Historia e etnologjisë shqiptare.

A

Antoni

Vizitor
Historia e etnologjisë shqiptare.
nga MARK TIRTA

• Kohësia relative
Udhëpërshkruesit e ndryshëm dhe kronistët nga kohë të ndryshme: në lashtsi, në mesjetë, po dhe në kohë të re, në shkrimet e tyre na kanë dhënë materiale e mendime me interes shkencor për veçoritë etnokulturore të popullit tonë. Një gjë të tillë na e bëjnë të qartë dhe monumentet e dëshmitë e ndryshme arkeologjike të lashtësisë e ato mesjetare. Arkeologjia jonë për lashtësinë dhe mesjetën, në fund të fundit është një paleoetnologji; pra ajo është e pandarë nga etnologjia, në kuptimin e dhënies së veçorive të etnokulturës për një kohë të caktuar, për një vend e një bashkësi shoqërore të marrë në shqyrtim në këtë vështrim.

Duke qenë shkencë historike, etnologjia në lëmë të studimit ju përgjigjet dhe periudhave më themelore të historisë së popullit tonë. Natyrisht, etnologjia me problemet e metodën e saj të veçantë, i studion dukuritë, problemet e ndryshme në evolucion, duke tejkaluar sipas rastit dhe periudhat e veçanta historike, kur ka dëshme krahasuese për vështrim diakronik të gjërë. Ka dukuri a elementë të veçantë që fillojnë në lashtësi e vijnë deri në kohën tonë e studimi e interpretimi i tyre bëhet në bazë hulumtimesh diakronike e sinkronike, në bazë krahasimesh e përgjithësimesh që përkojnë me natyrën krejt të veçantë të etnologjisë.

Burimet e shkruara njohëse dhe interpretimet e tyre i kemi nga periudha të ndryshme historike. Burimet dokumentare dhe përgjithësimet, janë dy gjëra të ndryshme, por të lidhura pandarësisht në mes tyre. Edhe dëshmitë faktike të shkruara në vetvete kanë në to pergjithësime, interpretime, mendime të autorëve të kohës kur ato janë fiksuar. Edhe në përgjithësimet e interpretimet e dijetarëve ka doemos dhe përshkrime. Kemi këtu një lidhje dialektike në mes burimit dhe interpretimit shkencor. Natyrisht, mendimi shkencor pasqyron kohën përkatëse kur është shkruar.
Periodizimi i historisë së etnologjisë shqiptare do të ishte ky: 1. Lashtësia , nga koha e shfaqjes e dëshmive etnokulturore për parailirët dhe për ilirët e deri në periudhën e vonë romake.

Përfaqësohet nga autorët antikë grekë e romakë, nga mbishkrime e trashëgimi të artit të aplikuar dhe monumente arkeologjike. 2.Mesjeta para pushtimit osman , nga autorë e kronika të kohës, dëshmi kadestrale e kishtare, monumente arkeologjike. 3 . Pushtimi në shek. XV e deri në rënien e pashallëqeve shqiptare . 4. Rilindja kombëtare shqiptare(1831-1912) duke futur këtu dhe autorët që e vazhdojnë veprimtarinë deri në vitet 20 të shek. XX. 5 . Periudha e Pavarësisë (nga 1912 deri 1944). 6. Periudha pas Luftës II Botërore (nga viti 1944 e deri në ditët tona). Është e kuptueshme, në kufijtë midis periudhave prerje krejt të përcaktuar nuk ka; dukuritë etnologjike janë tepër të qëndrueshme në kalimin nga një periudhë në tjetrën, po natyra e burimeve dëshmuese ndryshon. Kjo ka të bëjë përgjithësisht me kohën kur janë shënuar dëshmitë a koha e monumenteve arkeologjike.
 
A

Antoni

Vizitor
Lashtësia. Ilirët

Lashtësia. Ilirët

1. Lashtësia. Ilirët
Përderisa ilirët janë stërgjyshërit e arbërve mesjetarë, pra dhe të shqiptarëve të sotëm, pjesë përbërëse e historisë së etnologjisë shqiptare është dhe etnologjia e ilirëve me burimet e saj dëshmuese. Këto burime na janë dhënë nga monumentet arkeologjike të zbuluara e të interpretuara nga arkeologët e ilirologët, nga etnologët; janë shkrimet e autorëve të vjetërsisë greke e romake, autorë bashkëkohës të ilirëve që shkojnë nga shekujt më të lashtë e deri në periudhën e vonë romake e në shekujt e parë të periudhës bizantine. Këtu përfshihen dhe parailirët e pellazgët për aq sa kanë të bëjnë me trojet e ilirëve e me përbërësit që do të formojën më vonë etnosin ilir, pra që nga periudha e bronxit e këtej, në mos dhe më tej. Etnologjia e ilirëve, me veçoritë etnike të tyre, është një objekt i rëndësishëm i kërkimeve paleoetnologjike, pra i etnologjisë së lashtësisë në trojet ku banonin më vonë arbërit mesjetarë.
Për trevën ilire e për popullatat ilire kemi pak të dhëna të shkruara nga aautorë të kohëve përkatëse, shkrime të vëzhguese të drejtpërdrejtë të gjendjes etnologjike të grupimeve të veçanta territoriale të ilirëve. Nuk kemi as edhe një libër të autorëve të lashtësisë që t'u jetë kushtuar tërësisht ilirëve, me shtrirjen e tyre territoriale e me veçoritë e tyre etnologjiek. Por, nga ana tjetër, shumë autorë grekë e romakë të antikitetit, në veprat e tyre, dikush më pak e dikush më shumë, na japin njoftime me interes për shtrirjen, jetesën e veçoritë e ilirëve, që nga më të vjetrit si Homeri, Herodoti, Hesiodi e tjerë, për të përfunduar te Anonimi i Ravenës që u takon shek. VII-VIII.

Në "Iliada dhe Odisea" të Homerit, (Homeri, Iliada, Tiranë, 1965; Odisea, Tiranë, 1976), shkruar në shek. VIII-VI para krishtit jepen të dhëna me interes për vende e popullata të trevës ilire, veçanërisht për atë pjesë territori që e quajmë Epir e që ishte më në kufi e në marrëdhënie ekonomike e shoqërore me grekët e kohës, për të cilën bëjnë fjalë dy veprat që përmendëm. Aty bëhet fjalë për fiset ilire si "perrebejt luftarake "; për tesprotët , për molosët , për peonët. Të dhëna me interes na jepen për Dodonën pellasgjike e lisin e gjatë fattregues ku shkonin njerzit nga të gjitha anët "për të mësuar" të ardhmen e fatin e tyre. Mësojmë aty mjaft gjëra për Butrintin, për burimet ekonomike në Epir, për zhvillimin e detarisë në Tesproti. Sipas Iliadës, jo pak popullsi nga fiset dardane, peone etj. morën pjesë në luftën e Trojës e se shumë heronj të përmendur ishin me origjinë dardane. Disa studiues ilirologë me argumente të ndryshme e bindëse kanë treguar se dardanët e Ilirisë dhe dardanët e Azisë së Vogël kishin lidhje gjenetike midis tyre.

Nga shkrimet e logografëve, që janë mjaft të hershme, nuk janë ruajtur, veçse copëza njoftimesh të përmendura nga autorë të mëvonshëm. Herodoti (484-425), "babai i etnologjisë, në veprën e tij (Herodoti, Istorija, Leningrad, 1972) na paraqet gjerësisht shumë vende e popuj që shteti e vërejti me sytë e tij, përshkruajti doke e zakone, mënyrë jetese e zhvillim të tyre në mbështetje të burimeve ekonomike që ata zotëronin. Herodoti është i pari qëpërmend në veprën e tij emrin "Ilir" dhe na përshkruan fiset ilire në tërësi që nga Panonia e deri në Ambraki, po dhe mesapët, japingët e daunët në Itali e deri te autoritarët, dardanët e peonët në pjesën lindore të Ilirisë, nga istrët e japodët më në veri e deri te tesprotët më në jug të Ilirisë. Fiset tesprote e malose i quan barbarë pra jo grekë. Ka përshkruar pellazgët që banonin në trojet ilire me doket e zakonet e tyre.

Një vend të veçantë në veprën e tij zënë arakulli i Dodonës e besime ilire e pellazge, me doke e zakone të tyre, natyrën e tyre luftarake, për burimet ekonomike në vise të Ilirisë. Herodoti na tregon se gratë peone ishin shumë punëtore: në një kohë gruaja bënte disa punë: në duar tjerrte lirin, në kokë mbartëte shtëmbën me ujë dhe njëherit, të lidhur te krehu për kapistre tërhiqte kalin që e çonte për t'i dhënë ujë.
Thukididi (jetoi rreth viteve 460-400 p.e.r.) në Historinë e luftës së Peloponezit (Thucydides, L'Histoire de Thucydide de la guerre du Peloponese, Paris, 1714, vëll. 1, 2.) na ka dhënë dëshmi të rëndësishme për jetën e karakteristikat e ilirëve, sidomos, për taulantët dhe në përgjithësi për fiset e Epirit,për qytetet antike Dyrrah, Apolloni e Butrint, për lynkestët në marrëdhëniet e tyre me Maqedoni e Greqi. Disa fise ilire e sidomos kaonët e enkelasit cilësohen popullsi trime e shumë luftarake.

Mendimatari i madh grek Aristoteli (384-322 p.e.r.), lindur në Stragira të Maqedonisë e vdekur në Eube, në veprat e tij faqe të tëra u ka kushtuar jetës, zakoneve e burimeve ekonomike të ilirëve sidomos në veprat (Aristoteli: De snimalum historiae. De mirabilibus auscultatiobus , Paris.) " Mbi historinë e kafshëve " dhe " Mbi mrekullitë e dëgjuara ". Ai na tregon se lopët e Epirit janë tepër të mëdha dhe se japin nga një shtëmbë e gjysëm qumësht në një të mjelur. Sipas tij janë shumë të përmendur qetë dhe qentë e fiseve epiriote. Aristoteli na tregon se në afërsi të Apolonisë del zjarr i vërtetë nga toka. Me sa duket është zjarr që ndizet nga gazi i vendeve naftëmbajtëse të kësaj treve. Ai ua ka bërë të ditur se ilirët e quajtur taulantë bëjnë verë nga mjalti; pasi i shtrydhin hojet (e mjaltit), i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan gjersa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin në enë prej balte dhe e lënë gjersa të mbetet gjysma, pastaj lëngun e shtien në enë prej druri. Këtu thonë se e lënë të fermentojë për një kohë të gjatë dhe bëhet verë". Ky autor shkruan se në viset e Tulantëve ka me shumicë serë që shpërthen nga toka me currila. Të dhëna të rëndësishme kemi prej tij dhe për bagëtitë në viset e Ilirisë; thotë se janë me shumicë, se pjellin deri 2 herë në vit edhe se në përgjithësi bëjnë nga dy e më shumë të vegjël.

Historiani i madh grek Plibi (rreth 200-120 para krishtit) në veprën e tij "Historitë" ka paraqitur të dhëna me interes për ilirët, karakterin e tyre luftarak, organizimin shoqëror, për zhvillimin e detarisë ilire (Polybei, Historiae Paris.); ai thotë se ilirët kishin një zotësi të veçantë për të ndërtuar anije. Në veprën e tij flitet dh për gjuhën ilire.

E rëndësishme është të përmendet dhe një vepër në vargje e shkruar nga gjeografi Skymni (që quhet dhe Pserdo Skymni); ai ka jetuar në shek. III-II para Krishtit e që na paraqet për Ilirinë ngjarje të shek. IV, po dhe V e VI para Krishtit. Në këtë vepër flitet se në brigjet e Adriatikut jetojnë më shumë se një milionë e gjysëm njerëz, pra ilirë. Diku na thotë se në Iliri ka një popullsi shumë të madhe, se aty ka shumë toka pjellore, se aty bagëtia pjellin binjakë. Sipas tij, në ilirë ka popullata që vetësundohen, por ka dhe nga ata që u bindën bizalajve e monarkëve, disa prej tyre banojnë në brendësi të Ilirisë, duke punuar tokën, të tjerë shtrihen anës së Adriatikut. Autori i përmend ata si të drejtë, mikpritës, me prirje për një jetë shoqërore korrekte e të hieshme.
Për jetën ekonomike, për doke e zakone të ilirëve të dhëna të rëndësishme gjejmë dhe në veprën e shkrimtarit romak M. T. Varroni (116-117 para Krishtit) "Mbi ekonominë fshatare". (M. T. Varronis, De re rustika , Milano, 1930) Ai thotë se oberari (njerëz me pagesë) që punojnë tokën, mbjellin dhe korrin bereqetet, gjenden me shumicë në Iliri. Është e zhvilluar shumë blegtoria në Epir dhe aty thuhet se, sipas zakonit të vendit, për çdo 100 dele ka një bari dhe për po kaq dhi ka dy bari. Aty tregohet se gratë ilire që janë të forta, punëtore e që merren me çfarëdolloj pune si edhe burrat.

Në veprën e historianit romak Tit Livi (69 para Krishtit, 17 të pas Krishtit) "Nga themelimi i qytetit" (Tit Livi, Ab urbe condita, Paris, 1915-1920), duke përshkruar luftrat në mes ilirëve e romakëve, na ofron dëshmi me interes për jetën shoqërore e ekonomike të trevës ilire.

Gjeografi i madh grek, Straboni (lindur në Amasia të Greqisë (63 p.e.r. vdekur më 20 e.r.) që ka jetuar në Romë, në librin e tij "Gjeografia" (Strabon, Geographia , Paris, 1915-1925) na jep njohje me interes për tërë trojet e krahinat e Ilirës, për doke e zakone të tyre, për jetën ekonomike, për popullsinë e migrimet e saj. Ai tregon se në tokat e Ilirisë (bashkë me Epirin) ishin të zhvilluara vreshtaria dhe ullishtat, sidomos në ultësirat bregdetare të saj; dardanët e kanë të zhvilluar muzikën, bashkë me fyej e veglat me korda: në Iliri përmend disa miniera ku nxirrej ari e argjendi, si në afërsi të qytetit Damastion, pranë malit Hem në Peoni e vende të tjera. Ari ilir ishte i përmendur në Romë. Straboni na thotë se dalmatët e rindanin tokën në pronësi në çdo tetë vjet. Ky autor na tregon se ardianët u shtynë prej romakëve nga ultësirat bregdetare për në brendësi të vendit. Në viset pranë Apolonisë ndizet zjarr që del nga toka e po aty ka me shumicë serë që shkrin nga ky zjarr. Autori na vë në dijeni se fiset e Epirit janë 14 e më të dëgjuar ndër ta janë koanët e mollosët. Mjaft të dhëna kemi prej tij për truallin e Dodonës, për rite e besime të lidhura me të.

Të dhëna të rëndësishme për ilirët na jepen në veprat "Historia e Natyrës" (C. Plini Secundi Naturalis historias, Paris, 1892) të Plinit Sekundi (lindur në Novum Komun të Italisë së Veriut më 23 pas Krishtit dhe vdekur i helmuar nga shpërthimi i Vezuvit më 79). Në këtë vepër flitet të thuash për tërë fiset ilire, për burimet ekonomike të tyre, të mbitokës e të nëntokës. Përshkruhen aty pasuritë nëntokësore në Dalmaci, në Dardani, pranë Damastionit; flitet për serën e afërsisë të Apolonisë së Fierit, për një lloj qymyri të Tesprotisë. Në Dardani nxirrej ar. Edhe burrat mbanin në llërë të duarve byzylykë prej ari. Bagëtitë e Epirit vlerësohen në mënyrë të veçantë për numrin e madh të tyre e cilësinë. Gjedhet epirote thuhet se janë të një race shumë prodhuese. Mësojmë nga kjo vepër për kultivimin e rrushit në viset e Ilirisë. Në trevën e Dyrrahut bëheshin shumë lloje rrushi të cilësisë së mirë. Aty përmenden dhe një seri legjendash e mitesh për fiset e ndryshme, për veprime magjike, besime. "Thuhet se nga të brendëshmet e kafshëve dilnin gjarpërinj; këtu nuk ka asgjë të pabesueshme, kur marrim parasysh se Pirrua kur flijoi ditën që u vra, krerët e bagëtive të therura u tërhoqën zvarrë dhe lëpinë gjakun e tyre".

Plutarku në "Jetët paralele" (Plutarchi, Vitae paralelae , Paris 1915) ka pasqyruar jo pak dukuri të jetës së ilirëve, mite e besime të tyre. Në mënyrë të veçantë në këtë vepër flitet për Epirin e Pirron e Epirit. Flitet këtu për flijime të ndryshme në Epir dhe për rite e parashikime në tempullin e Dodonës.
"Në fillim nuk e dallonim Pirron e Epirit se nuk kishte përkrenare, por pastaj kur e kuptoi këtë gjë dhe vuri përkrenaren, u njoh nga pupëza e lartë dhe nga briri i cjapit". Epirotët e pritën Pirron duke e përshëndetur me emrin "shqiponjë", "Është merita juaj, u tha ai, që unë jam shqiponjë, dhe si të mos jem, kur ju me armët tuaja më keni ngritur lart si me krahë të shpejta".
Historiani grek Apiani i Aleksandrisë (fundi i shek. I-vitet 70 shek. II) në veprën e tij " Historia e Romës " ( Historia romana , Romë 1939) jep njoftime gjerësisht për shtrirjen e popullatave ilire e jetën shoqërore të tyre. Të dhëna me interes gjejmë veçanërisht në "Librin" (pjesën) Illyrike. ai thotë: " Helenët quajnë ilirë ata që banojnë mbi Maqedoninë dhe Trakinë, që nga kaonët dhe tespratët deri tek lumi Istër … ndërsa gjerësia shkon prej maqedonëve dhe trakëve malorë tek peonët deri në Jon në rrëzë të alpeve ". Apiani shton se "ilirët janë të shumtë dhe për ta flitet ende, siç është e natyrshme, për një hapësirë tepër të madhe". Në veprën e tij na jepet legjenda e themelimit të Epidamnit dhe origjina e emrit Dyrrah.

Një vlerë të veçantë ka për etnologjinë e trojeve ilire vepra "Gjeografia" (Claudi Ptolemaei, " Geographi a", v. I, Paris, 1883) e dijetarit të Aleksandrisë Klaud Ptolemeu (i shek. II pas Krishtit), veçanërisht tabelat me emërvendet. Për trevën ilire na ka dhënë mjaft emërvende (qendra të banuara) të përcaktuara e që i njohim për herë të parë dhe në mes tyre dhe Albanoi e Albanopolis (albanët dhe qyteti Alban), me shtrirje diku në mes Krujës e Durrësit.

Për studime në vështrim etnologjik të rrugëve, të emërvendeve, tempujve e qyteteve shërbejnë " Itinerarët romakë " (Itineraria romana) (hartuar në shek. II pas Krishtit). Në to vërejmë lidhjet ekonomike e shoqërore në lashtësi në mes popujve të Ballkanit e të brigjeve të Adriatikut. Na janë dhënë aty tërë stacionet rrugore të lidhjeve krahinore e ndërkrahinore deri ndërballkanike. Në trojet ilire tre stacione rrugore emërojnë me emrin e faltores së Dianës, çka tregon se në Iliri kjo hyjni ka pasur një adhurim të veçantë, dëshmi e një tradite të lashtë vendëse të saj, pavarësisht nga ndikimet romake që i dhanë dhe emrin.

Nga veprat e autorëve antikë grekë e romakë mund të nxirren mjaft të dhëna për etnologjinë e ilirëve. Këtu kemi shënuar vetëm një pjesë të vogël e të përzgjedhur të tyre. Edhe nga shumë autorë të tjerë, veprat e të cilëve nuk janë përmendur këtu, kemi të dhëna me interes etnologjik për etnosin ilir. Për etnologjinë e Ilirëve është me shumë interes libri i ilirologut të mirënjohur A. Stipçeviç "Ilirët-historia, jeta, kultura", po dhe botime të tjera të këtij autori. (A. Stipçevic, Ilirët - historia - jeta - kultura , Prishtinë, "Rilindja", 1980.
 
A

Antoni

Vizitor
Mesjeta paraosmane

Mesjeta paraosmane

2. Mesjeta paraosmane
Harku kohor i Mesjetës para pushtimit osman përkon me afërsi me dy ndarjet kohore të para të saj: Mesjetën e herëshme dhe Mesjetën midise. Për të ndërtuar përbërjen etnologjike të arbërve mesjetarë të kësaj kohe, përsëri, ashtu si për ilirët, burimet i kemi mjaft të cunguara, copëza të mbetura andej e këtej. Luftrat, grabitjet, rrëmuja, i shkatërruan monumentet kulturore të shkruara apo materiale, ashtu siç u përshtaten dhe kërkesave të etnologjisë. Sot kemi në dorë një sërë dëshmish nga ato që ka nxjerrë në dritë arkeologjia siç janë stoli e mjete pune, ndërtime banimi, sociale e të kultit që pasqyrojnë jetën arbërore në Mesjetën e herëshme; kemi disa ndërtime e dëshmi kishtare siç është bazilika e Ballshit, mbishkrimi i Gëziqët e shek. XII-XIII, ai i Brarit i po asaj kohe, mbishkrimi i Karl Topisë në Elbasan, afreskat kishtare, ndër më të vjetrat ajo e Rubikut dhe e Vaut të Dejës. Këto dëshmi i përdorin në shkallë të gjerë arkeologjia e historia, por në një kënd special ato janë dhe burime të rëndësishme për etnologjinë, për të mësuar për jetën, për etnokulturën e kësaj bashkësie etnike.
Dëshmitë e shkruara, sado të pakta, janë me interes për studimet etnologjike të popullit tonë. Në mesjetën e herëshme arbërit përmenden si shtetas bizantinë ose si ndjekës të ritit përkatës. Nga shek. XI e këtej fillon e del dhe emri i tyre etnik, kur ata filluan të formojnë principatat e tyre autonome a të pavarura. Në shek. XIV-XV kemi dhe libra komplet, ose që në themel u kushtohen trojeve e popullatave arbërore.
Një ndër dëshmitë më të hershme për jetën e arbërve është "Ligji bujqësor" i shtetit bizantin që është zbatuar edhe në trevat fshatare të perandorisë bizantine në shek. VII-VIII pas Krishtit e që përbëhet nga 85 nene (Sbornik dokumentov po socialno-ekonomiçeskoj istorii Vizantii, Moskë, 1951, f. 103-109.). Këtu bëhet fjalë për jetën e rregullat e jetesës së bashkësive fshatare e nga studiuesit mendohet se u përket dhe trojeve arbërore; aty flitet mbi pronësitë e marrëdhëniet pronësore të tokës e të pasurisë së luajtëshme e të paluajtëshme, prodhime të tokës e blegtori. Në këtë kod vërehet ndarja periodike e tokës, siç na del bujqësia e me peshë dhe blegtoria, mbizotëron prona private e familjet e veçanta. Është e zhvilluar dukshëm vreshtaria e punëtoria se ka bërë të domosdoshme të hartohen dhe ligje të posaçme për to.
Që në shek. IX na dokumentohen ndarje krahinore të trojeve arbërore, me emërtimin e grupimeve kishtare si krahina e Durrësit (eparbia e Fisi i Ri), krahina e Dardanisë (eparhia), krahina (eparhia) e Dakisë ku përfshihet Nishi e Remesiana që i përmbledh lugina e Moravës. (U. Porhyrogenete. Imperium orientale sive Antiquitates Constantinopolitanae , Tom. I, Venecia, 1729, lib. II, f. 21.)
I një rëndësie jo të pakët për studimin e tipareve etnologjike të popullsisë arbërore është dhe "Statusi i tatimeve", që u zbatua në perandorinë bizantine në shek. X-XI, në tërë Ballkanin që përfshihej në atë organizim shtetëror. (Si sipër, f. 147-154)
Nga brendia e "Statutit të tatimeve" del se pronësia private mbi tokën, tashmë ishte një gjë e natyrshme. Nga studiuesit historianë mendohet se kështu është zbatuar dhe në trojet shqiptare. Sipas tij, një bujku që ka ikur nga pronat e tij e si rrjedhim nuk paguan taksa për të, ajo mund t'i merrej, duke e shpronësuar, vetëm pasi të kenë kaluar 30 vjet braktisje, duke e lënë tokën shkret. Deri në shek. XI arbërit mesjetarë nuk përmendeshin me emrin e tyre etnik, por sipas përkatësisë shtetërore bizantine, bullgare a sllave, ose sipas përkatësisë fetare bizantine, të ritit romak e tjerë. Për herë të parë emri arbër (arbanoi) na dëshmohet në veprën "Historia" e M. Ataliatit (M. Attaleiates, Istori a, Bon, 1853, kreu 9.) më 1038-1042. Këta arbër përmendën në prapatokën e Durrësit kur morën pjesë në revoltën e dukës së atij qyteti.
Për herë të dytë emri etnik i arbërve dhe i atdheut të tyre përmendet më 1078 në veprën "Aleksiada" të A. Komnenës (A. Comnena, " L'Alessiade ", Milano, 1846, libri IV, V, VI.). Arbëria (Arbanon) dhe arbën (arbërit) na dalin në kuptimin e një bashkësie territoriale të veçantë e të një shtrirje tokësore jo të vogël në Shqipërinë e Mesme (të emërtimit të sotëm). Në veprën e Komnenës përmenden qytete e krahina të tëra të trojeve arbërore si Dibra, Akrokeraune, Vlora, Kanina, Durrësi, Orikumi, Ballshi (Gllavinica), Devolli (Deabolis), Petrela, Vagenetia, Arta, Valmi, Drini, Kolonja, Ohri, Mokra, Pollogu, Butrinti, Prespa, Porto-Romano, Sllanica, Drioni, Shkumbini, Janina, Himara, Berati, Apollonia, Kostur etj. Përmenden në mënyrë të veçantë ngushticat e shtigjet rreth Arbërit. Arbri (Arbanon) del këtu në kuptimin e një krahine të gjerë, me fshatra, qytete e popullsi të dendur. Këtu paraqiten dhe krahina e qytete të ndryshme të trojeve arbërore.
Me mjaft interes është Anonimi i vitit 1308, i zbuluar nga Gorkia (O. Gorka, Anonimi deskriptio Europae Orientalis, Anno 1CCCVII Cracoviae, 1916. Shih dhe "Burime për historinë e Shqipërisë", Tiranë, 1962, vëll. II, f. ), në të përmenden disa krahina arbërore. Aty thuhet se kjo është një krahinë tepër e madhe e ka banorë të shumtë dhe janë luftëtarë të mirë; vendi është i pasur me bagëti, djathëra, qumësht, bukë e verë nuk ka shumë, por për bujarët ka me tepricë (bukë e verë). Krahinat e përmendura: Këlcyra, Tomorica, Kunavia, Stefanajka; Pulti, Dibra që ushtrojnë e rrisin vreshta e këta ushtrues të bujqësisë e vreshtave janë popullsi e ngulur. Theksohet se Arbëreshët kanë gjuhën e tyre të veçantë.
Bulat e Deçanit të lëshuara nga princët serbë (më 1330, 1337, 1347, 1348, 1350) kanë vlërë të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve pronësore në trojet arbërore verilindore, në Kosovë e në pjesën veriore të Shqipërisë. Flitet për popullsinë, për fshatrat, për zhvillimin e bujkrobërisë në ato vise. Përmenden popullsi arbërore në disa fshatra. (S. Novakoviç , Zakonski spomenici srpskih drzava srednega vecova , Beograd, 1912, f. 608-620, 6576661, 718-725)
Kadastra veneciane e Shkodrës e vitit 1417 jep një material të gjithanshëm për marrëdhëniet pronësore në ultësirat e Mbishkodrës e të Nënshkodrës (I. Zamputi, Regjistri i kadastrës dhe koncensioneve për rrethin e Shkodrës). Nga kjo vërejmë se bujqësia ze një vend të konsiderueshëm në jetën e burimet ekonomike të fshatarësisë. Mbizotërojnë fshatrat me kufinj të caktuar, me prona private, me detyrime vjetore ndaj shtetit venecian. Çdo fshat ka në krye nga një fisnik. Kemi në këtë trevë një popullsi me kulturë ekonomike të jetës së ngulur ku kultivohen bimët bujqësore si meli, gruri, thekri, pemë e sidomos vreshtat. Fshatrat në përgjithësi, përbëhen nga familje me prejardhje të ndryshme e jo lidhje fisnore sipas vendbanimit. Shkoddra na paraqitet si një qendër e rëndësishme ekonomike. Në disa pika janë vënë dogana për hyrje e dalje të mallrave nga jashtë.
Kadastra e parë turke e vitit 1431-1432 e përmbledh gjithë hapësirën e pushtuar arbërore në sanxhakun e Arbërisë e që shkonte që nga Mati e deri në Çamëri në Jug (H. Inalçik, Suret-i defter-i sangahi arvanid , Ankara, 1954). duke na dhënë këtu numrin e fshatrave, të shtëpive, të kryefamiljarëve e të vatrave me vejusha, po kështu dhe taksat në akçe; kjo është një pasqyrë e qartë për jetën ekonomike e shoqërore të krahinave të ndryshme shqiptare të asaj kohe.
Kronika e G. Muzakës (Ch. Hopf, Chroniques Greco-Romanes inedites ou peu connye , Berlin, 1873, f. 270-340, 352.) shkruar në fillim të shek. XVI na jep të dhëna të rëndësishme për pronat tokësore të fisnikëve shqiptarë në shek. XIV-XV, për nivelin ekonomiko-shoqëror të vendit. Duke na dhënë jetëshkrimin e fisnikëve shqiptarë, paraqet qartë krahina të ndryshme të trojeve tona si Myzeqeja, Mokra, Devolli, Dibra, Çermenika, Shpati, Mati. Fisnikët shqiptarë kishin zotërimet e tyre e bënin krushqira me princër të mirënjohur të Ballkanit e të Italisë.
Marin Barlet na ka lënë dy vepra të plota e me një material të gjerë, kushtuar tërësisht shqiptarëve e qendrësës së tyre antiturke në shek. XV, "Rrethimi i Shkodrës", "Historia e Skënderbeut" (M. Barleti, Rrethimi i Shkodrës , Tiranë, 1966, po ai, Historia e Skëndërbeut, Tiranë, 1966). Në këto vepra mund të çëmtohen mjaft të dhëna etnologjike për shqiptarët; për emërtimet etnike e etnologjike, për shtrirjen e trojeve shqiptare, për popullsinë, krahinat e veçanta, shtresat e ndryshme shoqërore e fisnikët shqiptarë. Aty pasqyrohen dukuri për burimet ekonomike, shkëmbimin e nivelin e organizimit shoqëror, për doke e zakone. Janë të spikatura në këto vepra karakteristika të shqiptarëve si dashuria për atdhe, psikologjia e vetmohimit për të ruajtur lirinë, trimëria e pashoqe e cilësitë e veçanta luftarake, prirja për të ruajtur bashkimin e vëllazërimin, nderimin për besën shqiptare e forcën e saj, për lidhjet kombëtare e luftarake. Në disa raste na jepen përshkrime të popullsisë në krahina të veçanta e shtrirjen e tyre, fisnikët e pasuritë e tyre.
Kufij ndarës në mes kohës para pushtimit osman dhe asaj të pushtimit osman nuk mund të vihen në mënyrë të prerë; në disa vështrime kanë midis tyre vazhdimësi ndërlidhëse të pasqyruara në shkrime të ndryshme të kohës.
 
A

Antoni

Vizitor
Periudha e sundimit Osman

Periudha e sundimit Osman

3. Periudha e sundimit Osman
Për njohjen e gjendjes etnologjike të trojeve shqiptare nga fundi i shek. XV e gjatë shek. XVI një vlerë të veçantë kanë regjistrat e Kadastrës Osmane. Ato kanë të dhëna të konsiderueshme për burimet ekonomike, për sasinë e familjeve, për vendbanimet, për popullsinë, për zeje e veprimtari të ndryshme shoqërore, për ndarjet krahinore e lidhjet ndërkrahinore.
Një regjistrim kadastral i përgjithshëm i popullsisë së krishterë të Ballkanit bërë në vitet 1490-1491 dhe botuar në Sofie nga Todorov e Velkov, na tregon se në trojet arbërore banonte një popullsi e konsiderueshme, e ndarë sipas vilajeteve (që këtu përputhen në ndarjen krahinore gjeoetnografike) me fshatra e me familje të veçanta. Duke konsideruar troje shqiptare gjithë ato vende ku në mesin e shek. XIX flitej shqip; pra ku banonin shqiptarë më 1491 kemi një popullsi që i kalon 2.000.000 banorë. (N. Todorov, A. Velkov, Situation demografique de la Péninsule balkanique -fin du XveS, début du XVIeS. - Sofia, 1988) Aty jepet vetëm numri i familjeve e jo njerzve, po i kemi llogaritur familjen me një mesatare rreth 7 vetë. Është me interes të shënohet se kudo vendbanimet vëllehe janë ndarë si bashkësi shoqërore në vete, që nuk duhen përzier me popullsinë tjetër, sadoqë nuk e dimë shkallën e asimilimit në popullsinë shqiptare, duke qenë se banojnë në midise të tilla.
Afërsisht këtë sasi popullsie a diçka më pak na japin për trojet arbërore dhe regjistrat e tjerë të shek. XV-XVI për vise të ndryshme të trojeve shqiptare, si regjistri i Sanxhakut të Shkodrës, ata të viseve të Kosovës. (S. Pulaha, Krahinat verilindore të Sanxhakut të Dukagjinit - Hasi dhe popullsia e tyre në gjysmën e tyrë të shek. XV , Gjurmime albanologjike, seria: Historia, Prishtinë 1972, f. 185-336; S. Pulaha, Lufta shqiptaro-turke në shek. XV, Burime osmane, Tiranë 1968; S. Pulaha, Defteri i regjistrit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485 I. Tiranë 1974; S. Pulaha, Popullsia e Kosovës në shek. XV-XVI, Tiranë 1984. Në Arkivin e Institutit të Historisë ndodhen dhe një seri tjetër regjistrimesh kadastrale në shek. XV si ai i Vlorës, i Delvinës, i Dukagjinit, i Dibrës, i Janinës) Në këto regjistra kadastralë na bëhet e njohur popullsia si sasi familjesh, burimet ekonomike bujqësore, fshatrat dhe sistemi i timareve në viset shqiptare. Këto të dhëna na flasin për fshatra të qëndrueshme, për prodhime bujqësore si grurë, thekër, elb, urof, tërshërë, mel, për pemtari, për vrështari dhe në krahinat më malore të vendit tonë. Pra në këto kadastra nxjerrim një sërë të dhënash etnologjike për jetesën e burimet ekonomike, popullsinë, shpërndarjen territoriale të popullsisë arbërore në trojet e saj në shek. XV-XVI (S. Shkurti, Arat në mesjetë ).
Burime me vlerë për etnologjinë shqiptare janë dhe veprat e shkrimtarëve të vjetër të Veriut si Gj. Buzuku ( Meshari i Gjon Buzukut (1555), botim kritik nga E. Çabej, pj. II, Tiranë, 1968), S. Budi (P. Budi, Pasqyra e të rrëfyemit , Romë, 1621), F. Bardhi (F. Bardhi , Dietionarium latino-epiroticum, Romë, 1635; Apologjia e Skenderbeut, Tiranë 1956), dhe P. Bogdani (P. Bogdani, Cuneus propfetarum, Padovë, 1685), po kështu dhe L. Matranga (L. Matranga, Embësuame e kërshterë , Romë, 1592) për trojet shqiptare të jugut. Në këto shkrime njohim ndarjet dialektore të popullit shqiptar; kemi aty të dhëna për proceset etnologjike që zhvillohen në vendin tonë. Te Buzuku në "en së dashtunitë së botës sonë" del koncepti i atdheut dhe elementet e humanizmit te ky njeri e në shoqërinë shqiptare të kohës. Me anë të leksikut e të frazeologjisë së këtyre shkrimeve na bëhen të njohura mënyra e jetesës së popullit tonë, mjeshtri e zeje, burime ekonomike, dukuri të njësisë etnike të kombësisë shqiptare, po kështu dhe karakteristika të shqiptarëve si shpirti luftarak, dashuria për atdheun, trimëria, dëshira e madhe për të zhvilluar gjuhën e kulturën shqiptare. Në "Apologjia e Skënderbeut" e Frang Bardhit spikat një atdhedashuri e madhe, përpjekje për t' konfimuar kombësisë shqiptare lavdinë e saj të kaluar; në fjalorin latinisht-shqip të Bardhit ka emra që i takojnë sferës bujqësore; edhe mitologjia e besimet popullore zënë një vend të veçantë në të. Te Bogdani në "Cuneus Prophetarum" flitet dhe për trimëritë e shqiptarëve. Kelemendasit me bukë melakuqe e ujë "këcenjënë si drenjtë". Pra flitet për një popull trim e tërë energji e gjithnjë i shquar në luftra. Aty flitet dhe për sibilat arbërore e për Zanat e maleve tona e disa veçanësi të tyre.
Për mesjetën, ashtu siç ndodh dhe për kohën e re, ka dëshmi të ndryshme, të shkrutra që përmbajnë të dhëna me interes për studimet etnologjike; dëshmi të tilla përdoren dhe nga historiani për nevojat e në vështrimet e tij, po përdoren dhe nga etnologu për interesat e tij e në vështrime të caktuara. Këto botime i kanë bërë thuajse gjithnjë historianët e pra ata u kanë dhënë me rëndësi në botime e në përzgjidhje dëshmive që flasin për luftime, për fitore e humbje, për mbledhje e vendime e më pak kanë botuar nga ato që flasin drejtpërdrejt për jetën e popullit e të krijimtarisë së tij shoqërore, udhëpërshkrime të autorëve të ndryshëm etj.
Burimet dëshmuese historike janë me rëndësi të veçantë për pasqyrimin e jetës shoqëroe të kohës, e veçoritë etnologjike ( Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë , Tiranë, 1962, vëll. II, III, etj).
Burime me të dhëna të shumta etnologjike paraqesin relacionet e vizitorëve apostolikë për Shqipërinë Veriore e të Mesme në shek. XVI-XVII deri në shek XIX. Në këto dëshmi, krahas gjendjes së veprimtarisë kishtare pasqyrohen dukuri të jetës së popullit, fshatra, krahina, sasi popullsie, burimet ekonomike, doke e zakone, virtyte, mite e besime popullore. Në relacionin e M. Bicit më 1610 tregohet se popullsia e Fandit (Mirditë) nuk donte ta pranonte kalendarin e ri gregorian se, sipas besimeve të tyre, "u dëmtoheshin bereqetet". Ato i deklarojnë Bicit se që kur është vënë kalendari i ri, ata kanë pasë të korra më të pakta. ( Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Mesme dhe Veriore , në shek. XVII, vëll. I, 1962, vëll. II, 1965 -përg. nga I. Zamputi)
Për interesat e studimeve etnologjike është botimi "Kuvendi i Arbërit " (Kuvendi i Arbërit , 1703, Roma 1706), materiale të një mbledhje kishtare bërë në Mërqi të Lezhës më 1703. Aty flitet për krahina të Shqipërisë Veriore e të Mesme, për jetën ekonomike që ishte mjaft e varfër në atë kohë. Përmenden emërtimet "Dheu i Arbërit", "Dheu i Postëribësë", "Dheu i Shkodrës". Aty bëhet fjalë për shpërngulje të popullsisë nga një territor në një tjetër në ultësirat bregdetare të Shqipërisë veriore.
Disa udhëtarë, po dhe njerëz të ditur, diplomatë e misionarë, në fund të shek. XIX dhe fillim i shek. XX në veprat e tyre voluminoze na kanë lënë të dhëna të shumta etnologjike për shqiptarët jo vetëm në trojet e tyre, por dhe në ngulimet e diasporës shsqiptare. Të dhënat janë të natyrave nga më të ndryshmet. Këta autorë janë të shumtë, po këtu do të bëhet fjalë vetëm për më të spikaturit prej tyre.
F.C.H.I. Pukëvili, udhëpërshkrues e studiues mjaft i vëmëndshëm, na ka lënë disa vepra që flasin për Shqipërinë e shqiptarët në trojet e tyre (F.C.H.I. Pouqueville, Voyage en Morée, à Constantinopole, et Albanie et dans le plusieurs autres parties de l'Empire Othoman pendant les années 1798, 1799, 1800, 1801, Paris, 1805, në tre vëllime; po ai, Voyage dans la Gréce, Paris, 1920-1921, 5 vëllime; po ai, Historie de la génération de la Gréce… depuis 1740 jusqu'en 1824, Paris, 1925, 4 vëllime), veçanërisht në Shqipërinë e Jugut e në diasporë. Në këto vepra kemi të dhëna etnologjike për shqiptarët në vendet ku kaloi. Në veprën "Udhëtim në More, në Konstandinopol, në Shqipëri "jep karakteristikat e shqiptarëve që e shoqëronin dhe për arbëreshët e Greqisë. Në vazhdim flet për jetën ekonomike në zotërimet e Ali Pashë Tepelenën; burimet ekonomike, vlera e të ardhurave, veçori të organizmit shoqëror. Ka dhënë përshkrime të hollësishme të disa krahinave e qyteteve të Shqipërisë së Jugut, të Çamërisë, Janinë, Butrint, Delvinë, Sarandë, Zagori, Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Himarë, Berat, Sul etj.; shkroi dhe për krahinat veriore të vendit si për Shkodrën e fshatrat e saj, Prizrenin, Tivarin, Ulqinin. Na ka dhënë dhe një pjesë të veçantë kushtuar dokeve e zakoneve të shqiptarëve. Në veprën "Udhëtim në Greqi", përsëri na jep përshkrime të krahinave e qyteteve të Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme e deri në Lezhë. Jep të dhëna për fiset, besimet, doket e zakonet e tyre. Në veprën e tij flet për veprat hidraulike të shqiptarëve në vise të ndryshme të Ballkanit, në Turqinë aziatike. Ka folur me shumë simpati për arbëreshët e Greqisë si punëtorë e bujq të mirë që e kanë shndërruar e lulëzuar natyrën e vendbanimin e tyre. Në vëllimin 5 të "Udhëtime në Greqi" na ka dhënë dhe një histori të plotë të Sulit (Çamëri) dhe të Epirit në përgjithësi.
Afërsisht në një kohë me Pukëvilin kryen kërkime në arbëreshët e Greqisë e në Shqipëri një udhëtar tjetër me emër, anglezi Uliam Martin Lik, gjeograf e topograf, i ngarkuar nga qeveria angleze me detyrën e studimeve topografike ushtarake në Ballkan e më vonë dhe si diplomat për pak kohë pranë Ali Pashë Tepelenës. Për herë të parë në Athinë vjen më 1802 e bie në kontakt edhe me arbëreshët e Greqisë e ngulimet e tyre. Në tokën shqiptare do të shkelë për herë të parë më 1804. Ndërmerr udhëtime nëpër Shqipëri disa herë deri më 1810, në mënyrë të veçantë në Shqipërinë e Jugut.
Përfundimet e kërkimeve të tij në këto udhëtime po dhe përshtypjet e përshkrimet faktike do t'i japë më vonë në veprat "Kërkime në Greqi" (1814), më gjerësisht në "Udhëtime në Greqinë e Veriut" (1935), po dhe në "Udhëtime në More" (1930), në "Përmbledhje historike e revolucionit grek"; (Ë. M. Leake, Travels in Grece , London 1914, po në Travels in the Morea . London 1830 në tre vëllime, po ai, An historical antline of the Grece Revolucion , 1826) aty flet jo pak për arbëreshët e Greqisë, për çamët e sidomos për suliotët.
Liku që në veprën e tij të parë, gjë që do ta zgjerojë e thellojë në veprat e mëpastajme, bën një ndarje gjeoetnologjike të trojeve shqiptare, në njësi më të vogla e në të tjera më të mëdha. Shkruan dhe për të ashtuquajturat "lidhje farefisnore", sipas të cilave ndahen e grupohen krahina të ndryshme. Duke bërë udhëtime në Shqipërinë e jugut e në Çamëri shkruan se ato qendërbanime, ato treva janë shumë të populluara, bile më të populluarat në Perandorinë Osmane.
Në "Udhëtim në More" paraqet shumë të dhëna për arbëreshët në krahina të ndryshme të trojeve greke si në Argolidë, në Atikë, në Beoti, në Hidër, Lalë, Bardunias. Ndalet në ngulimet e shumta arbëreshe të Korinthit. Përshkruan jetën dhe veprimtarinë e arbëreshëve të atyre vendeve duke i treguar si shembull përparimi. Ai thotë se arbëreshët e Hidrës, nga një vend i shkretë e kanë kthyer atë në një tokë të lulëzuar e të begatë, për banorët e atjeshëm. Në shkrimet e këtij autori flitet dhe për përhapjen e veshjeve shqiptare në popullsinë greke, për doke e zakone të këtyre arbëreshëve.
Me interes për etnologjinë shqiptare është dhe vepra e arbëreshit A. Mash "Ligjëratë për prejardhjen, zakonet dhe për gjendjen aktuale të kombit shqiptar" (A. Masci,Discorso sull'origine, costumi e stato attuale della nazione albanese , Napoli, 1807). Aty bëhet fjalë për origjinën, lashtësinë dhe vendshtrirjen e popullit shqiptar, duke e bazuar dhe në të dhënat e autorëve të lashtësisë. Një vend i dukshëm u është kushtuar dokeve e zakoneve të shqiptarëve. Paraqiten aty kolonitë arbëreshe në mbretërinë e Napolit me historinë e shpërnguljeve të tyre, gjendja e tyre ekonomiko-shoqërore e mjeruar.
XH. K. Hobhaus bëri një udhëtim në Shqipëri në vitet 1809-1810 në shoqërim të mikut të tij të ngushtë Xh. Bajron. Të dhëna etnologjike me interes, të mbledhura në këtë shëtitje, i ka dhënë në librin "Udhëtim për në Kostandinopojë përmes Shqipërisë dhe provincave të tjera të Turqisë" (J. C. Hobhouse. A journey thorugh Albania, and other province of Turkey in Europe and Asia, to Constantinopole, during the years 1809 and 1810 , London, 1813). Përshkruan me hollësi fshatra e qytete të Shqipërisë së Jugut ku ai kaloi; ndalet në gjendjen ekonomike e shoqërore të popullsisë së kësaj treve. Jepen aty të dhëna për ndarjet gjeo-etnologjike, etnike e administrative të trojeve shqiptare. Përshkruhen doke, zakone, mënyrën e jetesës së popullsisë, karakteristikat e shqiptarëve e sidomos ndjenja e theksuar e tyre e kombësisë, dashuria e pakufishme për atdheun.
Për cilësitë fisnike të shqiptarëve flitet në letrat me emër të Bajronit dërguar nënës së tij, mendime që ky poet i ka shprehur dhe në veprën e tij "Çailld Harolld", që e kemi të botuar dhe në shqip. Ai shkruan se shqiptarët në fjalët e veprimet e tyre janë të çiltërt (të sinqertë) ndryshe nga fqinjët e tyre që janë me shtirësi (hipokrizi); shqiptarët në punët, në veshje e në shpirtin e tyre janë fisnikë e të besës.
Një udhëtar i spikatur i kësaj kohe është dhe anglezi Tomas Smaat i cili ka rënë në kontakt me arbëreshët e siçilisë, me popullsinë e Shqipërisë së Jugut e me arbërorë të Greqisë në vitet 1812-1814. Vrojtimet e tij për Shqipërinë e shqiptarët i ka paraqitur në librin e tij dyvëllimësh: "Udhëtime në Siçili, në Greqi dhe në Shqipëri" (Th. S. Hughes, Travels in Sicily, Greece and Albania , London, 1920. Është botuar dhe në gjermanisht e frengjisht më 1921). Jep të dhëna etnologjike për arbërorët e Argosit në Greqi, për popullsinë e jetën e banorëve në rrethin e Janinës. Janë përshkruar jeta e punët e përditëshme të banorëve në Janinë, në fshatra e qytete të Shqipërisë së Jugut. Paraqet doke, zakone, këngë e valle të shqiptarëve, po dhe veshjet karakteristike të popullsisë. Ka përshkruar një dasëm shqiptare bashkë me doke e virtyte të njerëzve të këtij kombi. Janë pasqyruar në këtë vepër vrojtime të rëndësishme për marrëdhëniet agrare në Shqipërinë e Jugut e për nivelin e zhvillimit ekonomik të trojeve shqiptare. Përshkruan fushën e Dropullit të kultivuar me shumë kujdes, fshatrat anash me popullsi të dendur. Ky autor ka vizituar dhe rrënojat e Kardhiqit dhe Sulin për të cilët na flet gjërë. Në Siçili takon ushtarë arbëreshë që i quan me "të veshur e të armatosur madhërishëm". Këtij udhëtari ata i ngjajnë me herojt e Homerit.
 
A

Antoni

Vizitor
Rilindja Kombëtare shqiptare

Rilindja Kombëtare shqiptare

4. Rilindja Kombëtare shqiptare
Rënia e pashallëqeve të mëdha shqiptare në fillim të shek. XIX, lëvizjet e fuqishme çlirimtare të popujve të Ballkanit, ndër ta dhe të popullit tonë, Reformat e Tanzimatit që u ndërmorën nga shteti Osman për ta shpëtuar Perandorinë nga gremina, së cilës i ishte afruar, kushtëzojnë një etapë të re në kërkimet albanistike në këtë mes dhe në atë të etnologjisë shqiptare. Këto veprimtari kërkimore e botuese në fushë të etnokulturës shqiptare janë pjesë përbërëse e asaj lëvizjeje të madhe shoqërore, kulturore e politike që ne e quajmë Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Çdo shkallë ngjitëse e zhvillimit shoqëror, sidoemos në kthesat e mëdha historike, është shoqëruar me mendime të reja, me vlerësime të reja për trashëgiminë etnokulturore të së kaluarës. Kjo duket qartë në kërkimet albanologjike gjatë periudhës së Rilindjes sonë kombëtare. U bënë kërkime e vlerësime sipas një këndvështrimi krejt të ri për pasuritë etnologjike të trashëguara gjatë shekujve e të zhvilluara në komunitetin etnik shqiptar, brenda trojeve të tij e në diasporë.
Kërkimet e vlerësimet në fushën e etnologjisë shqiptare në këtë periudhë do t'i ndajmë në dy grupe: 1. autorë të huaj: kërkimtarë vjerësishë, udhëtarë e diplomatë; 2. autorë shqiptarë: veprimtaritë e Rilindjes.
Shkrimet e të huajve janë shumë më tepër se më parë. Ajo që ka më rëndësi, ato janë më të thelluara: i shohin dukuritë etnologjike në një këndvështrim më të gjerë, më analitik e krahasuese. Në përgjithësi kanë seriozitet shkencor e nisen nga qëllime humanitare: të venë në dukje e të shpjegojnë të vërtetat shkencore në mënyrë objektive, për aq sa lejonte koncepti i kohës. Të tillë ishin A. Bué, J. Myller, J. Gj. Hahn, J. Th. Fallmeraier, H. Heckard, M. E. Durham, F. Nopça, A. Degrand, A. Balduçi etj. Autorët e huaj, seriozë, duke paraqitur të vërtetat shkencore, synonin të shpjegonin, apo dhe të orientonin dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë sipas interesave të shteteve nga financoheshin këta dijetarë. Kishte dhe një grup tjetër studiuesish të cilët gjendjen etnologjike të trojeve shqiptare e paraqitën në një dritë të shtrembër, siç ishin disa autorë serbë, ndër më të njohurit J. Cvijiq, (Autorë si Nopça, Durham, Lamberc, Hashick etj do t'i paraqesim në periudhën e Pavarësisë meqënëse aty i kanë shkrimet më të shumta të tyre. Veprimtaria e tyre shtrihet në dy periudhat).
Ndër autorët e huaj që janë kaq të shumtë, do të zëmë në gojë kontributet e pak prej tyre.
Shkencëtari A. Bué. Një vend jo të pakët në veprat e tij ua kushtoi problemeve të etnologjisë shqiptare (A. Boué, La Turquie d'Europe … Paris, 1840 në 4 vëllime, A. Boué , Sur l'établissement de bonnes routes et surtout de chemins de fer dans la Turquie d'Europe , Vienne, 1852, A. Boué, Recueil d'itinéraires dans la Turquie d'Europe , Vjenë, 1854, në dy vëllime), kryesisht në veprën "Turqia Evropiane" në 4 vëllime; vëllimit të dytë i ve nëntitullin "Etnologjia". Me rëndësi është dhe punimi i tij kushtuar rrugëve të Ballkanit, (1852) dhe vepra "Itinerarët" në dy vëllime (1953). Në veprën e tij kryesore ka paraqitur të dhëna për popullsinë sipas krahinave e qyteteve. Popullsinë shqiptare në trojet e veta e vlerëson për më shumë se 1.600.000 banorë, po i ka marrë trojet shqiptare më ngusht se sa ishin në të vërtetë. Ka paraqitur aty dëshmi me shumë interes për doket e shqiptarëve, për veshjen e mënyrën e jetesës në shoqëri e familje. Vemendje të veçantë u ka kushtuar burime ekonomike të popullit tonë si bujqësia, ndonëse primitive në mjete, por e pranishme kudo, blegtoria, tregëtia, rrugët me karakter krahinor e ndërkrahinor. Jepen mendime për shqiptarët si komb dhe për ardhshmërinë e tyre. Me shumë interes është studimi për rrugët e Ballkanit ku tregon se si kanë funksionuar tradicionalisht e si do të jenë në të ardhmen, duke parashikuar dhe hekurudhat tej e tej Shqipërisë e lidhjet e tyre me vise të ndryshme të Ballkanit e të Evropës, vragë hekuri nga Prizreni në Shkodër, nga Shkupi në Shqipëri të Mesme e kështu më tej. Bué ka meritën se i pari ka bërë studim të plotë e me hartë të rrugëve shqiptare; i pari e ka për etnologjinë shqiptare në rrafsh krahasues ballkanik, i pari flet gjerë e qartë për ciklin e kreshnikëve e natyrën e tij. Ai ka ndjekur me kujdes përhapjen territoriale të popullit shqiptar deri në Novipazar duke argumentuar dhe autoktoninë e tyre në ato vende, sadoqë në shkrimet e tij për këtë ka kundërthënë.
Albanologu që u muar me etnologjinë shqiptare e që zgjidhi problemet me kompetencë shkencore më të arrirë qe J. G. Han (1811-1869). Arritjet e gjurmimeve të tij i paraqiti në kryeveprën "Studime shqiptare" (1854) dhe në veprat "Udhëtime në krahina të Drinit e të Verderit" (1867), në "Përralla greke" (1864), në "Studimet e shkencës në gojëdhana" (1872-1876) (J. G. fon Hahn, Albanesische studien , Jena 1854; J. G. fon Hahn , Raise durch die Gebiete des Drin und Wardar , Vjenë 1867. J. G. fon Hahn, Griechische und albanesiosce marchen Vjenë , 1864; J. G. fon Hahn, Sagwissensetra et liche studen , Viene 1872-1876" - dy vëllime). Në kryeveprën e tij dhe në "Udhëtime", paraqet mjaft materiale etnologjike e folklorike për krahina të ndryshme shqiptare; ka shqyrtuar dukuri të marrëdhënieve të bashkësive fshatare e krahinore; flet për zakone familjare për martesë e ceremoni të dasmës sidomos në Rrëzë të Tepelenës e të Gjirokastrës. Ka hulumtuar për rite të varrimit, për institucionin e kumbarisë, për hakmarrjen; ka shkruar për mitologji e besime popullore si ora, gjigandi, vitorja, vampiri etj. Ka paraqitur një pasqyrë të gjërë për tregëtinë, zejet, kurbetin, ngulimet shqiptare të diasporës. Kudo që shkoi si në Janinë, Delvinë, Gjirokastër, Shijak, Durrës, Krujë, Shkodër, Prizren, Prishtinë e tjerë, mblodhi materiale interesante etnologjike e folklorike e i botoi. Ka shkruar për shtrirjen territoriale të popullit shqiptar e për trojet e stërgjyshërve të tyre ilirve duke përfshirë këtu dhe Maqedoninë e Epririn, si troje që etnikisht kishin të bënin me ilirët. Luginën e Moravës e qarkun e Nishit, Maqedoninë Perëndimore i vërteton me eksplorime se ishin të banuara kryesisht nga shqiptarë e enklavat sllave ishin të pakta në ato vise.
Një grup më vetë përbëjnë rilindasit tanë, të autorëve të trojeve shqiptare e të diasporës. Shkrimet e tyre si dhe veprimtaria shoqërore praktike që ndërmorën ata qenë të lidhura ngushtë me problemet e çlirimit kombëtar e shoqëror. Në ndihmë të propagandës së tyre atdhetare ata iu drejtuan traditave popullore shqiptare, virtyteve të populli tonë, si besa, trimëria, mikpritja, aftësitë luftarake e veçanësitë liridashëse të shqiptarëve. Nuk qenë etnologë e as folkloristë të mirëfilltë, po në shkrimet e tyre kanë paraqitur jo pak të dhëna me interes nga etnokultura shqiptare; bënë dhe interpretime të dukurive të kësaj natyre; u munduan të shpjegojnë dhe natyrën e tyre të lashtë vendëse me origjinë që nga ilirët e pellazgët; në këtë vështrimin e fundit disa herë ranë në shpjegime romantike, të udhëhequr nga një frymë e synime atdhetare.
Kështu, E. Bidera, "Dyzet shekuj tregime për dy Siçilitë" (1846-1847) jep idenë se populli shqiptar është i lashtë e me prejardhje pellazgjike (E. Bidera , Quaranta secoli raconti su le Due Sicilie del Pellasgo Matneer , Napoli, 1847, 4 vëllime). Emrat e figurave të mitologjisë greke përpiqet t'i shpjegojë me elemente të gjuhës shqipe në të katër vëllimet. Aty boton dhe poezi popullore arbëreshe, material me rëndësi për njohjen e jetës së arbëreshëve.
Një tjetër arbëresh i njohur, V. Dors, në librin e tij "Për shqiptarët. Kërkime dhe mendime", (V. Dorsa, Sugli Albanesi. Ricerche e pensieri , Napoli, 1847), na ka dhënë materiale të rëndësisë së veçantë për etnokulturën e shqiptarëve në trojet e tyre e në diasporë. Flet për lashtësinë e këtij populli, për doke e zakone, për tipare unitare etno-kulturore të tij. Jep dhe historikun e nguljes së arbëreshëve (në Italinë e Jugut) e jetën e tyre politike e shoqërore. Flet në mënyrë të veçantë për mënyrën e jetesës së shqiptarëve e të arbëreshëve në vendbanimet e tyre.
Elemente etnografike do të jepen dhe në Enciklikën e Naum Veqilharxhit e në shkrime të tjera të tij, sidomos për virtytet e etnopsikologjinë e shqiptarëve, si trimëria, dashuria për atdhe, etja për kulturë e përparim shoqëror.
Dora D'Istria do të shkruajë punimin "Kombi shqiptar përmes këngëve popullore" (Dora D'Istria - La nazione albanese nei canti popolari , Napoli… 1868), "Gruaja në orient", "Shqiptarët në Rumani" e shkrime të tjera ku zbulon para botës traditat etnokulturore të pasura të populli tonë, trashëgimi të traditës që e tregojnë këtë popull të aftë për zhvillim e përparim.
Në disa shkrime të Jani Vretos (1822-1900) (J. Vreto, Vepra të zgjedhura . Përgatitur për botim nga A. Uçi, Tiranë, 1973, f. 91-229); më dukshëm në ligjëratat e tij e sidomos në "Apologjia" (1878) do të shqyrtojë jo pak dukuri etnologjike të popullit tonë, sidomos doke, zakone e virtyte të shqiptarëve që i bashkojnë në rrugën e çlirimit kombëtare e të përparimit. Në "Apologjia" do të mbrojë autoktoninë e lashtë të popullit tonë e shtrirjen territoriale ( Si sipër , f. 175-229) që nga lashtësia, në mesjetë e deri në kohë të re. Këtu flitet për mendësinë e herëshme e të vonë të kombësisë te shqiptarët. Bën përpjekje, natyrisht në mënyrë krejt romantike, që shumë emra hyjnish greke t'i shpjegojë me anë të gjuhës shqipe. Flitet aty për nder e besë shqiptare, për besime të vjetra popullore, për vëllamërinë te shqiptarët, për atdhedashurinë e prirjen për përparim të arbëreshëve të Greqisë e të Italisë. Thekson me forcë ndjenjë kombëtare të shqiptarëve mbi atë fetare. Ve ne dukje kultin e Tomorrit ndër shqiptarë, po kështu dhe tempullin e Dodonës që është i lashtësisë e lidh me traditat, e stërgjyshërve të shqiptarëve.
Thimi Mitko, mbledhës i shquar i folklorit shqiptar, botoi më 1878 librin "Bleta shqiptare"; ka lënë jo pak shënime me vlerë etnologjike e këtu mund të veçojmë një studim të tij për Korçën (Th. Mitko, Vepra . përgatitur nga Q. Haxhihasani, Tiranë, 1981), vendbanimet e banorët e saj. Edhe pasuria folklorike që mblodhi e botoi: këngë, legjenda, përralla, emërtime, fjalë të urta e gjë e gjëza janë pasqyrë e jetës e zhvillimit etnokulturor të tij. Në këto këngë e përralla pasqyrohen rite të ndryshme të motmotit, mite e besime, doke e zakone të herëshme të popullit tonë. Dukuria e emigrimeve jashtë atdheut pasqyrohet në balada, këngë të kurbetit e të nizamit. Mënçuria popullore do të na epet nga Mitko me një tufë "Fjalë të moçme": "Bukë e hi e ndë shtëpi", "Çfa të mbiellçë do të korçë".
Pashko Vasa në disa shkrime të tij do të na japë jo pak dukuri etnologjike (P. Vasa.Vepra. Vepra të zgjedhura , përgatitur nga J. Kastrati, Tiranë, 1966) si në "E vërteta mbi Shqipërinë e shqiptarët", në "I burgosuri politik" e sodomos në romanin autobiografik "Bardha e Temalit". Në këtë të fundit paraqet zakone e tradita të Shkodrës e të malësive të Veriut.
Zef Jubani do të na japë tre punime të rëndësishme ku përfshihen mjaft materiale etnologjike për Shqipërinë e shqiptarët: si "Aktualitete të popullit të Shqipërisë së Epër" (1870). "Kundrime mbi gjendjen morale e mbi kulturën intelektuale të popullit shqiptar", po kështu "Projekt lundrimi" (Z. Jubani, Vepra të zgjedhura , përmbledhje nga J. Kastrati, Tiranë, 1966). Flet mbi vetëqeverisjen e krahinave të malësive të veriut sipas dokeve e zakoneve të lëna, sipas tij që nga Lekë Dukagjini. Tregon për vetitë e mira të shqiptarëve, po dënon dhe zakonin e egër të hakmarrjes. Thekson se palci i popullsisë së vërtetë shqiptare me zakone e doke më të pastra është në malësi. Flet për ndarjet krahinore e marrëdhëniet farefisnore në malësi, për argëtimet popullore sidomos në dasma e gosti. Nuk ka lënë në një anë as problemet ekonomike, si bë bagëti në male, po ashtu dhe tregëtia në qytete e me dete. Ka bërë dhe një projekt për lundrimin në Adriatik duke u mbështetur në traditat e herëshme të shqiptarëve në këtë veprimtari, sa ekonomike, po aq për zhvillim social.
Kostandin Kristoforidhi në "Gjahu i Malësorëve" (K. Kristoforidhi , Gjahu i malësorëve , Tiranë, 1953) rrjeshton disa grimëza etnologjike të jetës shqiptare: mënyrën e rrjeshtimit të burrave shqiptarë në veprime të përbashkëta, besime për Tomorin me "hijen e tij të rëndë" si faltorja kryesore e tërë shqiptarëve, kulti i drerit që derdh lot, si njeri, mënyra e zënies së gjakut dhe ndarja e tij te shqiptarët e kështu vazhdon.
Edhe shkrime të tjera letrare të karakterit idilik siç është "Bagëti e Bujqësia" e Naim Frashërit na njohin me tradita të popullit tonë. Naimi ynë i madh në poezinë në fjalë na përshkruan qartë e kuptueshëm jetën e punët e bariut e të bujkut në malësitë shqiptare, deri në hollësi të mëdha: bagëtitë të përhapura brigjeve, bariu që i bie xhurasë: ja dhe varri i një udhëtari mërgimtar buzë rrugës; së largu shihet Tomori, mali plak te rri zoti i "shqiptarëve sipas besimeve të moçme" të këtij populli. Diku na paraqitet tërë familja në veprime të ndryshme në stanin e verimit në bjeshkë. Do të gjejmë këtu dhe grimëza të jetës familjare e shoqërore: "Një mih, tratri lëron, njëri mbjell, tjetri prashit, /Kush than, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,/ Një bën pluar e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,/ Ja dhe udhëtari i gjorë që ka mbetur në dëborë, te malësori do ta gjejë mikpritjen e ngrohtë shqiptare(N. Frashëri, Bagëti e Bujqësia , Tiranë, 1941).
Dijetari i madh shqiptar i Rilindjes, Sami Frashëri, (1850-1904), ndonëse shquhet si enciklopedist e kulturolog, në interesat e tij shkencore e atdhetare përfshiu jo pak dukuri të etnologjisë shqiptare, të dhëna e mendime me interes të veçantë për kërkime të mëtejshme në fushë të traditave etnokulturore të popullit tonë (S. Frashëri, Vepra I, II , Tiranë, 1988). Në enciklopedinë e tij 6 vëllimëshe "Fjalori i përgjithshëm i historisë dhe i gjeografisë", në Dheshkronjë (S. Frashëri,Dheshkronjë , "Dituri", Bukuresht, 1888), në "Shqipëria, ç'ka qenë ç'është e çdo të bëhet" (S. Frashëri, Shqipëria çka qenë, ç'është e çdo të jetë - botuar për herë të parë në Bukuresht "Dituri", 1899, Tiranë, 1962) në dramën "Besa" e në vepra të tjera flet me hollësi për shtrirjen e trojeve të banuara nga shqiptarët, për krahinat, krahinëzat e grupimeve më të vogla etnologjike duke na dhënë dhe tipare të tyre të veçanta, popullsinë si sasi e si përhapje gjeografike. Në tërë veprat që u përmendën pohon se në trojet shqiptare të asaj kohe ka mbi dy milionë shqiptarë, ndërsa arbëreshët e Italisë e të Greqisë bëhen afër 500.000 banorë. Për popullsinë e diasporës dhe historinë e atyre ngulimeve flet në mënyrë të veçantë.
Një vëmendje të veçantë ky dijetar u ka kushtuar dokeve, zakoneve, virtyteve të popullit tonë (S. Frashëri, " Fjalë të urta ", Prishtinë, 1978). Mjaft domethënëse në këtë vështrim është drama e tij "Besa" ose mbajtja e fjalës së dhënë" (1875), vepër e shkruar me synime patriotike (S. Frashëri, Besa , Sofie, 1901), me përmbajtje etnografike. Ngjarjet i ka vendosur në zemër të Labërisë e ngre lart zakone e virtyte të popullit tonë në besa, burrëria, atdhedashuria, shpirti i sakrificës etj. Samiu e thotë në parathënie të saj se e shkruajti që "të viheshin në pah disa virtyte e zakone të popullit shqiptar. Dhe kjo, jo sepse jam bir i këtij populli, por sepse te ky kam vënë re disa virtyte burrërore e të larta, siç janë dashuria për atdhe, shpirti i sakrificës, besa dhe fakte të tjera, flet dhe për zakonin e egër të hakmarrjes duke e dënuar atë si tepër të dëmshëm për fatet e popullit shqiptar.
Besën, trimërinë, aftësitë e shqiptarëve për përparim i ka vënë në dukje në disa vepra: në enciklopedi, në "Shqipëria ç'ka qenë…" etj. Në enciklopedi shkruan se shqiptarët "në përgjithësi janë njerëz shtatgjatë, kokëmëdhenj dhe nervozë, veçanërisht mund të dallohen nga koka e madhe dhe balli i gjerë, që tregon zgjuarsinë e tyre natyrore…; janë shumë të fortë në ruajtjen e moralit dhe të zakoneve të të parëve të tyre, të nderit e të dinjitetit si dhe në çështjen e të mbajturit të fjalës së dhënë - të besës". Ai thekson se gratë shqiptare janë shumë punëtore e të kujdesshme në mbajtjen e shtëpisë e të familjes. Në veprat e tij shqiptarët paraqiten tepër të aftë për të bërë çfarëdo lloj pune që kërkon dije teknike të hollë. Ata, sipas tij janë punues të aftë të gjërave prej metali, që nga objektet zbukuruese të argjëndarisë e deri te mjetet e luftës. Shqiptari, një herë ta shohë një pushkë të prodhuar nga fabrikat e Europës, të bërë me maqina shumë të përkryera, është i zoti atë çast ta bëjë menjëherë e me mjete tepër të thjeshta të zejtarit. Samiu na ka dhënë materiale të rëndësishme për burimet ekonomike të shqiptarëve: bujqësi, blegtori, zeje të ndryshme të shqiptarëve në fshatra, në qytete, në mërgim.
 
Sipër