Pengesat në të folur dhe pasojat e tyre

A

Antoni

Vizitor
PENGESAT NË TË FOLUR DHE PASOJAT E TYRE

Dihet se të folurit për njeriun normal është baza e jetës. Pa të folur njerëzit nuk do të mund të komunikonin në mes veti dhe të shoqëroheshin, nuk do të mund të krijonin shkencë, teknikë, përparim mendor dhe intelektual, dhe asgjë që është e vlershme për jetën njerëzore. Pra të gjitha veprimet apo kontaktet e dobishme te cilat i shërbejnë njeriut për jetë normale njerëzore i kryen me anë të të folurit. Për ta kryer një veprim apo një punë, më para njeriu mendon se si do ta bënë atë.

Gjatë të menduarit instinktivisht duke mos pasur kontakt me njeri tjetër pranë, do të flasë me vetveten se si do të veproj. Pra këtu kombinohen të menduarit dhe të folurit për një veprim që do të ndërmerr personi. Të folurit na përcjell në çdo moment të jetës tonë. Edhe kur rijmë, pushojmë, mendojmë për diçka, të folurit është prezent në shpirtin tonë, ngase çdo mendim përcillet edhe me të folur. Shpesh bëhet edhe pyetje se, a mendojmë me tru apo mendojmë me të folur, gjegjësisht me gjuhë. Edhe të menduarit tek shumica e njerëzve bëhet bashkë me të folurit. Rruga e zhvillimit të të folurit tek njeriu zgjat me vite të tëra. Duke falënderuar të folurit, njeriu është bërë faktor kryesor në planetën tonë dhe dominon mbi të gjitha gjallesat të cilat jetojnë në këtë planet.

Theksuam se të folurit tek njeriu zhvillohet për një kohë mjaftë të gjatë dhe fillon që nga qarja e parë me rastin e lindjes, dhe zgjat deri në moshën gjashtë vjeçare, kur personi e përvetëson të folurit e rrethit ku jeton, por zhvillimi i të folurit zgjatë tërë jetën duke përvetësuar dhe zgjeruar fjalorin me fjalë dhe shprehje të reja dhe duke mësuar edhe gjuhë të huaja. Të folurit nuk zhvillohet tek të gjithë fëmijët në një kohë të caktuar, tek disa të folurit fillon që nga mosha 6-8 muajve dhe gradualisht përvetëson fjalë të reja, por tek disa fëmijë edhe mund të vonohet. Pra disa fillojnë të flasin më herët e disa më vonë. Kryesisht zhvillimi më intensiv i të folurit është nga mosha 2- 4 vjeçare.

Nëse pas kësaj moshe fëmija nuk folën /flet/, kjo duhet ta brengos prindin dhe sa më shpejt apo sa më herët të kërkoj ndihmën e ekspertit për të folur apo të logopedit. Gjatë punës time shumëvjeçare kam vërejtur se ka prindër që fare nuk interesohen për të folurit e fëmijëve të tyre. Ka edhe prindër të cilët nuk ia dinë vlerën dhe rëndësinë e të folurit, nuk dinë se mungesa e të folurit do ta pengoj fëmijën e tyre në zhvillimin mendor dhe intelektual, dhe atë gjatë tërë jetës së tij. Ka edhe prindër, por me numër të vogël të cilëve u intereson të folurit e fëmijëve të tyre dhe nëse ata hetojnë se fëmijët e tyre kanë probleme në te folur, kanë dëshirë që të ndërmarrin diçka, por nuk kanë njohuri se si duhet vepruar dhe ku duhet dërguar atë.

Prandaj vendosin të kërkojnë ndihmën e tyrbeve, xhamive, magjioniqarëve, mjekëve popullor, kishave e vendeve të tjera të shenjta. Kur shohin se kjo nuk ka pasur sukses drejtohen te ndonjë mjek me shumë vonesë ose e “lënë në dorë të Zotit” duke menduar se kjo do të kaloj gjatë kohës. Edhe nëse rastësisht e sjellin fëmijën tek logopedi, dhe ai propozon që të behet trajtimi me ushtrime logopedike, ata mendojnë se e kanë bërë punën pasi e kanë vizituar një herë, e ndërpresin këtë veprim duke menduar se logopedi ka “shkop magjik” dhe me një të “fryme” do tu-a eliminon pengesat dhe nuk e dërgojnë për trajtim të mëtejmë për të zhvilluar ushtrimet të cilat janë të nevojshme, duke e lënë fëmijën në gjendjen e mëparshme. Është e ditur se në Kosovë nuk i japin fare rëndësi të folurit, jo vetëm nga prindërit, por edhe nga organet përgjegjëse për arsimim të popullatës. Mu për këtë shkak, ka shumë persona të cilët kanë problem në jetën e tyre të përditshme lidhur me pengesat në të folur, nga se u mungon shprehja në kontakt me njerëz të tjerë si në familje, shoqëri, shkollë etj.

Është shumë interesant se në vendet e tjera, çdo shkollë e ka logopedin e vet, kurse në Kosovë, por edhe në Shqipëri asnjë shkollë nuk ka logoped. Shumë nxënës ankohen se për shkak të pengesave në të folur kanë sukses me të ultë se sa atë të cilin e meritojnë. Shumë persona për shkak të pengesave në të folur humbin perspektivën e tyre jetësore duke e braktisur shkollën, shoqërinë, dashurinë etj. Pengesat e te folurit janë të shumëllojshme dhe prej tyre ka pengesa ti quajmë të mëdha dhe të vogla apo /të rënda dhe të lehta/.
Prej pengesave më të shpeshta mund të përmendim disa si që janë:
  1. Belbëzimi.- Është pengesa më e rëndë dhe më e përhapura dhe më e shpeshta në botë e cila ua shkatërron jetën mija e miliona të rive dhe të rejave duke i penguar në shkollim, në punë, në shoqëri, në ngritjen e tyre profesionale, në dashuri dhe në përgjithësi në jetë. Kjo pengesë mund të eliminohet me shumë sukses se sa mendojnë disa, por kërkon angazhim maksimal të vet personit i cili ka belbëzim. /Lexo për belbëzimin në shkrimet e mëparshme/.
  2. Çrregullimi i fjalëve dhe shprehjeve.- Kjo dallohet shume lehtë nga se personi me këtë pengese nuk i emëron fjalët si duhet, por i emëron duke ua ndërruar vendin tingujve psh.. tavolina – vatolina, talovina, arsimi – asrimi, sarimi, pra asnjë fjalë apo shprehje me të gjatë nuk do ta thotë ashtu si duhet.
  3. Të folurit me hundë apo nën hundë.- Ky të folur është shumë i pa kuptueshëm dhe shumë banal. Kryesisht në të folurit me hundë nuk mund të artikulohen tingujt dhëmbor si: C ,Ç, Gj, Q, S, Sh, X, Xh, Z, Zh. Këta tinguj zëvendësohen me tinguj të tjerë dhe fjala nuk mund të kuptohet lehtë psh. sapuni – tapuni, supa- tupa, susta – tutta etj. Kjo pengesë mund të eliminohet me shumë sukses, por vetëm me ushtrime logopedike.
  4. Mungesë e artikulimit të tingujve fonetikë.- Tek shumë fëmijë artikulimi i tingujve fonetikë mungon. Tek disa fëmijë parashkollore, por edhe shkollor mungojnë pothuaj se gjysma e tingujve fonetik dhe të folurit është totalisht i pakuptueshëm. Po të mungoj një tingull apo të zëvendësohet me tjetër, të folurit nuk do të kuptohet nga të tjerët psh. kali ka katër kamë – tali ta tatër tamë etj. Këta tinguj mund të përvetësohen 100% me ushtrime logopedike.
  5. Të folurit e keq.- Edhe ky të folur nuk është i kuptueshëm nga se bëhet pa kurrfarë rregulla gramatikore, pa kurrfarë kritere gjuhësore. Fjalët që duhet renditur thuhen të parenditura si psh. unë shkoj në shkollë – në shkollë shkoj unë, shkollë shkoj unë etj. Po ashtu edhe ky të folur mund të korrigjohet me ushtrime logopedike.
  6. Përsëritja e fjalëve dhe shprehjeve.- Personat me këtë pengesë duke folur për ndonjë temë, ndodh që gjysmat e fjalëve dhe shprehjeve t’i përsërisin dhe në vend që të thonë shumë fjalë lidhur me temën apo bisedën, ata duke i përsëritur fjalët bisedën do ta shndërrojnë në mossukses.
  7. Të folurit e shpejtë.- gjatë të folurit të shpejt bëhen shumë lëshime si në të folurit oral, por edhe gjatë të lexuarit të tekstit.
  8. Të folurit e ngadalshëm.-
  9. Edhe të folurit i cili është shumë i ngadalshëm është një pengesë dhe është mjaftë banal.
  10. Mungesa totale e të folurit.- Mungesa totale e të folurit shkaktohet nga dëmtimi i Qendrës të Sistemit Nervor dhe ndryshe quhet Afazi /lat. Aphasia/, por edhe nga shurdhimi total.
  11. Çrregullimi i shkrimit dhe leximit.- Po ashtu është pengesë e të folurit, pasi edhe shkrimi dhe leximi i takon të folurit. Ka edhe shume e shumë pengesa të tjera të të folurit për të cilat kam shkruar më para ose do të shkruaj në një rast tjetër. Të gjitha këto pengesa kanë pasoja të mëdha që mund të quhen edhe katastrofale për jetën e njeriut
Njeriu i cili nuk ka pengesa në të folur këtë nuk mund ta marr me mend se sa e pengojnë atë që ka pengesa. Këto pengesa e dërmojnë shpirtërisht personin në çdo kohë, në çdo vend. Personi me pengesa në të folur është personi më i mjerë në jetë. Gjithnjë e ka një barrë të rëndë në shpirtin e tij qoftë duke biseduar, duke ndenjur ulur, në gjumë, me të dashurën e vet, me familjarët dhe miqtë, në shkollë, lojë etj. me një fjalë në çdo moment pengesa në të folur ia copëton dhe shkatërron shpirtin. Në çdo mes dhe shoqëri është i përbuzur. Edhe kur shikon ndonjë film apo ndonjë çfaqje ku përqeshen ata me pengesa në të folur, atij i thyhet dëshira për të jetuar. Për ta vërtetuar këtë që shkrova po ua prezantoj disa imele të cilat i kam marr nga nevojtar të ndryshëm, e që kam me qindra këso imele. por me këtë rast do ti paraqes vetëm disa, të cilët shkruajnë:
  • 1. Përshëndetje, jam XX nga Prizreni, kam probleme me të folur qysh sa isha i vogël, tash kam 18 vjet. Jam shumë i mërzitur, shumë që nuk mund të flas mirë, nuk ndihem rahat dhe mire në familje, në shoqëri, po më duket se po më përqeshin të gjithë. Ju kisha lutur për ndihmë që të mund ta largoj belbëzimin që po ma shkatërron jetën. Faleminderit.
  • 2. Jam një 32 vjeçare, jetoj në perëndim qe 12 vite, por pa leje qëndrimi dhe nuk kam mundësi me ardhur me ju vizitu. Edhe unë e kam këtë problem në të folur qysh në moshën 4 vjeçare, por kurrë familja ime nuk ka marr një hap të tillë për këtë fatkeqësi...!!! A ka ndonjë mundësi për ndonjë këshill përmjet adresës time sepse nuk mund të vij në Kosovë. Pres përgjigjen. faleminderit
  • 3. Jam një djalë nga Maqedonia nga qyteti i manastirit, jam 14 vjeçar, kam probleme me te folur, ju lutem te më ndihmoni se shumë po vuaj shpirtërisht. Te fala....
  • 4. Jam një djalë 25 vjeç nga Shqipëria, dhe më ka filluar belbëzimi kur isha i vogël dhe kam problem të flas, kur flas kam shumë emocione të cilat ma tronditin shpirtin dhe janë bërë skëterrë për mua në çdo moment e sidomos kur dëshiroj të kontaktoj me shokë, nuk kam mundur të shkollohem vetëm për shkak të këtij problemi, nuk po mund të inkuadrohem dhe të punoj, nuk po mund të dashurohem me ndonjë vajzë. Ju lutem me ndihmoni se jam në depresion të madh shpirtëror dhe nuk di si të veproj me jetën time, të jetoj a të mos jetoj??!!! Faleminderit.
  • 5. Mërgimtari nga rrethina e Therandës i cili jeton dhe punon ne Paris me shkruan. Kam djalin katër vjeçar, ka folur shumë mirë, por ka filluar të belbëzoj. E dërgova tek pediatri dhe me shkroi tetë lloje të barnave, jam kah trenohem, ju lutëm më ndihmoni me ndonjë këshill. Unë i rekomandova qe barnat të mos i jepen fëmijës duke e këshilluar se çka duhet të bëj me djalin. Pas gjysmë ore më është lajmëruar shoqja e tij duke me falënderuar nga se ajo ishte farmaciste dhe të gjitha barnat ishin nga familja e qetësuesve/drogës/. Me ushtrimet që ua rekomandova, djali brenda dy jave u kthye në gjendjen normale pa kurrfarë problemi. Pas kësaj prindi më falënderon shume duke thënë se djali nuk ka problem dhe mi mbajte mendtë në kokë se isha duke u trenuar.
Këso letra dhe biseda të drejtpërdrejta në internet bashkë me falënderime kam /qindra sosh/, që do të thotë se çdo pengesë në të folur me angazhimin e vet të atij që ka pengesa në të folur dhe të ekspertit – logopedit mund të eliminohen. Disa për kohë më të shkurtër e disa më të gjatë, varësisht prej pengesës. Dëshiroj të ceki se në eliminimin e pengesave në të folur nuk ka ndikim mosha. Mund të lirohen nga këto pengesa edhe moshat e reja, por edhe më të vjetra dhe krejt kjo varet nga angazhimi profesional i logopedit dhe ai individual i personit i cili dëshiron që të lirohet nga këto pengesa.

Dhe për fund dëshiroj t’i lus prindërit e nderuar që të folurit e fëmijëve të tyre ta kenë gjithnjë në kujdes dhe vëzhgim, dhe nëse fëmija i tyre ka ndonjë problem në të folur sa më herët duhet të kërkojnë ndihmën e logopedit e jo fëmijën ta lënë në atë gjendje ose të kërkojnë ndihmën e jo ekspertëve për këtë lami. Po ashtu kisha apeluar edhe tek kolegët e mijë mësues ose edukator, që nëse vërejnë tek nxënësi i tyre ndonjë pengesë sado të vogël dhe nuk mund ta ndihmojnë vet, duhet ta informojnë dhe ta udhëzojnë prindin se ku duhet dërguar fëmijën e tyre. Suksesi i fëmijës është suksesi i mësuesit dhe e kundërta.

Më lartë theksova se prindërit tonë kanë shumë halle të tjera, por edhe disa me gjithë dëshirën e tyre për tu ndihmuar fëmijëve të tyre në eliminimin e këtyre pengesave, ndoshta nuk janë në dijeni se edhe të folurit mjekohet si çdo sëmurje tjetër. Shumë prind tonë nuk janë të arsimuar ose nuk e hetojnë pengesën, prandaj mësuesi kur e udhëzon, ai do të jete shumë falënderues ndaj mësuesit dhe do ti shtohet besimi, se mësuesi po interesohet për fëmijën e tij. Më në fund dëshiroj të ceki se edhe pengesat në të folur janë sëmurje të cilat nuk dhembin si të tjerat. Fëmijët me pengesa në të folur edhe pse vuajnë, ata nuk dinë të ankohen dhe t’i tregojnë prindit, për këtë shkak edhe prindërit nuk janë shume të interesuar dhe nuk e dinë se këto janë sëmurje më të rënda se çdo tjetër, nga se këto dhembin thellë në shpirtin e fëmijës së tyre dhe atë gjatë tërë jetës së fëmijëve, kurse sëmurjet e tjera dhëmbin për një kohë shumë të shkurtër dhe duke marr barna apo ilaçe kalojnë.

Lexues i nderuar, kjo temë është shkruar në gjuhen popullore dhe pa terminologji shkencore, është përpiluar në gjuhën popullore me qëllim që të kuptohet sa më mirë edhe nga lexuesit të cilët nuk janë shumë të arsimuar, e me qëllim që tu shërbej edhe atyre të cilët nuk e dinë se pengesat në të folur mund të eliminohen dhe ata të lirohen nga këto. Popullata jonë nuk është e informuar aq mire dhe nuk e dinë se edhe pengesat në të folur mund të eliminohen dhe se për këtë lami është ekspert logopedi. Para lufte në Kosovë nuk është punuar shumë në këtë problem, por edhe pas lufte nuk i është dhënë dhe nuk i jepet rëndësi këtij problemi, prandaj popullata e gjerë nuk janë mjaftë të informuar lidhur me këtë. Lexues të nderuar ju lutëm që nëse keni mundësi këtë temë printoje dhe dërgoja ndonjë miku, mikeshe apo shoku i cili ka ndonjë problem në të folur nga se i ndihmoni shumë atij.

PUBLIKIMI I KËTIJ PUNIMI NË NDONJE REVIST APO NË INTERNET NUK ËSHTË I LEJUAR PA LEJEN E AUTORIT!
Irfan M. Bojaxhiu, defektolog
Telefon 00377- /0/- 44-337-008
Email: irfanbojaxhiu@hotmail.com
 
Sipër