Historia e Mirditës - Lufta dhe Kuvendet 1506 deri në fund të shek XVIII

Miri

Anëtar drejtues
Historia e Mirditës - Lufta dhe Kuvendet 1506 deri në fund të shek XVIII

lufta-dhe-kuvende.jpg

Nga fillimi i shekullit XVI, pas dështimit përfundimtar të përpjekjeve të fisnikërisë feudale shqiptare (përfaqësuesve të emigruar të saj) për të rimëkëmbur pushtetin e tyre princor-feudal, një rol të dorës së parë në organizimin dhe udhëheqjen e qëndresës filluan të luanin elementet vendës, krerë të vegjël shumë prej të cilëve e mbanin veten si pasardhës të ish sunduesve dhe familjeve princore të parapushtimit. Përveç krerëve që zgjidheshin nga kuvendet e mirditasve një rol të madh filluan të luante Kleri katolik. Priftërinjtë katolik u bënë jo vetëm udhëheqës shpirtëror të mirditasve por dhe organizatorë dhe prijës të luftës për liri.

Po ashtu në fund të shekullit XVI e në vazhdim kuvendet e popullit në krahinë u bënë institucionet kryesore që vendosnin për luftën, organizimin e saj si dhe ndërprerjen e veprimeve luftarake, sipas rastit. Më 1565 shohim të ngrenë krye malsorët e tri maleve: të Mirditës, Pukës dhe të Lumës. Pasi ndërprenë rrugën strategjike Shkodër-Prizren, me sulme të befasishme goditën ushtrinë turke në afërsi të Shkodrës.
Për të shtypur këtë kryengritje pushtuesit osmanë përqëndruan ushtrinë e tri sanxhaqeve, të Shkodrës, të Dukagjinit dhe të Ohrit. “Mbas një varg luftimesh të rrepta që vijuan me furi për disa kohë, në drejtimet më kryesore, kryengritësit u shpërndanë dhe u tërhoqën në malet e tyre”18. Për karakterin luftarak të këtyre fiseve në Mirditë si dhe lidhjen e tyre ka patur vëmendjen të bëjë analizë edhe M. Shuflaj. [HR][/HR]“Mirditasit përmendën afër vitit 1570 si një lidhje ushtarake fshatrash jashtëzakonisht e fuqishme që ishin nën udhëheqës trashigimtarë. … Prej çfarë elementesh të ndryshme ishte e përbërë kjo lidhje e tregojnë sot 3 (tre) bajrakët e Ohrit që quhen; Kthella, Bishkashi e Selita. Stërgjyshërit e këtyre vllazërive siç duket kanë ardhur në viset e Mirditës, që në kohët e tmerrshme të para të turqve në Ohër e në qarkun e tij (1466). Edhe në vitin 1641 dalloheshin përmbi Lesh, mbi Mat e përqark, Kurbinit mirditasit, bolgarët e selitët.
Turqit i quanin kryengritës e rebela”18. Siç është thënë kleriku Nikollë Mekshi nga Malësia e Shëngjergjit erdhi dhe u strehua në Perlat (Kthelle) dhe më vonë në Bisakë (Fanë). “Në një letër më 25 Korrik 1601 – N Mekshi – i shkruan Romës ku thuhet; këtu …çdo vit bëhen sulme të turqve kundër dukagjinasve dhe të dukagjinasve kundër turqve”19. Në këtë vit (1601) turqit me rreth 15 mijë ushtarë sulmuan viset e mirditësve. Ata dogjën e shkretuan shtëpi, vreshta, morën plackë e bagëti, skllevër etj. Mirditasit u përgjigjen me gjithë mundësinë e tyre.
Në të gdhirë të një dite vere (1601) dy grupe të mëdha të armatosur mirditasish sulmuan ashpër fushimet turke. Këtu u kap djali i Mustafa Pashës së Dibrës. Edhe pse në këto fushime mendohet të kenë qenë mbi 6000 vetë ushtarë turq, kryengritësit u shkaktuan humbje të mëdha duke i shpartalluar turqit; duke vrarë shumë ushtarë duke u marrë armë, ushqime e plaçkë të madhe. “Në Fanë Nikoll Mekshi nuk ndenji duarkryq por u muar me organizimin e një kuvendi të madh ndërkrahinor që përfaqesonin 13 krahina shqiptarë si Mirdita (Dukagjini), Kosova, Dibra, Shkodra, Mati, Kruja, Petrela, Elbasani, Myzeqeja etj”20. [HR][/HR]Kështu Mirdita qe kthyer në qendër të luftës për liri. Në kuvend përgatitet një letër ku i drejtohet senatit të Venedikut. “Në krerët, pleqtë e parë të të gjithë Shqipërisë… njëmendje me tërë popullin… jemi mbledhur në vendin e Dukagjinëve, në Shënllezhdër (Orosh), dhe kemi dhënë besën për ti kthyer gjithë popullit të Shqipërisë, lirinë e vjetër, si në kohën e prijësit tonë Gjergj Kastriotit, …i drejtohemi kthjelltësisë tuaj për ndihmë. (… vendi është i pasur me miniera ari e argjendi… Po të fillojë kryengritja mbarë në Dukagjin, shumë shpejt zgjerohet dhe mund të mbledhë rreth 100 mijë vetë, me të cilët mund të marshohet mbi Konstandinopojë”21.
Këtë document e nënshkruajnë të parët krerët mirditas si Gjin Gjergji, Gjon Qefalia, Gjet Laloshi, Gegë Zajsi por edhe Nikoll Mekshi, P Dukagjini, arqipeshkvi i Sapës etj. Pas kërkesës për ndihmë Venediku nuk ndihmoi nga frika se mos prish marrdhëniet me Turqinë. Pas kësaj më 1603 turqit ndërmorën një inkursion të shpejtëkundër krahinës për të shtypur kryengritësit dhe për të kapur Nikollë Mekshin, organizatorin kryesor të kuvendit. [HR][/HR]Pas kushtrimit për luftë populli u ngrit në luftë dhe me sulme të befasishme kryengritësit e shpartalluan ushtrinë dhe thuhet se u vranë të gjithë turqit. Katër vjet më vonë 1607, Ndre Maneshi udhëheqës i një kryengritje të gjërë nga Shqipëria e Mesme, me disa luftëtarë u tërhoq për tu strehuar e për të luftuar në krahinën e madhe të Mirditës. Ushtria turke, feudalët turq, por dhe ato shqiptarë të islamizuar u goditën ashpër që nga andej dhe u sigurua plaçkë e armë te shumta. Ushtria turke pati përforcime dhe rifilluan goditjen e radhës.


“Me shpresë se ndoshta do të gjenin ndihmë, nga një kuvend ndërkrahinor i mbledhur më 20 shkurt 1608 midis dy lumenjeve Fan… në Shën Pal (Mirditë), i drejtohen mbretit të Spanjës për ndihmë. … edhe mbreti i Spanjës u përgjigj; të pritet një kokë më e përshtatshme…”22. Për gjendjen e mirditasve në fillim shekullin e XVII, na sjellë një dëshmi Marin Bici në një relacion që i drejtoi arqipeshkevit të Tivarit më 1610, ku ndër të tjera thotë: “Dukagjinasit nuk mund të dilnin jashtë vendit të tyre pa leje kalimi. Për ta pushtuesi kishte vënë kufi. Nga ana tjetër sundimtarët turq të krahinave për rreth nuk hynin dot në vendin e dukagjinasve, qoftë edhe për të nxjerrë njerëzit që u kishin kapur e që i mbanin peng”.
“Nuk duhet të jetë rast i rrallë e i veçantë kërkesa si ajo e sundimtarit turk në Fushë-Krujë që i bën Marin Bicit për ti shkruar një letër për Dukagjinasit e Kthellës që ti lirojnë njerëzit e kapur e të mbajtur prej tyre”23. Ndërsa Nikollë Mekshi shkruan më 15 Korrik 1610: “Dhe sot gjenden disa të quajtur dukagjinas, që mbahen të lirë, të cilët mbrohen për hir të armëve dhe e mbajnë larg zotërimin mizor osman”24. Mirditasit jane factor kyq në planet e kuvendit ndërballkanik të kuqit të zhvilluar në korrik dhe shtator 1614. përfaqësimi mirditas ishte në rendin e parë të të beslidhurve. [HR][/HR]Mirditasit sipas këtij kuvendi ndërballkanik do të kishin detyrën e sulmit në dy pika kryesore, një drëjtim sulm ishte kështjella e Krujës dhe marrja e saj dhe drejtimi tjetër sulmi në Shkodër dhe marrja e Rozafatit ku mirditasit kishin biseduar dhe me disa njerëz të tyre që e ruanin këtë kala. Planet nuk ecën sipas parashikimeve pasi faktori i jashtëm nuk qe aktiv as këtë radhë. Po në vitin 1614 mirditasit përfaqësohen në një kuvend tjetër ndërballkanik të zhvilluar, në Beograd. Në këtë kuvend Mirdita përfaqësohej nga Gjin Gjergji – kreu i saj etj.
Ngjarjet dhe situata në krahinë, në shekullin XVII, e përshkruan dhe Pjetër Budi, duke dëshmuar në 15 shtator 1621 kur thotë; “Popujt e krahinës së Dukagjinit janë vazhdimisht në kryengritje kundër turkut… të gjithë me armët e veta, këta njerëz të vendosur dhe të vlertë sa ç’mund të ketë bota, dhe shumë të stërvitur në disiplinën ushtarake… deri tani i kanë bërë dëm shumë të madh turkut me pretimet e vazhdueshme, kanë rrënuar shumë qyteza e kështjella të turqve dhe përherë kanë dalë ngadhnjimtarë në të gjithë luftimet kundër turqve, armiqve të tyre kryesore”25. P Doci – sjell një dëshmi të marrë e të cituar nga një document që bën fjalë për vitin 1630: “… ata të provincës së Lezhës dhe së fundmi dukagjinasit mbi Krujë janë ngritur të gjithë kundër turqve dhe kanë 7 mijë vetë të aftë nën armë”26. [HR][/HR]Ky potencial i madh i kundërshtimit osman i shqetësonte qeverinë turke. Kjo ishte dhe arsyeja që Sulltani përgatiti një fushatë të madhe ushtarake që solli pasoja të rënda e rrënuese që zgjati rreth 3 vjet (1630-1633) dukagjinasit (mirditasit), nuk pranuan ta quajne vehten vasale të sulltanit, as për titull e vasalazhit, as për detyrë të haraqit”27. Në vitin 1648 mirditët bëjnë marrveshje me Venedikun dhe e riorganizuan qendresën. Rreth 8 mije luftëtarë mblidhen në Bulgjer (afër Rubikut) duke ardhur nga Kthella, Selita, Dibrri, blinishti, Lura e Fani të udhëhequr nga krerët e tyre si: Gegë Doda i Kaçinarit, Pepe Kol Lleshi i Kthellës, Pepë Kol Pepa i Selitës, Bibë Gjoci i Oroshit, Tuc Boci i Fanit etj. Venediku jo vetëm nuk i mbështeti por i preu në besë kryengritësit të cilët u sulmuan befasisht nga turqit në brigjet e Fanit e Matit ku ishin përqëndruar.
Njoftimet flasin për beteja të ashpra që sollën një gjakderdhje të madhe. Rreth 40 vjet më vonë (1690) nga dukumenta e kronika të shumta njoftohemi se Malsorët mirditas si; Kthellasit, Lura, Selita, Fani, Oroshi, Reci, por edhe Gashi bashkë me ta ngritën krye përsëri duke sjellë si më parë luftime, djegie, rënime e plaçkitje të ndersjellta. Për tre vjet me radhë dëmet qenë të rënda edhe në krahun e ushtrisë turke e cila u detyrua të tërhiqej duke lënë me mijëra ushtarë në fushën e betejës. [HR][/HR]Edhe këtë radhë malet qenë aleati më besnik e i sigurtë i mirditasve kryengritës. Në fillim të shekullit XVIII turqit vendosën të vinin taksa kullotave dimrore të mirditasve në Bregun e Matës, fushën e Lezhës, Zadrimës etj por dhe kullotave të Kelmendasve në fushën e mbi Shkodrës. Ky ishte një shkak për veprime e konfrontime fultarake në vitet 1714-1718 mes mirditasve e malsorëve me ushtri turke nga ana tjetër. Me mirditasit u bashkuan dhe rreth 2000 raja nga Mati, Kruja etj të cilët dhe ata nuk deshën të paguajnë taksa.
Kështu pushteti turk u vu në vështirësi serioze në gjysmën I të shekullit XVIII-të. Në fund të shekullit XVII dhe fillim të shekullit XVIII vihet re një fenomen i ri. Shumë krerë fisesh (bajraktare) u angazhuan përkundrejt autonomisë së tyre krahinore të merrnin pjesë në luftra që zhvillonte Turqia me fuqi të tjera. Jo vetem kaq por siç përmend dhe Pashko Vasa: Shqiptarët kanë veti të zhvilluara për luftë dhe këto veti ata i tregojne e i zhvillojnë duke marrë pjesë në beteja kudo që ndodhin. [HR][/HR]Ka të dhëna se qe më 1696 me kusht që tu njohë autonominë, të cilën e kishin ruajtur për më tepër se 2 shekuj me forcën e armëve, mirditasit pranuan të dërgojnë kontigjent luftëtarësh në ndihmë të ushtrisë turke në luftën Turko-Venete. Kjo lehtësoi mardhëniet e Mirditës me qeverinë turke. Po kështu shumë mirditas shkojnë në ndihmë të gospodorëve të Moldavisë e Vllahisë që ishin vasale të sulltanit.
Kushti që mirditasit të qëndrojnë ashtu siç janë (autonomë) me kusht që të ndihmojnë Perandorinë kur bënte luftë me të tjerët u përforcua dhe në vitet 1737-1739 gjatë luftrave turko-austriake. Kjo u vu re dhe në paqen e Beogradit të vitit 1739 e nënshkruar nga Sulltan Mahmuti I. Kulmin e lavdisë në këto luftra mirditasit e arritën në fultën e krimesë (1854) me në krye princin e tyre Bibë Doda. Formacionet luftarake me veshje malsore shqiptare dhe B Doda fituan famë jo vetëm në Ballkan por edhe Europe.
Turqia u detyrua ti japë B Dodës titullin Pashë (i pari katolik shqiptar që e merr këtë titull). Ndërsa Papa e nderon atë me urdhërin e Shën Gregorit. Në lidhje me këtë situatë të re Ami Bue shkruan: “Janë të përjashtuar nga taksat dhe nuk lejojnë asnjë turk të banojë mes tyre. Ata (mirditasit) merren vesh me autoritetet si një fuqi me fuqinë. …Por hija e madhe e Skënderbegut do të shpaguhet dhe ky popull trim do të arrijë ditët e lumtura të stërgjyshërve të vet”28.
 
Sipër