Fan S. Noli

J

Jani

Vizitor
Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam' e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.


Se ç'e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.


Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall', as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, se ç'u mpaka,
Se ç'u çora, se ç'u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.


Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!


Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal' e më bën trim,
më jep forc' e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.


Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes' e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
 
J

Jani

Vizitor
Moisiu ne Mal


Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Krye-Profeti trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
Për Palestinë.


Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovaj i flet prej një reje
Me zë rrufeje:


"Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s'e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s'e meritoni
Se liri s'doni!"


Krye-Profetit dita i ngryset
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.


Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?


"Nëm Dhen' e Lirë! Zot ku ma ke?"
"Shiko, i tha, dhe ja ku e pe."
Së largu Zoti ia pasqyron,
Dhe e shikon.


Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum' i Jordanit, Jerusalemi,
Mal' i Sionës, Bethsaidaja,
Dhe Golgothaja,


Sheh gasn' e pritmë për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
O Moisi.


Këtej ka dimrin, andej prënverën,
Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
Liberator!
 
Sipër