Elis Guri flet si bullgar, falënderon vendin sllav

A

agroni

Vizitor
Elis Guri flet si bullgar, falënderon vendin sllav

TIRANE-Elis Guri u shpall ka mpion bote në peshën 96 kilogramë në mundjen greko-romake, pasi mposhti suedezin Xhimi Lindberg dy net më parë, në Botërorin e Stambollit. Mundësi shqiptar, që prej dy vjetësh garon për Bullgarinë, ka fituar direkt të drejtën e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike, duke triumfuar në kampionatin botëror të Turqisë. Në rrugën e tij drejt finales, Guri pati mposhtur kroatin Sinisha Hogach, izraelitin Robert Avanesyan, në çerekfinale rusin Rustam Totrov, ndërsa në gjysmëfinale egjiptianin Abdelfatah Mohamed. Ky i fundit ishte kampioni i botës në fuqi, pas medaljes së artë të fituar në turneun e zhvilluar në Guangzhou të Kinës. Ndërkohë, medalja e artë e fituar dy net më parë në Stamboll, i ka siguruar Elis Gurit edhe pjesëmarrjen direkte në Olimpiadën e Londrës. Në bazë të rregullave, gjashtë mundësit e parë të çdo kategorie, kanë siguruar direkt një vizë për në Angli.
Elis Guri
Vetëm dy vjet më parë, Elis Guri ishte një nga sportistët më të mirë shqiptarë, pjesëmarrës edhe në Lojërat Olimpike të Pekinit. Por, mosplotësimi i kërkesave ekonomike nga ana e Federatës Shqiptare të Mundjes, e cila në vitet e fundit ka qenë tërësisht e përçarë dhe me dy presidentë, bënë që ai të kërkonte "strehë" diku tjetër. Veç kësaj, ngjarjet në Asamblenë e KOKSH-it, në fund të vitit 2008, ku ai ishte një nga protagonistët kryesorë të sherrit të plasur në sallë, duke i dalë në krah Esat Ademit, e bënë Gurin jo fort të dashur në ambientet sportive. Bullgaria i ofroi menjëherë një pasaportë dhe mundësi shkodran ia shpërbleu, duke i dhënë medaljen e bronxit në Europian pak muaj më parë dhe të hënën, atë të arit në Botëror. "Të fitoja medaljen e artë në Botëror është vetëm "diçka", - ka deklaruar Elis Guri për mediat bullgare ditën e djeshme. - Unë dua të fitoj medaljen e artë në Olimpiadë, që është gjithçka për mua. Dua të arrij gjithçka në këtë sport. Këtu ishin miqtë që më mbështetën, ishte e dashura ime, por jo babai, që nuk mund t'i përmbante emocionet. Ju falënderoj të gjithëve, që nga presidenti i Federatës Valentin Jordanov deri te Grisha Ganchev", shtoi shqiptari. Një deklaratë, që tregon se ai është tashmë më shumë i lidhur me Bullgarinë, se me Shqipërinë, e cila nuk i plotësoi dot asnjë kërkesë.
Bullgarët
Elis Guri tashmë është kthyer në një hero kombëtar në Bullgari. Presidenti i Federatës së Mundjes në këtë vend, Valentin Jordanov, është shprehur tepër i kënaqur me suksesin e shqiptarit. "Ne vetëm mund të gëzohemi prej këtij suksesi, - tha Jordanov. - Elis i tregoi gjithë Evropës dhe botës se është një luftëtar i madh. Shpresoj që në ditët e ardhshme të kemi momente të tjera të lumtura", shtoi ai. Ndërkohë, trajneri i Elis Gurit Stojan Dobrev, shton: "Elis tregoi një zemër të jashtëzakonshme dhe tejkaloi edhe veten. Gjithnjë kam besuar tek ai. Ka një të ardhme të ndritur dhe mund të fitojë ndaj më të mirëve të këtij sporti".

(d.b/BalkanWeb)
 
Sipër