Flamuri 200 vjeçar i Mirditës, i vetmi i mbjetuar nga 33 flamujt e Lidhjes së Prizrenit

Miri

Anëtar drejtues
Historia e Flamurit 200 vjeçar të Mirditës i cili edhe sot e kësaj dite ruhet në familjen e bajraktarëve të Kashnjetit me qendër në Lezhë
flamuri-i-mirdites.jpg
“Flamuri është i formatit 90x70 cm, fushën më ngjyrë të kuqe, ku është piktruruar me kujdes një shqiponjë dykrerëshe dhe pak sipër kokës një diell, si simbol që për herë të parë edhe në kohën e pushtimit turk, tregonte kredon e malësorëve të Mirditës për të qenë të mëvetësuar.”

Ndër 33 flamujt e Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, të ardhur nga krahinat e ndryshme të vendit, ka mbetur si relike e memories historike njëri prej tyre, që ndodhet në shtëpinë e një prej pinjollëve të fisit Bajraktari nga bajraku i Kashnjetit të Mirditës. Ai quhet Ndue Bajraktari dhe ruajtjen e flamurit në krye të oxhakut të kullës e ka patur si gjënë më të shtrejntë për një fakt se ai flamur ka “shtegtuar” në shumë breza, por që në një farë mënyrë sipas tij, historia e ruajtjes 200 vjeçare deri në ditët tona, nuk ka të dytë.

Me atë flamur është përfaqësuar Bajraku i Kashnjetit, njëri prej 12 bajraqeve të Mirditës, dhe më pas vetë Mirdita në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa me të kjo krahinë u përfaqësua dhe në vitin 1912, kur ngritja e flamurit kombëtar nëpër viset e ndryshme të vendit, kishte ardhur si një “konvejer” i pandalshëm. Pikërisht më 15 qershor 1912 burrat përfaqësues të krahinës së Lezhës e pranuan si simbol të ngritjes së flamurit, pikërisht këtë flamur që ruhet me fanatizëm në shtëpinë e bajrkatarëve.

Dhe në fakt me këtë flamur jo pak është prirë në beteja që kjo krahinë të ishte autonome. Vetë flamuri nuk është prodhim industrial, qoftë dhe i kohës, por është punuar në vegjë nga artizane të krahinës, ndërsa sot edhe pse është i një ngjyre në të dalë, duket se është ruajtur me kujdes, ndërsa për peripecitë e tij tregojnë disa njolla gjaku, që janë mbi të.

Por sesa e lidhur ka qenë kjo familje me këtë flamur e tregojnë disa momente shumë interesante, kur nëna e Ndout, per ta ruajtur amanetin e të parëve edhe kur iu dogj kulla në vitin 1946, mundi të dredhojë për të hyrë brenda në shtëpi “në kërkim të rrobave të një fëmije”, ndërsa mori me kujdes flamurin për ta futur në gji, dhe më pas për 50 vite ta mbante të qepur në brendësi të jorganit kur familja ishte e internuar në Tepelenë, dhe për ta nxjerrë atë vetëm në vitin 1985, për ta dorëzuar në muzeun e Lezhës, në këmbim të shkollimit të fëmijëve.

Nga: A. Ndoja

Ndue-Bajraktari-me-flamur.jpg
Ndue Bajraktari me flamur në dorë
 
Sipër