Mirdita në vitet e Lidhjes së Prizrenit

A

Antoni

Vizitor
Mirdita në vitet e Lidhjes së Prizrenit
A. Mirdita në formimin e Lidhjes së PrizrenitLidhja e Prizrenit u formua pak dita pasi turqit shtypën me zjarr e hekur Lëvizjen e Mirditës. Banorët e kësaj krahine megjithëse të djegur e të sakatuar nga operacioni ndëshkimor i ushtrive turke, ndoqën me shqetësim lajmin e parhapur në rrethet patriotike, për vendimin e Shën Stefanit, të cilat cënonin rëndë integritetin territorial të vendit. Përfaqsuesit e Mirditës vrapuan për në Shkodër për t’u marrë vesh merrethet patriotike të atij qyteti, se ç’duhej të bënin.


Llesh Nikoll Përmargjeta i Spaçit, Ndue Mark Prendi i Kthellës, Preng Llesh Biba i Oroshit dhe Dedë Kola i Kashnjetit bashkë me krerët e Malësisë së Shkodrës nënshkruan protestën që, rrethet patriotike të Shkodrës i dërguan Vezirit të Madh në Stamboll më 12 qershor 1878, me të cilën e lajmëronin se nuk pranonin lëshimin e asnjë pëllëmbë toke nga trojet e tyre. Po atë ditë ata firmosën kërkesën drejtuar Kryeministrit anglez, Kontit Bikosfild në Kongresin e Berlinit, në të cilin thuhej që: “Shqipëria nuk mund të përfaqësohej në atë Kongres nga qeveria turke, shqiptarët qofshin katolikë,ortodoksë a muslimanë e urrejnë pushtuesin osman, po aq sa urrejnë çdo pushtues tjetër të huaj… Ashtu sikur nuk jemi e nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që kërkon të na bëjë sllav, austriak apo grek. Ne s’duam të jemi tjetër veçse shqiptarë…”.


Në këtë kohë disas krerë të Mirditës dhe të krahinave fqinje të saj, i dërguan Kongresit të Berlinit të 18 qershorit të 1878 kërkesën për njohjen e principatës autonome të Mirditës nën drejtimin e Preng Bibë Dodës. Ato ditë kur politika austriake e franceze nxitën hartimin e kërkesës për krijimin e “shtetit-principatë” të Preng Bib Dodës, më 24 qershor 1878, Komiteti i Shkodrës nisi për në Prizren delegatët e vet për të marrë pjesë në mbledhjen e komitetit kombëtar të Prizrenit. Bashkë me delegatët e Shkodrës dhe të krahinave të tjera në Prizren shkuan edhe përfaqsuesit e Mirditës, Llesh N. Përmargjeta, Prengë Ll. Biba e Ndue M. Prendi, e ndërsa në Prizren përfaqsuesit e popullit Shqiptar betoheshin për të mos lëshuar trojet e të parëve, në Berlin Fuqitë e Mëdha morën nëpër këmbë interesat kombëtare shqiptare, duke i copëtuar tokat e saj midis shteteve ballkanike.


Ai forum ndërkombëtar me nenin 113 të protokollit 13 datë 5.07.1878 njohu “autonominë e Mirditës”. Miratimi i “Autonomisë së Mirditës” nga Kongresi i Berlinit sipas kërkesës së Kontit Francez Saint-Vallier, shkriu në një premtimet e Napoleonit III-të me dëshirat e Preng Bib Dodës për krijimin e Principatës së zgjeruar të tij në Shqipërinë Veriore, por mori nëpërkëmbë autonominë e Shqipërisë dhe vetë egzistencën e saj. Ato ishin për shkatërrimin e Lidhjes së Prizrenit. Por nga ana tjetër ky akt flet më së miri për njohjen që Mirdita kishte siguruar në arenën ndërkombëtare, pozicionin e saj tepër të rëndësishëm, njohje kjo e merituar dhe e paguar me gjak në shekuj të tërë mosnënshtrimi dhe luftrash të pandërprera për shporrjen e pushtuesit otoman. Dy ditë pas njohjes së “Autonomisë së Mirditës” në Berlin, më 7 korrik 1878, përfaqsuesit e Mirditës, që morën pjesë në mbledhjen e Komitetit të Prizrenit, bashkë me delegatët e Shkodrës e malësive të tjera, organizuan një miting me banorët e qytetit ku shpallën botërisht “formimin e komitetit qendror të Lidhjes së Shqiptare, krijimin e komiteteve krahinore dhe të Ushtrive të Lidhjes”. Më 10 korrik u formua nënkomiteti i Shkodrës prej 15 vetësh, në të cilin u thirr të merrte pjesë edhe Preng Bib Doda.


Mirditasit patriotë, duke parë qëndrimin e P. B. Dodës dhe të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare, ishin gati të jepnin ndihmesën e tyre në mbrojtje të trojeve Shqiptare që i lëshoheshin Malit të Zi dhe Serbisë. Në shërbim të nënkomitetit të Lidhjes për Gjakovën, që drejtohej nga Abdulla Pashë Dreni u vunë 60 djem të zgjedhur nga Mirdita. Për besën e dhënë, ata treguan heroizëm në ngjarjet që u zhvilluan në kullën e Abdulla Pashës më 5 shtator 1878. Ketu gjetën vdekjen 30 prej tyre.B. Qëndresa ndaj politikës nënshtruese në vitet e lidhjes.Autoritetet turke të Shkodrës, duke mos përfillur qëndresën e prerë të mirditasve, për të mos lënë në krahinën e tyre kaimekamë e nëpunës turq dhe as vendimet e Kongresit të Berlinit për këtë krahinë, emëruan,në tetor 1878, Jusuf Sokolin-Kaimekam dhe Zydi beun komandant të ushtrive turke në Mirditë. Guvernatori i Përgjithshëm i Shkodrës Hysen Pasha, urdhëroi ndërtimin e një kazerme të re dhe rindërtimin e disa të tjerave për strehimin e ushtrive që tash e mbrapa do të qëndronin në Mirditë. Këto veprime të autoriteteve turke, acaruan konfliktin me mirditasit dhe vunë në lëvizje diplomacinë franceze dhe austriake, të cilat kishin marrë në Mbrojtje Mirditën në Kongresin e Berlinit. Ambasadori francez në Stamboll, Furnie kërcënoi Vezirin e Madh të Stambollit: “…Me urdhër të qeverisë sime kërkoj të respektohet neni 13 i protokollit të Berlinit…”. Por Porta e Lartë nuk i mori parasysh kërcënimet e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha. Jusuf Sokolin bashkë me Zydi Beun i largoi nga Kashnjeti, ku qenë vendosur, vetëm sulmi i kryengritësve të komanduar nga Kolë Prengë Markola natën e 20-21 nëntorit të atij viti. I informuar për ngjarjet e Kashnjetit, Hysen Pasha dha urdhër të merreshin masa për të mos lejuar mirditasit të mësynin Shkodrën.


Masat e autoriteteve turke ndaj Mirditës dhe krahinave të tjera të malësive tona, çuan në mbledhjen e Oroshit, shkurt 1879 ku u vendos për vazhdimin e qëndresës ndaj masave nënshtruese që po ndërmerrnin autoritetet e Shkodrës dhe u zgjodh delegacioni për në Kuvendin e Lezhës. Ky Kuvend u mblodh më 6 mars të 1789. Në të morën pjesë përfaqsuesit e të 12 bajrakëve të Mirditës, ata të Pukës e të Malësisë së Shkodrës. Në atë Kuvend u vendos t’i kërkohej Sulltanit që në krahinat e tyre, në organet qeveritare, të mos kishte më veçse shqiptarë që të drejtonin vendin në bazë të dokeve të krahinave, dhe largimin e Hysen Pashës si Guvernator i Shkodrës. Porta e Lartë, më 21 gusht 1879 zëvendësoi Hysen Pashën me Ali Hajdar Pashën, i cili emëroi më 17 tetor të atij viti Kaimekam për Mirditën Mehmet Agën e Podgoricës dhe si Muhavin Kolë Prengën. Emërimi i Kolës si këshilltar i Kaimekamit, bëri përshtypje të madhe në konsullatat e huaja të akredituara në Shkodër, në popullin e atij qyteti dhe në Mirditë.
Mirditasit menduan se u shit Kola, ndërsa konsujt e huaj, veçanërisht ai i Francës dhe i Austrisë u indinjuan me Guvernatorin i cili nuk po zbatonte Protokollin e Berlinit. Këta ia shprehën pakënaqësinë e tyre Ali Hajdar Pashës, i cili u përgjigj: “…Emërimi i Mehmet Agës si Kaimekam dhe i Kolë Prengës si Muhavin i tij janë një provë për nënshtrimin e Mirditës dhe përçarjen e Lidhjes Shqiptare.”. Mirditasit e betuar për të mos lejuar vendosjen e Kaimekamëve turq në krahinën e tyre zunë shtigjet dhe nuk e lejuan Mehmet Agën të vendoset në Kashnjet. Prej aty u larguan edhe ushtritë turke që ruanin atë rajon. Kaimekami në pamundësi për të ngritur zyrën e tij në Kashnjet për të zbatuar urdhërin e Guvernatorit, nguli çadrën në një kodër të Mnelës, afër ushtrive turke. Ndërkohë qeveria franceze dhe ajo austro-hungareze në rivalitet me njëra tjetrën, luftonin në fushën diplomatike për të vendosur influencën e tyre mbi këtë krahinë. Konsulli francez i Shkodrës, i cili, ndiqte hap pas hapi ngjarjet në Mirditë në raportin që i dërgon MPJ të shtetit të vet, kërkon ndërhyrje pranë Portës së Lartë për ruajtjen e status-quos në Mirditë sipas Protokollit 13 të Kongresit të Berlinit dhe për faljen e P. B. Dodës.


Konsulli austro-hungarez nga ana e tij, i shkruan qeverisë së Vienës: “…Mbrojtja e Mirditës do të jetë shumë e dobishme për prestigjin tonë në Shqipëri…”. Orvatjet e kësaj diplomacie nuk gjetën mbështetje në popullin e thjeshtë të Mirditës. Ai kishte rrokur armët për të mbrojtur trojet e veta nga reformat centralizuese osmane, synimet e Fuqive të Mëdha dhe të Dinastive shoviniste të ballkanit. “Mirditasit-siç shpreheshin vetë diplomatët e huaj,- i urrejnë njëlloj si turqit dhe sllavët e grekët…”. Edhe në këto vite, populli i Mirditës, me rezistencën e tij po i shërbente me vendosmëri çështjes shqiptare, që u shtrua për zgjidhje në Prizren. Lufta e tyre qe një mesazh për Fuqitë e Mëdha se lufta e nisur nuk bëhej vetëm kundrë Turqisë, por edhe kundër synimeve të tyre.C. Mirditasit-repart i ushtrive të Lidhjes ShqiptareMë 3 prill 1880 u krijua në Shkodër Komiteti i Mbrojtjes me Hodo Beg Sokolin në krye. Rrethet patriotike të Shkodrës duke patur parasysh vendosmërinë dhe potencialin ushtarak të Mirditës thirrën P. B. Dodën të merrte pjesë në këtë Komitet duke i premtuar atij se do ta njihnin si Kapidan mbi Mirditën, Pukën e Lezhën. Po ashtu ai u zgjodh dhe nënkryetar i atij Komiteti. Kushtrimi i lëshuar nga Komiteti i Mbrojtjes për të mbrojtur Hot, Grudë e Kelmend u ndie fort në Mirditë. Ato ditë pranvere të viti 1880 në ç’do shtëpi mirditore bisedohej për të rrokur armët me i dalë zot vatanit. Gjendja e kryengritjes ishte krijuar në të gjithë Shqipërinë Veriore. Kuvendi i Shpalit i 27 prillit 1880 vendosi të dërgoheshin për tek forcat mbrojtëse të Hotit, të Grudës e Kelmendit 2500 burra. Kontigjenti i parë prej 800 burrash u nis më 28 prill.

Ata ishin nga bajraku i Spaçit, Oroshit e Kushnenit dhe, më 1 maj u nisën dhe 800 të tjerë. Ata, pasi u bashkuan e bënë një pushim të shkurtër në Kallmet, më 4 maj 1880 të veshur me kostumet e bukura të krahinës e të armatosur të gjithë me pushkë të moçme, të prirë nga flamuri kombëtar, hynë në mënyrë demonstrative në Shkodër, sikur të mos kishte asnjë pushtues në atë qytet. Pasi pushuan dy ditë në Shkodër, më 6 maj u nisën nga Kastrati e kaluan me lundra nga skela Hani i Hotit dhe prej andej hynë në Tuz. Me mbërritjen e mirditasve forcat kryengritëse u bënë rreth 12 mijë vetë. Mirdita në vitet e Lidhjes së Prizrenit dha ndihmesën e saj, jo vetëm duke ngritur zërin e protestës kundër Portës së Lartë që nxori trojet tona në pazaret e shovinistëve fqinjë, por edhe duke dërguar përfaqsuesit e saj në Prizren e në Komitetin e Shkodrës dhe duke vënë forcat e saj luftarake në dispozicion të Komitetit të Mbrojtjes së Shkodrës.

Në vitet e Lidhjes u ngrit më lart ndërgjegjja luftarake e mirditasve, duke iu bërë krah forcave patriotike në luftën për autonominë e Shqipërisë sa diplomatët e Fuqive të Mëdha ato vite raportonin: “…Shpirti i krenarisë kombëtare dhe i pavarësisë tek mirditasit ngrihet më lart nga cilësitë luftarake, shumë të theksuara të tyre…”.
 
A

Antoni

Vizitor
Mirdita ka histori, mirdita eshte histori. Per fat te keq tani per tani eshte sikur ti kene shkurtuar gjymtyret, pasi te gjithat burimet e te ardhurave (flas per punesimin e njerezeve ne veçanti minierat, fabrikat turizmi etj etj..) jane sot per sot te pezulluara dhe te gjithe banoret e vuajne shume kete gje. Nuk do te deshiroja tjeter qe ti rikthehej zhvillimi.
 

Miri

Anëtar drejtues
Mirdita ka histori, mirdita eshte histori. Per fat te keq tani per tani eshte sikur ti kene shkurtuar gjymtyret, pasi te gjithat burimet e te ardhurave (flas per punesimin e njerezeve ne veçanti minierat, fabrikat turizmi etj etj..) jane sot per sot te pezulluara dhe te gjithe banoret e vuajne shume kete gje. Nuk do te deshiroja tjeter qe ti rikthehej zhvillimi.
Per sa i perket punesimit siç e shpreh ti z. anton, eshte nje problem ne shkalle boterore e qe nuk i perket vetem krahines sone.
 
Sipër