Gabimet më të shpeshta gjuhësore në shtypin tonë

Mirë se vini në rrjetfaqen MIRDITA.COM
Përmbajtja e hasur këtu, mund të shfletohet lirshëm.
Për të shkruar dhe marrë pjesë në diskutime, duhet të keni një llogari dhe të identifikoheni.
Shpresojmë që prania juaj, të ndikojë në përmirësimin dhe pasurimin e faqes.
Krijoni një llogari

Miri

Anëtar drejtues
2 Korrik 2012
247
2
864
Nga: Agim Spahiu
Në këtë shkrim kemi bërë një lloj kronologjie të gabimeve më të shpeshta gjuhësore të cilat po vihen re në mediat tona të shkruara. Po i vëmë në dukje këtu disa nga gabimet gjuhësore (drejtshkrimore e gramatikore) me të vetmin synim që, duke i evidencuar dhe duke treguar mundësinë e korrigjimit të tyre, të ndikohet pozitivisht te ajo pjesë e shqipshkruesve të mediave tona të shkruara dhe elektronike, të cilët nuk po i kushtojnë sa duhet gjuhës së sotme letrare shqipe.

1. Dy fjalë mbi gjuhën letrare shqipe

Gjuha e sotme standarde shqipe, me gjithë mospajtimet e vërejtjet e disa intelektualëve në këto vitet e fundit lidhur me bazën dialektore të saj, e në mënyrë të veçantë me mbi-zotërimin e elementeve toske, nuk bën të vihet assesi në pikëpyetje. Sepse, për mendimin tonë, kjo është një prej arritjeve më të mëdha në planin kombëtar. Por kjo nuk do të thotë se puna krejtësisht ka përfunduar dhe asgjë nuk duhet të preket në këtë aspekt. Jo, kurrsesi. Ky nuk mund të jetë një argument i arsyeshëm, ngase secila gjuhë, prandaj edhe gjuha shqipe, vazhdimisht u nënshtrohet disa ndryshimeve dhe evoluimeve të natyrshme. Sot pas 35 vjetësh të Kongresit të Drejtshkrimit bazës së saj dialektore mund t 'i bëhen eventualisht disa korrigjime, sidomos duhet të insistohet që ajo të pasurohet edhe më tej nga fondi leksikor i kryedialektit gegë, e në mënyrë të veçantë të rishikohet edhe njëherë çështja e futjes së paskajores dhe përcjellores në normë, edhe pse ato shkaktojnë shumë probleme në sistemin fonetik e gramatikor, pastaj të shikohet çështja e thjeshtimit të disa trajtave që paraqesin vështirësi në të shkruar nga masa e gjerë, siç është ë - ja paratheksore e pastheksore në disa raste, mënjanimi i disa trajtave të dyfishuara etj., por jo të shthuret dhe të përmbyset e gjithë ajo që është krijuar deri më tani, duke insistuar në krijimin dy gjuhëve letrare për kombin tonë të vogël.
Mirëpo, derisa nuk kemi ndryshime në këtë aspekt (sepse kjo do të jetë çështje në radhe të parë e gjuhëtarëve, por edhe e njerëzve të tjerë të pendës), secili prej nesh duhet të bëjë përpjekje të përdorë atë sa më drejt, duke u mbështetur në rregullat drejtshkrimore, shqiptimore e gramatikore të gjuhës sonë. Kjo është detyrë e të gjithë neve si shqipfolës, sidomos e njerëzve të cilët punojnë në institucionet tona arsimore, kulturore - shkencore, në fushën e informimit publik, e pse jo edhe në institucionet qeverisëse. Sepse kështu veprohet kudo në botë, sidomos në vendet e zhvilluara evropiane e më gjerë.
Në shtypin tonë të përditshëm po ndeshim një numër të madh gabimesh gjuhësore që po bien ndesh me normën dhe rregullat gramatikore të gjuhës së sotme letrare shqipe.
Në këtë shkrim do ta përqendrojmë vëmendjen vetëm në disa prej tyre, sepse është e pamundur të përfshihen të gjitha.

2. Disa gabime në përdorimin e trajtave foljore

Në mjetet tona të informacionit publik, si në ato të shkruara dhe elektronike, po bëhen gabime të shumta gjuhësore, sidomos në kuadër të sistemit foljor nga ana e disa gazetarëve dhe artikullshkruesve të ndryshëm (por jo nga të gjithë). Këtu po i përmbledhim vetëm disa raste më të shpeshta:

1. Kur veta e tretë e kohës së ardhme të tashme të mënyrës dëftore, si p.sh.
ai/ajo do të punojë/ dhe veta e tretë e kohës së tashme të lidhores të tipit: ai/ajo të punojë/ po ngatërrohet dhe po identifikohet me vetën e parë të njëjësit të së tashmes të mënyrës dëftore të tipit: unë punoj ose me vetën që s'i takon as lidhores e as aoristit si kjo e tipit: të punoi, në shembujt: ..., gjë të cilën poeti DO TA SHIJOJ vetëm kur atëherë; nuk ka pranuar TË NËNSHKRUAJ dokumentin e kërkuar nga policët, por ka filluar TË OFENDOJ me fjalë fyese; ... ka shkuar që TË FITOI; etj.
Po kështu shumë herë i gjejmë të përdorura gabimisht trajtat foljore, si ai/ ajo duhet TË PUNON, TË MENDON, duhet TË VLERËSON etj., në vend që të thuhet: ai/ajo duhet të punojë, të mendojë, të vlerësojë. Këto ngatërrime janë shumë të pranishme edhe te foljet sidomos te ato të tipit: vë, zë, lë, nxë, bie etj.

2. Shpeshherë foljet konsonantike, pra ato që mbarojnë me një bashkëtingëllore, në të tri vetat e njëjësit të dëftores i gjejmë të shënuara me mbaresën vetore - ë, gjë që bie ndesh me rregullat gramatikore të gjuhës sonë, si në shembujt e sjellë këtu: Ai PËRKRAHË zhvillimin e hekurudhave; Princ Harry THITHË vodka (një titull gazete, që është tmerrësisht i gabuar, si nga ana gramatikore, po ashtu edhe nga ana
kuptimore etj.); HEDHË nga dritarja të fejuarën (titull në një gazetë) etj., ngase sipas një rregulle ato nuk duhet të marrin asnjë mbaresë në vetat e përmendura;

3. Pjesorja e foljeve në kohët analitike del shumë herë pa formantin - ur ose edhe pa të në rastin e foljeve apofonike, si në shembujt: Kemi MBAJT shpresë që do ta kemi sivjet objektin e ri të shkollës; ..., por edhe personalitetet kosovare e kanë MBËSHTET një gjë të tillë; Ata kanë SJELLUR disa libra; Ne jemi MARRUR vesh për këtë gjë; Këto modele kanë DALUR nga përdorimi; etj.
Pra, trajtat e drejta janë: Kemi mbajtur shpresë; e kanë mbështetur ; Ata kanë sjellë; Ne jemi marrë vesh për këtë gjë; etj.

4. Foljet e zgjedhimit të tretë të tipit: di, pi, fle, rri etj. me mbaresa vetore njëjtësohen shumë herë me ato të tri vetave të njëjësit të kohës së tashme të dëftores, si në shembullin: Sipas asaj që DIJ unë, ndërmarrja e çfarëdo sulmi të tillë kundër Irakut në këtë fazë do të ishte veprim i pamatur, tha Anan.
Kjo kategori e vogël e foljeve, sipas një rregulle gramatikore, në të tri vetat e njëjësit nuk duhet të marrë asnjë mbaresë vetore, pra: unë/ti/ai/ajo/ di, pi, fle, rri etj.;

5. Foljen - vij në vetën e parë dhe të tretë njëjës të dëftores e të lidhores shumë herë po e ndeshim me trajtën e gabuar VIE /TË VIE si p. sh.: Kjo nuk mund TË VIE në shprehje (një trajtë foljore shumëfishtë e gabuar); ... në vend se në pleqëri të vie në vete, ... etj.
Kjo folje e ka këtë paradigmë të drejtë të zgjedhimit: Unë vij, ti/ai/ajo/ vjen/; unë/ të vij, ti/ të vish, ai/ajo/ të vijë (në të ardhmen: do të vijë) etj.

6. Folja - në vetën e tretë të aoristit po përdoret me trajtën e pjesores - lënë, gjë që përbën një gabim gramatikor e drejtshkrimor, si në shembujt: LËNË punën në QKU, vrapojnë në klinika private!; Hajnat LËNË pa ujë dy fshatra (Tituj nga gazetat tona të përditshme). Në këta dy shembuj është dashur të përdoret trajta e drejtë foljore - lanë, sepse kjo folje ka këtë paradigmë zgjedhimi në aorist: unë lash, ti lë, ai/ajo la; ne lamë, ju latë, ata/ato lanë.


7. Foljet e parregullta - ha dhe - rri etj. në kohën e kryer të thjeshtë dhe në trajtat e tyre analitike, në të shumtën e rasteve, po ndeshen të përdorura gabimisht, si në shembujt: Ata kanë HANGËR...; Ata NDEJTËN lart atje, si Perëndia...; etj. Folja - rri në kohën e kryer të thjeshtë bën: (unë) ndenja; (ti) ndenje; (ai/ajo)
ndenji; (ne) ndenjëm (ju) ndenjët (ata/ato) ndenjën,
dhe jo: ndejtën, si në shembullin e lartpërmendur. Po kështu edhe folja ha në kohën e kryer të thjeshtë, sikundër dihet, e ka këtë paradigmë zgjedhimi: unë hëngra, ti hëngre, ai/ajo hëngri; ne hëngrëm, ju hëngrët, ata/ato hëngrën; ndërsa në kohët analitike:
unë kam/ kisha/ pata/ do të kem -+- ngrënë etj.

Shtrohet pyetja: Pse ndodhin gjithë këto gabime drejtshkrimore e gramatikore në sistemin foljor? Kësaj pyetjeje mund t'i përgjigjemi shumë shkurt: Mungesa e kulturës gjuhësore që nënkupton mosnjohjen e duhur të rregullave drejtshkrimore e gramatikore të gjuhës sonë nga ana e gazetarëve, lektorëve, redaktorëve gjuhësorë etj., e sidomos ndikimet e pareshtura dialektore që janë të pranishme në jetën tonë të përditshme, që nga rrethi familjar e shoqëria, janë faktorët kryesorë që e përcaktojnë një gjë të tillë.

3. Shkrimi ndaras i trajtave mbiemërore dhe emërore


Shpeshherë në shtypin tonë të përditshëm dhe në shkrimet e tjera publicistike, shkencore, madje edhe letrare, po ndodh t 'i ndeshim disa togfjalësha emërorë, në të cilët gjymtyra e varur e tyre, që zakonisht është një trajtë mbiemërore, (qoftë si kompozitë, qoftë e prejardhur nga ndajshtesa të ndryshme), po shkruhet me trajtat të ndryshme, herë ndaras e herë bashkë, si në shembujt e mëposhtëm: ... u nis për në një vizitë gjashtë ditore në tri vende të këtij regjioni (duhet: rajoni, A. S.); ... se pas një hetimi gati pesë mujor ka arritur të identifikojë dhe arrestojë personin e dyshuar ...; Fëmijët që atë natë së bashku me një foshnje disa muajshe do të kalonin në male; etj. Po kështu, nuk mungojnë as rastet kur gjymtyra e varur e këtyre togfjalëshave, e formuar kryesisht me anë të ndajshtesave, po përdoret e shkëputur nga parashtesat e tyre dhe elementet tjera përbërëse, si në shembujt: ... me rëndësi të gjenden rrugë të reja kreative drejt daljes nga kjo gjendje e pa perspektivë... ; ... për të ardhmen e shëndoshë të tyre, për qindra fëmijë të porsa dalë nga lufta; ... pengesat në orët e mësimit janë të pa evitueshme, e për këtë duhet që pa tjetër të shqyrtohet dhe të krijohet një normë e veçantë; ... nuk duhet t 'i lihet tërë faji për mos efikasitetin e saj; etj.
Pastaj disa kompozita emërore të shkruara, po ashtu, ndaras, si: Xhamaika po e shënon dyzetë vjetorin e pavarësisë së saj nga Britania dhe mbretëresha po e kremton pësëdhjetë vjetorin e ardhjes në fronin mbretëror të Britanisë; Vullnet mirët (titull); etj.

Në të gjithë këta shembuj dhe shumë të tjerë që nuk u sollën këtu për shkak të natyrës së këtij shkrimi, sipas një rregulle gramatikore dhe drejtshkrimore, trajtat e zëna ngoje këtu është paraparë të shkruhen bashkë, si: një vizitë gjashtëditore, foshnje disamuajshe, hetimi pesëmujor, gjendje e paperspektivë, fëmijë të porsadalë nga lufta, pengesa të paevitueshme; dyzetvjetori, pesëdhjetëvjetori, vullnetmirët etj, të cilat në përbërjen e tyre kanë dy a më shumë tema motivuese; njëra nga këto (tema mbështetëse, që është zakonisht e dyta), e formëson gramatikisht gjithë kompozitën, ndërsa tema tjetër (ose tema të tjera, kur janë më shumë se një) është e asnjanësuar nga pikëpamja e kuptimeve të tyre gramatikore[1].

4. Përdorimi i lokucionit parafjalor pavarësisht + një emër a përemër në rasën rrjedhore


Është e vërtetë se në faqet e shtypit tonë dhe në shkrime të ndryshme shkencore, përgjithësisht, gjithnjë e më shumë po e gjejmë të përdorur këtë ndërtim gjuhësor. Madje në këto vitet e fundit ka marrë një hov të madhe përdorimi. S 'ka shkrim gazete ndoshta që të paktën një herë e më shumë të mos përdoret kjo shprehje gjuhësore me strukturë: ndajfolje parafjalore + një emër çfarëdo në rasën rrjedhore.
Ja disa shembuj: Kabineti mori vendim që të intensifikojë luftën kundër terrorit, pavarësisht faktit nëse do të futemi në një luftë totale kundër autoritetit palestinez apo; Pavarësisht rrugëve të reja ligjore që do të ndjekë opozita për këtë problem, ...; Ushtarët gjermanë qëndrojnë në Kosovë, pavarësisht veprimeve të njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës; Dhe qëllimi ynë është t'i bashkojmë me familjet e tyre, pavarësisht cilit nacionalitet i takojnë ata; Pavarësisht negociatave të reja, SHBA-ja vazhdimisht ka përsëritur qëndrimin për pavarësi; Pavarësisht mënyrës sesi Hristova ka udhëtuar në letërsinë e një vendi të vogël, ... etj.
Përdorimi i këtij lokucioni është i gabuar dhe në vend të tij është dashur të përdoret lokucioni parafjalor pavarësisht nga, si në shembujt: Pavarësisht nga fakti nëse do të futemi në një luftë totale; Pavarësisht nga rrugët ligjore që do të ndjekë opozita për këtë problem; pavarësisht nga veprimet e njëanshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës; etj.) ose, në disa raste, lokucioni lidhëzor pavarësisht se si në shembullin: Pavarësisht se cilit nacionalitet i takojnë ata.
Në anën tjetër, ka mundësi që edhe këto dy të zëvendësohen me përgjegjësen me gjithë + një emër, përemër në rasën kallëzore, një togfjalësh etj., si një lokucion parafjalor më i natyrshëm i gjuhës sonë (si p. sh.: me gjithë faktin nëse do të futemi në një luftë totale; me gjithë rrugët e reja ligjore që do t 'i ndjekë opozita për këtë problem, . . ; Me gjithë mbajtjen e negociatave të reja, SHBA-ja vazhdimisht ka përsëritur qëndrimin për pavarësi), sepse, siç kanë konstatuar me të drejtë autorët e Gramatikës së gjuhës shqipe II e ASHSH, - Sintaksa (Tiranë, 1997), lokucioni pavarësisht nga, vjen nga ndikimi i gjuhëve të tjera, prandaj është e këshillueshme që të mos përdoret[2], por ne do të thoshim se ka mundësi që të zëvendësohen me lidhëzat dhe lokucionet lidhëzore lejore: megjithëse, megjithatë, megjithëkëtë, edhe pse, ndonëse, sado që, sido që etj., varësisht nga ndërtimi dhe formulimi gjuhësor i njësive sintaksore kumtuese.
Ky ndërtim gjuhësor, ndonëse është me burim nga gjuhët tjera, ka hyrë tashmë në strukturën gjuhësore të shqipes dhe pakkush ose askush nuk e shtron sot çështjen në duhet të hiqet nga përdorimi a jo, sepse ai faktikisht iu është përshtatur strukturës gjuhësore të shqipes. Sot këtë ndërtim e gjejmë kudo, në të gjitha llojet e ligjërimit, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri e më gjerë. Prandaj, ne jemi të mendimit që ndërtimet: pavarësisht nga/ pavarësisht prej, si lokucion parafjalor ose pavarësisht se, si lokucion lidhëzor, edhe me tutje të përdoret në gjuhën tonë, por jo me trajtat e tipit: pavarësisht punëve/ aktiviteteve/ organizimit/ veprimit/ faktit etj., siç po i gjejmë të përdorura në këto vitet e fundit kudo në shkrimet e ndryshme.


5. Mospërshtatja e mbiemrit me emrin


Në shkrimet tona të përditshme mund të gjesh me qindra shembuj në të cilët zakonisht mbiemri nuk përshtatet me emrin, kryesisht në numër, por më rrallë edhe në gjini. Këto dy gjymtyrë në njësitë kumtuese - sintaksore përbëjnë një grup të togfjalëshave emërorë. Po i sjellim këtu disa shembuj në të cilët mbiemri është përdorur në numrin njëjës, kurse emri në numrin shumës dhe anasjelltas. P. sh.: Arsimi është fluid dhe në çdo moment ai kërkon ndryshim, andaj punëtorët arsimor duhet të jetojnë me reforma; Për dallim nga trajnerët, lojtarët fundor të të dy skuadrave...; ... tregon se këta faktorë politik nuk kanë përgjegjësi politike të mjaftuar as ndaj elektoratit shqiptarë të cilët... ; Do t'u dedikohet edhe shfrytëzuesve shtëpiak, por edhe administratorëve të rrjeteve, ... ; Ja shtatë divorcet më të shtrenjtë në botë; etj.
Në të gjitha këto raste kemi mospërshtatje trajtash, ngase në tre togfjalëshat e parë punëtorët arsimor, lojtarët fundor dhe faktorë politik gjymtyra mbiemërore e tyre, duket sikur të jetë në numrin njëjës, por realiteti është krejt tjetër. Dilema këtu nuk ka në është fjala për numrin njëjës a shumës. Këta togfjalësha janë në numrin shumës dhe këtë shumë qartë e dëshmon gjymtyra përfaqësuese emërore e togfjalëshave të lart-përmendur, por edhe vetë konteksti i përgjithshëm i këtyre njësive sintaksore ligjërimore. Por, gabimi është thjesht i natyrës drejtshkrimore, ngase artikullshkruesit nuk e kanë ditur se kur një trajtë emërore është në numrin shumës, duhet ta marrë një përcaktor në formë mbiemri apo ndonjë trajtë tjetër çfarëdo, po ashtu, në numrin shumës. Dhe kjo trajtë e shumësit është paraparë të shënohet me prapashtesën - ë të shumësit të gjinisë mashkullore. Pra, është dashur që të shënohen drejt: punëtorët arsimorë, lojtarët fundorë, faktorë politikë, ndërsa në numrin njëjës: punëtori arsimor, lojtari fundor, faktori politik. Kjo është përkufizuar shumë qartë, sipas një rregulle drejtshkrimore dhe këtu s 'ka dilema. Mund të ketë ndonjë përjashtim të vogël nga kjo rregull, si për shembull togfjalëshat e tipit: njerëzit punonjës/ punues, studiues shqiptarë, në të cilët mbiemrat punonjës / punues, studiues nuk duhet të marrë prapashtesën - ë për të shënuar shumësin. Ja një shembull: Kompjuter për nxënësit malishevas, (Titull gazete), në të cilin shihet se mbiemri malishevas, ndonëse e përcakton emrin nxënësit në numrin shumës, vetë nuk merr ndonjë prapashtesë fjalëformuese me të cilën do të shënohej shumësi.
Një rast tjetër është kur një kategori e emrave të gjinisë mashkullore në njëjës, si p. sh. ata të tipit: mësim - i, kanal - i, plan - i, hidrocentral - i etj., në numrin shumës e ndërrojnë gjininë, pra në atë femërore. Por çfarë ndodh? Artikullshkruesit nuk e marrin për bazë këtë veçori gjuhësore e drejtshkrimore dhe, kur i përdorin në ligjërimin e tyre të shkruar, trajtat mbiemërore paraqiten në gjininë mashkullore shumës, ndonëse emri është tashmë një emër i gjinisë femërore shumës, si në shembujt: ..., dhe zhduk të tjerë personazhe të rëndësishëm që ishin në këtë ditë të madhe; Kongresi i Manastirit tuboi personalitetet më të ditur; Tenderat e parë për hidrocentralet vendorë etj., në vend që të shkruheshin drejt: personazhe të rëndësishme, hidrocentralet vendore, personalitetet më të ditura.
Të papërshtatur dalin shpeshherë edhe numërorët tre / tri me vlerë të përcaktorëve, si p. sh.: Dhe janë tre romane të Kongolit, të përkthyer dhe botuar më parë në frëngjisht; Kosova nënë sot i ka më afër tre lulet e saj; etj.
Edhe në këta dy shembuj numërori tre është përdorur gabimisht, sepse është i gjinisë mashkullore, kurse emrat romane dhe lule janë të gjinisë femërore. Pra kemi një mospërputhje gjinie. Sepse sikundër dihet në gjuhën tonë kemi një grup emrash të cilët në numrin njëjës i takojnë gjinisë mashkullore, por në numrin shumës i takojnë gjinisë femërore p. sh. emrat e tipit: kanal, - i/ kanale; plan, - i/ plane, mal, - i/ male, qytet, - i/ qytete etj. Pra, ne themi: tri kanale të thella dhe jo tre kanale të thella; tri qytete të mëdha dhe jo tre qytete të mëdha; tri male të larta dhe jo tre male të lartë etj. Prandaj, duke u bazuar në këtë rregull del se edhe shembujt e lartshënuar është dashur të shkruheshin drejt kështu: tri romane të Kongolit, të përkthyera dhe të botuara më parë; Kosova nënë sot i ka më afër tri lulet e saj.
Në fund do shtuar se mospërdorimin e drejtë të numërorëve tre/ tri më shumë e kemi vënë re në ligjërimin e shkruar e të folur në Shqipëri, sesa në Kosovë.

6. Përdorimi i emrave të përgjithshëm, i titujve, gradave shkencore etj. me shkronjë të madhe

Në mediat tona të shkruara dhe në ato elektronike, në këto vitet e fundit gjithnjë e më shumë po përdoren emrat e përgjithshëm me shkronjë të madhe, si te: thirrjet, titujt, gradat shkencore e arsimore, pedagogjike, ata që tregojnë profesion, detyrë shtetërore a shoqërore, madje edhe ata emra që shënojnë ditët e javës, muajt e vitit etj., që, për mendimin tonë, përbëjnë një shkelje të normës gramatikore e drejtshkrimore të gjuhës sonë.
Ja disa shembuj sa për ilustrim: ... dy vjet më vonë themeloi së bashku me Patër Anton Harapin dhe Nush Topallin revistën 'Ora e Maleve'; Në shumë prej disiplinave të lartpërmendura shkencore dhe shoqërore, Akademik Mark Krasniqi hapi shtigje e horizonte të reja...; ... në dhjetëvjetëshin e fundit të Shekullit XX; Nga Brazilia, kryeqyteti i Brazilit merret vesh se Mbretëresha Meksikane e Muzikës Pop, Gloria Trevi, lindi një djalë; ...nuk do t'i hyjnë garës për Kryetar të Komunave prej nga vijnë; ... nderohet shkrimtari Gjerman; Ndërsa sa i përket administratës dhe institucioneve Kosovare, ...; Në fund Mr. Ferid Zeqiri na falënderoi për...; Fillim Pranvere në Bregdet; Istog, 5 Tetor; në muajin Gusht; e Hënë, 4 Korrik etj.


Sipas Drejtshkrimit të gjuhës së sotme shqipe, Fjalorit drejtshkrimor etj., të gjithë emrat e lartshënuar që shënojnë grada shkencore, pedagogjike, thirrje, profesion, detyrë shtetërore a shoqërore, madje edhe ata që shënojnë ditët e javës, të muajve e të vitit etj., duhet të shënohen me shkronjë të vogël, përveç në rastet, tashmë të ditura, kur fjalia e re fillon pas pikës. Pra, emërtimet: patër, akademik, mr., shekulli XX, mbretëresha meksikane, institucionet kosovare, fillim pranvere në bregdet, shkrimtari gjerman, muaji gusht e të ngjashme, është dashur dhe duhet të shënohen kështu gjithnjë me shkronjë të vogël.
Përdorimi i emrave të këtillë me shkronjë të madhe, sipas mendimit tonë, bëhet nën ndikimin e gjuhëve të tjera, sidomos të gjuhëve gjermane e angleze, ngase kanë sot një ndikim shumë të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e vise të tjera të banuar më shqiptarë e më gjerë.
Në anën tjetër, të gjithë emrat e përveçëm duhet të shënohen me shkronjë të madhe, pavarësisht nga pozicioni se ku përdoren në fjali. Në këtë grup përfshihen: emrat dhe llagapet e njerëzve, pseudonimet, emrat e kafshëve, emrat gjeografikë (të lumenjve, maleve, deteve, shteteve, krahinave, qyteteve, rrugëve, shesheve etj.); emrat e periudhave dhe të ngjarjeve historike, emrat e institucioneve, të organizatave, të ndërmarrjeve, titujt e veprave letrare, të gazetave, të revistave, emrat e trupave qiellorë etj.
Këtu do pasur parasysh se emrat tokë, diell, hënë etj. zakonisht shënohen me shkronjë të vogël. Mirëpo në rast se ata shtjellohen në lëndën e astronomisë, si planete, duhet të shënohen me shkronjë të madhe. Po kështu, nga një emër i përveçëm mund të formohet një mbiemër, por ky i fundit shënohet pastaj me shkronjë të vogël, si p. sh.: Shqipëri, shqiptar: flamuri shqiptar; Kosovë, kosovar: institucionet kosovare; Gjermani - a, gjerman: shkrimtari gjerman/ shkolla gjermane etj. Po kështu: Mendimi i Fishtës: mendimi fishtian; tragjeditë e Shekspirit: tragjeditë shekspiriane; prozat e Migjenit: prozat migjeniane etj.

7. Përdorimi i ndajfoljeve që shënojnë gjuhën e një populli, të prira nga parafjala - , si: në gjermanisht, në frëngjisht, në italisht, në anglisht etj.

P.sh.: Vepra në fjalë është botuar edhe në turqisht, në Stamboll, e pritur mirë, ndërsa pritet të dalë në polonisht dhe në italisht; Ai krijoi disa vepra në greqisht, një fjalor latinisht - greqisht etj.
Ky ndërtim nuk është i drejtë, për arsye se ndajfoljet e këtij tipi që lidhen me emërtimin e gjuhëve të ndryshme, nuk duhet të jenë të prira nga parafjala - në. Prandaj, një ndërtim i drejtë do të jetë po të themi: në gjuhën shqipe, në gjuhën gjermane, në gjuhën angleze, si një togfjalësh. Por, ka mundësi të thuhet edhe: në shqipe, në gjermanishte, në anglishte, në italishte etj., si emra të formuar nga ndajfoljet përkatëse.

8. Përdorimi i lokucionit me në krye + një emër, përemër a togfjalësh në mënyrë të përmbysur

Këtë lokucion po e gjejmë të përdorur shumë shpesh në shtypin tonë të përditshëm, si p. sh: ... kjo qeveri me në krye shefin e saj duhet të pajtohet me një fakt, ...; ... i cili më shumë se një dekadë kaloi një nga fazat më të tmerrshme; ... me në krye pikërisht këtë njeri; Mendoj se Ministria me në krye z. Osmani ka një shans të mirë që të jetë e suksesshme në shërbimin e arsimit dhe shkencës të Kosovës, ...; etj. Në të gjitha këto raste ky lokucion parafjalor është dashur të përdoret në një mënyrë të anasjelltë, pra: në krye me shefin, në krye me këtë njeri, në krye me z. Osmani etj.

9. Përdorimi i emrave të huaj në trajtën e pashquar

Në mjetet tona të informacionit, në përgjithësi, në këto vitet e fundit ka marrë një hov të madh edhe përdorimi i emrave të përveçëm njerëzish, frymorësh dhe jofrymorësh në trajtën e pashquar dhe kjo gjë, për mendimin tonë, përbën një shkelje të rregullave gramatikore e drejtshkrimore të gjuhës sonë, në mesin e shumë shkeljeve të tjera. Përdorimi i tyre në trajtën e pashquar, në të gjitha pozicionet e ligjërimit, po e çorodit shumë natyrën e gjuhës sonë, pa ia humbur origjinalitetin dhe tiparet e saj.
Ja disa shembuj: Pse jo Putin në Prishtinë! Chavez shkëput Venezuelën nga FMN-ja; Spielberg zgjedh regjisorin e ri më të mirë; Qeveria shqiptare përshëndet deklaratën e Bush dhe Merkel për Kosovën.; Nuk gabova që e zgjodha Liverpool; Kjo veshje u mundësua nga butik HOT; Pikturat e Dylan në Gjermani. (Të gjithë këta shembuj janë marrë nga disa tituj gazetash të përditshme dhe nga lajmet televizive) etj.
Në të gjitha këto raste emrat e përveçëm, sipas rregullave drejtshkrimore e gramatikore të shqipes, është dashur të përdoreshin në trajtën e shquar, sepse kështu e kërkon natyra e gjuhës sonë. Pra, është dashur të shkruheshin: Pse jo Putini në Prishtinë!; Chavez-i shkëput Venezuelën nga FMN-ja. Shpilberg-u (ose në origjinal Spielberg-u) zgjedh regjisorin e ri më të mirë. Qeveria shqiptare përshëndet deklaratën e Bush-it dhe të Merkel-it për Kosovën. Nuk gabova që e zgjodha Liverpool-in; Kjo veshje u mundësua nga butiku HOT; Pikturat e Dylan-it në Gjermani.
Ky përdorim i vërshuar i emrave kryesisht me prejardhje të huaj, sipas mendimit tonë, ka ardhur si rezultat, po ashtu, i ndikimit të gjuhëve të huaja, sidomos i gjuhëve angleze e gjermane dhe është një dukuri gjuhësor që sa vjen e po zë rrënjë në mediat tona nga gazetarë, korrespondentë, redaktorë gjuhësorë e artikullshkrues të tjerë të ndryshëm me një përgatitje jo të mirë gjuhësore në gjuhën shqipe. Madje, kjo dukuri gati sa nuk ka kaluar në modë, duke depërtuar në kohë të fundit edhe jashtë gjuhës publicistike.
Sikur çdo gjuhë tjetër, edhe gjuha shqipe i ka veçantitë e veta. Dhe njëra ndër to është se ajo shquhet për një shkallë të lartë të fleksionit të trajtave nominale, për dallim nga shumë gjuhë të tjera indoevropiane. Kjo shumësi trajtash nominale në gjuhën shqipe, sikundër dihet, realizohen me anë të mbaresave rasore dhe kjo përbën një begati të madhe gjuhësore të cilën shumë gjuhë të tjera nuk e kanë. Prandaj, këtij eptimi a fleksioni duhet t 'i nënshtrohen edhe trajtat nominale, pavarësisht nga ajo se ato trajta vijnë nga gjuhë të huaja. Sepse shqipja i ka ligjet e veta gjuhësore dhe aty s'ka dhe s'duhet të ketë dilema. Prandaj, nëse përdoren këto emërtime në trajtën e pashquar në këto gjuhë, kjo nuk do të thotë se patjetër edhe në shqipe duhet të përdoren. Jo përkundrazi. Kjo është natyra e gjuhës shqipe.
10. Përdorimi i gabuar i apostrofit

Edhe apostrofi shumë herë po përdoret gabimisht. Ja disa shembuj: Nuk kam kujt ti flas për problemet e mia; Çka është më keq e dashura Arigonë, t'i edhe mund të vetëvritesh e këtu askush asnjë fjalë nuk do ta thotë; ... si pasojë për tu mbrojtur nga ekspeditat luftarake që bënin fqinjët; Raportin e Misionit Faktmbledhës do t'a paraqesë Ambasadori belg në OKB Johan Verbeke; Ligji për gjobat nuk do të ndryshohet, i kemi votat për t'a rivotuar; Poeti ka sistemuar librin në pesë nëncikle, duke ju referuar temës dhe mesazheve që përcjellin; etj.
Në të gjitha këto raste apostrofi është përdorur gabimisht, sepse mungon ose është i tepërt: Në shembullin e parë trajta ti, siç është shënuar, e ka formën e përemrit vetor të vetës së dytë njëjës. Por në të vërtetë këtu është fjala për bashkimin e dy trajtave: të pjesëzës dhe të trajtës së shkurtër të përemrit vetor (ai/ajo) në rasën dhanore (atij/asaj, i ).
Prandaj, sipas Drejtshkrimit të gjuhës së sotme shqipe dhe rregullave gramatikore të gjuhës sonë ky bashkim trajtash gjithmonë duhet të shënohet me apostrof në mes, pra me t 'i (Nuk kam kujt t 'i flas për problemet e mia). Mirëpo shembulli: t 'i edhe mund të vetëvritesh..., paraqet të kundërtën e kësaj, ngase këtu fjala nuk është për një bashkim trajtash, por thjesht kemi të bëjmë me një përemër vetor të vetës së dytë njëjës ti. Edhe në shembullin pasues bashkimi i trajtës tu është dashur të ndahej me apostrof (pra, t'u), sepse kemi bashkimin e pjesëzave + u (Për t'u mbrojtur nga). Në anën tjetër, trajta e bashkuar t 'a është dashur të përdorej pa apostrof (pra, ta), sepse këtu kemi të bëjmë me bashkimin e pjesëzës të mënyrës lidhores me trajtën e shkurtër të përemrit vetor (ai) në rasën kallëzore (atë, e). Pra: + e = ta. Për analogji me këtë edhe bashkimet përemërore ma, ia, jua, ua etj., sipas një rregulle drejtshkrimore duhet të shënohen kështu pa apostrof, por që, për fat të keq, shumë artikullshkrues nuk po e përfillin atë.
Shpeshherë apostrofin e gjejmë të përdorur gabimisht te ndarja e pjesëzave: t 'mos, si në shembullin: për t 'mos ngecur së prapthi, për t 'mos lënduar, apo për t 'ia lënë si palimpset sublimes, madhështisë së krijuesit.
Në shembullin e fundit apostrofi është përdorur dy herë gabimisht, sepse nuk e ka vendin aty dhe është krejtësisht i panevojshëm. Pra, është dashur të shkruhej: për të mos ngecur, për të mos lënduar.
Për përdorim të drejtë të apostrofit, shih tabelën e mëposhtme:

Trajtat e ndara
Bashkimi i trajtave
më + e
ma
më + i
m'i
të + e
ta
të + i
t'i
i + e
ia
i + i
ia
na + e
na e
na + i
na i
ju + e
jua
ju + i
jua
u + e
ua
u + i
ua



11. Përdorimi i disa mbiemrave të emërzuar të tipit e kaluara, e ardhmja, e majta, e djathta etj., në kuadër të togfjalëshave emërorë
Ja p. sh.: Ky është kryqi i të kaluarës që... e të majtës/ e të djathtës; etj.
Në të gjitha këto raste mbiemrat e këtillë kontekstualë të emërzuar duhet të marrin nyjën e përparmee jo të, siç i kemi evidentuar në shembujt e lartpërmendur. Prandaj, duhet të themi: kryqi i së kaluarës, partia e së ardhmes/ partia e së majtës/ e së djathtës etj.
Në shkrimet e ndryshme, sidomos në publicistikë, shpeshherë po na bien në sy edhe mbiemrat e substantivuar të jenë përdorur gabimisht pa nyjë të përparme, si në këta dy shembuj: A ka dëgjuar Evropa për bëmat tona? Në kishën e këtij shenjti gjendet Muzeu i Martirëve Shqiptarë. Pra, duhet: Për të bëmat tona; e këtij të shenjti.
12. Përdorimi i gabuar i disa përemrave

E kemi fjalën këtu për përemrat pronorë: juaj, yni etj., si p. sh.: Pse i anuluat në atë kohë të gjitha angazhimet e juaja aq papritmas?;...,por fati i të dyjave, i shtëpisë dhe i yni etj.

Në shembullin e parë janë bërë dy gabime: Së pari, përemri juaj nuk është dashur të përdorej me nyjën e përparme i, dhe, së dyti, ky përemër në rasën kallëzore është dashur të shkruhej drejt tuaja.

Pa nyjë të përparme duhet të përdoren edhe përemrat pronorë, si: im/ ime, yt/ jote, por edhe ynë, siç del nga shembulli i sipërshënuar, në formë të emërzuar. Pra, i shtëpisë dhe yni.

Në ligjërimin bisedor, sidomos nga të rinjtë shpeshherë dëgjojmë edhe trajta të çoroditura, si p.sh. qyteti jonë, fshati jonë/ mendimi jem/ vendi jem/ shkolla jeme etj., në vend që të thuhet drejt: qyteti ynë, fshati ynë /mendimi im, vendi im, shkolla ime.

Po kështu, edhe te përemrat vetorë gjejmë shpesh herë trajta që bien ndesh me normën e gjuhës së sotme letrare, si në shembullin: Askush prej neve nuk ka pasur të drejtë... ; , në vend që të shkruhej: askush prej nesh / ose prej jush. Po kështu, në shembullin: Të gjithë janë mërzitur me neve; trajta neve është përdorur gabimisht dhe duhet: me ne; pra: Të gjithë janë mërzitur me ne; etj. ;

Shpesh herë artikullshkruesit nuk e dallojnë përemrin pronor i/e/të vet nga përemri vetvetor vetë. Që të dy trajtat i shkruajnë me ë - në fundore ose pa atë, si në shembullin: Ata të cilët bëjnë gabime, do të përgjigjen vet për to.

Mirëpo, sipas Drejtshkrimit këta përemra dallohen: Përemri pronor i/e/të vet duhet të shënohet pa ë - në fundore, si p sh. shoku i vet/ shoqja e vet etj., kurse përemri vetvetor vetë me ë - në fundore, si p. sh. Vetë unë isha iniciator për kryerjen e kësaj pune.
13. Përdorimi i gabuar i emrave të gjinisë femërore të tipit lule, nuse etj., në rasa të zhdrejta

Edhe në këtë pikë shpeshherë po gabohet. Ja disa shembuj: Edhe disa minuta para reprizës po në Prishtinë të po asaj shfaqje!; Si rezultat i një marrëveshje u arrit që; Analistët vlerësojnë se mundësitë e një marrëveshje përmes negociatave janë baras me zero; Këto dy gjuhë ai i përfshin në degën dialektore të një ilirishtje jugore; etj.

Sipas Drejtshkrimit dhe rregullave gramatikore të shqipes emrat femërorë që mbarojnë me e të patheksuar, marrin në rasat e zhdrejta, përkatësisht alomorfet: - je, - ja; e -ja e temës ruhet në gjinoren e dhanoren e pashquar, po bie në emëroren e shquar: lule: luleje, lulja; mësuese: mësueseje, mësuesja; qytetare: qytetareje, qytetarja; studente: studenteje, studentja[3]etj.

Prandaj, duke u mbështetur në këtë që thamë më lart del se shembujt e lartshënuar janë përdorur gabimisht. Trajtat e drejta janë: të po asaj shfaqjeje, si rezultat i një marrëveshjeje, e një marrëveshjeje, në degën dialektore të një ilirishteje etj.

Shpesh herë po gabohet edhe te emrat e tipit: triko, pallto etj., në rasa të zhdrejta. Këto trajta zakonisht po përdoren kështu: /i/e/ të/ kësaj pallte, /i/ e/ të/ kësaj triko (sidomos në të folmet tona në Kosovë), në vend që të thuhet: i/e /të/ kësaj palltoje, i/e/të/ kësaj trikoje etj.
14. Mospërshtatja e kryefjalës me kallëzuesin

Në mjetet tona të informimit publik, në shkrime të ndryshme shkencore - publicistike, madje edhe në ato artistike po na bie në sy shumë herë mospërshtatja e kryefjalës me kallëzuesin.

Mospërshtatja vihet re zakonisht kur kryefjala është në numrin njëjës, kurse kallëzuesi në shumës dhe anasjelltas. Ja disa shembuj: 1. Stafi mjekësor janë duke kryer analiza për të kuptuar arsyet. 2. Kosova në BE do të hyjnë si partner i fuqishëm. (Një titull nga një shkrim gazetaresk); 3. Personeli i këtij spitali shprehin me fjalët...; 4. Edhe Shkupi i bashkohen entuziazmit për vizitën e Bushit. (Titull); 5. Pushtimi romak dukshëm e keqësuan jetën e popullatës ilire; Si gjithkund, edhe këtu elektoratinuk duan shumë fjalë; Në ndërtesën ku krishtërimi dhe muslimanizmi flet me të njëjtën gjuhë. (Titull, po ashtu).

Ndërtimet e këtilla sintaksore bien ndesh me rregullat gramatikore të gjuhës sonë. Edhe po të përktheheshin këta shembuj në gjuhë të tjera kështu si janë, prapëseprapë do të dilnin gabim, sepse edhe në gjuhë të tjera vlen e njëjta rregull. Prandaj, drejt është po të thuhej e të shkruhej: Stafi mjekësor është duke kryer analiza për të kuptuar arsyet; Kosova në BE do të hyjë; Personeli i këtij spitali shprehet me fjalët... ; Edhe Shkupi i bashkohet entuziazmit për vizitën e Bushit; Pushtimi romak dukshëm e keqësoi jetën e popullatës ilire; Si gjithkund, edhe elektorati nuk do shumë fjalë, krishtërimi dhe myslimanizmi (duhet, - A. S.) flasin me të njëjtën gjuhë; etj.
Sipas një rregulle të përgjithshme që vlen, natyrisht, edhe për gjuhë të tjera, kur kryefjala e fjalisë është në numrin njëjës, s'ka dyshim se edhe kallëzuesi a trajta foljore duhet të jetë në numrin njëjës dhe anasjelltas. Por një përjashtim përbën rasti kur kryefjala është e shprehur me njërën nga fjalët e tipit: shumica, një pjesë, gjysma etj., të ndjekura zakonisht nga një emër në gjinore shumës, atëherë gramatikisht folja - kallëzues përdoret në shumës, si p. sh: Shumica qëndronin në këmbë, pas bankave, ku ishin ulur me pleqtë. Shumica e vërejtjeve m 'u bënë në formë pyetjesh. Gjysma e të ardhurave qëndruan në fshat. Një pjesë e fshatarëve lanë punën dhe u grumbulluan te hani[4].

Mirëpo, kur kryefjala është e shprehur në formë togfjalëshi të tipit: Unë me të vëllanë/Agroni me të vëllanë/ marrin foljen - kallëzues në numrin shumës, si në fjalinë: Unë me vëllanë ishim të gëzuar që do të na vinte gjyshja[5]. Por, kur gjymtyra emërore nuk pasohet me gjymtyrën me të vëllanë, atëherë folja - kallëzues duhet të jetë në numrin njëjës, si në shembullin: Teuta shkoi në mal me të vëllanë. ( = me vëllanë, si kundrinë me parafjalë).
15. Mospërshtatja e trajtave ndajshtimore

Edhe te gjymtyra e ndajshtimit ka shumë herë mospërshtatje. Ja disa shembuj të marrë nga shtypi ynë i përditshëm: Në përkujtim të poetit Mirko Gashit; Amaneti i fundit i komandantit legjendar Agim Ramadanit; Eshtrat e poetit të madh shqiptar at Gjergj Fishtës u hodhën në lumë; ... u botua njëra nga veprat e fundit të akademik Sabri Hamiti; Për këtë duhet t'i referohemi Akademik Mark Krasniqi, i cili... ; etj.

Në të gjithë këto raste ndajshtimi është përdorur gabimisht, ngase, sipas një rregullave gramatikore të gjuhës sonë, ndajshtimi është një lloj përcaktori i cili gjithmonë shprehet me emër të pashquar në formën e rasës emërore dhe përshtatet vetëm në numër me gjymtyrën e vet të përcaktuar[6].

Pra, në shembujt e lartshënuar është bërë gabim, ngase edhe ndajshtimi, edhe trajta e përcaktuar janë përdorur në të njëjtën rasë. Prandaj, është dashur të thuhet: Në përkujtim të poetit Mirko Gashi; i komandantit legjendar Agim Ramadani; Eshtrat e poetit të madh shqiptar at Gjergj Fishta...; ...duhet t'i referohemi akademik Mark Krasniqit (Nuk duhet të shënohet me shkronjë të madhe fjala akademik, A. S.) etj. Pra, në analizën gramatikore si trajta ndajshtimore konsiderohen vetëm emrat: Mirko Gashi, Agim Ramadani, Gjergj Fishta, akademik, sepse janë përdorur në trajtat e tyre të pashquara kundruall trajtave të tyre të përcaktuara, siç janë emrat: i poetit, i komandantit, Mark Krasniqit.

Pra, këtu kemi të bëjmë me një moskonsekuencë gramatikore, ngase artikullshkruesi, ka shumë të ngjarë, e ngatërron trajtën ndajshtimore me gjymtyrën e përcaktuar mu nga fakti se shpeshherë këto ndërtime sintaksore realizohen nëpërmjet veçimit. Sipas një rregulle gramatikore të gjuhës sonë, ka mundësi që emrat e plotë të njerëzve të përdoren si ndajshtime të veçuara duke përkuar në rasë me fjalën e përcaktuar, si p. sh: Kujtimi natën e kaloi në banesën e tij bashkë me ndihmësmjekun, Petrit Fugën[7]. Mirëpo, këta emra, sa herë që nuk përkojnë në rasë me fjalën e përcaktuar, funksionojnë si ndajshtime të paveçuara, prandaj ndarja e tyre me presje në këto raste është shkelje e normës, si p. sh.: Dhoma e mbushur plotë, sapo filloi mbledhja, bubulloi nga fjalët e kryetarit të këshillit popullor Musa Berisha[8].

Autori dhe burimi: Agim Spahiu

[1] Shih Gramatika e gjuhës shqipe 1, Morfologjia, Tiranë, 2002, f. 70.
[2] Vep. e cit., f. 281 - 282.
[3] Shih Gramatika e gjuhës shqipe I, Morfologjia, Tiranë, 2002, f. 117.
[4] Shih Grup autorësh, Gramatika e gjuhës shqipe 2, Sintaksa, ASHSH, Tiranë, 1996, f. 200.
[5] Po aty, f. 200.
[6] Shih Gramatika e gjuhës shqipe 2, Tiranë, 1996, f. 237.
[7] Shih Vep., e cit., f. 342.
[8] Po aty f. 342.
 
Redaktimi i fundit: