Rilindja dhe Pavarësia

Joni

Moderator
Rilindja dhe Pavarësia

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të fillon një etapë e re, e rëndësishme për artin shqiptar. Lëvizjet e mëdha çlirimtare që sollën pavarësinë e vendit (më 1912), ofruan kushte për një drejtim të ri artistik, që do të pasqyronte më me realizëm jetën.

Lindi piktura laike me motive patriotike dhe etnografike. Në historinë e artit shqiptar viti 1883 është i shënuar për pikturimin e dy pikturave më me vlerë : “Portreti i Skënderbeut” nga Jorgji Panariti dhe “Motra Tone” nga Kolë Idromeno. Me këto tablo nis rrugën piktura e Rilindjes Shqiptare.

Duket si rastësi por pikërisht motivet e këtyre dy veprave të para, janë motivet kryesore që mbizotërojnë në tematikën e artit shqiptar të Rilindjes dhe të periudhës së Pavarësisë ; pra tema patriotike që evokohej me trajtimin e figurës së Heroit Kombëtar, Skënderbeut, si dhe skenat nga jeta e përditshme ku fiksoheshin edhe vlera të kulturës të kulturës kombëtare.

Te piktorët e Rilindjes përgjithësisht ndihet fryma romantike. Në shumë tablo vihen re edhe tipare të realizmit klasik si dhe të një realizmi më bashkëkohor, duke fiksuar kështu në art, gjendjen reale të vendit, ndonjëherë edhe me qëndrim kritik. Piktori më i shquar i kësaj periudhe është Kolë Idromeno (1860-1939) autor i shumë tablove, portreteve dhe peizazheve. Veprat e tij u bënë si shkollë për artistët e ardhshëm. Idromeno ka qenë gjithashtu edhe arkitekt dhe fotograf i njohur.

Fotografia artistike dhe dokumentare pati një përfaqësues tjetër të shquar, të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë; familjen Marubi. Po në Shkodër, ku jetuan dhe vepruan mjeshtrit Idromeno dhe Marubi, dolën edhe piktorë të tjerë të shquar si Ndoc Martini (1880-1916), Simon Rrota (1887-1961), Andrea Kushi (1884-1959). Zef Kolombi (1907-1949) etj. Pas Shkodrës, Korça u bë vatra dytë ku mori zhvillim arti i pikturës në Shqipëri. Në Korçë u realizuan tablotë e bukura të piktorit autodidakt Spiro Xega (1876-1953) si dhe veprat e “poetit të peizazhit shqiptar” mjeshtrit Vangjush Mio (1861-1957). Të dy këta artistë janë në krye të përfaqësuesve më të shuar të Rilindjes dhe Pavarësisë shqiptare në pikturë. Edhe skulptura e rrumbullakët, pas një ndërprerje të gjatë prej disa shekujsh, filloi të lëvrohet sërisht në periudhën e Rilindjes. Si autor i parë njihet Murad Toptani (1866-1917). Ka realizuar disa vepra me temë patriotike, ku shquhen dy bustet e Skënderbeut (më 1899 dhe më 1917).

Por nivelin e këtij arti e ngriti lart skulptori Odhise Paskali (1903-1989). Me statujat e tij monumentale, që janë të parat vepra të këtij lloji në Shqipëri (“Luftëtari kombëtar” - Korçë 1932, “Flamurtari” - Vlorë 1932, “Skënderbeu” - Kukës 1939), nis rruga e artit monumental në Shqipëri. Veprimtaria e Paskalit vazhdon edhe në periudhën e pasçlirimit me vepra të shumta. Ai mbetet edhe sot si personaliteti më i shquar i skulpturës shqiptare.

Në vitet e pavarësisë artet në Shqipëri zhvillohen në mënyrë më të organizuar. U bënë përpjekjet e para për përgatitjen e artistëve të rinj, për themelimin e shoqatave artistike dhe për organizimin e ekspozitave. Në vitin 1920, në Korçë u hap ekspozita e parë personale nga piktori Vangjush Mio. Me kontributin e poetit të njohur kombëtar, Gjergj Fishta (1871-1940), i cili mori pjesë edhe vetë me disa punime në akuarel, më 1923, në Shkodër u hap ekspozita e parë lokale, me pjesëmarrjen e mbi 15 artistëve shkodranë.

Ekspozita më e rëndësishme e gjithë kësaj periudhe është “E para ekspozitë arti” që u organizua Tiranë në maj të vitit 1931. Kjo është e para ekspozitë kombëtare në historinë shqiptare. Ekspozita e mësipërme u përgatit nga Shoqata “Miqtë e Artit” që është gjithashtu e para shoqatë artistike e themeluar po atë vit në Tiranë. Më 1931 u bënë edhe dy përpjekje të rëndësishme : për realizimin e një Pinakoteke dhe për ngritjen e Shkollës së Artit.

E para nuk u realizua, ndërsa shkolla u hap. Me nisiativën e piktorit A.Kushi, më 1931 u çel kursi i vizatimit dhe, pas një viti, më 1932 u themelua Shkolla e Vizatimit, e para shkollë arti në Shqipëri. Shkolla e Tiranës mori nxënës nga e gjithë Shqipëria. Aty jepnin mësim artistët O. Paskali, A. Kushi, A. Buza, italiani M. Ridola dhe L. Poradeci (1896-1989), poet i njohur i Rilindjes, i specializuar në Bukuresht për arte të bukura.
Nga Shkolla e Vizatimit morën mësimet e para për pikturë brezi më i njohur i artistëve shqiptarë midis viteve ’40-’70 si B. Sejdini, K. Kodheli, N. Zajmi, F. Stamo, I. Kodra, Q. Grezda, Ll. Nikolla, F. Makoci, H. Reci, Z. Bumci, etj. Gjatë viteve 1932-1935 në shkollën e Vizatimit u organizuan disa ekspozita arti. Në veprat më të bukura ndihej vazhdimësia nga tradita e pikturës së Rilindjes si dhe tipare të reja realiste, me qëndrim kritik ndaj vështirësive të jetës dhe padrejtësive shoqërore të kohës. Po në këtë periudhë, në artin shqiptar u zhvillua edhe karikatura me temë shoqërore e përfaqësuar nga A. Dino, M. Frashëri si dhe Q. Mesarea, që ishte njëkohësisht akuarelisti më i njohur shqiptar në vitet e Pavarësisë.

Pas njohurive të para që morën në Shkollën e Vizatimit, nxënësit e saj, vazhduan studimet në akademitë e arteve të Evropës si në Romë, Paris, Athinë, Milano, Bukuresht, Firence etj, dhe, kur u kthyen në atdhe u bënë mësuesit e brezit më të ri të piktorëve shqiptarë. Veprimtari tjetër e rëndësishme gjatë periudhës së pavarësisë ka qenë konkursi ndërkombëtar për ngritjen e monumentit të Heroit Kombëtar, Skënderbeut, që u organizua në Tiranë më 1937. Veç skulptorëve shqiptarë morën pjesë mjaft autorë të njohur evropianë. Çmimin e parë e fitoi skulptori i njohur kroat A. Agustincic (1900-1979), ndërsa e drejta e ekzekutimit i u dha skulptorit italian R. Romaneli. Monumenti i Skënderbeut, realizuar nga Romaneli, u vendos në sheshin “Albania” në Romë, dy vjet pas konkursit, më 1939.
Në artin e periudhës së Rilindjes dhe të Pavarësisë përfshihet edhe veprimtaria e artistëve që jetonin në kolonitë jashtë atdheut si dhe veprimtaria e arbëreshëve të Italisë.

Ashtu si letërsia e kësaj periudhe, edhe veprat figurative te arbëreshët dhe diaspora kishte të njëjtat motive e të njëjtin stil me artin që zhvillohej në Shqipëri. Nga kolonitë shqiptare veçohet piktori Theohar Gjini që veproi në Paris dhe Bukuresht, ndërsa në fshatrat arbëreshe (Itali) u shqua skulptori Mikel Trota, që kritikët e kohës e quanin “Canova i ri” (A. Canova 1757-1822). Gjatë luftës së dytë botërore (1939-1944), kushtet për veprim në fushën e artit u kufizuan. Megjithatë u organizuan disa ekspozita.

Më e rëndësishmja ishte ajo e vitit 1943, me pjesëmarrjen e artistëve më të mirë të vendit. Veprimtaritë e tjera kanë qenë kryesisht ekspozita personale.
 
Sipër