Qyteti i Rubikut - Historia dhe Arkitektura

Miri

Anëtar drejtues
Qyteti i Rubikut - Historia dhe Arkitektura

historia-e-arkitekture.jpg

Vendosur mbi këtë shkrep të bardhë të Rubikut, dallohej një kompleks kishtar modern me kishën, qelën famullitare, kolegjin, kumbanoren, rezidencën verore dhe jo pak
mjedise të tjera, ndërtuar me një arkitekturë të rrallë, me paraqitje të brendshme grafike artistike (afreskët). Objektet janë restauruar shpeshherë.

Kompleksi kishtar ishte vendosur në një ballkon natyror, gjithë shkallë e rrugina të gdhendura e të latuara nga dora e njeriut në masivin dekorativ të Gurit të Bardhë. Në tërësinë e vet, një vepër arti unikale, një pikë turistike e preferuar dhe mbi të gjitha, një monument kulture i veçantë.

Aty ka shkruar papushim Gjeçovi shkencëtar, i cili në njërin nga gurët poshtë kishës ka gdhendur emrin e tij; aty ka rrjedhur muza e Fishtës poet, janë mbushur fletët e ditarit historik të At Pal Dodaj, famullitari austriak Franz Barcata do të hidhte shënimet për 10 vite në ditarin e tij të rrallë, apo do të nxirrte nga duart punime të papërsëritshme Leon Kabashi, piktor. Aty do të pritej me madhështi Prend Doçi pas kthimit nga mërgata e gjatë politike në vitin 1888.
Nisur nga stili i ndërtimit është thënë se kisha i përket shekullit të XII, ku Ipen, përcakton vitin 1272. Studiuesi Dedaj thotë se historianët, nëpër ravgimet e Mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër paraqitet për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166.
Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristikë vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët. Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), mund të thuhet që nga shekulli XV, citohet F. Cordignano. [HR][/HR]Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, Zef Mirdita, citon pastaj Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskëve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me freska dhe me citate nga Besëlidhja e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit dhe martirit të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin.” Farlati, nga ana e tij, njofton se “S. Salvator de Rebico” është famulli e thjeshtë në shekullin XVII, çka është e kuptueshme me rrënimin që pësoi kisha katolike në Shqipëri gjatë dyndjeve islamizuese të Turqisë.


Kuvendi i Rubikut u ripërtëri në vitin 1898, i njohur si Kuvend i Noviciatit. Me emrin dhe veprën e prelatëve të përvujtë e zëmërdhenjtë françeskanë është i lidhur çdo ndryshim dhe progres në historinë e këtij vendi sa të lakmuar për pozitën gjeografike dhe prirjen e njerëzve për qytetërim, aq të vështirë për ta kryer këtë mision për shkak të varfërisë, luftërave etj. Si vlerë historike, kisha e Shëlbuemit të Rubikut, gjithnjë kishte mbajtur në trup dhe absidë gjurmët e moshës së vet të hershme, mbishkrime në mure apo kumbonë, datime të ngjarjeve që lidheshin me të. Kishin mbërritur këto gjer te At Fabian Barcata.
Ai i tërheq vëmendjen vizitorit, K. Shteinmetz, të vitit 1472, në absidën e kapeles së stolisur me afreske tepër të rëndësishme të kishës së Rubikut, një monument madhor i Mesjetës shqiptare. Ka qenë gdhendur në një gur të Rubikut gjithashtu dhe një mbishkrim i At Shtjefën Gjeçovit në fillim të shekullit XX, kur ai mblodhi doke dhe shkroi një vepër letrare. Rubiku vazhdonte të mblidhte figura të njohura të kishës dhe kulturës. At Gjergj Fishta do të ndërtonte Absidën e kishës dhe do të shkruante fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. [HR][/HR]Shërbeu në Shelbuem të Rubikut gjer në fundin e tij tronditës dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po dhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i cili me art kishte pikturuar kapelet e Shkodrës. Nga Rubiku doli një nga poetët e parë të Rilindjes, prifti i kultivuar, trim e atdhetar Imzot Prend Doçi, që u nis për udhë të gjatë nëpër botë, po bëri abacinë e Oroshit. Doçi është modeli i shqiptarit që e ngjiti qytetërimin në male. Në lartësitë e Malit të Shenjtë e gjeti Edit Durham dhe i bëri një portret më të fisëm se të lordëve të Anglisë.


Nga kjo Luginë e Fanit doli dhe Pashko Vasa, bashkë me predikimin e tij të shqiptarisë “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Por dhe shumë intelektualë të ditur të kohëve të reja, profesorë, inxhinierë, specialistë të fushave të ndryshme etj. Shëlbuemi zëmadh i Rubikut, prej nëntëqindvjetësh i dokumentuar, ishte tempulli i vëllezërve të vegjël të Shën Françeskut, që besohet të ketë shkelur në Lezhë (1221) për të mbjellë pishën që do të njihej me emrin e tij. Afresket, pikturat murale, do të mbanin gjurmët e një arti të madh mesjetar. Në kreshtën e naltë të shkrepit të bardhë, rrinte kalaja e Judejve, që në popull njihej si e gjodhive.
 
Sipër