mes stuhisë së erës së fortë dhe shiut papushim, specialistët kanë bërë të mundur zëvendësimin e shtyllës që ndodhej pranë varrezave të dëshmorëve të Rrethit Mat, duke e transportuar shtyllën e re prej betoni me krah për shkak të terrenit të vështirë.
Më shumë se 20 punonjës bënë të mundur vendosjen e shtyllës së re brenda pak orësh, ndërsa një grup tjetër arriti të ngrinte shtyllën e rrëzuar pranë rrugës Burrel – Komsi. Për ngritjen e kësaj shtylle u përdor një mjet tip vinç për shkak të peshës së madhe të saj.

Ndërhyrja e menjëhershme e ÇEZ Shpërndarje Burrel, bëri që defekti të riparohej brenda një kohe të shkurtër. Sakaq, specialistët e ÇEZ Shpërndarje bënë kontrollin e përgjithshëm të rrjetit për të konstatuar ndonjë defekt të mundshëm përpara se të rikthehej energjia për qytetarët.

VELIPOJË, 100 HA TOKË BUJQËSORE E MBJELLË ËSHTË PËRMBYTUR
Nisin përmbytjet në Shkodër. Raportohet se ujërat kanë bllokuar rrugën drejt fshatit Obot, duke e bërë atë të pakalueshme nga mjetet.
Situata paraqitet problematike edhe në fshatin Cafë të Velipojës, ku mësohet se rreth 100 ha tokë bujqësore e mbjellë është përmbytur.
Në komunën e Velipojës është mbledhur ndërkohë shtabi i emergjencave.

DURRËS, SHTABI I EMERGJENCËS: NE RREZIK PËR PËRMBYTJE JANË DISA BANESA
Prefekti i qarkut bregdetar, Genc Alizoti, njëherësh edhe kryetari i Shtabit të Emergjencave Civile në shkallë qarku, deklaroi se, “problemet e shkaktuara nga reshjet e shiut janë më të dukshme në fshatrat e komunave Bubq dhe Fullanë, në rrethin e Krujës, ku janë përmbytur disa sipërfaqe tokë bujqësore, por fatmirësisht pa krijuar probleme në banesa.

Probleme të tjera për shkak të reshjeve janë shfaqur edhe në qytetin e Durrësit, kryesisht rrëshqitje dherash në kodrën e Currilave, si dhe në disa banesa në lagjen periferike në Porto Romano, në Durrës. Ndërkohë që stacioni i pompave të Porto Romanos aktualisht vazhdon të punojë me kapacitet të plotë, ndërsa është ndërprerë puna në stacionin e pompave të Hammallajt, ndonëse në atë zonë, deri tani nuk janë shfaqur porobleme .

Prefekti i Durrësit kërkoi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës së bashkisë së qytetit bregdetar, për marrjen e masave lidhur me rrëshqitjet në kodër Currila, si dhe banesat e ndodhura në zonat e përmbytura. Reshjet e shiut në Durrës, të cilat vazhdojnë të bien, sipas parashikimeve pritet të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës, deri në mesnatë

SHKODER, DANI: NUK KA RREZIK PER PERMBYTJEN E BANESAVE
Shefi i Emergjencave Civile në Shkodër, Pëllumb Dani, bëri të ditur se portat e shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës janë hapur rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe menjëherë janë njoftuar kryetarët e komunave për situatën.

Dani theksoi se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës, duke siguruar banorët se momentalisht nuk ka asnjë rrezik për përmbytjen e banesave të tyre.

“Situata deri tani është normale pavarësisht shkarkimeve, rrezikohen toka bujqësore, por nuk ka asnjë rrezik për banesat.”- u shpreh Shefi i Emergjencave Civile në Shkodër.

NIKA: SITUATA NEN KONTROLL
Në një komunikim telefonik për News 24 nëndrejtori i KESH, Robert Niko sqaron se shkarkimet kanë nisur mëngjesin e sotëm. Sipas tij, drejtuesit e KESh po e ngjekin situatën nga afër.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë problem shqetësues, situata është nën kontroll”, thotë ai.
Nëndrejtori i KESh shton se, “Në zonën mes Vaut të Dejës dhe Komanit SITUATA është më problematike pasi vijojë edhe reshjet e dendura të shiut”.

KESH: SHKARKIMET NE HEC-e, PER TE MENAXHUAR ME MIRE SITUATEN
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare bëri të ditur se reshjet bollshme te ditëve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e situatës hidrike në Kaskadën e lumit Drin. Sipas KESH-it, nga të dhënat më të fundit Fierza është në nivelin 287.18 m, prurjet 1000 m3/s; HEC Koman 174.94 m, prurjet 1160 m3/s; HEC Vau i Dejës 75.42 m, prurjet anësore 200 m3/s.

KESH sqaron se për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe në zbatim të rregullores ka nisur shkarkimin në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës. Në Hidrocentralin e Komani-t po punohet me 4 turbina/kapacitet maksimal dhe shkarkimet arrijnë në këto shifra: 600 m3/s nga porta dhe 670m3/s nga turbinat. Gjithashtu edhe në Hidrocentralin e Vau i Dejës po punohet me kapacitet maksimal duke punuar me 5 turbina dhe shkarkimet janë në shifrat e 600 m3/s nga portat dhe 520 m3/s nga turbinat.

“Marrja e vendimit për nisjen e shkarkimet po bëhet në zbatim të rregullores dhe të miratuar nga Sekretariati Teknik të Shkarkimit të Plotave. KESH sh.a është në gatishmëri të plotë për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë dhe për të garantuar me energji elektrike konsumatorin shqiptarë. KESH sh.a po ndjek në vazhdimësi situatën dhe lajmëruan te gjitha instancat e nevojshme në lidhje me situatën aktuale.”-thuhet në njoftimin e KESH.
\balkanweb\
 

Miri

Anëtar drejtues
MOTI I KEQ, RRËSHQITJE DHERASH NË PËRMET, VONOHEN TRAGETET NË VLORË E DURRËS
Moti i keq me shira e erëra të forta ka shkaktuar probleme të disa zona të vendit. Shirat kanë shkaktuar rrëshqitjen e masiveve me inerte në segmentin rrugor Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur Kuqar. Për këtë arsye u paralizua për disa orë qarkullimi i automjeteve në këtë aks, deri në ndërhyrjen e fadromave që bënë të mundur lirimin e rrugës.

Ndërkohë në Portin e Vlorës dhe të Durrësit është vënë re një vonesë e ndjeshme e trageteve, që sjellin udhëtarë nga Italia, për shkak të dallgëve që kanë arritur deri në 7 ballë. Dalja e anijeve dhe peshkarexhave në det është pezulluar, po ashtu edhe nisja e trageteve drejt Italisë. Në Sarandë dallgët kanë arritur deri në 8 ballë, duke e bërë të pamundur funksionimin e linjës së trageteve Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas.

Reshjet e dendura të shiut kanë filluar të krijojnë problemet e para, sidomos në lagjet periferike të Shkodrës, ku më e prekur në këtë drejtim shfaqet lagja "Mark Lula". Shtëpi të tëra në këtë zonë janë bllokuar nga niveli i ujit që ka pushtuar oborret e tyre.
Banorë të kësaj zone pohojnë se uji ka depërtuar brenda mjediseve të shtëpive, duke shkaktuar edhe dëme materiale.

Intensiteti dhe ritmi i lartë i reshjeve gjatë dy-tre ditëve të fundit, ka sjellë një rritje të konsiderueshme të nivelit të Liqenit të Shkodrës, por pa asnjë rrezik për të kapur kuotat maksimale që rrezikojnë përmbytjen. Problematike situata paraqitet në rrjedhën e lumit Kir. Ndërkohë që tendenca për të dalë nga shtrati ka edhe në pjesën kufizuese me lagjet periferike të qytetit, si dhe fshatin Kuç, ku pjesa më e rrezikuar duket ajo e fshatit Bardhaj, të komunës Rrethina, ku si rezultat i devijimit të shtratit normal të Kirit, rrjedha e ujit ka prekur tokat bujqësore, duke gërryer një pjesë të konsiderueshme të tyre.

Rrëshqitje dherash ka patur edhe në zonën e Currilave në Durrës. Mësohet se rruga është e kalueshme vetën në njërin krah, nga Universiteti drejt Currilave. Edhe në Vlorë, shiu i dendur ka përmbytur disa rrugë të qytetit.

Ndërkohë në Burrel, era e fortë ka rrëzuar dy shtylla të tensionit të lartë në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve, duke lënë pa energji një pjesë të qarkut të Dibrës. Momentalisht po punohet për rikthimin e energjisë elektrike.

(er.nu/ma.ar/e.m/d.b/BalkanWeb)
 
Sipër