Pse heshtin historianët para konkluzioneve të pseudo-historianëve!

Miri

Anëtar drejtues
Nga Preng C. Lleshi (Shkruar vite më parë, marrë nga arkivat në internet.)
Thirrja patetike për "rishikimin e historisë sonë kombëtare duket se ka "frymëzuarë shumë intelektual" të ditëve tona, për t'i riparë shumë ngjarje me rëndësi në historinë e Shqipërisë dhe shumë personalitete që lidhen ose jo me këto ngjarje. Duket se qëllimi i këtyre intelektualëve nuk është për ta pasuruar historinë tonë me fakte e argumente të panjohura më parë, ose të keqinterpretuara, por për të hedhur baltë mbi gjithë konkluzionet historike të parashtruara nga brezi i historianëve të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Kjo tendencë është vënë re jo vetëm për ngjarje e personalitete që lidhen me Luftën Antifashiste Nacionalëlirimtare e deri në fillim të viteve '90, por edhe për ngjarje të kohëve më të largëta të historisë sonë kombëtare. Për të mos u zgjatur, le të kujtojmë zhurmën që bëri ndonjë pseudo historian për mënyrën se si është dokumentuar momenti historik i Shpalljes së Pavarësisë, duke u përpjekur "për të korrigjuar" ato të vërteta që pasqyrohen saktë në albumin "Rilindja Kombëtare".

Dhe pa u shuar ende jehona e këtyre zërave mjeranë, në Vlorë plasi shashka e Shaskos. U hoq pa pritur e pa kujtuar emri i Ismail Qemalit nga diploma e studentëve të këtij universiteti. Ky akt i turpshëm e ndezi zemërimin e shqiptarëve të ndershëm, të cilët kërkuan largimin e rektorit antishqiptar. Por heshtën ata që nuk duhej të heshtnin. Heshtën historianët, dhe për turpin e saj, heshti qeveria. Heshti kryeministri dhe duket se u bë fakt i kryer veprimi antihistorik. Universiteti i Vlorës nuk po quhet më universiteti "Ismail Qemali". Pa u shuar gjëma e kësaj mënxyre, plasi një bombë tjetër, që gjëmoi më fort se një predhë artilerie. Ardian Klosi paska zbuluar një libër në dorëshkrim të profesor Oliver Jens Schmit mbi Heroin Kombëtar të shqiptarëve. Kjo vepër, sipas tij, qenka botimi më i plotë për Skënderbeun. "Është origjinale, e veçantë dhe jashtëzakonisht tërheqëse" Dhe kambana bie për kë ka veshë. Duket se bien veprat monumentale të dy kolosëve të kulturës shqiptare, që e kanë ngritur Gjergj Kastriotin në piedestalin e lavdisë së përjetshme, Marin Barleti e Fan Noli. Bien edhe veprat e historianëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet.

Del kështu në foltore profesori A. Klosi dhe thërret i ngazëllyer: "Babai i Skënderbeut quhej Ivan, Gjon është emër i shpikur." A nuk kanë të drejtë të habiten shqiptarët me një pohim të tillë? A nuk i revolton kjo "shpikje" historianët tanë të nderuar Kristo Frashëri, Kasem Biçoku e të tjerë, që i njeh Shqipëria? Përse nuk ia thonë hapur profesorit se ai ka bërë një marrëzi të madhe kur i ka besuar Oliver Jens Schmit se i ati i Gjergj Kastriotit nuk paska qenë quajtur Gjon, por Ivan?

Se historianët tanë të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet si edhe paraardhësit e tyre shqiptarë, nuk pritën që historinë e Shqipërisë të na e bënin të huajt, qofshin këta edhe më të kualifikuar se njëfarë profesori me emrin Oliver.

Se ata e dinë që para këtij Oliveri, historiani Milan Shuflai kishte pohuar, se "zoti Gjon" në shkresat mbretërore serbe, thirrej Ivan Kastrioti. ("Serbët dhe shqiptarët", botim i vitit 2002, f.240) Këtë të vërtetë e pohon edhe studiuesi Petrika Thëngjilli kur thekson se: "Midis uniteteve mund të përmendim atë të Gjonit" Juvan-ili, që do të thotë "krahina e Gjonit" ("Shqiptarët dhe trojet e tyre", f. 320) Pas këtyre pohimeve duhet të skuqen të dy profesorët e nderuar. Ata duhet të dalin para shqiptarëve e të thonë: "Na falni! Nuk e dinim që ju e dinit se i ati i Gjergj Kastriotit, Gjoni, njihej me emrin Ivan në shkresat mbretërore serbe".

Pas këtij akti ne kemi të drejtë t'u themi: Duhet të heshtnit zotërinj, përpara se të shpiknit emrin Ivan, se me shpikjen tuaj në emër të "rishikimit të historisë", ju i fyeni shqiptarët në gjënë më të shenjtë, në krenarinë e tyre. Po "zbulimet" e profesor A. Klosit nuk mbarojnë këtu. Duke menduar, bashkë me Oliver Schmit, se ka bërë një zbulim të madh duke thënë se emri Gjon është një emër i shpikur, të tillë e quan edhe emrin e djalit të Gjergj Kastriotit, Gjonit. Argumenti që sillet për ta vërtetuar këtë është absolutisht i pa vërtetë. Siç pohojnë shumica e historianëve që janë marrë me studimin e familjes së Kastriotëve, Gjon Kastrioti ishte katolik.

Në qoftë se A. Klosi nuk i beson këta historianë, po i kujtojmë se edhe një historian turk, Nuray Bozbora, në veprën "Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në perandorinë osmane", pohon qartë, se Gjon Kastrioti, kreu i familjes Kastrioti, njihej si një nga princat katolikë të rajonit të Mirditës (f. 75). Po paska përralla dhe përralla, që trillojnë mendje të rralla. Profesori A. Klosi, si i mahnitur nga "zbulimet" sensacionale të kolegut të tij, Oliver Jens Schmit, pohon se "Sulltan Murati II i ka vrarë të atin dhe kjo është arsyeja që ngriti armët kundër osmanëve. Nga kjo del se Gjergj Kastrioti është hakmarrë për familjen e tij". Por ata që i kanë kaluar nëpër duar veprat e historianëve të tillë si M. Barleti, F. Noli, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Kasem Biçoku, Athanas Gega, e të tjerë, nuk mund ta besojnë një përrallë të tillë, që përpiqet të zbehë sadopak dritën që ndrit figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti.

Dy fakte, përveç të tjerave, e bëjnë të pabesueshëm këtë "konkluzion" të profesorëve A. Klosi dhe Oliver Jens Schmit.

- Së pari, duhet njohur ajo që sjell historiani Fan Noli mbi qëndrimin e Gjon Kastriotit ndaj sulltanit. Për të mos u zgjatur, po citoj: "Sikundër e pamë Gjon Kastrioti ishte katolik më 1407, si aleat i Venetisë, Ortodoks më 1419-1426, si aleat i Karl Stefan Lazareviçit të Serbisë, Muhamedan më 1430-1438, si aleat i Sulltan Muratit II, po pastaj u pendua dhe vdiq i krishterë sikundër na siguron Papa Piu II" (Historia e Skënderbeut, botim i vitit 1967, f. 22)

- Së dyti, qëndrimi eklektik i Gjon Kastriotit, që lidhet me rrethanat komplekse të kohës e bind historianin e vëmendshëm se Sulltan Murati II nuk kishte pse ta vriste Gjon Kastriotin, gjersa ky kishte pranuar, për mbijetesë, të bëhej vasal i këtij sulltani. Por, edhe në qoftë se e kishte vrarë më 1438 a më 1439, pse i biri, Gjergji nuk u kthye menjëherë, po priti plot pesë vjet (1438-1443)? Ky interval kohor dhe betejat legjendare të Gjergj Kastriotit kundër turqve gjatë 25 viteve e bindnin çdo njeri me logjikë të shëndoshë se ky vigan i historisë sonë nuk u kthye në Shqipëri "për të marrë hakun e babait", por për t'i shpëtuar bashkëkombësit nga robëria turke.

Përrallat e profesorëve vazhdojnë, kur A. Klosi i përgjigjet pyetjes së gazetares: "Në parathënien e kësaj monografie shkruhet se Skënderbeu është një hero, por jo një hero që bëri luftë dhe fitoi disa beteja, por si një hero që shkaktoi tragjedië" Kësaj pyetjeje, që na duket e çuditshme, A. Klosi i përgjigjet me siguri: "Kjo është e vërtetë dhe nuk ia ul aspak vlerën Skënderbeut." Ai e argumenton mendimin e tij me faktin se "njerëzit kanë admirim për ata që idealin e tyre e mbrojnë deri në fund me një fuqi të jashtëzakonshme".

Veçse shqiptarët, që mësuan nga profesorët se Gjergj Kastrioti "është hakmarrë për familjen e tij", nuk mund të pajtohen me "konkluzionet" që u servirin A. Klosi dhe Oliver Jens Schmit, sepse, ndonëse e kemi të theksuar ndjenjën e hakmarrjes, ne asnjëherë nuk i kemi quajtur "heronj" ata që kanë marrë gjak për njerëzit e tyre. Po të ishte ndryshe, Shqipëria, por dhe popujt e tjerë kishin për të pasur aq shumë "heronj", sa rrallëkush prej tyre do të mbahej mend. Shqiptarët kanë të drejtë t'i thonë A.Klosit: "Në qoftë se vërtet Gjergj Kastrioti qenka kthyer në Shqipëri për t'u hakmarrë për familjen e tij", përse i vazhdoi betejat kundër turqve edhe kur "vrasësi" i babait, Sulltan Murati II kishte vdekur i hidhëruar nga humbjet që i shkaktoi kryetrimi shqiptar? Këtu lind dhe një pyetje: Ku duan të dalin profesorët, kur flasin për Gjergj Kastriotin, duke e përkufizuar atë "si një hero që shkaktoi tragjedi"? Mos duan të thonë se ai bëri gabim që u ndesh me superfuqinë më të madhe të kohës?! Me sa duket, këtu do që të dalë A.Klosi, kur flet me dhembshuri për krimet që kreu Sulltani në tokat arbërore, duke djegur e plaçkitur, duke vrarë e masakruar shqiptarët, që nuk e duronin robërinë.

Jo, të nderuar profesorë! Skënderbeu ishte hero, hero jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i popujve të tjerë të Evropës, hero i qytetërimit evropian. Asnjë popull në botë nuk mund të pagëzojë me emrin "Hero" atë që i shkakton atij tragjedi! Po ku duan t'ia dinë profesorët e nderuar për këto të vërteta të mëdha! Kjo duket kur A.Klosi, duke komentuar monografinë e Oliver Jens Schmit për Gjergj Kastriotin, përsërit idetë e kolegut të tij. Ai shkruan se "shoqëritë kanë nevojë për heronj dhe si të tillë, ata krijohen sipas dëshirës së popujve, pa u mbështetur në fakte historike", dhe për ta bërë më konkrete e më të kapshme tendencën për "mitizimin" e figurës së Heroit tonë Kombëtar, vazhdon: "Kjo ka ndodhur edhe tek ne", duke e përfunduar mendimin për këtë çështje me frazën: "dalëngadalë Skënderbeu do të shkojë në përmasat e tij reale historike".

Por profesorët duhet ta dinë se heronjtë nuk mund të krijohen "sipas" dëshirës së popujve, pa u mbështetur në fakte historike. Heronjtë i lindin epokat historike, i lindin popujt për të realizuar ëndrrën e lirisë e të përparimit. Për rrjedhojë Gjergj Kastrioti, as si kaçak nuk do të përmendej, pa ato që bëri për të organizuar qëndresën historike të shqiptarëve kundër pushtuesve turq, pa vargun e fitoreve të mahnitshme kundër një armiku që kishte epërsi të padiskutueshme në forca njerëzore e armatime. Vetëm perënditë i krijon fantazia njerëzore në funksion të ëndrrave që dëshiron t'i bëjë realitet. Për të mos u zgjatur në shumë çështje të tjera, që kërkojnë diskutime tej përmasave të një shkrimi, ia vlen të ndalemi tek një "konkluzion" i këtyre profesorëve, që i çudit jo vetëm historianët shqiptarë, por edhe njerëzit e thjeshtë. Skënderbeu, -shkruan A.Klosi, duke komentuar përmbajtjen e monografisë së Oliver Jens Schmit, ishte më shumë shqiptar se sa sllav. Edhe pse familja e tij kishte një pjesë sllave,- shton më tej profesori, sepse nëna ishte Brankovië ishte më shumë shqiptar. "E çuditshme, se në mos Oliver Schmit, Ardian Klosi duhet të dijë se jo vetëm historiografia shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit njëzet, por edhe ajo botërore, e ka njohur dhe e njeh Gjergj Kastriotin si shëmbëlltyrën model të racës shqiptare. Thjesht për kujtesë, dua t'i kujtoj A.Klosit një frazë nga shënimi autobiografik, që ka bërë përfaqësuesi i madh i Rilindjes Kombëtare, Gavril Dara i Riu, i cili thotë: "Midis tyre, ndër të parët (që erdhën në Palac Adriano më 1480-shënimi im), ishin gjyshërit e mi, që përmenden gjer më sot Mërkuri e Njani Dharenjve, gjërinj (gjini, fis, gjak shënimi im) të Kastriotit nga ana e Vojsavës, së ëmës së tij që ishte e bija e princit të Mirditasve" (Kënga e sprasme e Balës, botim i vitit 1961, f.200)

Në qoftë se ky pohim lapidar i duket i pabesueshëm, le t'i hedhë një sy veprës së Fan Nolit për Gjergj Kastriotin, ku theksohet qartë: "Thaloc dhe Jeniçek, në veprën "Zçei Urkunden aus Nord Albanien", (shënimi im), e quajnë përrallë skllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë, se llagapi i tyre tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri" (F. Noli, vepra 4, f. 64)

Përfundimisht, A. Klosi gabon rëndë kur i beson Oliver Jens Schmit dhe jo gjigandëve të historiografisë shqiptare: Marin Barleti, Fan Noli, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Kasem Biëoku e të tjerë, të cilët e kanë konsideruar Gjergj Kastriotin një yll të pashuar në qiellin e historisë së Shqipërisë. Dhe shqiptarët, ashtu si popujt e tjerë, tek yjet shohin dritën e jo errësirën. është kjo arsyeja që F. Noli e mbyll veprën e tij kushtuar Gjergj Kastriotit me fjalët e Papës Kalisti III, që i tha më 11 shtator 1457: "Nuk ka njeri në botë, i cili të mos dijë trimëritë që keni bërë dhe të mos ju lavdërojë gjer në qiell si një kryembrojtës të vërtetë dhe si një kryeluftëtar bujar të krishtërimit" (F.Noli, Histori e Skënderbeut, f. 167)

Këto fjalë, të thëna nga një bashkëkohës i ditur i Skënderbeut, nga një njeri me kulturë të gjerë, i bëjnë hi e pluhur përpjekjet për ta paraqitur Gjergj Kastriotin si një hero që është krijuar sipas dëshirës së popullit, "pa u mbështetur në faktet historike". është kjo arsyeja që shqiptarët kanë të drejtë t'u thonë profesorëve: është më mirë të heshtni, zotërinj profesorë, kur nuk keni gjë për të thënë, se Skënderbeu, siç shkruan historiani Stefan Prifti: "...Si gjithë heronjtë në histori, është pjellë e kohës dhe e popullit të vet...Figura e tij është në esencën e saj një shprehje e koncentruar e figurës së vet popullit, në tiparet themelore të saj dhe e aspiratave të tij për liri e pavarësi" (Figura e Skënderbeut simbol i popullit të vet, f. 5)
 
Sipër