Historia e Mirditës - Mirditasit përkrah Bushatllinjëve për shkëputje nga Turqia

Miri

Anëtar drejtues
Historia e Mirditës - Mirditasit përkrah Bushatllinjëve për shkëputje nga Turqia

bushatllinj.jpg

Në gjysmën e dytë të shekullit 18 sistemi feudal ushtarak turk u mbërthye nga anarkia dhe çthurja e plotë, kjo në Shqipëri çoi në formimin e dy pashallëqeve të mëdha,ai i Bushatllinjëve ne veri, dhe ai i Ali Pashës ne jug.

Të dy pashallëqet shqiptare, për të realizuar politikën e tyre të pavarur nga Porta e Lartë, kishin nevojë për fuqinë ushtarake të Mirditës. Lidhja me Mirditën, në një kohë kur kishte me vete edhe gjithë malësorëte tjerë katolikë, i dha forcë e krahë Mehmet Pashë Bushatit dhe pasardhësve të tij.

Në vitin 1795, Karamahmut Pasha mësyni Prizrenin për ta çliruar e për ta bashkuar me Pashallëkun e tij.
Në këtë aksion u mbështet kryesisht në luftëtarët mirditas. Pretendimi për ta futur në Pashallëkun e tij edhe Malin e Zi e shtyni Karamahmut Pashën të sulmonte drejt tij në verën e vitit 1796. Në betejën e 11gushtit të atij viti, mirditasit treguan besnikërinë e tyre ndaj Bushatllinjëve. Ata zunë shtigjet kryesore nëpër të cilat ushtritë malazeze sulmuan ato të Karamahmut Pashës dhe e ndaluan vrullin e tyre, duke shpëtuar kshtu si Vezirin e plagosur, që ishte në rrezik të zihej gjallë nga malazezët, ashtu dhe ushtrinë e tij nga shpartallimi i plotë i saj.
Megjithë humbjet Karamahmuti nuk hoqi dorë nga pushtimi i Malit të Zi. Në vjeshtën e po atij viti, ai në krye të 20000 luftëtarëve, ndër të cilët edhe 6000 mijë mirditas ai mësyni Malin e Zi në drejtim të Piprrit e të Pulabardhit. Beteja e 25 shtatorit 1796 qe një nga betejat më të përgjakshme që zhviloi Karamahmut Pasha.

Veziri i Shkodrës la në atë betejë mbi 3000 të vdekur e po aq të plagosur. Aty gjeti vdekjen edhe vetë Karamahmuti. Në këto luftime, qëndresa e mirditorëve qe e pashoqe. Mirditasit duke shpresuar në shporrjen e pushtuesve osmanë, luftuan me heroizëm e vendosmëri përkrah Bushatllinjëve. [HR][/HR]Por, këto përpjekje u duk se morën fund me vdekjen e Karamahmutit. Më 1806 mirditasit, për hir të traditës që tashmë qe krijuar, shkuan me Ibrahim Pashën kundër kryengritjes së Serbisë. Këtu ai preu pabesisht prijsin e reparteve të Mirditës, Kolë Mark Gjokën dhe mirditasit të cilët u tërhoqën nga fronti i luftës. Pas vdekjes së Ibrahim Pashës më 1810, në luftën që plasi për trashëgimin e Oxhakut të Bushatllinjëve, Mirdita përkrahu tarafin e të miturit Tahir Pasha. Këtë e përkrahte dhe Ali Pashë Tepelena që kishte mësy Shqipërine e Veriut, me shpresë që të bëhej tutor i tij.
Me këtë rast Ali Pasha krijoi lidhje me Mirditën dhe përforcoi gardën personale të tij me tre taborre djem mirditorë. Në këtë situatë grindjesh në Shkodër, fermanin e Vezirnisë e mori Mustafa Pasha, nipi i Ibrahim Pashës. Mustafai në vitin 1812 lidhi miqësi me Ali Pashën dhe në vitin 1813 u pajtua me Mirditën së cilës i riktheu një pjesë të bajrakut të Dibrrit i cili i qe aneksuar Shkodrës që në kohën e Mehmet Pashë Begollit.
Në vitin 1831 mbi 8000 mirditas e malësorë të tjerë u rreshtuan në ushtrinë e Mustafa Pashës që u nis për t’u zënë rrugën ushtrive osmane të cilat kishin mësy Shqipërinë për t’i dhënë fund qëndresës së Vezirit të Shkodrës e për t’a prishur atë pashallëk. Heroizmi i mirditasve në këtë betejë qe i paarritshëm. [HR][/HR]Ata, siç thonë kronistët e atyre luftimevev zunë një qafë mali e nuk i lanë për dhjetë ditë rrjesht ushtritë turke të kalonin e t’u binin pas shpine ushtrive të Mustafa Pashës. Më 12 maj 1831 mirditasit pa kurrfarë shprese për ndihmë braktisën pritën duke lënë shumë të vrarë e të plagosur në ato luftime të përgjakshme dhe u kthyen një pjesë në Mirditë e pjesa tjetër u ndry në kala të Shkodrës me Mustafa Pashën, i ndjekur këmba - këmbës nga Mehmet Reshit Pasha dhe i rrethuar në kala pa asnjë shpresë.
Në dhjetor të atij viti, Mustafa Pasha bashkë me Lleshin e Zi iu dorëzuan Reshit Pashës. Ata u internuan, i pari në Stamboll, kurse Lleshi në Janinë. Ra kështu ora e Bushatllinjëve.
 
Sipër