Historia e Mirditës - Peshkopët e Lezhës

Miri

Anëtar drejtues
Historia e Mirditës - Peshkopët e Lezhës

peshkopet-e-lezhes.jpg

Në shekullin XVII Peshkopët e Lezhës kishin një ndikim shumë të madh në banorët e Ndërfandit (pjesa e territorit të krahinës së Mirditës). Mirditasit i rregullonin tek peshkopët gjithë konfliktet jo vetëm fetare por dhe laike. Ndikimi i krerëve kishtar është i pranishëm jo vetëm tek Mirditasit, por dhë tek ata shqiptare që dikur ishin larguar nga kjo krahinë dhe ishin vendosur në zona të tjera shqiptare.

“Ndikimi i krerëve kishtarë është më i fuqishëm larg në jug… Në vitin 1596 nën udhëheqjen e metropolitit ortodoks të Ohrit (është fjala për 3 bajrakët e Kthellës) Atanasiut qëndrojnë më se 10 000 luftëtare himariote, të cilët ishin gjithmonë të veshur me kostumet e tyre me ngjyrë të kuqe, që fëmijët, popujt primitivë dhe njerëzit modernë e duan më tepër se çdo ngjyre tjetër”13.

Kjo lëvizje e madhe u mbështet moralisht dhe nga Papa i Romës. Ju kërkua dhe shqiptarëve të Italisë Jugut (zonës së Pulias), dhe mendohet se shqiptarët nga Shkodra deri në Himarë patën nën armë rreth 40000 luftëtarë. Mardhëniet Konjukturale të Turqisë me Venedikun shkaktoi përçarjen dhe rënien e lëvizjes së parë të organizuar dhe të përgjithëshme kundër Turqisë. Duhet nënvizuar fakti se metropoliti (prifti) udhëhiqte gjithë atë lëvizje në të cilën kishte prijës fisesh (Mark dhe Gjon Gjini-Bajraktarë mirditas), Pal Dukagjini, Tomas Palessa nga Lezha etj. [HR][/HR]Në fund të shekullit XVI e vazhdim luajtën një rol të madh në jetën shoqërore dhe në organizimin e rrezistencës antiosmane edhe disa Klerikë të vegjël më i spikaturi në këtë kohë ka qenë Nikolla Mekshi, nga Shëngjergji i Tiranës, peshkop i Stefanisë e i Benës, i cili i ndjekur nga turqit u strehua në Perlat dhe më vonë në Fanë të Dukagjinit (Mirditës).

Gjatë qëndrimit këtu Nikolla Mekshi u muarr me organizimin e një kuvendi të madh nënkrahinor në kishën Shënllezhdrit të Oroshit më 15 shkurt 1602. Kuvendi i zhvilluar në ambjentet e kësaj kishe përfaqësohej jo vetem me krerë të Dukagjinit (Mirditës) por dhe përfaqësues të trembëdhjetë krahinave të vendit si: Dukagjini, Kosova, Dibra, Shkodra, Zadrima e Lezhën, Mati, Kurbini, Kruja, Petrela, Elbasani, Myzeqeja e Spindarica.
“Më 1595 është mbledhur në manastirin e Shënmërisë në Ndërfanë, një kuvend ndërkrahinor. Në vitin 1648, në marrvëshje edhe me Venedikun, rreth 8 mijë kryengritës u mblodhën në Bulgjer (në zonën e Rubikut), “Ata ishin nga Dibrri, Kthella, Selita, Lura, Blinishti e Fani. Këto forca udhëhiqeshin nga krerë vendas si Gegë Doda i Kacinarit, Pep Kol Lleshi i Kthellës, Pepe Kolë Pepa i Selitës, Tuc Boci i Fanit, Bibë Gjoci i Oroshit etj. Me ta gjendeshin dhe klerikët vendas si ai i Kacinarit, i Kthellës, i Selitës dhe i Lurës”14. Rolin më të spikatur në edukimin patriotik të mirditasve dhe shqiptarëve në luftën për liri e ka luajtur Abacia e Oroshit dhe Abatet e ndritur të saj. Abacia gjendej në Malin e Shenjtë që para pushtimit Osman. [HR][/HR]Kjo Abaci (kisha e Shën Aleksandrit – e Shënllezhderit) ishte mjaft e pasur dhe e fuqishme. Në Juridiksionin e saj përfshinte territore nga Drini në Veri në lumin Mat në Jug. “Qysh nga fundi i XV dhe gjatë shekujve XVI e XVII qe rrënuar e grabitur disa herë nga pushtuesit turq. … Meritojnë të vihen në pah abat Gazulli vendas që në fund të shekullit XVIII pati vendosur marrëdhënie me Ali Pashë Tepelenën, duke i dërguar kushëririn Ndreke Gazullin me një tubë luftëtarësh. Kundërshtimi i Ndrekës për të mos zbatuar urdhërin e Ali Pashës për të masakruar Kardhiqotët e lidhur, ia pat rritur shumë namin dhe emrin si Mirditës ashtu dhe Abacisë”15. Pasuesi i Gazullit si abat i Mirditës qe Pjeter Zarishti. Ky poet i shquar dhe veprimtar patriot e kryengrites (1800-1866).
Një rol të madh në bashkimin e 12 bajraqeve të Mirditës dhe në formimin e principatës autonome, ka luajtur abati Gasper Krasniqi nga Podrima. Ky abat frymëzoi dhe organizoi kryengritjen e Mirditës në vitin 1862. pas vdekjes së Gasper Krasniqit në krye të Abacisë vjen rilindasi Prend Doci. Ky prelat i ndritur shqiptar (prej Bulgjeri – afër qytetit Rubik) bëhet frymëzuesi i luftës për liri, prijës i saj (udhëhoqi me P B Dodën kryengritjen e viteve 1875-1877 të Mirditës dhe Veriut). [HR][/HR]Imzot Doci ndikoi jo vetëm në bashkimin e Mirditës dhe shqiptarëve por dhe në edukimin e tyre kulturor e atdhetar (formoi shoqërinë “Bashkimi” në Shkodër, hartoi alfabetin shqip dhe u bë i dëgjuar kudo në rrethet patriotike shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë). “Abacia e Mirditës e udhëhequr me dije e urti nga Prend Doci fitoi naming e dikurshëm, shtoi juridiksionin Kishtar në tërë Mirditën, duke u bërë njëherit, frymëzues i bashkimit, harmonisë dhe pajtimit, si brenda përbrenda Mirditës ashtu dhe midis Mirditës dhe krahinave të tjera për rreth si: Mat, Dibër e Lumë.
Abati u bë faktor i ruajtjes së bashkimit të 12 bajrakëve… Prend Doci… rregulloi duke vënë mbi baza kanuni disa dukuri të këqija, që ishin ndikime të huaja islame, si mbajtja e kunatës, marrja e shumë grave etj, dhe njëherit luftoi rrushfetin e fajden”16. Një rol të madh në Mirditë e Kurbin por edhe me gjërë ka luajtur arqipeshkvia e Durrësit me qendër në Kurbin. Nga arqipeshkvit e dalluar në këtë drejtim ka qenë Nikollë Kacorri i cili edhe ky u shqua si activist politik, kryengritës, kulturor etj, jo vetëm për Mirditën dhe komunitetin katolik shqiptar por luajti rol të pashoq në vllazërimin e shqiptarëve mysliman me ata të krishterë. [HR][/HR]Ai ishte delegat në Kongresin e Alfabetit (1908), por me vonë merr pjesë në organizimin e kryengritjes së Bregut të Matës (1911) dhe në Qeverinë e Vlorës 1912, zgjidhet N/Kryetar i saj. Pas shpalljes së Pavarsisë (1912) lindin kushte te reja të shtetformimit dhe të bërjes së politikës. Në këto kushte në pikë vështrimin (tezën) që po trajtojmë, roli i klerit katolik shqiptar dhe ai Mirditas zbehet gjithnjë e më tepër, derisa merr fund pas vendosjes së diktaturës komuniste, e cila bashkë me zhdukjen e tij, eleminoi për një kohë të gjatë aspiratën dhe mendimin perëndimor të shqiptarëve.
 
Sipër