Paskajorja gege midis mohimit dhe integrimit, realiteti gjuhësor

Miri

Anëtar drejtues
Rishikimi i standardit, përmirësimi dhe pasurimi i tij gjithnjë e më shumë po bëhen çështje diskutimesh ndër gjuhëtarët shqiptarë. Së fundi rekomandimet e Konferencës shkencore: Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit e të pasurimit të standardit, mbajtur në Durrës, në fund të dhjetorit të vjetëm, në kuadër të këtij rishikimi, për herë të parë ka hapur perspektivën për integrimin edhe të paskajores gege me + pjesorja në gjuhën standarde. Ndonëse debatet ende janë për dhe kundër këtij integrimi realiteti gjuhësor dhe statusi i kësaj trajte foljore ndër folësit gegë, 39 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit, dëshmon se paskajorja me + pjesorja është aktive dhe ka tendenca gjithnjë më të mëdha për shtrirje në të gjitha stilet e ligjërimit, duke bërë kështu trysni direkte në standard.

Në këtë situatë, kur ekzistojnë debatet, në njërën anë dhe kur paskajorja gege bën këtë trysni për integrim, në anën tjetër, çështja e kësaj trajte foljore në këtë punim është shtruar në dy plane interpretimi. I pari është i karakterit sociolinguistik, që mëton të sqarojë "rezistencën" e kësaj trajte foljore ndaj aktit përjashtues, ndërsa i dyti, që është i karakterit gjuhësor, pretendon që përmes hulumtimit në terren të sqarojë dendurinë e përdorimit të dysorëve me + punue dhe për të + punuar, në mënyrë që të shihet se cila formë mbisundon në ligjërimet e folësve të standardit, që variatet të parë kanë gegërishten.

Objektivi i parë sjell rezultatin se paskajorja gege, e konsideruar si variacion dialektor, është ruajtur tek folësit gegë sepse identifikon një bashkësi të madhe, se është më ekonomike dhe më e lehtë për përdorim, ndërsa objektivi i dytë sqaron të dhënën jo të panjohur se paskajorja gege nuk është tërësisht e mbuluar nga trajta standard. Për të mbërritur në rezultatet e prezantuara këtu kemi hulumtuar gjuhën e mësuesve të disa komunave të Kosovës, duke konsideruar se ata do të duhej të ishin autoritetet e para që me ligjërimin e tyre standard do të duhej të ndikonin në gjenerata nxënësish për përvetësimin e standardit. Për krahasim kemi hulumtuar edhe gjuhën e studentëve të disa departamenteve të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe disa emisione televizive. Rezultatet e hulumtimit dalin përafërsisht të njëjta te këto tri grupe informatorësh. Paskajorja gege mbisundon në ligjërimin formal e joformal të tyre.

http://www.shkenca.org/pdf/gjuhe/dicka_per_paskajoren.pdf
 

Bashkëngjitje

Sipër