Fshati shqiptar në shek.XIII-XIV

J

Jani

Vizitor
Fshati shqiptar në shek.XIII-XIV

Në shek.XIII-XIV në Shqipëri dalloheshin dy zona me zhvillim e me drejtim të ndryshëm ekonomik: ultësira bregdetare dhe fushat e brendshme pjellore, që kishin arritur një shkallë të lartë të zhvillimit të feudalizmit dhe ku fshati i qëndrueshëm bujqësor (villa, horion) përfaqësonte tipin kryesor të vendbanimit, si dhe zona malore, ku veprimtaria kryesore ishte blegtoria dhe punimi i tokës përbënte një veprimtari ndihmëse.

Viset malore kishin qenë tradicionalisht vatra të fshatarësisë së lirë. Megjithatë, në shekujt XIII-XIV edhe këtu vihet re dëpërtimi i marrëdhënieve feudale. Procesi i diferencimit shoqëror kishte nxjerrë në krye të tyre krerët e vendit, në duart e të vilëve qenë grumbulluar bagëtitë dhe pjesa më e madhe e tokave të punueshme. Pushteti qendror u kishte dhënë këtyre krerëve edhe funksione të pushtetit shtetëror, duke i njohur si përfaqësues e ndërmjetës të tij në marrëdhëniet me banorët e viseve malore.

Në fillim të shek. XIV, mjaft nga këta krerë të malësive e kishin shtrirë pushtetin e tyre nga malësitë, në drejtim të fushave rreth e rrotull. Kështu Skurajt e malësisë së Tiranës kishin zënë, nga mesi i shek.XIII, një pjesë të fushës së Tiranës, që mori emrin "Skurie" pikërisht prej tyre. Po ashtu Muzakajt e Oparit shfaqen nga fundi i atij shekulli edhe si zotërues tokash në fushën e Korçës dhe në ultësirën perëndimore, që filloi të quhej Muzakja (Muzeqe) qysh nga fundi i shek.XIV. Ndryshe nga malësitë, në zonat e ulëta fushore marrëdhëniet feudale u zhvilluan në formën e tyre klasike.

Aty njiheshin dhe funksiononin të gjitha institucionet feudale, si institucioni i pronës në formën e pronësisë së plotë (bashtinë) ose të kushtëzuar (pronjë), institucioni i vasalitetit, i imunitetit etj. Në shek.XIII-XIV këto vise po shkonin drejt njësimit të formave të pronës feudale. Prona feudale e kuzhtëzuar (pronja) u bë e trashëgueshme; ajo shitej e blihej dhe u çlirua nga detyrimet ndaj kryezotit. Një gjë e tillë çoi në fuqizimin ekonomik e politik të klasës feudale, por e keqësoi më tej gjendjen e fshatarëve bujkrobër, mbi të cilët feudali ushtronte tashmë një pushtet absolut e të pakontrolluar. Krahas detyrimeve në natyrë e në të holla, bujqit duhej të kryenin edhe punë angari për feudalin.

Kjo ësthë një nga arsyet që në këtë kohë vihet re një lëvizshmëri e madhe e popullsisë fshatare që braktiset fshatin e vet për t'u strehuar në qytet ose në zotërimet e feudalëve të tjerë. Qendrën e vendbanimit fshatar e përbënte vendbanimi i feudalit, që zakonisht ishte një kullë e fortifikuar, e ngritur në një vend nga ku mund të zotërohej territori. Ajo ishte e pajisur dhe me mjedise qëndrimi për të afërmit dhe për skortën e feudalit, me magazina dhe me punishte të ndryshme (kovaçanë, furrë etj.). Kasollet e bujqve ndodheshin të shpërndara në territorin përreth kullës së feudalit.

Në mjaft vende, pushteti feudal përfaqësohej nga institucionet fetare, veçanërisht nga manastiret. Manastiret e Deçanit, të Arkanjellit, në zonën e Kosovës, manastiret e Shirgjit dhe të Vraninës, në zonën e Shkodrës, peshkopatat e Durrësit e të Ohrit si dhe manastiret e Shën Kollit e të tjera, në zonën e Delvinës e të Çamërisë, zotëronin fshatra të tëra që u ishin dhuruar atyre në kohë të ndryshme nga pushteti laik. Manastiri qe kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike ku realizohej prodhimi bujqësor dhe zejtar. Për më tepër, në ditë festash aty organizoheshin panaire të mëdha.

Ashtu si vendbanimet e feudalëve laikë, mjaft manastire, duke u rrethuar me mure, u kthyen me kohë në qendra të fortifikuara. Rreth gjysmës së dytë të shek.XIV, pas tërheqjes së pushteteve të huaja nga Shqipëria, feudalët më të fuqishëm shqiptarë e zhvendosën vendbanimin e tyre në qytetet ku deri atëherë qe vendosur administrata e huaj. Kështu Shpatajt u vendosën në Artë, Zenebishajt në Gjirokastër, Muzakajt në Berat, Topiajt në Krujë e në Durrës, Dukagjinët në Lezhë, Gropajt në Ohër, Zahirajt në Danjë. Balashajt lëviznin në Shkodër, në ulqin e në Tivar.

Shumë feudalë shqitparë ushtronin të pavarur jo vetëm pushtetin ekonomik, por dhe atë politiko-administrativ madje dhe atë gjyqësor.
 
Sipër