PD dhe PS konsensus të fshehtë për shkeljen e ligjit

A

Antoni

Vizitor
PD dhe PS konsensus të fshehtë për shkeljen e ligjit

“Fillimi i mbarë gjysma e punës”, thotë një shprehje e vjetër, por kjo nuk vlen për dy partitë e mëdha. Përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duket se ka filluar që në krye me probleme. Dy forcat, PD dhe PS, ndonëse miratuan me konsensus Kodin e ri Zgjedhor, po e shkelin po vetë lidhur me afatet ligjore të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së. Brenda ditës së sotme duhej të kishte përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, pasi PD dhe PS vendosën me unanimitet që 30 ditë nga shpallja e ligjit të ri zgjedhor, do të duhej të përfundonte plotësimi i 6 vendeve. Deri më sot ende asnjë prej partive politike nuk ka depozituar në Kuvend emra për postin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Një shkelje të tillë ligjore duket se e kanë pranuar të dy partitë kryesore. Nëse për arritjen kompromisit për miratimin e Kodit Zgjedhor demokratëve dhe socialistëve iu deshën 6 muaj, për shkeljen e afateve ligjore për zbatimin e këtij ligji të dy forcat kanë rënë dakord menjëherë. Të kontaktuar në telefon, përfaqësuesit e dy partive kryesore,pranojnë që të kenë shkelur afatet. Sipas tyre, asnjë prej palëve nuk mund të akuzojë tjetrën, pasi është një kompromis i heshtur për të shtyrë me disa ditë depozitimin e emrave për anëtarët e rinj të KQZ-së. Ende mazhoranca dhe opozita nuk kanë vendosur përfundimisht se cilët do të jenë përfaqësuesit e tyre që do të menaxhojnë zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.

Procedura e zgjedhjes së anëtarëve Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mbetet sërish në duart e partive politike, të cilat do të kenë sërish të drejtën e propozimit të emrave. Ndonëse politizimi i administratës zgjedhore ishte një nga kritikat më të forta nga PSBE/ODIHR-it, PD dhe PS ruajtën të njëjtë formulë për pasur përsëri kontrollin mbi zgjedhjet. Demokratët kanë të drejtën që të propozojnë dy anëtarë pasi kanë numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe dy anëtarë do të zgjidhen nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë, pra socialistët. Më konkretisht, PD dhe PS në fazën e përzgjedhjes, do të paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë.

Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura. Për shkak të kodit, të dy partitë e mëdha do të jenë të detyruara që të respektojnë edhe barazinë gjinore. Ajo që është e sigurt është që KQZ-ja e re do të ketë së paku dy anëtare. Aleati besnik i demokratëve, PR do të humbasë këtë radhë të drejtën e përfaqësimit në Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Si rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, kjo e drejtë i ka kaluar Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila tashmë do të ketë njeriun e saj për të luftuar për mbrojtjen e votës.

Sipas kodit, anëtari i pestë dhe i gjashtë zgjidhen nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, përjashtuar partinë më të madhe të secilit prej grupimeve. Kuvendit do t’i paraqitet për votim lista e kandidatëve që ka siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës parlamentare, përfshirë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të secilit grupim.
\shekulli\
 
Sipër