Letërsia e Rilindjes Kombëtare

Mirë se vini në rrjetfaqen MIRDITA.COM
Përmbajtja e hasur këtu, mund të shfletohet lirshëm.
Për të shkruar dhe marrë pjesë në diskutime, duhet të keni një llogari dhe të identifikoheni.
Shpresojmë që prania juaj, të ndikojë në përmirësimin dhe pasurimin e faqes.
Krijoni një llogari
J

Jani

Vizitor
Letërsia e Rilindjes Kombëtare

Letërsia shqiptare e Rilindjes Kombëtare lindi dhe u zhvillua si pjesë e pandarë e lëvizjes politiko-shoqërore e kulturore për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj.

Kjo lëvizje, që nis nga mesi i shekullit XIX dhe arrin deri në vitin 1912, quhet Rilindje Kombëtare, prandaj edhe letërsia e kësaj periudhe quhet letërsi e Rilindjes Kombëtare. Kjo është kryesisht një letërsi patriotike me frymë demokratike e popullore. Tema kryesore e saj ishte dashuria për atdheun dhe popullin, evokimi i së kaluarës heroike dhe lufta për çlirimin kombëtar e shoqëror.

Kushtet historike që përcaktuan zhvillimin e saj, ishin kryengritjet e vazhdueshme kundër pushtuesve osmane, lufta për pavarësi dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit nga synimet grabitqare të imperialisteve dhe të qarqeve shoviniste fqinje.
Letërsia e Rilindjes pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në thelbin e vet ajo ishte një letërsi romantike. Në veprat më të, mira të saj u shprehen ideale të larta kombëtare, malli dhe dashuria e zjarrtë për mëmëdheun, krenaria për të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar dhe ëndërra për ta parë Shqipërinë e lirë, të pavarur e të lulëzuar.

Shkrimtarët
Figura më e shquar e kësaj periudhe është padyshim, Naim Frashëri, autor i poemës "Bagëti e Bujqësi„ i "Historisë së Skënderbeut„ dhe i shumë poezive të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë Jeronim De Rada, A. Z. Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni etj.
Letërsia e Rilindjes shënon një etapë të re në historinë e letërsisë shqiptare. Ajo shënon kalimin nga letërsia me brendi fetare e karakter didaktik, në letërsinë e re shqiptare, në letërsinë e mirëfilltë artistike, duke hedhur në të njëjtën kohë edhe bazat e gjuhës sonë letrare kombëtare.