Gjashtë gënjeshtrat e nanës sime

Mirë se vini në rrjetfaqen MIRDITA.COM
Përmbajtja e hasur këtu, mund të shfletohet lirshëm.
Për të shkruar dhe marrë pjesë në diskutime, duhet të keni një llogari dhe të identifikoheni.
Shpresojmë që prania juaj, të ndikojë në përmirësimin dhe pasurimin e faqes.
Krijoni një llogari

Munella

Anetar Fillestar
15 Qershor 2014
110
1
18
Gjashtë gënjeshtrat e nanës sime

Gënjeshtra e parë

Si çdo herë edhe at mbramje, nana pat ardhë e lodhun e rraskapitun prej punës që tan ditën e kishte ba n'koperativën e shtetit. Pjetër, merre kët rriskë bukë e kët spec t'përzhitun se ma ka falë nji shoqe e punës. Haje ti se unë nuk jam unshëm.

Gënjeshtra e dytë

Mbasi tan naten, baba e nana e kishin kërkue Martën, motren tonë tri vjeqare. N'mëngjes, trupin e saj t'pa jetë e t'deformuem krejtsisht e kishte gjetë baca Dodë t'mbuluem me dhe prej pllugut t'bulldozherit n'brazdën e arës dhe e solli tuj e mbajtë mbi duarë e shkoi e vendosi n'mjedis kasollës. Nana u hodh përmbi te e s'prani tuj kja. Kjante me aq forcë e dhimbë sa t'gjithë frigoheshim se mos po e l'shon shpirti. Mbas nji copë here u ngrit, i fshiu lotë e filloi me e pregatitë shpien për mort. E kur e pyetnin nanën: Mrikë, a je merzitë për qikën? T'gjithve u thonte: Jo, jo, se e kam shpijen plot djem. Të nesërmen e njizetë ditë me radhë, nanës nuk ju patën terë sytë prej lotëve tuj kjajtë për Martën.

Gënjeshtra e tretë

Ende pa i mbushë shtatë vjeqë, baba m'pat hjekë prej shpie e m'pat que rrogtar. Kur erdhi nana me m'përcjellë. Sytë i kishte pas të skuqun prej vajit e të ajun prej lotve. Nanë! A ke kjajtë a? Jo, jo, veqse sytë i kam t'skuqun prej tymit.

Gënjeshtra e katërtë

Mbas pak vitesh kur unë isha rrogtar. Një ditë sa pat mbrri prej Marmullit nana bacës Luz e m’pat thanë: Iu Pjetër, gjithë rrugës e kam lutë Zotin për me e rujt Zekë Nrecën. Po sevap kish pas ba me babën, nanën e me vllaun tand të vogël se iu kish ba strehim e tanë dimnin me e kalue n’kullën e tij. –Po, ty, kush t’tha? -M’tha nana jote që ty t’ka përshëndetë e t’ka ba t’fala shumë. –Ha ha ha haaaaa! –Kulla Zeksë, i thotë nana kasollës tonë t'thurun me thupra vetëm e vetëm se asht e mbulueme me çermine, oj nana e bacës Luz. Unë nuk di, po ajo ashtu m’tha: “N’kullë t’Zeks kam dal”

Gënjeshtra e pestë

Me t'hollat që i kishte kursye vllai madh tuj punu n'Francë na e kishte ble nji shpi n'Prizren dhe patëm dal n'qytet. Familja pesë antarshe. T'gjithë t'rritun e t'gjithë t'pa punë e pa kurrfar t'ardhuna.

Unë, çdo t'shtunde e çdo të dielë, por edhe ditve t'pushimit që s'kishim msim dilsha n'lamën e puntorëve me kërkue punë krahu. Pak ma larg ishte edhe lama e grave në të cilën, tan pranverën dilte edhe nana me kërkue punë nëpër bahçe t'qytetit. Nji ditë vjen e m'thotë: Hajde Pjetër hajde se bahçexhiut asht tuj vytë edhe nji puntor e m'tha mundesh me e marrë edhe djalin. Derisa kishte ardhë tek unë, shoqet e punës me gjithë bahçexhinë kishin shkue bukur larg e nana tuj u ngutë mej zanë, mori n'thu eu rrzue tuj ra me hundë e buzë për tokë. U que menjiherë tuj e fshi gjakun që i dilte prej hundve e unë tuj ia shkundë petkat prej pluhnit e pyeta: Au vrave oj nanë? Jo, jo, as s'jam vra e as s'asht tuj m'dhimtë kerkund po hajde t'shkojmë se po na ikin gratë.

Gënjeshtra e gjashtë

Natën e Kshnelleve kur ne e kishim shtrue tryezën dhe pritnim me ia fillue darkës, ndihet nji trokllimë dere. Doli baca Pashk me pa se kush asht eu kthye tuj thanë errdhi Pali. Nana menjiherë u çue, shkoi e ju hodh n'qafë Palit tuj ju shpreh nji vaji i madh. Kur u ulëm t'gjithë rreth tryezës. Nana shkoi e ju ul afër e po ia kqyrte çdo kashore se e çonte te goja. E si je kanë, oj zemra e nans dhe prap fillojshin mej ra lotë sa shpesh herë na bante edhe neve me kjajtë. Të nesërmën i thash nanës: Ah nanë, o nanë. Ti tan jetën na paske gënjye tuj na thanë se t'gjithve na do njisoj, por ti Palin e paske pas dasht ma s'shumti. Asaj vetëm i rrodhën lotë e s'mujti me e folë ma asnji fjalë. Kjo ishte edhe gënjeshtra saj e gjashtë dhe e fundit se mbas dy javësh pat ndrrue jetë tuj kalue në amshim n'moshën 55 vjeçare.