Kapidani Dedë Gjonmarkagjoni

Munella

Anetar Fillestar
Kapidani Dedë Gjonmarkagjoni
LISAT E KULLAVE TË BARDHA, JANË TË PAVDEKSHËM !
Nga Fritz RADOVANI

Mirditë, mos mbaj zi per Kapidanin Tand Kreshnik Dedë Gjomarkagjoni!
Kullat Tua vazhdojnë me kenë të bardha si biluri!
Lisat pranë Atyne Kullave rriten, rriten e nuk ka çka u ban as stuhija, as rrebeshi, as rrufeja dhe, as “drapen e çekani apo pushka e kazma” barbare e komunizmit!
Ata Kulla nuk i skuqi as nuk mujt me i nxi as zjarri zharitës i tradhëtarëve t’ Atdheut!
Edhe pse e mbetun pa asnjë njeri të Atij Fisi, qendronte madhështore e krenare!
E vetmja shpresë e njëdite “ma të mirë” ishin dallëndyshët që hynin e dilnin nga dritaret pa xhama e korniza druni, të mbetuna në mëshiren e murrlanit e shirokut të Shkodres...
Asnjë shenjë jete tek ajo kullë per vite të tana... Përveç emnit, Kulla e Markagjonëve!
Historia e vërtetë e Kullave të Malësorëve të Veriut asht një volum në vete, sëpse, edhe lufta per rrafshimin e Tyne kje një program në vete. Gjithshka e parashikueme me një saktësi dhe pashpirtësi barbarësh, ku “shqiptari” kundër Shqiptarit u ba si bisha.
Edhe shumë vite kanë me kalue pa e besue njerëzit historinë e vërtetë të Atyne Kullave.
Ua vranë burrat e djelmët e Atyne Kullave...Ua interrnuen Nanat plaka e nuset e reja me fëmijë nder djepa...Ua plaçkitën gjanë e mallin e bagëtinë...Dhe, ua vune zjarrin derisa edhe muret e tyne u kthyen në grumbuj gurësh... Një vend vërtetë i shkretnuem...
Shqipnia e Veriut mbas vitit 1944 u kthye në një germadhë e çerdhe varfnije...ujqish.
Kjo ngjau në Mirditë, ku qendresa antikomuniste kje ma e gjata, po kjo flakë zharitëse kishte shkretnue që në ditët e para ku shkeli kamba e “çlirimtarëve” sllavoshovenistë, me yllin e kuq në ballë, nën masken shfarosëse komuniste që përsa shekuj e kishte andrrue këte 29 nandor të zi të vitit 1944, fillue nga Maja e Vermoshit e deri ku kishte Shqiptarë nder viset e Tepelenës e poshtë në Çamëri, ku pushka zevendsonte jestekun...
E Shqiptarët ishin po, në Kelmendin e Prekë Calit, Dedë Cokut t’ Bregut Matës... Pukës së Mirakajve, Hotnjanëve të Gjelosh Lulit, Shkrelasve dhe Shllakasve ku kriste pushka e Gjergj Vatës e deri nder shpellat e Dukagjinit ku flinin Trimat e Lekës... Bash aty ku ishte Zef Kolë Prela që me një kunjë shkrepse të ngjymë me gjak të vet, i tregoi Nanës se po vritej i pafaj vetem, se donte me zemer Atdheun...Pak ma pertej ishte edhe Muharrem Bajraktari, që plumbi nuk e kapte se ishte betue me vdekë për Atdhe të Lirë!
U vranë dy vllaznit Mark e Llesh Gjon Markagjoni... Po Shqipja e Atyne Bjeshkëve nuk e derdhi “pasha një pikë lot”! E Nana me vajzat e veta të internueme u mbluene në zi... Mirdita u dogj e zjarri i saj mori dheun mbarë. Motrat humbën vllaznit... E i vetmi vlla i mbetun në prangat e kriminelëve komunistë Deda i Gjonit Markagjonit, kalbej burgjesh.
Heu ju Bjeshkët e Nêmuna shumë gjakun keni pa e, shumë pushken keni dëgjue...
Edhe Tokës sate i vjen edhe sot era rub... Nuk mbet një lis pa plumba në trup të vet...
E pse?! – Vetem se hasmi shekullor donte shkimjen e Atyne Kullave të bardha si vetë kësulat e veshuna per majet e Atyne Bjeshkëve Heroike e të Pathyeshme.
Fort po shndritë ai diell, e pak po nxenë...Fillonte dikur një vjerrshë...
Dedë Gjon Markagjoni asht një prej Herojve të burgjeve shfarosëse komuniste ndoshta, pak i persëritun në krejtë Lindjen komuniste... 46 vjetë tortura, burg e interrnime.
Edhe Dedë Gjon Markagjoni (1921 – 2015) që në vitin 1944 pra, 23 vjeç, filloi Kalvarin e pafund bashkë me të gjithë familjen e vet, që masakrat nuk ju ndanë asnjëherë...
E pse?! – Ishte dhe mbylli jeten i martirizuem per Kryqin, me etiketen “antikomunist” !
Kje dënue në 1944 me 5 vjetë burg...U mbajt 3 vjetë në tortura në sigurimin e shtetit, dhe mbas izolimit u dënue 7 vjetë... u interrnue .. u dënue...u dënue...u interrnue... Vetem për një shkak: “Nuk pranoi me u ba agjent i sigurimit të shtetit gjithë jeten e Tij!”
Nga viti 1944 Deda u arrestue dhe u dënue katër herë, bani rreth 4 vite hetuesi, vuejti mbi 16 vite burg dhe 31 vjetë të tjera, ishte i interrnuem në kampe shfarosje...
E deri kur nder pranga e tortura? Deri në vitin 1990... Në moshen 67 vjeçare lirohet dhe vjen në vitin 1991 në Kullen Markagjonëve në Shkoder...Me motrat e veta të Nderueme dhe nipin e vet të dashtun Gjonin e Markut Markagjonëve, të cilin shpejtë Zoti, e mori në Mbretninë e vet... Një plagë e pasherueshme kurrma e Fisit Markagjonëve...
Në vitin 1991 u njoha me Dedë Gjomarkun... I papersëritshëm ai takim në dhomen e Tij të pritjes, krejt e boshatisun e vetem me dy karriga...Ku, Motrat e Tij e rikthenin atë dhomë me pritjen e perzemert tëTyne, në një Salon Princor të Mirditës Heroike!
E pyeta rreth Golgotës së Tij se, shka të ka mbetë në mendje nga 46 vjetë tmerri?
Bani buzën në gaz, më shikoi dhe filloi një nga episodet e hetuesisë së dënimit të fundit:
“Më torturoj një hetues keqas, më gjakosi aqsa kaloi gjaku nen thesin që më kishte lidhë në fyt, gjoja mos me njollosë rrobat... Kur fillova me ardhë në vete mbas sa kohe s’ e dij, vetem, e shikova drejtë e në sy... Ai më tha: Pse, po më shikon mor qen e bir qeni?...
Vazhdova me e veshtrue pa mu tutë syni drejtë e në fëtyrë... He, mor qen, më tha, a po mendon se çfarë do më kishe bërë po të vij koha yte, or reaksionar i qelbur... Edhe po të vij koha yte or qen, ligjët tua nuk të lejojnë kurrë për të bërë ate që bëjmë neve me ligjët tona! Pikërisht këtu, qendron forca e diktaturës së proletariatit!.. A more vesh tani?!
Shiko, i thashë: Unë jam Shqiptar, po jam edhe Katolik. As nuk më shkon mendja kurrë me masakrue një vlla të timin Shqiptar, ashtusi veproni ju me ne. Ndersa, si besimtar në
Zotin dhe trashigimtarë i Prindëve të mij të Nderuem në mbarë Mirditen, as nuk dij shka domethanë me vra, me masakrue, me vjedhë, me torturue dhe me gjakosë Njeri, kjoftë edhe fajtorë, se për të pafajshëm asnjëherë në jeten teme! E këte mësim e kam marrë njëherit me qumështin e gjiut Nanës seme, që sot nuk i dij as Varrin... Prindët tanë na mësuen me dashtë Shqipninë e Shqiptarët pa dallim Feje, se jeni vllaznit tonë!
Unë do të vdes pa e njollosë emnin e Prindëve të mij, do të vdes pa pranue kurrë me ju sherbye ju, se per këte kanë dhanë jeten e vet Vllaznit e kushrinjtë e mij, per këte po vuejnë Motrat e mija e gjithë Shqipnia, dhe se kjo, asht edhe Ndera e fisit tim!”
Kur u ndame heren e fundit në vitin 2000... Ju mbushën sytë me lot...
E mue, fjala mu pre...
Lisat e Atyne Kullave të Bardha janë Herojë të Pavdekshem të Popullit Shqiptar!

Melbourne, 25 Janar 2015

DY DYER...
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...
Nga Fritz RADOVANI

70 VJETË...
Deda i Gjonit Markagjonëve të Mirditës, vulosi Perjetësinë e Derës së Markagjonëve!
Ai provoi me u le, me u perkundë, me u rritë në Deren e Parë të Markagjonëve, po dhe me u torturue, me u burgosë, me u interrnue dhe me u plakë i masakruem në Deren e dytë të Ministrisë së Mbrendshme, por i Pathyeshëm dhe Burrë i Nderuem Hero!..
Ishte 22 vjeç kur u arrestue në nandorin e 1944. Mbas pesë vjetësh lirohet dhe fillon një tragjedi tjeter mbas së parës nder kampet shfarosëse të Derës së dytë të Ferrit komunist.
Izolimi tre vjeçarë që shpjegon kushrini i Tij z. Lekë Pervizi, i sajuem nga kriminelët e terroristët Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, per me detyrue Dedën me u ba agjent i sigurimit të shtetit, dhe loja aq e rrezikëshme se, gjoja asht arratisë po, në të njajten kohë edhe rreziku i përditëshem i jetes nga sigurimi famkeq i shtetit komunist, janë edhe një tjetër provë e pathyeshmenisë së Derës së Nderueme të Gjomarkajve.
Pak Burra prehen të qetë si Gjoni i Markagjonit të Mirditës, me kaq trashigimtarë të cilët për 47 vjetë u vranë, u interrnuen, u masakruen, u varrosën nder gropa të padijtuna dhe, jo vetem, u punue per shfarosjen e Fisit, por edhe per shnderimin e Derës Shekullore...
Trashigimtarët... i ndertuen Babës së vet Lapidarin e Lavdisë dhe Nderit të Mirditës, e këta ishin: Marku, Ndoi, Lleshi, Deda, Nikolli, Dava, Gjela, Marta, Dila e Bardha...
Vetem kush ka pasë fatin me i shterngue dorën miqësisht njenit prej Tyne, mundet me kujtue shka do me thanë “Besa, Burrnia e Bujaria e Derës Markagjonëve të Maleve!”
Malësori gjithmonë asht tregue i matun nder kuvende Burrash, ndersa Mirdita, perveç kujdesit, asht tregue edhe ma e mendshmja nder kuvende dhe vendime të Saja.
Tue dashtë Malësori kohët e fundit, nganjëherë, me u tregue i “shkolluem” perdorë fjalë të dialektit Jugut, kur asht fjala që ndrroi jetë, shkoi n’ Amshim, ka vdekë aksidentalisht, etj... kohët e fundit lexoi: “U shua!”, dhe pikrisht per Dedë Gjomarkaj... Shumë keq!
Dera e Markagjonëve, ka dashtë i Madhi Zot, jo vetem mos me u shue, por me u rritë, me u shtue dhe me vazhdue brez mbas brezi deri në pafundësi... E kështu, si Dera e
Markagjonëve, Kullat e të cilit i dogj dhe i rrafshoi sherbëtori i shovenistëve jugosllavë, kështu, veproi me të gjitha Kullat e Bardha të Maleve të Veriut e deri poshtë në Jug...
Me u shue asht shue Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Kadri Hazbiu, Tuk Jakova e Bedri Spahiu me shokë, që nuk e kanë lanë të paktën një pinjollë si “vajza e Stalinit”, për me kerkue të falun per krimet e shemtueme të baballarëve të vet, tiranë, kriminelë e terroristë të pashpirtë e vrastarë fëmijësh!
E ZOTI, do t’ Ua ndigjojnë lutjen 500 000 Viktimave të tyne: “Këta dalshin faret!”...


Melbourne, 2015
 
Sipër