Nis shitja e Albpetrol, amerikanët japin ofertën më të lartë, 850 mln euro

A

Antoni

Vizitor
Nis shitja e Albpetrol, amerikanët japin ofertën më të lartë, 850 mln euro


TIRANE - Në tenderin ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë publike të naftës, "Albpetrol" që u zhvillua sot në ministrinë e Ekonomisë, u paraqitën 6 kompani, ku pas hapjes, ofertat e tyre financiare variuan nga 52 milionë usd, në 850 milionë euro.

Nga 19 kompani që kanë tërhequr dokumentacionin për privatizimin e kompanisë së naftës "Albpetrol", vetëm 6 kompani kanë paraqitur ofertë.

Pas hapjes së zarfave rezultoi se cmimin më të lartë e ofroi kompania amerikane Voltro Silk Road Equity Ltd, me 850 milionë euro. Surprizë ishte edhe çmimi mjaft i ulët prej 52 milionë dollarë ofruar nga kompania ruse Gazprom, e cila nuk paraqiti as garancinë e ofertës. Ndërkohë që kanadezët e Bankers Petrolium ofruan 303. 8 milionë euro. Kompania "Amber Shine" INC dha ofertën 790 milionë euro, por nuk kishte paraqitur formularin e sigurisë së saj. Konsorciumi "WIN Bussines" dha ofertën 297,6 milionë Euro dhe sigurinë e garancisë. Kompania "JSC Gasprom" dha ofertën financiare më të ulët, 52 milionë usd dhe nuk kishte paraqitur sigurimin e garancisë. Ndërsa kompania "Ecolog International" nga Dubai nuk kishte paraqitur ofertë dhe garancinë e saj.

Komisioni i vlerësimit të ofertave u tërhoq për shqyrtimin e dokumentacionit, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar data e shpalljes së fituesit.

1-Ecolog International -pa garanci oferte, dhe as cmim
2-Gazprom- 52 milione dollare
3-Silk Vetro Road Equity Ltd-850 mln euro
4-Bankers Petrolium -çmimi 303.8 milionë euro
5-Consorcium Win Bussines-ofron 297 milionë e 600 mijë euro
6-Amber Shine INC -pa garanci oferte, cmimi 790 mln euro

Komisioni i drejtuar nga Zv.ministri i ekonomisë Sokol Dervishaj përbëhej nga speacialistë të ministrisë së ekonomisë, financave, dhe asaj të drejtësisë. Sipas kreut të komisionit Dervishaj të gjithë anëtarët e komisionit kanë firmosur një deklaratë që nuk kanë konflikt interesi. Gjithashtu Dervishi theksoi se në fazën e parë do të bëhet shqyrtimi i gjithë dokumentacionit.

Gara për blerjen e kompanisë shtetërore "Albpetrol" është ashpërsuar me shtimin e kompanive të interesuara. Ligji për privatizimin e "Albpetrol"-it u miratua në Kuvend më 15 dhjetor 2011, i bazuar në ligjin "Për privatizimin e sektorëve strategjikë" të 1998-ës. Sipas studimeve gjeologjike, Shqipëria ka rezerva mbajtëse të naftës në nëntokë në 480 milionë tonë që kërkojnë investime për t'u bërë të shfrytëzueshme. Deri sot, vendi ka 30 milionë ton rezerva të nxjerrshme nafte.

Sipas Reuters
Sipas "Reuters", dy licencat me kohëzgjatje 30-vjeçare ju dhanë me qëllim rritjen e vlerës së kompanisë "teksa qeveria përgatitet të shesë 100 % të aksioneve tek një investitor strategjik i naftës e gazit". "Reuters" shton më tej se Shqipëria nuk zotëron një rrjet për shpërndarjen e gazit, por së fundmi po përpiqet të lidhet me projektet e gazsjellësve me qëllim diversifikimit e burimeve të energjisë si dhe lehtësimin e presionit ndaj sistemit të vet hidroenergjetik. Paketa e aksioneve të "Albpetrolit" përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25-vjeçare, ku përfshihet edhe ajo për transmetimin e gazit dhe shpërndarjes së tij që do të mundësohet nga ndërtimi i gazsjellësit TAP, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg. Burime brenda Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kanë sqaruar se, interesi në rritje nga kompanitë vjen për shkak se, pjesë e paketës është bërë edhe një licencë prodhimi energjie që do të mundësojë shfrytëzimin e gazit natyror dhe nënprodukteve të tjera të naftës për prodhimin e saj.

(d.b/er.nu/m.a/BalkanWeb)
 
Sipër