SHBA, mbështetje Kosovës në rrugën drejt BE-së

A

Antoni

Vizitor
SHBA, mbështetje Kosovës në rrugën drejt BE-së

PRISHTINE- Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë takimit sot me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, mori rikonfirmimin dhe mbështetjen amerikane për zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe për rrugën drejt BE-së.

Sipas burimeve zyrtare nga Kryeministria, kryeministri Thaçi dhe ambasadorja Ann Jacobson, biseduan për fazën finale të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-së për procesin e dialogut të brendshëm me banorët serbë të pjesës veriore të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri në takimin e sotëm me ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë tha se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë mes dy qeverive, një bashkëpunim që do të jetë i përjetshëm dhe do të avancohet në të gjitha sferat.
Thaçi informoi ambasadoren me procesin final të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë dhe unitetin e spektrit politik për të votuar në Kuvend amendamentet kushtetuese.

"Tani jemi në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, por edhe për angazhimin gjithë ndërkombëtar në raport me Kosovën si SHBA-të, në një periudhë finale që nuk kanë mbetur as dy javë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës", tha Thaçi.
Kryeministri u shpreh se "ne diskutuam hapat e mëtejshme për ndryshimet kushtetuese që do të ndodhin, për unitetin politik dhe qytetar të Kosovës për harmonizimin e gjithë hapave të mëvonshëm edhe në Parlament edhe në të gjitha institucionet në mënyrë që ky proces të përmbyllet me sukses të plotë".
"Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është suksesi i ri i shtetit të Kosovës, i konsolidimit, forcimit, ndërtimit të shtetit demokratik dhe shumëetnik dhe i hapjes së axhendës euroatlantike për Republikën e Kosovës", u shpreh ai.
Në takim, kryeministri Thaçi e informoi ambasadoren Jacobson edhe për dialogun e brendshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe banorëve serbë të pjesës veriore të Kosovës.
"Kemi diskutuar edhe për hapat që do t’i ketë Kosova dhe informova ambasadoren për angazhimet konkrete të dialogut të brendshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri për një plan afirmativ, që është prezantuar nga Qeveria e Kosovës për integrimin e tyre në jetën institucionale dhe shoqërore, që të ketë edhe në veri lëvizje të lirë, sundim të ligjit, demokraci, investime social-ekonomike", tha Thaçi.
Kam besim të plotë, vijoi ai, se në këtë proces do të kemi mbështetjen e plotë edhe të SHBA-së, por edhe gjithë botës demokratike, të NATO-së dhe Bashkimit Evropian.
Thaçi shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, rikonfirmoi mbështetjen e fortë të shtetit amerikan për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për rrugën e Kosovës drejt BE-së.
"Pata mundësi që të rikonfrimoj mbështetjen e fortë të SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe zhvillimin e mëtejmë si shtet demokratik shumetnik dhe për të ardhmen e Kosovës në rrugën e saj evropiane", tha ajo.
"Ne diskutuam për shumë çështje të ndryshme, si dhe përgëzova kryeministrin për përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë dhe për të gjitha ato çështje që janë arritur deri tani qysh prej shpalljes së pavarësisë dhe të diskutojmë për disa punë që kanë mbetur ende", theksoi ambasadorja Jacobson.
(m.a/BalkanWeb)
 
Sipër