Probleme të përshtatjes në gjini të përcaktorëve të emrave të dygjinishëm1

Mirë se vini në rrjetfaqen MIRDITA.COM
Përmbajtja e hasur këtu, mund të shfletohet lirshëm.
Për të shkruar dhe marrë pjesë në diskutime, duhet të keni një llogari dhe të identifikoheni.
Shpresojmë që prania juaj, të ndikojë në përmirësimin dhe pasurimin e faqes.
Krijoni një llogari

Miri

Anëtar drejtues
2 Korrik 2012
247
2
864
Xhafer Beqiraj


Dygjinishmëria e emrave është një dukuri gjuhësore e cila shfaqet në disa gjuhë indoevropiane dhe që prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e gjuhëtarëve. Kjo dukuri shpërfaqet në gjuhë, si italishtja, frëngjishtja, rumanishtja, sllovakishtja, çekishtja dhe shqipja, si p.sh.:

  1. il labbro (sg. m.) – le labbra (pl. f.)“një buzë – disa buzë”;
  2. l’amour (sg. m.) – les amours (pl. f.)“një dashuri – disa dashuri”; rum. osul (sg. m) – oasele (pl. f.)2“një kockë – disa kocka”;
shq. një mendim (sg. m.) – disa mendime (pl. f.);

djathë (sg. m) – djathëra (pl. f.).

Në secilën nga këto gjuhë, emrat e kësaj klase në njëjës dalin mashkullorë, por me të kaluar në shumës femërorizohen. Dukuria e tillë njihet si dygjinishmëri (ambigjenitet). Emrat që hyjnë në klasën e ambigjenëve, emërtojnë kryesisht jofrymorë, sende a nocione abstrakte, si p.sh.: element-i – element-e, vend-i – vend-e, qytet-i – qytet-e, kryeqytet-i – kryeqytet-e, breg-u – brigj-e, lloj-i – lloj-e, send-i – send-e, djep-i – djep-e, etj.; vaj-i – vajra,fshat-i – fshatra, drithë-i –

drith-ëra, ujë-i – ujëra, lesh-i – lesh-ra, mall-i – mall-ra, të qeshura
etj. Në këtë klasë bëjnë pjesë edhe disa emra që emërtojnë qenie të gjalla, si p.sh.: personazh – personazhe, ekuipazh – ekuipazhe, personalitet – personalitete, ekip – ekip-e; insekt – insekte, bakter – baktere, virus – viruse, mikrob – mikrobe etj. Pra, në gjuhën shqipe emra ambigjenë dalin emrat mashkullorë (një grup i të cilëve në origjinë kanë qenë asnjanës) që e formojnë shumësin me prapashtesat trajtëformuese -e dhe -ra.

Në gramatologjinë shqiptare, kjo klasë emrash ka qenë problematike për sa i takon gjinisë së përcaktorëve mbiemra që duhet të marrin në shumës. Në praktikën e ligjërimit hasen të dy përdorimet: me mbiemrin në gjininë femërore, po edhe në gjininë mashkullore. Këtë e ka vënë në dukje i pari Samiu, i cili në “Shkronjëtoren” e tij pohon se ka disa emra mashkullorë të cilëve “shumësi u bëhet’ edhe mashkull edhe femërë, si: ky mal, këta male a këto male; ky emërë, këta emëra e këto emëra”3; Këtë dukuri e gjejmë të trajtuar edhe në gramatikën e Sheperit, të at J. Rrotës, Cipos etj.



1 Xh. Beqiraj, artikull në “Ndihmesa shkencore të Prof. Rami Memushajt”, Universiteti “Ismail Qemali”, DGJSHL, Triptik, Vlorë, 2014, f. 233−241. (Punim i publikuar dhe në gjuhën angleze “Problems of gender accord of two-gender noun determiners”, Grin Verlag, München, 2014). 2http://www.de.wikipedia.org/wiki/Genus#Ambigeneratjen

3S. Frashëri, Shkronjëtore e gjuhësë shqip (1886), Vepra 2, Tiranë, 1988, f. 105.

1

Një studim të veçantë kësaj dukurie i ka bërë prof. Sh. Demiraj në punimin me titull “Rreth ndërrimit të gjinisë së emrave në shumës në shqipe vështruar edhe në përqasje me rumanishten”, në të cilin e ka parë dygjinishmërinë e emrit në shqipe nga pikëpamja diakronike e sinkronike, po edhe krahasuar me disa gjuhë indoevropiane. Sipas tij, kjo dukuri është relativisht e vjetër (paraletrare) dhe një zhvillim i brendshëm i shqipes, duke mohuar ndikimin e rumanishtes apo të latinishtes në shfaqjen e saj4. Për lindjen e kësaj dukurie, sipas tij, kanë ndikuar dy faktorë5: zhdukja e vijës së kufirit të gjinive te emrat jofrymorë dhe analogjia.

Dygjinishmëria e emrave ka qenë më e përhapur në dialektin e veriut, duke u dëshmuar që tek autorët e vjetër, kurse në toskërishte është përhapur më vonë. Duke qenë një dukuri që mori shtrirje në tërë truallin e shqipes, ambigjenia u pranua si normative në gjuhën standarde. Mirëpo studiues të ndryshëm, si para normimit të shqipes, ashtu edhe pas tij, kanë pasur e vijojnë të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me çështjen në fjalë. Ndër gjuhëtarët që kanë qenë kundër pranimit si normë të dygjinishmërisë ose që kanë vënë në dukje problemet që sjell zbatimi i normës në përdorimin e mbiemrave që shoqërojnë emra në shumës të kësaj klase, janë Gj. Pekmezi, S. Riza, A. Dhrimo, J. Rrota6dhe së fundi edhe R. Memushaj7.

Gjergj Pekmezi në gramatikën e tij ruan me konsekuencë gjininë mashkullore (male të lartë, ujëra të mirë); nuk e pranojnë dygjinishmërinë edhe S. Riza e A. Dhrimoja. Sipas këtij të fundit, “nuk do të kishte qenë e gabuar që gjuha e shkrimit të kishte zbatuar me konsekuencë ruajtjen në shumës të gjinisë mashkullore për të gjitha llojet e emrave mashkullor analogjisë”8. Kurse at J. Rrota ka vënë në dukje problemet që lidhen me dygjishmërinë kur emri i dygjinishëm ka shumë përcaktorë-mbiemra, duke sjellë shembuj, si: Mali ma i nalti i të gjitha të tjerave të Shqipnís âshtë Tomori9. Së fundmi, dygjinishmërisë i është rikthyer gjuhëtari R. Memushaj, i cili i është referuar kësaj dukurie me synimin për të treguar se njësimi i normave gramatikore nënkupton një proces të gjatë historik, gjatë të cilit duhen peshuar me kujdes të gjithë faktorët pro dhe kundër një zgjedhjeje të caktuar ndër dy trajta konkurruese. Duke krahasuar shembuj me dhe pa ambigjeni ku gjymtyrët që lidhen me një sintagmë emërore që ka si kokë një emër ambigjen, i përkasin një sintagme foljore apo një sintagme eptimore (një fjalie) tjetër, si: Këto male të larta vështrojnë njëri-tjetrin dhe Këto male të larta vështrojnë njëra-tjetrën; Këto male të larta të cilat i rrinë përkrah njëri-tjetrit dhe Këto male të larta të cilat i rrinë përkrah njëra-tjetrës, ky autor tregon problemet sintaksore që nxjerr ambigjenia. Sipas tij, mënyra e



4 Sh. Demiraj, Rreth ndërrimit të gjinisë së emrave në shumës në shqipe vështruar edhe në përqasje me rumanishten, Studime filologjike, nr. 4, Tiranë, 1968 , f. 83–96. 5 Po aty, f. 93.

6Shih: Gj. Pekmezi, Grammatik der albanesischen Sprache, Wien, 1908, f. 119; J. Rrota, Gjuha e shkrueme...,Shkodër, 2006 f. 134; S. Riza, Vepra të zgjedhura, ASHSH/QSA, Tiranë, 2009, f. 21; A. Dhrimo, Për shqipen dhe shqiptarët I, Infbotues, Tiranë, 2008, f. 62–64. 7Shih: R. Memushaj, Për shqipen standarde, I, Infbotues, Tiranë, 2012, f. 101–103. 8 A. Dhrimo, Për shqipen dhe shqiptarët, vëll. I, f. 62.

9J. Rrota, Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botime Françeskane, Shkodër, 2006, f. 194.

2

parë duket si një zgjidhje më e pranueshme, por thyhet parimi i teorisë së lidhjes, sipas të cilit përemri anaforik është i lidhur me një paraprijës në të njëjtën fjali, që do të thotë se përemri anaforik njëri-tjetrin e do paraprijësin në numrin shumës dhe në gjininë mashkullore, ndërkohë që paraprijësi malet është në gjininë femërore. Mënyra e dytë pajtohet me parimin e teorisë së lidhjes, pasi si paraprijësi malet dhe anaforiku njëra-tjetrën janë në gjininë femërore. Por përemri njëra-tjetrën, si përemër reciprok, nënkupton emra të gjinisë femërore, ndërkohë që mal është emër mashkullor. Nga sa shtjelluam në këtë syth, del se edhe ky autor është kundër pranimit të dygjinshmërisë si normë, ndonëse për këtë nuk shprehet shkoqur.

Duke marrë shkas nga këto kundërshtime e dyshime, në këtë trajtesë ne do të ndalemi në aspektin sinkronik të kësaj dukurie, në një përpjekje modeste për të vënë në dukje vështirësinë e përshtatjes së emrave ambigjenë me mbiemra, përemra e numërorë, qoftë kur këta dalin në funksion të përcaktorit, qoftë kur përdoren në funksion anaforik dhe predikativ në një fjali a periudhë. Vështirësia e përshtatjes del si në gjuhën e folur, ashtu edhe në atë të shkruar.

Gjatë hulumtimit të këtij fenomeni nëpër gazeta, shkrime dhe tekste të ndryshme, përshtatja në gjini e emrave ambigjenë me përcaktorë del një problem çdo ditë e më i shpeshtë, sepse lidhjet e fjalës së përcaktuar me përcaktuesin përshtaten gabimisht në gjini. Përshtatja e gabuar në gjini ndodh, si kur kjo lidhje është në kontakt në mes të gjymtyrëve të sintagmës, ashtu edhe në distancë (në funksion anaforik dhe predikativ). Përveç mbiemrave, problem paraqesin në përshtatje edhe disa përemra, si p.sh. i cili, njëri-tjetri, si p.sh.: *Modulet plotësojnë njëra-tjetrën me një përzierje nxitëse të letërsisë...; *Manifestimet për dëshmorët e kombit dallojnë nga njëra-tjetra....; *Eurozona formohet nga 17 vende anëtare, të cilat kanë madhësi dhe kushte të ndryshme nga njëra tjetra.*Padyshim, dy regjimet janë të ngjashme me njëra-tjetrën.; *Sistemet janë të pavarura me njëra-tjetrën.; *Këto koncepte janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. *Në ligjin që është në fuqi ka dy nene, të cilat nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën. ...*Duke pasur parasysh marrëdhëniet në mes të dy shteteve, të cilat ende nuk e kanë njohur njëra-tjetrën...etj. Në shembujt e lartshënuar kemi emrat ambigjenë: module, manifestime, vende, regjime, sisteme, koncepte, nene, shtete, module, të cilët përcaktohen nga mbiemra e përemra të gjinisë femërore që dalin në funksion të përcaktorit, në funksion anaforik dhe predikativ. Mirëpo përshtatja e tyre në gjini me emrin e dygjinishëm është e gabuar. Përemri i pacaktuar njëri-tjetri e shndërron shumësin e emrave të sipërpërmendur në njëjës (p.sh. njëri modul e plotëson modulin tjetër, dy nene, të cilët nuk janë në harmoni me njëri-tjetrin), po kështu ndodh edhe me shembujt e tjerë Atëherë, edhe mbiemri në funksion predikativ, dhe lidhori të cilët në funksion anaforik duhet të jenë në gjininë mashkullore, p.sh.: Modulet plotësojnë njëri-tjetrin...; ....17 vendet anëtare, të cilët kanë madhësi dhe kushte të ndryshme nga njëri-tjetri.; Këto koncepte janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin;...dy shteteve, të cilët ende nuk e kanë njohur njëri-tjetrin etj.

3

Lëkundje të shpeshta gjejmë edhe gjatë përdorimit të përemrave të pacaktuar njëri, asnjëri, kur lidhen me një emër të dygjinishëm, p.sh.: Gjilani është njëra nga shtatë qytetet e mëdha të Kosovës; Ai shprehet i bindur se asnjëra nga konkluzionet e Cooperit nuk e prekin sovranitetin e Kosovës etj. Në fjalitë e lartshënuara, përshtatja në gjini është jo e drejtë, sepse përemri ‘’njëri’’ (a asnjëri nga dy sendet a nocionet), në këtë rast, tregon vetëm një send a nocion nga dy ose disa sende a nocione të të njëjtit lloj10. Prandaj ky përemër duhet të jetë i gjinisë mashkullore, sepse emrat qytete, konkluzione, në numrin njëjës janë të gjinisë mashkullore (p.sh. njëri qytet nga shtatë qytetet dhe asnjëri konkluzion nga konkluzionet e dhëna).

Te disa autorë ndodh e kundërta e asaj që vumë në pah më lart. Emrat e dygjinishëm përcaktohen nga fjalë të gjinisë mashkullore, p.sh.: ujëra të mirë, të mirë ujëra, male të lartë, të lartë male (Gj.Pekmezi, f.117-119)11; kontributet madhorë, tre kontributet më të mëdhenj, të teksteve të vjetër (S. Riza., f.20, 233 243)12 etj. Te S. Riza, kjo dukuri del e qëllimshme. Për qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje folëm më lart. Pastaj në shkrimet e sotme ndeshim shpesh sintagma , p.sh.: këta kushte, këta djathëra, të gjithë drithërat, gjithë elementet e tjerë, drithëra të pjekur etj. Kjo ndodh, ose për shkak të njohurive të pakta në kulturën gjuhësore, ose këta emra të dygjinishëm edhe më tutje përcaktohen në të folme të ndryshme nga përcaktorë mashkullorë.

Por problemet që paraqet dygjinishmëria nuk përfundojnë me kaq, nëpër shkrime të ndryshme kemi vënë re lëkundje në përshtatje edhe te mjaft emra joambigjenë, si p.sh. kuadër/kuadro, teatër/teatro etj. Këta emra janë të gjinisë mashkullore, sipas normës, por në shkrime të ndryshme, shpesh edhe në të folur përdoren si emra ambigjenë, dmth. përcaktohen nga fjalë përcaktuese femërore, si p.sh.: Kuadrot e reja stopohen që të jenë pjesë e stafit; Hekurudhat e Kosovës po investojnë në kuadrot e reja; kuadrot e reja drejtuese; kishte nevojë për kuadro të reja profesioniste; Vajtja ime në Kuç u mirëprit nga kuadrot drejtuese; Në këtë shkollë u përgatitën kuadrot e para të gjuhës shqipe etj. Në këto fjali, emri kuadër në shumës përcaktohet nga mbiemra të gjinisë femërore. Mirëpo, emri kuad/ër-ri nuk është emër i dygjinishëm, prandaj duhet të përcaktohet nga mbiemra e përemra të gjinisë mashkullore edhe në shumës: kuadro të rinj, kuadro drejtues, kuadro profesionistë, kuadrot e parë etj. Po kështu ndodh edhe me emrin teatër/teatro, si p.sh.: Borovci po e bën punën e saj në njërën prej teatrove të njohura në Pittsburg; Tri shfaqje në një nga teatrot e njohura në Paris etj. Në këto fjali, të cilat i kemi shkëputur nga shkrime gazetareske, gabimisht emri teatro përshtatet në shumës nga mbiemra të gjinisë femërore. Ky emër duhet të përcaktohet nga mbiemra mashkullorë, si p.sh.: në njërin nga teatrot e njohur, teatrot e njohur.



10 ASHSH, Gramatika e gjuhës shqipe, Tiranë, 2002, f. 253.

11 Gjergj Pekmezi, Albanesische Grammatik, Wien, 1908, f. 117–119.

12 Po aty, vep. e cit., f. 20, 233, 243.

4

Nga hulumtimet që kemi bërë, përveç emrave të më sipërm, del se analogjia ka ndikuar që edhe emra të tjerë mashkullorë joambigjenë, të shfaqen si të dygjinishëm si në gjuhën e shkruar, ashtu edhe në atë të folur, si p.sh.: interes/interesa, libër/libra, nerv/nerva, term/trema, gërshet/gërsheta, brez/breza,organizëm/organizma,rresht/rreshta,hap/hapa,

mekanizëm/mekanizma, gol/gola, flok/flokë, mikroorganizëm/mikroorganizma, tip/tipa, term/terma, rresht/rreshta, organizëm/organizma,
etj. Ja një varg shembujsh për këtë fenomen: edhe interesat kombëtare edhe BE-në; Gruevski bëri thirrje për bashkim për interesat shtetërore dhe nacionale; ...është njëra nga objektivat e auditorit; …në përmbushjen e objektivave të parapara; u përuruan librat e botuara13; Qeveria ka marrë vendim për rishikimin e të gjitha librave, të cilat nxisin ndasi dhe urrejtje; Ai tha se librat e reja të historisë në Kosovë do të jenë të gatshme...; të gjitha organizmat e gjalla kanë qelizën...; Ajo kërkon që qeveria të forcojë të gjitha mekanizmat për të siguruar zbatim të saktë; Albana i ka flokët e gjata; flokët e verdha; Në Tiranë, në fundvitet ’70, qarkullonte një burrë me flokë të gjata; Debati i pardjeshëm në Komisionin e ligjeve ishte padyshim një spektakël i tepërt, një episod bajat, ku nervat e lodhura flasin me zë të lartë; lekë të reja; lekë të vjetra; Termat e përdoruara në këtë statut kanë të njëjtin kuptim me ato të përcaktuara në nenin 2 të ligjit....; Termat e vjetra bartin në vetvete lashtësinë; ...hoqi petkat e bardha, petkat tradicionale; Jam i lumtur me golat e shënuara; Këtu mund t’i shikoni shtatë golat e shënuara në ndeshjen ndërmjet dy ekipeve; Këto janë disa tipe14, të cilat gjenden rrallë… etj. Te të gjithë këta shembuj vihet në pah se emrat mashkullorë (homogjenë në njëjës dhe shumës) marrin gabimisht përcaktorë të gjinisë femërore. Në këto fjali, mbiemrat dhe përemrat duhet të jenë të gjinisë mashkullore, qoftë kur janë në funksion të përcaktorit të një sintagme, qoftë në funksion anaforik a predikativ. Për shembull: interesat kombëtarë; interesat shtetërorë; njëri nga objektivat; ... e të gjithë librave, të cilët...; librat e rinj; librat e botuar; të gjithë organizmat; nervat e lodhur; termat e vjetër; flokë të gjatë; golat e shënuar; lekë të rinj/të vjetër; këta janë disa tipa, të cilët… etj.

Një faktor tjetër që e ndërlikon përshtatjen në gjini, është edhe çështja problematike e shumësit te shumë emra. Një trajtim për këtë çështje e gjejmë te vepra “Për shqipen standarde I” e autorit R. Memushaj, i cili vë në dukje lëkundje të shumësit të emrave dhe luhatje shumësash në mes të fjalorëve dhe gramatikës. Këtu vihet në pah edhe shumësi i disa emrave, i cili del jashtë sistemit morfologjik, si p.sh.: teatro, kuadro, amfiteatro, kinoteatro, kabllo (te Fjalori i gjuhës shqipe, 2006), kurse Memushaj me të drejtë e jep shumësin e këtyre



13 Madje, edhe vetë Samiu gabon kur fut në këtë kategori edhe fjalën emër (ca emëra meshkuj të cilavet, këto emëra), që shumësin e bën jo me -ra, po me -a.

14 Shumësi i emrit tip (sipas normës tip/a) nëpër shkrime del shpesh me morfemën trajtëformuese –e. Në këtë rast, nuk shkaktohet gabim vetëm në shumës, por gabimet rrjedhin në mënyrë zinxhirore në përshtatje me gjymtyrë të tjera me të cilat lidhet ky emër në periudhë. Në rastin tonë, përemri e cila del gabimisht në gjini, pra duhet të jetë mashkullor. I njëjti rast ndodh edhe me emrin term (sipas normës term/a), i cili në shkrime dhe në të folur del shpesh me –e (term/e).

5

emrave me -a: kuadra,teatra, amfiteatra, kinotetra, kablla15, sepse morfemën trajtëformues të shumësit me -o e sheh të huaj për shqipen16. Pastaj ai shqyrton edhe shumësin e emrave, me -ër, -a, -e, -ë etj., të cilët, sipas autorit, përbëjnë një çështje të vështirë dhe këto probleme reflektohen edhe në gramatikën normative. Pra, mendojmë se ky problem edhe më shumë ndihmon në çorientimin e përshtatjes në gjini të emrave me fjalët përcaktuese, sepse sistemi i shumësit të disa emrave shpeshherë del i panjësuar dhe me variante morfemash.

Si përfundim, mund të themi se dygjinishmëria paraqet një dukuri që jo vetëm nxjerr në shesh çorientime në përshtatjen në gjini të emrave ambigjenë me -e dhe -ra dhe të fjalëve përcaktuese (mbiemra, përemra e numërorë), por që edhe me anë të analogjisë po shtrihet edhe tek emrat që nuk janë të dygjinishëm. Pastaj kjo dukuri nuk del në funksion të ndonjë parametri gjuhësor që luan role me rëndësi gramatikore. Thënë troç, ambigjenia nuk i sjell shqipes ndonjë dobi, por përkundrazi shkakton probleme në përshtatjen e gjymtyrëve të sintagmave emër + mbiemër, emër + përemër, emër + numërorë, ose kur këta të fundit dalin në funksione anaforike dhe predikative në fjali. Mendojmë se do të kishte qenë më mirë për normën e shqipes, sikur këta emra (ambigjenë) në shumës të determinoheshin nga përcaktorë të gjinisë mashkullore. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, duhet shqyrtuar edhe çështjen e shumësit të disa emrave që paraqesin luhatje brendapërbrenda këtij sistemi në Fjalorin drejtshkrimor në raport me gramatikën normative.



15 A. Dhrimo,R. Memushaj, Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Infbotues,Tiranë, 2011, f. 396, 806, 19, 329, 361.

16 R. Memushaj, Për shqipen standarde I, Infbotues, Tiranë, f. 61-69.

6

Resume

The use of two-gender nouns is a language phenomenon which appears in some indoeuropiane languages and which has for a long time attracted the attention of linguists. This phenomenon appears in languages such as: Italian, French, Rumanian, Slovakian, Czech and Albanian.

In each of these languages, nouns of this class appear as masculine in singular, but when they become plural they appear in feminine gender. This phenomenon is known as the usage of two-gender nouns. Nouns which are included in the class of two-gender nouns mainly name in animates, objects or abstract notion, as for ex.: element/i – element/e, vend/i – vend/e, qytet/i n- qytet/e, kryeqytet/i – kryeqytet/e, breg/u – brigj/e, lloj/i – lloj/e, send/i – sende/e, djep/i – djep/i -

djep/e, etc.; vaj/i – vaj/e, fshat/i – fshat/ra, drith-ë/i – drithëra, uj-ë/i – ujëra, lesh/i – leshra, mall/i – mallra, të qeshura
etc. There are also a few ther nouns which belong to this class and that name animaties as for ex.: personazh – personazhe, ekuipazh – ekuipazhe, personalitet – personalitete, ekip – ekipe, insekt – insekte, bakter – baktere, virus – viruse, mikrob – mikrobe etc. So, Albanian language two-gender nouns appear as masculine, (a group of which have originally been neutral), which form the plural with the inflectional suffixes

–e and –ra.

There are several linguists who opposed the acceptance of two-gender nouns as a standard and some others who have pointed out the problems that follow if the standard of adjective usage that accompany nouns in plural of this class is applied. These are: Gj. Pekmezi, S. Riza, A. Dhrimo, J. Rrota and recently R. Memushaj.

On the research of this phenomenon in the newspapers, pieces of writing and different texts, the agreement in gender of ambiguous nouns with determiners are grammatically wrongly adapted to their gender. The wrong adaptation in gender happens when this linking is in contact with the sintagma (phrase) parts as well as in distance (in the anaphoric and predicate function). There are also some pronouns which cause problems in adapting, for ex. i cili, njëri-tjetri, as for ex.: *Modulet plotësojnë njëra-tjetrën me një përzierje nxitëse të letrësisë….; *Manifestimet për dëshmorët e kombit dallojnë nga njëra-tjetra.; *Eurozona formohet nga 17 vende anëtare, të cilat kanë madhësi dhe kushte të ndryshme nga njëra-tjetra.

We often find instability during the usage of non-defined pronouns njëri, asnjëri, when they are linked with a two-gender noun, ex. *Gjilani është njëra nga shtatë qytetet e mëdha të Kosovës…; *Ai shprehet I bindur se asnjëra nga konluzionet e Cooperit nuk e prekin sovranitetin e Kosovës etc.

7

Some authors do the opposite. They define the two-gender nouns by using words that belong to masculine gender, as for ex.: ujëra të mire, male të lartë, të lartë male (Gj. Pekmezi, pg.117-119); kontributet madhorë, tre kontributet më të mëdhenj, teksteve të vjetër (S. Riza, pg. 20, 233, 243) etc. S. Riza uses this phenomenon deliberately.

But the problems that are caused by two-gender usage do not end here. In different pieces of work we have noticed vibration in adaption with quite a lot of two-gender nouns, as for ex.: kuadër/kuadro, teatër/teatro etc. these nouns belong to masculine gender according to the standard but in different pieces of writing and in the spoken language are used as two-gender nouns, i.e are defined by feminine determiners, as in the example: * Kuadrot e reja stopohen që të jenë pjesë e stafit…; *Hekurudhat e Kosovës po investojnë në kuadrot e reja; kuadrot e reja drejtuese.

According to the research we have made, except the above-mentioned nouns, it derives that the analogy has also effected other masculine nouns to appear as two gender ones, both in the written and spoken language, as for example: interes/interesa, libër/libra, nerv/nerva, term/terma, gërshet/gërsheta, brez/breza, organizëm/organizma, rresht/rreshta, hap/hapa, mekanizëm/mekanizma, gol/gola, flok/flokë, mikroorganizëm/mikroorganizma, tip/tipa, rresht/rreshta, numër/numra etc.

Another factor that complicates the adaptation in gender is also the problematic issue of the plural of a lot of nouns. We find a treatment for this issue in the work ‘’Për shqipen standarde’’ by R. Memushaj, who righteously points out vibration of the plural of the few nouns and differences of the given plurals in dictionaries and grammars. It’s worth to point out here the plural of same nouns which doesn’t fit with the morphology system, as for ex. teatro, amfiteatro, kinoteatro, kabllo (in Dictionary of Albanian Language, 2006); whereas Memushaj gives righteously the plural of these nouns with –a: kuadra, amfiteatra, kinoteatra, kablla, because the inflation morpheme of the plural with –o according to him is unknown for Albanian.

As a conclusion we can say that the use of two gender nouns presents a phenomenon that not only points out disorientation in the adaption of the gender two gender nouns with –e and –ra and of defining words (adjectives, pronouns and numerals), but using analogy is also including the which are not two gendered.

8

Bibliografia

ASHSH, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 2006.

ASHSH, Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Tiranë, 1976. ASHSH, Gramatika e gjuhës shqipe, 1, 2, Tiranë, 2002.

Demiraj, Sh., Rreth ndërrimit të gjinisë së emrave në shumës në shqipe vështruar edhe në përqasje me rumanishten, Studime filologjike, nr. 4, Tiranë, 1968.

Dhrimo, A., Për shqipen dhe shqiptarët, I, Infbotues, Tiranë, 2008. Dhrimo A., Memushaj R., Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Infbotues, Tiranë, 2011.

Memushaj, R. Për shqipen standarde I, Infbotues, Tiranë, 2011. Buhholz, O., Fiedler, W., Albanische Grammatik, Verlag Enzyklopädie, Leipzig, 1987.

Pekmezi, Gj., Albanesische Grammatik, Wien, 1908.

Prifti, S., Sintaksa e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1971.

Riza, S., Vepra të zgjedhura, ASHSH/QSA, Tiranë, 2009.

Rrota, J., Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore, Botime Françeskane, Shkodër, 2006.

9