Nikos Nioplas: E njoh Shqipërinë, nuk me tremb

V

Veptima

Vizitor
Nikos Nioplas: E njoh Shqipërinë, nuk me tremb

Dash FRASHERI - Trajneri i Kombëtares së Qipros, greku Nikos Nioplas, tha për gazetën “Telegraf” se, e njeh mjaftueshëm Shqipërinë, dhe se, humbja 6-1 në miqësoren e gushtit të vitit 2009, është një histori e mbyllur.
“Kemi ardhur në Tiranë, për të marrë një rezultat pozitiv, çka do të na e ngrinte shumë moralin përpara ndeshjes me Islandën”. Nioplas vlerëson Zvicrën, si skuadrën më të mirë të grupit tonë, ku bëjnë pjesë dhe Norvegjia, Islanda dhe Sllovenia.
Zoti Nioplas, Qipro i nis eliminatoret e Botërorit me një ndeshje kundër Shqipërisë, në Tiranë. Si e pret ndeshjen?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe nuk ka shumë nevojë për komente. Nisja e mirë për të dy ekipet do të thotë një fillim i mbarë. Ne dëshirojmë të marrim një rezultat pozitiv në Tiranë, çka do të na ngrejë shumë nga ana psikologjike për ndeshjen me Islandën në Qipro.
Qipro nuk ka kujtime të mira nga vizita e fundit e saj në Shqipëri. Pavarësisht se flitet për një ndeshje miqësore, Shqipëria fitoi thellë 6-1. A e kujtoni shpesh?
Ajo ishte një ndeshje dhe një histori tjetër, për më tepër që nuk ta bëjë me mua personalisht. Nuk kam qenë unë trajner. Të paktën, nga ajo që di, Qipro ka një bilanc pozitiv me Shqipërinë. Gjithsesi, ajo që është kryesore, ka të bëjë me ndeshjen që do të luhet nesër (sot).

Sa e njihni Shqipërinë?
E njoh mjaftueshëm, ashtu siç besoj se ajo na njeh ne. Nuk ka më fshehtësi tani. I njoh disa nga lojtarët e Shqipërisë, dhe besoj se dhe ata na kanë parë ne. Por, ndryshe të shohësh ndeshjet në televizion, apo në video, dhe ndryshe në fushë.
Kapiteni i Qipros, Konstandinos, ka luajtur në të gjitha ndeshjet kundër Shqipërisë. A jeni konsultuar me të për të ndërtuar strategjinë e tuaj?
Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Është kapiteni ynë. Pres shumë nga ai, por dhe nga e gjithë skuadra.
Zoti Nioplas, si e vlerësoni grupin, duke qenë se të gjashtë skuadrat janë në një nivel të përafërt?
Është një grup i hapur. Mendoj se, skuadra më e mirë për momentin është Zvicra. E ka treguar gjatë viteve të fundit, dhe fitorja e tyre e fundit në Kroaci (4-1) e dëshmon këtë. Të gjitha skuadrat e grupit tonë do të përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre.
Në Kombëtaren e Qipros janë tre lojtarë të huaj:, një malazez, një francez dhe një portugez. Sa të integruar janë me futbollistë qipriotë?
Ata janë lojtarë shumë të mirë. Unë dhe ekipi presim shumë prej tyre, prandaj edhe janë pjesë e skuadrës.
Ka një kontrast midis ekipit Kombëtar qipriot dhe ekipeve, këto të fundit kanë arritur edhe në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Përse ndodh kjo?
Edhe unë jam i vetëdijshëm për këtë situatë. Dua të them se, diferencën e bëjnë lojtarët e huaj që kanë lojtarët qipriotë. Gjithsesi, mua më intereson ekipi Kombëtar. Shumë njerëz ma bëjnë këtë pyetje, por pasqyra e futbollit të një vendi është skuadra përfaqësuese.
 
Sipër