NJË VËZHGIM PËRQASËS I MËNYRËS URDHËRORE NË SHQIP DHE GJERMANISHT

Miri

Anëtar drejtues
EDESA PAHESHTI
Fakulteti i Shkencave Humane
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan

Përmbledhje

Ky artikull paraqet një vëzhgim përqasës midis mënyrës udhërore në gjuhën shqipe dhe në atë gjermane. Punimi trajton elementet gramatikore më të cilat shprehet kjo mënyrë dhe formimin e saj, duke përvijuar të përbashkëtat dhe të ndryshmet midis tyre. Artikulli është një tablo e qartë e një studimi të detajuar.

Abstract
This article presents a comparative survey of the imperative in the Albanian and German languages. It deals with the grammatical elements employed to express and formulate the imperative. The article outlines the common features and differences of the imperative encountered in these two languages. The goal of this article is to present a clear picture of a detailed study on this regard.

Fjalëkyçe: urdhër, modalitet, funksion, kohë e tashme, mënyrë lidhore, mënyrë dëftore, formim.
Në shumicën e gramatikave, urdhërorja zë një vend relativisht të kufizuar - ajo përmendet një herë në kapitullin e mënyrave, në paraqitjen e zgjedhimeve të foljeve dhe një herë në klasifikimin e tipave të fjalisë, pikërisht në ato urdhërore. Inventari i formave foljore të një gjuhe konsiderohet një klasë e mbyllur, dhe kështu format e urdhërores janë të mirëpërcaktuara, ndërkohë që numri i funksioneve të ndryshme të kësaj mënyre nuk është përcaktuar ende.

Në shqip, si dhe në gjermanisht, me anë të mënyrës urdhërore shprehim një urdhër apo kërkesë. Në gjuhësinë shqiptare, mënyrës urdhërore i njihet edhe përdorimi për shprehjen e një dëshire në formë urdhri (Demiraj, 1970:221; G.A.SH., 2002:330), çka do të thotë se ajo shënohet si mënyrë që karakterizohet nga modaliteti i dëshirës. Por urdhri nuk mund të lidhet vetëm me dëshirën a vullnetin e folësit. Situata të komunikimit sjellin shembuj, ku urdhri është domosdoshmëri, që rrjedh nga faktorë jashtëpersonalë.

Futu brenda, se filloi shiu!

Këtu, nuk bëhet fjalë për modalitetin e dëshirës, por për paralajmërime, udhëzime, ofertë, ftesë.

Ose:

Mos pi ujë me akull, se të ftohen grykët!
Merre edhe një çokollatë tjetër!

Mënyra urdhërore morfologjikisht nuk është gjithmonë e dallueshme nga mënyrat e tjera, por mund të dallohet nga roli i saj në fjali, pra nga karakteristikat sintaksore. Përpos aspekteve morfo-sintaksore, është e rëndësishme të merren në konsideratë edhe aspektet semantike dhe pragmatike.

Buchholz & Fiedler e shikojnë si të vetmen mënyrë në shqip, e cila nuk është e ndarë sipas formave kohore (Buchholz & Fiedler, 1987:149). Karakteristike sipas tyre është kufizimi në një vetë nga ana gramatikore (veta e 2-të njëjës dhe e 2-të shumës). Në DUDEN mënyra urdhërore përcaktohet si mënyra me anë të së cilës shprehim një kërkesë.

Edhe pse në pamje të parë mund të themi që kjo mënyrë paraqitet njësoj në të dyja gjuhët, si në formë e në mjetet gramatikore, ashtu dhe në vlerat e saj të përdorimit, një vështrim më i thellë do të evidentonte veçori dhe dallime tek të dyja gjuhët. Është qëllimi i këtij punimi të paraqesë pikat e përbashkëta dhe ndarëse të mënyrës urdhërore në shqip dhe në gjermanisht.

  1. Mënyra urdhërore - shprehje e urdhrit dhe e kërkesës
Termi “mënyrë urdhërore” i përgjigjet termit latin “modus imperativus”. Në gjermanisht mënyra urdhërore shpreh një kërkesë (urdhër, ndalim, lutje, udhëzim, këshillë, sugjerim, paralajmërim, nxitje).

Sipas Gramatikës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në shqip me anë të kësaj mënyre shprehet modaliteti i dëshirës në formë urdhri, kërkese, këshille, porosie, lutjeje, grishjeje, lejimi etj. Me fjalë të tjera, kur folësi e përdor foljen në mënyrën urdhërore, atëherë kërkon nga personi apo personat, të cilëve u drejtohet, që të zbatojnë dëshirën, që ai u ka shprehur në formë urdhri. Pra, mënyra urdhërore përmbush të njëjtin funksion në të dyja gjuhët.

Në të dyja gjuhët mënyra urdhërore shprehet në vetën e dytë njëjës dhe shumës. Gjithashtu në të dyja gjuhët mënyra urdhërore njeh edhe formën e politesës, e cila gramatikisht shprehet ndryshe tek njëra e ndryshe tek tjera, por kuptimi është i njëjtë. Në gjermanisht për të shprehur formën e politesës përdoret forma me “Sie”, e cila zgjedhohet njëlloj si veta e tretë shumës, ndërsa në shqip përdoret veta e dytë shumës. Në të dyja gjuhët forma e politesës mund t’i drejtohet një, dy apo disa personave.

Kuptimi kohor i mënyrës urdhërore në të dyja gjuhët është i tanishëm ose i ardhshëm. Në të dyja gjuhët mënyra urdhërore ka vetëm kohën e tashme. Ky kufizim apo rrudhje kohore kushtëzohet nga lloji i kuptimeve modale, që kjo mënyrë shpreh (Heyse, 1856:429).

Gjermanisht Shqip
Numri Vetat Konfidenciale PolitesaKonfidencialePolitesa
NjëjësVeta 1----
Veta 2Geh!Gehen Sie!Shko!Shkoni!
Veta 3----
ShumësVeta 1----
Veta 2Geht!-Shkoni!Shkoni!
Veta 3-Gehen Sie!--
Shembuj:

Nimm den Mantel! (veta II njëjës) (shqip: Merre pallton!);
Nehmt Platz! (veta II shumës) (shqip: Zini vend!);
Mëso të respektosh të tjerët! (veta II njëjës)
Mbyllni sytë dhe imagjinoni lëndina të mbushura me lule dhe bagëti që kullot! (veta II shumës)
Nehmen Sie bitte Platz! (forma e politesës) (shqip: Zini vend, ju lutem!)
Ejani me mua, - foli ai pak si me të ashpër. (forma e politesës)

Për të shprehur një urdhër në gjermanisht mund të përdoret edhe koha e tashme e mënyrës dëftore. Kjo nuk është e pamundur edhe në shqip, por një përdorim i tillë ka vlerë situative dhe qartësohet nga konteksti.

Shembuj:
Gjermanisht: Du wartest hier. (shqip: Ti prit këtu.)
Shqip: Pa dëgjoni, o njerëz! (gjermanisht: Hören Sie zu Leute!)

Në shqip, nganjëherë më kategorike se mënyra urdhërore është e ardhmja e mënyrës dëftore. Kjo lidhet me pritshmërinë e mënyrës urdhërore për një veprim në kohën e ardhme.

Shembull:
Kaq ta bësh dhëmbin,
ti do të shkosh, se s’bën!
Një përdorim të tillë e gjejmë edhe në gjermanisht.

Shembull:
Du
wirst unbedingt dorthin gehen. (shqip: Ti do të shkosh patjetër atje!)

Në gjermanisht forma urdhërore njeh edhe vetën e parë shumës, formë e cila është identike me atë të kohës së tashme, mënyra lidhore (në gjermanisht Konjuktiv I). Pse lidhore?

Shembull:
Gehen wir! ( shqip: Shkojmë!)

Në shqip kjo njihet si përdorimi i vetës së parë të kohës së tashme të mënyrës dëftore në fjali që shprehin një nxitje, grishje.

Shembull:
Kalojmë nga shtegu – tha Agimi.

Në gjermanisht, një përdorim i tillë bazohet në ndryshimin e rendit të fjalëve (kryefjalë-kallëzues: kallëzues-kryefjalë) dhe në intonacionin përkatës, ndërsa në shqip nuk kemi tregues të jashtëm formalë për realizimin e një vlere të tillë. Treguesi i jashtëm është intonacioni, i cili ka të bëjë me ligjërimin e folur. Në ligjërimin e shkruar kjo vlerë, në shqip, përcaktohet nga konteksti.

Në shqip, mënyra lidhore përdoret me vlerën e mënyrës urdhërore në vetën e parë shumës dhe në vetën e tretë njëjës a shumës, por edhe në vetën e dytë.

Shembuj:
Të ulemi e të bisedojmë kokë më kokë. (gjermanisht: Sezten wir uns und unterhalten uns!)
Le të rrijë, po të dojë! Le të rrinë, po të duan! (gjermanisht: Er kann bleiben, wenn er will! Sie können bleiben, wenn sie wollen!)
Të kërkosh e t’i gjesh! (gjermanisht: Suche und finde sie!)
Të kërkoni e t’i gjeni! (gjermanisht: Sucht und findet sie!)
Shkojmë, nisemi djema, sa është pa aguar! (gjermanisht: Gehen wir Jungs, solange es noch dunkel ist!)

Sipas Buchholz & Fiedler në shqip, ndryshe nga mënyrat e tjera, në atë urdhërore mund të qëndrojnë të lidhura dy forma qëllimore-pasuese pa lidhëza nënrenditëse apo presje. Një përdorim të tillë e gjejmë edhe në gjermanisht, por në ndryshim nga shqipja këtu kërkohet vendosja e presjes.

Shembull:
Shko fute në arkë! (gjermanisht: Geh, füll es in die Kiste.)

Për të shprehur një urdhër apo kërkesë në gjermanisht përdoren edhe forma konkurruese të urdhërores, të cilat realizohen me foljet modale sollen (shqip: duhet), wollen – (shqip: dua) (veta I) dhe lassen (shqip: lë) (veta I):

Ihr sollt aufstehen. (shqip: Ju duhet të ngriheni!)
Wir wollen gehen. (shqip: Ne duam të shkojmë.)
Lasst uns keine vorschnellen Entschlüsse fassen! (shqip: mos dalim me konkluzione të nxituara!)

Dy shembujt e parë gjejnë përdorim edhe në shqip, ndërsa përsa i përket shembullit të tretë, mënyra lidhore në shqip përdoret ndryshe nga gjermanishtja.
Përpos veçorive formale të përdorimit të formave të urdhërores duhet të përmendim edhe disa kufizime të kushtëzuara nga komunikimi:
  1. Në të dyja gjuhët ka folje të cilat nisur nga kuptimi që mbartin, nuk mund të shprehin urdhra, si p.sh. vlen (gelten) etj.
  2. Foljet pavetore: bie shi, bie borë etj., foljet modale: mund, duhet etj., si dhe disa folje si: më mungon, humb (këtu mund të flasim për kuptim urdhëror në rastin e ndërtimeve mohore: Mos e humb lojën, mësimin!) etj.
  3. Një sërë foljesh, përdorimin e tyre normal në urdhërore e kanë në formën mohore, por nuk përjashtohen edhe rastet kur dalin forma pohore.
Lüge nicht! Mos gënje!
  1. Shpesh fjalitë e urdhërores shoqërohen edhe me pjesëza.
Komm mal! Pa hajde!
Komm doch! Hajde de!
  1. Formimi i mënyrës urdhërore në shqip dhe në gjermanisht
Edhe në shqip, edhe në gjermanisht formimi i mënyrës urdhërore ndjek të njëjtin rregull për shumicën e foljeve: baza për formimin e saj është koha e tashme e mënyrës dëftore.

Në gjermanisht, veta e dytë njëjës, pra forma konfidenciale e urdhërores është e njëjtë me rrënjën e foljes, e shprehur ndryshe: kur folja vendoset në mënyrën urdhërore, bie përemri vetor dhe mbaresa e vetës. Ndërsa në shqip formimi i formës konfidenciale ndjek rregulla të veçanta për secilën klasë.

Shembuj:
Du gehst →Geh! (Shqip: Ti shkon→Shko!)
Du arbeitestArbeite! (Shqip: Ti punon. →Puno!)

Foljet, të cilat në mënyrën dëftore, koha e tashme, veta e 2-të dhe e 3-të numri njëjës ndryshojnë zanoren e rrënjës, nën veprimin e Umlautit (metafonisë), kur formojnë mënyrën urdhërore do ta humbasin atë.

Shembull:
Fahren (udhëtoj - folja në paskajore)→du fährst (mënyra dëftore, koha e tashme, veta II njëjës) →Fahr! (Udhëto! Mënyra urdhërore, veta II, njëjës )

Ndërsa foljet me ndryshim të zanores së rrënjës në mënyrën dëftore, koha e tashme veta e 2-të dhe e 3-të njëjës, në formën urdhërore do ta ruajnë këtë ndryshim zanoreje.

Shembull:
Nehmen (marr - folja në paskajore)→du nimmst (mënyra dëftore, koha e tashme, veta e 2-të njëjës) →Nimm! (Merr! Mënyra urdhërore)

Disa raste të veçanta në formimin e numrit njëjës të mënyrës urdhërore:


Në gjuhën standarde gjermane mbaresa –e është e detyrueshme në rastet e mëposhtme:
  • Tek foljet që mbarojnë me –el (shpesh me shkurtim të mbaresës): lächeln → lächle (shqip: buzëqesh);
  • Tek foljet që mbarojnë me –er (pjesërisht me shkurtim të mbaresës): löchern → löch(e)re (bëj vrima);
  • Tek foljet që mbarojnë me –ig: verteidigen → verteidige (shqip: mbroj);
  • Tek foljet me bashkëtingëllore +m, n: atmen → atme, wachsen →wachse (shqip: marr frymë, rris/rrit);
  • Shpesh tek foljet me tigull dhëmbor ose bashkëtingëllore fërkimore: finden → finde, lachen → lach (e). (shqip: bëj kujdes, qesh).
Formimi i urdhërores në vetën e dytë të numrit shumës si në shqip edhe në gjermanisht është i njëjtë: folja e zgjedhuar në kohën e tashme të mënyrës dëftore, veta e dytë numri shumës kthehet në mënyrën urdhërore pa pësuar ndryshime, ndërsa përemri vetor bie.

Shembuj:
Ihr geht→Geht! (Shqip: Ju shkoni→Shkoni!)

Në gjermanisht forma e politesës në mënyrën urdhërore përputhet plotësisht me formën e politesës në mënyrën dëftore, koha e tashme. Ndryshimi i vetëm është që në formën urdhërore, folja dhe përemri ”Sie” do të këmbejnë pozicionet në fjali.

Shembull:
Sie sprechen (Mënyra dëftore, koha e tashme)→Sprechen Sie! (Mënyra urdhërore) (Shqip: Ju flisni→Flisni!)

Ndërsa në shqip, forma e politesës e mënyrës urdhërore ndjek formimin e mënyrës urdhërore të vetës së dytë të numrit shumës, koha e tashme, mënyra dëftore.
Mënyra se si foljet në shqip formojnë mënyrën urdhërore varet nga klasa apo nënklasa e zgjedhimit të foljeve.

Format e diatezës veprore
Foljet kalimtare dhe ato jokalimtare në vetëm e dytë njëjës dhe shumës të mënyrës urdhërore dalin me forma gramatikore sintetike, që shpeshherë janë të njëjta me format gramatikore pëkatëse në kohën e tashme të mënyrës dëftore. Këtu mund të përmendim disa folje të cilat mbarojnë me: as (qeras, pikas, qas), -is (braktis, habit/habis, rradhit/rradhis), -os (vendos, tymos, palos), -us (kërrus, këpus, zbus), -ys (ngrys).

Foljet e klasës së dytë të zgjedhimit të parë (që përbëjnë pjesën më të madhe të foljeve në gjuhën shqipe), në vetën e dytë njëjës të kohë së tashme të mënyrës urdhërore në pjesën më të madhe dalin me temë në zanore, d.m.th. nuk marrin ndonjë mbaresë vetore dhe as nuk e ruajnë bashkëtingëlloren hundore –n, që kanë në vetën e dytë njëjës të kohës së tashme në mënyrën dëftore.

Shembuj: Ti punon→Puno!; Ti shkon →Mos shko!

Po kështu, me mbaresë zero, dalin në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore edhe foljet e tipit ha, pi, rri, etj.

Shembuj: Ti ha→Ha!; Ti rri→Rri!

Foljet e tipit mbaj, ndaj, thaj, laj, etj, d.m.th. foljet me temë në –a-j, në vetën e dytë njëjës të kohës së tashme të mënyrës urdhërore marrin mbaresën –j. P.sh.: Mos e ndaj!

Përsa i takon vetës së dytë shumës të kohës së tashme të mënyrës urdhërore, në përgjithësi foljet e zgjedhimit të parë si dhe foljet me temë në zanore, foljet e klasës së dytë të zgjedhimit të dytë dhe foljet e klasës së dytë të zgjedhimit të tretë, dalin me të njejtën formë gramatikore si në vetën e dytë shumës të kohës së tashme të mënyrës dëftore. P.sh. Ju shkoni→Shkoni!; Ju hani→Mos hani!; Ju zini→Mos e zini!

Foljet e klasës së parë të zgjedhimit të dytë e të tretë në vetën e dytë njëjës të kohës së tashme të mënyrës urdhërore dalin me të njejtën formë gramatikore si në vetën e dytë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore.

P.sh. Ti hap→Hap!; Ti qep→ Qep! Ju matni→Matni! Ju goditni→Goditni!

Por foljet e klasës së dytë të zgjedhimit të dytë në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore e ndryshojnë zanoren -e ose togun e zanoreve -ie të temës në -i.

Shembuj: Ti heq→Hiq! Ti mbledh→Mblidh!

kurse foljet pjek, djeg bëjnë piq, digj, edhe foljet marr, dal, bëjnë merr, dil.

Përsa u takon foljeve të klasës së dytë të zgjedhimit të tretë në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore ato dalin me forma gramatikore të ndryshme nga ato të vetës së dytë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore. P.sh. të krahasohen: ti nget - mos e nga; ti flet - mos fol etj.

Tek foljet e zgjedhimit të katërt të tipit: eci, iki, hipi rrënja e foljes të vetës së dytë, koha e tashme e mënyrës dëftore vlen si fomë e mënyrës urdhërore.

Shembuj:

Ti ecën→Ec!; Ti ikën→Ik!

Folja supletive “vij” në vetën e dytë njëjës dhe shumës të kohës së tashme të mënyrës urdhërore bën: Eja! Ejani! Në gjermanisht këtë fenomen e gjejmë në një formë të ngjashme me foljen ndihmëse “sein” (shqip: jam). Duke qenë se baza për formimin e mënyrës urdhërore është koha e tashme e mënyrës urdhërore, atëherë kemi: Du bist (shqip – Ti je.) Urdhërore: Sei vernünftig! (shqip: Ji i arsyetueshëm!).

Format e diatezave pësore e vetvetore

Në gjermanisht mënyra urdhërore shprehet vetëm në diatezën veprore, në kohën e tashme, kuptimi i së cilës në përgjithësi shtrihet drejt së ardhmes. Urdhërorja nuk ka forma të diatezës pësore. Përjashtim kemi vetëm në shembullin në diatezën pësore: “Sei gegrüßt!” (shqip: “Ji i përshëndetur!”)

Në shqip, mënyra urdhërore ndryshe nga në gjermanisht shprehet edhe në diatezën pësore, përveç asaj veprore.

Shembuj: Mësohu! (veta II njëjës); Mësohuni! (veta II shumës)

Format e diatezave pësore e vetvetore të kësaj mënyre në shqip formohen me pjesëzën –u, në vetën e dytë shumës vendoset midis rrënjës dhe mbaresës vetore –ni, e cila vihet zakonisht pas foljes.

Shembuj:
Vish-u! Vish-uni! Zbath-u! Zbath-uni! Mendoh-u! Mendoh-uni!
Përgjigj-u! Përgjigj-uni!

Shiko shembullin:
Lëreni dritën ndezur, - briti gruaja përnjëherësh e me rrëmbim.

Por në rast se folja është e shoqëruar me pjesëzën e mohimit ‘mos’, atëherë pjesëza ‘u’ vihet para foljes.

Shembuj:
Mos u bëj nazelie! Mos u bëni indiferentë ndaj varfërisë!

Përfundime
Në shqip dhe në gjermanisht me anë të mënyrës urdhërore shprehim një urdhër apo kërkesë.
Në të dyja gjuhët mënyra urdhërore shprehet në vetën e dytë njëjës dhe shumës.
Forma e politesës ka kuptim dhe përdorim të njëjtë në të dyja gjuhët, por gramatikisht shprehet ndryshe.

Zini vend, ju lutem!

Gjermanisht:
Nehmen Sie bitte Platz!

Kuptimi kohor është i njëjtë në të dyja gjuhët: i tanishëm dhe i ardhshëm. Në të dyja gjuhët, mënyra urdhërore ka vetëm kohën e tashme.

Në të dyja gjuhët përdoret koha e ardhme e mënyrës dëftore për të shprehur modalitetin e urdhërit.

Në gjermanisht, forma urdhërore njeh edhe vetën e parë shumës, formë identike me atë të kohës së tashme, mënyra lidhore. Në shqip, kjo njihet si përdorimi i vetës së parë të kohës së tashme të mënyrës dëftore në fjali që shprehin një nxitje, grishje. Në gjermanisht, një përdorim i tillë bazohet në ndryshimin e rendit të fjalëve (kryefjalë-kallëzues: kallëzues-kryefjalë) dhe në intonacionin përkatës. Në shqip treguesi i jashtëm për realizimin e një vlere të tillë është intonacioni, i cili ka të bëjë me ligjërimin e folur. Në ligjërimin e shkruar kjo vlerë, në shqip, përcaktohet nga konteksti.

Gehen wir! ( shqip: Shkojmë!)
Kalojmë nga shtegu – tha Agimi.

Në shqip, mënyra lidhore përdoret me vlerën e mënyrës urdhërore në vetën e parë shumës dhe në vetën e tretë njëjës a shumës, por edhe në vetën e dytë njëjës dhe shumës.

Të ulemi e të bisedojmë kokë më kokë.
Le të rrijë, po të dojë! Le të rrinë, po të duan!
Të kërkosh e t’i gjesh! Të kërkoni e t’i gjeni!

Për të shprehur një urdhër apo kërkesë në gjermanisht përdoren edhe forma konkurruese të urdhërores, të cilat realizohen me foljet modale sollen (shqip: duhet), wollen – (shqip: dua) (veta e I-rë) dhe lassen (shqip: lë) (veta e I-rë). Dy shembujt e parë kanë përgjegjëse edhe në shqip, ndërsa përsa i përket shembullit të tretë, mënyra lidhore në shqip përdoret ndryshe nga gjermanishtja.

Ihr sollt aufstehen. (shqip: Ju duhet të ngriheni!)
Wir wollen gehen. (shqip: Ne duam të shkojmë.)
Lasst uns keine vorschnellen Entschlüsse fassen! (shqip: Të mos dalim në konkluzione të nxituara!)

Komunikimi kushtëzon kufizimin e përdorimit të mënyrës urdhërore të një numri të konsiderueshëm foljesh në të dyja gjuhët (folja: vlen (gjermanisht: gelten); foljet pavetore: bie shi, bie borë etj.; foljet modale: mund, duhet etj., si dhe disa folje si: më mungon, humb (vetëm në fjali mohore ka përdorim urdhëror: Mos e humb lojën, mësimin!); një sërë foljesh, përdorimin e tyre normal në urdhërore e kanë në formën mohore, por nuk përjashtohen edhe rastet kur dalin format pohore me kuptim urdhëror: Lüge nicht! Mos gënje!)

Në të dyja gjuhët foljet në urdhërore shpesh shoqërohen edhe me pjesëza:

Komm mal! Shqip: Pa hajde!
Komm doch! Shqip: Hajde de!

Në shqip, mënyra urdhërore shprehet edhe në diatezën pësore. Në gjermanisht mënyra urdhërore shprehet vetëm në diatezën veprore.
Në të dyja gjuhët kemi përputhje formale, modale dhe funksionale, por kemi ndryshime në formimin morfologjik.

Bibliografia
Shaban Demiraj – Morfologji e gjuhës së sotme shqipe, II, Tiranë, 1970
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë – Gramatika e gjuhës shqipe, Tiranë, 2002
Fatmir Agalliu - Çështje të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1988
Oda Buchholz & Wilfried Fiedler – Albanische Grammatik, Verlag Enzyklopädie Leipzig, 1987
Ulrich Engel – Deutsche Grammatik, f. 215, IUDICIUM Verlag GmbH München, 2004
Gerhardt Helbig – Joachim Buscha: Deutsche Grammatik, ein Handbuch für Ausländerunterricht, Langescheidt, Berlin und München, 2005
DUDEN – Der Imperativ, Mannheim, 2001
Vjosa Morina – Doktorarbeit “Modus und Tempus im Deutschen und Albanischen”, Wien, 2009
Eva Klimova - “L’imperativo italiano tra morfologia e pragmatica”, Sbornik Praci Filozoficke Fakulty Brinske Univerzity Studia Minora Facultatis Philosophicae Universitatis Brunensis L 25, 2004
 
Sipër