Nga diskutimi në kongresin e drejtshkrimit

A

Antoni

Vizitor
Nga diskutimi në kongresin e drejtshkrimit

Ka qenë dikur zakon për kristjanët që, kur vdiste një njeri, i binin kumbonares në njërën anë. Atëherë të gjithë e merrnin vesh se dikush kishte vdekur dhe po varrosej. Por, pasi ne jemi mbledhur në këtë kuvend të madh për të vënë në djep një krijesë të re, që do të rrojë në brezat e ardhshëm, më duket se nuk duhet t'i biem kumbonares vetëm në një anë, por në të gjitha anët, si në ditë feste. Kështu në këtë kuvend pune nuk do të na mërzisë muzika monotone e fjalimeve uniforme, siç ndodh ndonjëherë…

………………………………………………………………………………
Parimet e përgjithshme të normave të drejtshkrimit të shqipes, të vendosura nga komisioni përkatës, janë të palëkundshme: Parimi fonetik-fjalët shkruhen ashtu si shqiptohen, parimi morfologjik-të ruhet në shkrim struktura dhe njësia e trajtave, njesimi i normës kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta. Por sa u është përmbajtur komisioni këtyre parimeve, kjo është një çështje tjetër. Por krahas vlerave të padiskutueshme që ka projekti,… aty-këtu duket më fort gjykimi subjektiv, se sa mendimi shkencor i argumentuar dhe i palëkundshëm. Pesha e pasaktësive rritet kur autorët … harrojnë gjykimin e tyre, sipas të cilit “Mbështetja themelore për zgjidhjet që jepen është shqiptimi më i përgjithshëm”.
………………………………………………………………………………
Ka ndonjë gjuhtar dhe ndonjë diletant në fushën e studimeve gjuhësore që, me një mendjelehtësi të çuditshme, përpiqet që shqiptim të përgjithshëm të quaj shqiptimin e një grupi shqipfolsish të zgjedhur, të arsimuar e të kulturuar. Por ky nuk është objektivitet shkencor. Shkalla e këtij objektiviteti varet nga ajo se në ç'masë e pasqyron realitetin gjuhësor në një fazë të caktuar të zhvillimit të asaj gjuhe, në se e pasqyron drejt sistemin e gjuhës letrare dhe raportin e saj me dialektet me të cilat funksionon së bashku.

Po le të pyesim…: A i përgjigjet pohimi i autorëve për- ë -në e theksuar parimit morfologjik, sipas të cilit duhet të ruhet struktura e formimit të fjalëve? Dhe këtu parimi nuk gjen zbatim, sepse struktura kërkon – kangë, nga një kantus e latinishtes e jo –këngë , që është shfaqur më vonë tek një grup i vogël shqipfolsish…. Kështu ndodh edhe me –e ëma , e cila rrjedh nga një - mama , që haset në italisht, frëngjisht, rusisht e tjerë… Rezulton se sipas të gjitha parimeve të normave të drejtshkrimit fiton trajta – e ama dhe jo – e ëma , kur themi – amtar,kur edhe një nënë gjirokastrite nuk thërret – mëmi , por – mami.

Këto mund të thuhen edhe për trajtat: lamë, dhandërr, hanë, ranë, za-zani e të tjerë. Është inkonseguencë e çuditshme dhe një trajtim jo shkencor i materialit gjuhësor, kur në njërën anë thua – ranor, ranishte e në anën tjetër – rërë , siç është e çuditshme që nga një anë thua – zanore, bashkëzanim , që kanë në themel, siç dihet, një – zven nga një zvon dhe nga ana tjetër të thuash – zë, zëri . Një shkencë gjuhësore, që mbështetet në dialektikën materialiste, nuk i lejohen pasaktësi të tilla dhe gjykime të tilla krejt subjektive…
…………………………………………………………………………
Me të drejtë nga gjuhtarët tanë është theksuar se, në përgjithësi, sistemi fonetik i shqipes së sotme letrare, në ndërtimin dhe kristalizimin përundimtar të tij, udhëhiqet nga parimi themelor që struktura fonetike të mos e errësojë, por të ndihmojë për të ruajtur sa më të qartë strukturën morfologjike, fjalëformuese e semantike të fjalës. Por të vjen keq që kolektivi i autorëve të normave të drejtshkrimit shpesh e ka harruar këtë tezë, duke rënë në gjykime të pabazuara dhe duke rekomanduar si normë të përgjithshme forma fjalësh krejtësisht dialektore, në të cilat nuk ruhet struktura morfologjike e fjalëformuese.

Kështu fjalët: venë, gjarpën, lakën, arbën, anmik, fre, femën, mokën, emën,të cilat, respektivisht, vijnë nga një –vin, -serpens, -lakhanon, -albanon, - inimikus, -fren, -femina, -nomën, rekomandohen të shkruhen në format: verë, duke ngatërruar venën si pije me verën si stinë, gjarpër, lakër, arbër, armik, frëri, femër , që siç dihet, janë krijime të mëvonshme të një grupi shqipfolsish, që nuk ruajnë strukturën fjalformuese dhe, për pasojë, nuk mund të jenë normë drejtshkrimi e detyruar. Është një inkonseguencë e papranueshme dhe një trajtim jo dialektik i materialit gjuhësor, kur në njërën anë, thua – frenues, frenim, frenojdhe nga ana tjetër, - frëri dhe jo freni, siç është shmangie e pashpjegueshme nga ligjishmëria e të folurit shqip, formimi i shumësit të emrave si: - prindërit , në vend të – prindët , - kohërat , në vend të – kohët , luftrat , në vend të – luftat,gjellërat, në vend të – gjellët , - luftëtar , në vend të – luftar etj.

Edhe kur trajtohet – ë -ja pastheksore jofundore, duken pasaktësi të tjera në projektin e normave të drejtshkrimit. Kështu autorët ngatërrojnë, ndoshta pa dashje, mbiemrat me –t e –të , të cilët përbëjnë grupin më të vjetër të mbiemrave të gjuhës shqipe, me mbiemrat me- ër , që kanë një përhapje të kufizuar. Më shumë dëshira, se sa gjykimi shkencor, ka bërë që mbiemra të tillë si: i verbët, i çilët, i shtrembët, i shurdhët , të grupohen apriori nga autorët, me mbiemrat me –ër dhe të rekomandohen si normë: -i verbër, i çiltër, i shtrembër, i shurdhër, të cilët… nuk i përkasin këtij grupi dhe në format që na paraqiten janë trajta dialektore të toskërishtes, të krijuara, për analogji, nga veprimi i rotacizmit. Për pasojë do të ishte qëndrim konservator mbrojtja e këtyre trajtave të gabuara.

Qëndrime konservatore bien në sy edhe kur trajtohen format gramatikore të foljeve të gjuhës shqipe. Kështu, sipas autorëve, në shqipen e sotme letrare pjesoret dalin me prapashtesat –rë, -r, - ur , -ë dhe –në . Këtu shtrohen pjesore të tilla si:tharë, shkruar , djegur, dalë, dhënë, nxënë, kryer, dëgjuar, gabuar, thyere të tjerë, të cilat, duke u paranyjëzuar, kthehen në mbiemra. Por këtu lindin një sërë pyetjesh: Ky- , apo –r, mos vallë është rezultat i rotacizmit, apo thjeshtë një dukuri dialektore e toskërishtes? Kjo – ur , që i përgjigjet prapashtesës – un, të gegërishtes, a është tendencë e përgjithshme e gjuhës së sotme shqipe, apo një dukuri e vjetër që po shuhet?
…………………………………………………………………………
Për pasojë nuk duhet thënë: ka tharë, ka shkruar, ka fshirë, ka mbyllur, ka pritur, ka larë, ka gostitur, ka vjelur, e kështu pa fund, por: ka tha, ka shkrue, siç themi – shkrues, ka fshi, ka mbyllë, ka pritë, ka la, ka gostitë, ka vjelë, siç themi: ka përcjellë, ka marrë e kështu pa fund, pa atë –r , dhe atë – ur, sepse e para nuk ka një përhapje të gjërë dhe nuk përligjet në trupin e foljes, kurse e dyta është bërë anakronike ashtu si në dialektin verior dhe ruajtja e saj i shërben jo njësimit të mëtejshëm të normës kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta, por thellimit të ndryshimeve ndërdialektore.

Vetë formimi i së tashmes dhe i të pakryerës në mënyrën habitore, që është i njejtë në të dy dialektet, zbulon qartë pjesoren e mirëfilltë shqipes, që i korrespondon formës së shkurtër të pjesores pësore të rusishtes. Kështu ndërtime të tilla të së tashmes habitore si: pikam, lyekam, kapkam, ditkam, qepkam, ngakam, shkakam, prekam, vrakam, zbulojnë lakuriq se pjesoret e këtyre foljeve janë: pie jo – pirë , lye e jo – lyer , kapë e jo – kapur , ditë e jo – ditur , qepë e jo –qepur , nga e jo – ngarë , shka e jo – shkarë , pre e jo – prerë , vra e jo –vrarë, sepse ndryshe e tashmja habitore do të dilte mbi bazën e pjesoreve që pranojnë autorët e projektit të normave të drejtshkrimit, pra në format e papranueshme për shqipfolësit: pirë- kam, lyer-kam, kapur- kam, ditur-kam, qepur-kam, ngarë-kam, prerë-kam e të tjerë.

Por më lakuriq del pjesorja e mirëfilltë e disa foljeve të gjuhës shqipe tek fjalët e prejardhura të tipit : mësues, thyes, ardhës, kapës, gjurmues, plaçkitës, luejtës, akaparues, djegës, gatues, ngjitës, pjesëmarrës, diskutues e të tjerë pa fund që, siç e dinë të gjithë pjesëmarrësit e këtij kuvendi, vijnë nga pjesoret e mirëfillta të shqipes, plus prapashtesën –s dhe janë të mbarë shqipes. Atëherë kur pranojmë se këto emra veprues vijnë nga pjesoret: mësue, thye, ardhë, kapë, gjurmue, plaçkitë, luejtë, akaparue, djegë, gatue, ngjitë, diskutue e të tjerë, përse nxjerrim forma të tjera pjesoresh, të cilat nuk miratohen në fushën aktive të fjalëformimit dhe të thellojmë ndryshimet midis dialekteve? Në qoftë se gabojmë, eklektizmin tonë do ta kuptojnë brezat e ardhshëm.

Lidhur me pjesoren e mirëfilltë të shqipes, një problem të veçantë përbën pjesorja me tipare mbiemrore. Këtu diçka thelbësore duhet mbajtur mend e rikujtuar nga pjesëmarrësit e këtij kuvendi: Ashtu si në latinisht, rusisht, gjermanisht e në gjuhë të tjera, edhe në shqip ka ndryshime midis formave gramatikore të pjesores dhe formave gramatikore të mbiemrave prejpjesorë. Kështu nuk duhet thënë; Kontribut i çmuar, degë e thyer, letër e shkruar, përrallë e rrëfyer, zemër e vrarë, oborr i fshirë, sepse këto mbiemra prejpjesorë kanë kaluar plotësisht në klasën e mbiemrave. Këta vetëm nga prejardhja lidhen me foljen, sepse tregojnë më shumë një cilësi që i bën sendet të dallohen nga njëri-tjetri, se sa një veprim a gjendje, që është karakteristikë për foljet.

Atëherë përse të ngulim këmbë për një formë fjale me vlerë të dyfishtë: edhe si pjesë përbërëse e kallxuesit foljor, edhe mbiemër, kur shqipja ashtu si shumë gjuhë të tjera, ka forma të veçantë për to? Prandaj më duket se e kërkon natyra e gjuhës sonë, ligjet e saj të zhvillimit, të themi e të shkruajmë: Kontribut i çmuem, degë e thyeme, letër e shkrueme, përrallë e rrëfyeme, zemër e vrame, oborr i fshimë . Edhe kur themi “kohë e ardhme”, ku cilësori përcaktor, siç e kërkon natyra e shqipes, ndërtohet mbi bazën e pjesores plus prapashtesën – me, duhet të themi, njëkohësisht, “ kohë e kryeme”, “kohë e shkueme” e të tjerë. Duhet rikujtuar se populli nuk ka krijuar kot në rrjedhën e historisë fjalë të ndryshme për sende e fenomene të ndryshme të botës që e rrethon, që t'i nxjerrim nga gjuha e gjallë me dekrete.
…………………………………………………………………………
Rekomandohet në projekt që foljet: ngrë, flë, lë, nxë e të tjerë, në vetën e tretë njëjës të mënyrës lidhore të dalin në format: të ngrërë, të flerë, të verë, të zërë, të lerë, të nxerë e të tjerë. Por këtu lind një pyetje e zakonshme: Nga kanë dalë këto –rë ? Dhe jo vetëm gjuhëtari, por edhe shqipfolësi i thjeshtë e kupton se format që rekomandohen si normë në projekt, janë një dukuri krejtësisht dialektore, që nuk i përgjigjen shqiptimit më të përgjithshëm. Shqipfolësit më të shumtë dhe ligjshmëria e zgjedhimit të foljeve në mënyrën lidhore, dëshmojnë se duhet thënë e duhet shkruar: Të ngrejë e jo – të ngrerë , të flejë e jo – të flerë , të vejë e jo – të verë , të lejë e jo – të lerë e të tjerë, siç themi: Të punojë e jo – të punorë , të pijë e jo – të pirë , të hajë e jo – të harë , të shkrijë e jo – të shkrirë, të lejë e jo – të lerë e tjerë.
I kësaj natyre është edhe rekomandimi që disa folje të zgjedhimit të parë, në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore, ta zgjerojnë temën me një –r dhe të themi : vër, përzer edhe pse këto forma janë bërë arkaike për të dyja dialektet. Pra duhet thënë, siç thonë shpesh edhe në Jug: Vë, zë, përzë ; edhe kur pas tyre vjen një kundrinë e drejtë: vejë e jo- verë , zejë e jo- zerë, përzejë e jo- përzerë, si themi; Punoje e jo- punore , ktheje e jo –ktherë , haje e jo -hare , vraje e jo–vrare e të tjera. Këto shmangie nga ligjshmëria e zgjedhimit të foljeve të gjuhës sonë e trondisin fort themelin e projektit të normave të drejtshkrimit.
Projekti i normave të drejtshkrimit vuan ndonjëherë edhe nga varfëria e materialit lëçitës. Se të bën përshtypje, përshembull, që në gjithë këtë tekst voluminoz nuk zë vend fare ndërtimi me paskajoren në gjuhën shqipe, veçanarisht me paskajoren e mirëfilltë të tipit “me punue”. Duket se në këtë çështje autorët kanë qenë nën ndikimin e një opinioni të pabazuar, sipas të cilit forma e pashtjelluar paskajore paraqitet herë si formë e vjetëruar, herë si një formë pa jetë në gjuhën shqipe, kur dihet se në gjuhë të tilla si rusisht, anglisht, gjermanisht etj. forma paskajore e foljeve përbën bazën e sistemit foljor, kur kjo formë është prezente në vepra të tilla madhore, siç janë “Iliada” e “Odiseu”, “Komedija Hyjnore”, tek shumë rilindas të mëdhenj, për të ardhur deri tek Migjeni e personalitete të tjera të kulturës shqiptare.
…………………………………………………………………………
Duke përfunduar me disa vërejtje të përgjithëshme për projektin e normave të drejtshkrimit të shqipes, dua të theksoj se përpunimi i gjuhës letrare shqipe mund të jetë solid e jetëgjatë vetëm kur parimet e përgjithëshme të këtij projekti të zbatohen me rreptësi dhe pa lëkundje. Parimi fonetik, shënimi i faqe tre, sipas të cilit “Mbështetja themelore për zgjidhjet që jepen është shqiptimi më përgjithëshëm”, si edhe pohimi se “Drejtshkrimi i shqipes, në pajtim me prirjen e përgjithëshme të zhvillimit të gjuhës letrare, synon në njësimin e mëtejshëm të normës kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta”, kërkojnë medeomos, që zgjidhjet e pranuara të kenë një shtrirje të gjatë në kohë dhe në hapësirë.
…………………………………………………………………………
Këto ishin disa mendime, paksa të shkapërderdhura, që desha t'i shfaq në këtë kongres të normave të drejtshkrimit. Pasi po e shoh se mendimet e mija po shkaktojnë pëshpëritje në sallë, po e mbyll diskutimin me një devizë të popujve të Lindjes: “Tue rrudhë vetullat, unë vështroj me një përbuzje të akullt gishtin e dinjitarit që më dënon. Por, tue ulë kokën, unë jam gati, si buelli, me i shërbye foshnjës”.

21 nëntor 1972 Preng Cub Lleshi
 

Munella

Anetar Fillestar
Anton, m'ke lanë pa tekst. Shumë t'falemnderit se na e solle kët materjal me vleftë të madhe për gjuhën. Ka shumë e shumë kohë që s'kam lexue artikull ma t'mirë. Sa bukur ua ka spjegue Prenga batakqijve, shkatrruesve të gjuhes letrare. Gjuhës letrare që e kishte vendosë KOMISIA LETRARE që n'vitin 1918, pra para plot 54 viteve. Dhe ajo gjuhë e kishte nxjerrë PATER GJERGJ FISHTËN. Homerin e shqiptarëve. Shkrimtarin e parë n'historin e shqiptarëve të nominuem për çmimin Nobël.
Mirë u ka thanë Prenga:
Kumbona bjen në njanën anë kur lajmron për ndonji t'dekun. Po po, edhe sot e asaj dite kumbona vazhdon me ra vetëm në njanën anë bile bile, sot edhe me za ma t'dhimshëm se përpara.
N'krejt botën e civilizueme rrotacizmi msohet si e metë e gjuhës kurse vetëm tek ne, rrotacizmi asht ligj i gjuhës.
 
A

Antoni

Vizitor
Është një shkrim që e kam gjetur nëpër arkivat e ndryshëm. Prandaj e kam ripublikuar në mirdita.com vetëm që të mos kalojë në harresë.
 
Sipër