Dhjetë lëvizjet më të mëdha të merkatos

Miri

Anëtar drejtues
Dhjete levizjet me te medha te merkatos

Të premten, me ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu (19:00) do të nisë Kampionati i 74-t Kombëtar i futbollit, me kampionët në fuqi, Skënderbeun, që do ta nisin mbrojtjen nga “Loro Boriçi”. Ndeshja është shumë intriguese edhe për një fakt tjetër: përballë njëri-tjetrit do të jenë dy trajnerë, që i kanë drejtuar të dyja skuadrat, madje në fillim të sezonit të kaluar. Shpëtim Duro, i cili tani drejton Vllazninë, në edicionin 2010-2011 u dha titullin e dytë kampion korçarëve, përpara së pasohej nga çeku Stanislav Levi. Mirel Josa, që tani është në bankinën e Skënderbeut, vjet drejtonte Vllazninë, përpara se të shkarkohej dhe të zëvendësohej nga Rudi Vata. Por, nëse Skënderbeu, që të dielën humbi finalen e Superkupës me Tiranën (1-2), ndryshoi presidentin (Agim Zeqo dha dorëheqjen), në “erën” e bosit të ri, Artan Take, u realizuan shumë pak blerje, vetëm katër të tilla, në raport me Vllazninë, që rekrutoi 11 lojtarë. Në prag të fillimit të kampionatit, gazeta “Telegraf” boton një speciale me dhjetë lëvizjet më të bujshme të kësaj merkatoje verore.

GJERGJI MUZAKA
Nga Skënderbeu, te Flamurtari

Pa asnjë dyshim transferimi i tij nga Skënderbeu (përfundim kontrate), te Flamurtari është kulmi i kësaj merkatoje vere. Presidenti Shpëtim Gjika e bleu kartonin e tij në parametra zero, por kontrata kap vlera joshëse: 105 milionë lekë të vjetra. Një shumë rekord në kampin vlonjat. Muzaka, i cili ka dalë nga shkolla e Partizanit, ka dalë kampion me Tiranën (2008-2009), Dinamon (2009-2010) dhe Skënderbeun (2010-2011 dhe 2011-2012). Është lojtar i ekipit kombëtar (ka shënuar një gol kundër në barazimin 1-1 kundër Rumanisë, në Pietra Neamnt), por dhe një eurogol në një miqësore kundër Milanit. Shuma që, ai do të përfitojë, hapi disa debate, por kryebashkiaku Gjika beson se ai mund të kontribuojë shumë te Flamurtari, për të fituar titullin që u mungon vlonjatëve prej 21 vjetësh, nga viti 1991.

DANIEL XHAFAJ
Nga Skënderbeu, te Teuta

Daniel Xhafaj, dy herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë – me Besën, në sezonin 2009-2010 dhe Flamurtarin, në edicionin 2010-2011- nuk arriti të tregojë vlerat e tij te Skënderbeu, pavarësisht se në fund të kampionatit të kaluar, ai u kurorëzua me titullin kampion. Këtë trofe e kishte fituar me parë edhe me Dinamon e sezonit 2001-2002. 35-vjeçari Daniel Xhafaj u rikthye te një dashuri e vjetër e tij, Teuta, për të cilën ka luajtur edhe në sezonet 2003-2005 dhe 2006-2007. Xhafaj është një lojtar me eksperiencë, që do t’u transmetojë përvojë të rinjvE të presidentit Edmond Hasanbelliu. Danieli ka dalë nënkampion me Teutën, ashtu dhe me Flamurtarin, duke qenë kështu një vlerë e shtuar në kampin durrsak.

PERO PEJIÇ
Nga Flamurtari, te Skënderbeu

Sulmuesi kroat Pero Pejiç vlerësohet, si një nga të huajt më të talentuar dhe më të zotë që ka ardhur në Shqipëri. Prezantimin e parë në vendin tonë e bëri te Dinamo, ku dhe doli kampion në sezonin 2007-2008 dhe 2009-2010. Aventurën e vazhdoi te Tirana, pëprara se të transferohej në Arabinë Saudite, ku nuk pati sukses. Gjiganti Pejiç mbërriti në janar të këtij viti në Vlorë, ku shënoi 13 gola në 15 ndeshje për Flamutarin, por më pas nuk pranoi të rinovonte kontratën edhe pse iu ofruan 70 mijë euro, me kushtin që 30% e shumës do t’i jepej vetëm nëse vlonjatët do të fitonin titullin kampion. I kërkuar nga Tirana dhe Vllaznia, ai mbërriti te Skënderbeu, ku do të formojë dyshen me Sebino Plakun, me të cilin ka luajtur te Tirana.

MIGEN MEMELLI
Nga Al-Tauon, te Flamurtari

Sulmuesi Migen Memelli vlerësohet si një nga më të mirët në tregun shqiptar. Për pogradecarin 32-vjeçar bëhet fjalë për një rikthim në Vlorë, pasi ai ka shkëlqeu me Flamurtarin në gjysmën e dytë të sezonit 2009-2010, ku ndihmoi në mbijetesën e skuadrës falë golave të tij. Golashënuesi më i mirë i sezonit 2008-2009 (me Tiranën, kampion) ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, pasi ka luajtur në Norvegji (me Bran Bergen), Suedi (me Gais) dhe së fundi në Arabinë Saudite (me Al-Faisaly dhe Al-Tauon). Mbërriti si lojtar i lirë, por dhe për të një kontratë e majme. Gjithsesi, Memelli, i cili ka luajtur edhe për disa skuadra të tjera në vend, është një lojtar që gjithmonë e ka treguar se di të shpërblejë besimin që tregohet ndaj tij.

ARBËR ABILALIAJ
Nga Inter Zapresiç, te Tirana

Në fakt, Tirana, fituese e freskët e Supërkupës së Shqipërisë (mundi në finale Skënderbeun) nuk është se ka shkëlqyer në merkato, pavarësisht se trajneri spanjoll, Hulian Rubio, ka kërkuar emra të rëndësishëm në ekip, pasi nuk ka në bankinë cilësore. Me largimin e Bekim Balajt në Çeki dhe të Sokol Cikalleshit në Korenë e Jugut, Tirana hyri në merkato duke firmosur me Entonio Pashajn, Elton Muçollarin, Mirel Çotën, Gentian Muçën dhe Arbër Abilaliajn. Pikërisht, vlonjati Abilaliaj, që dikur ka luajtur me Tiranën në sezonin 2009-2010 është dhe blerja më rëndësishme. Sulmuesi gjatë dy viteve të fundit luajti në Kroaci me Inter Zapreshiç, 2010-2012, ku shënoi 10 gola në 38 ndeshje.

ELVIN BEQIRI
Nga Khazar Lankaran, te Vllaznia

Vllaznia ka shpenzuar jo pak për merkaton, madje Bashkia e Shkodrës që administron klubin, ka vendosur në shumë goxha të madhe. Deri tani janë afruar 11 lojtarë, ku spikasin emra të tillë si Tefik Osmani, Ivan Daliç apo Deni Dragoi, por më i bujshmi është ai i Elvin Beqirit. Mbrojtësi shkodran, pak kohë më parë pjesë e Kombëtares A (47 ndeshje), është një nga blerjet cilësore. 31-vjeçari, i cili ka luajtur në Rusi, Ukrainë dhe Izrael, është një nga lojtarët që do t’i shërbejnë shumë trajnerit Shpëtim Duro.

BLEDAR DEVOLLI
Nga Luftëtari, te Shkumbini

Edhe pse Bledar Devolli u transferua nga Luftëtari (për të cilin kontribuoi) për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore, transferimi i mesfushorit shkatërrues te Shkumbini, mund të përfshihet në blerjet e bujshme. Kjo dhe për një fakt tjetër, trajneri i Shkumbinit, Gugash Magani dhe gjirokastriti Bledar Devolli, nuk kanë kaluar mirë kur të dy ishin pjesë e Flamurtarit, madje patën dhe replika publike me tone të ashpra dhe fyese në shtyp. Devolli ka luajtur me Luftëtarin, Teutën, Partizanin, Tiranën, Bylisin, Vllazninë, Tomorin, Lushnjën, Elbasanin, Skënderbeun, duke qenë kështu një nga më të shumëbredhurit në Shqipëri.

SABIEN LILAJ
Nga Lokomotiva Zagreb, te Skënderbeu

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Sabien Lilaj, është formua në Korçë si futbollist, por ai nuk e kishte veshur fanellën e ekipit të parë të Skënderbeut. 23-vjeçari u dallua te Tirana (2008-2011) përpara se të tranferohej në Kroaci, te Lokomotiva e Zagrebit. Aventura në kryeqytetin kroat zgjati shumë pak, vetëm një sezon. Lilaj tani është pjesë e Skënderbeut, pasi më parë refuzoi ofertën e Tiranës. Me korçarët ai shpreson të japë kontributin e tij, dhe pse jo të ruajë vazhdimësinë e aktivizimit në përfaqësuesen tonë.

IGLI ALLMUÇA
Nga Skënderbeu, te Kukësi

Igli Allmuça, gjithmonë është dalluar si një lojtar punëtor: fjalëpak dhe punëshumë. Karriera e tij nis me Partizanin, vazhdoi me Tiranën, Dinamon (kampion 2009-2010) dhe sërish me Skënderbeun (2 herë kampion: 2010-2011 dhe 2011-2012). Tani ai është pjesë e projektit të Kukësit dhe presidentit të tij, Safet Gjici. Kukësi do të debutojë për herë të parë në Kategorinë Superiore dhe lojtarët e blerë janë të shumtë: Argent Halili, Rrahman Hallaçi, Stevan Markoviç, Enco Malindi, Lazar Popoviç, Julian Brahja, Endri Lala, Enkel Alikaj, Renato Malota, etj.

ABRAHAM ALEÇENU
Nga Vardari i Shkupit, te Besa

Për atë që nigeriani Abraham Aleçenu ka dhënë dhe ka marrë nga futbolli shqiptar, ai do të mbetet në historinë e Kategorisë Superiore. Është i vetmi lojtar i huaj që ka fituar katër tituj kampionë me tre skuadra të ndryshme: dy herë me Tiranën (2006-2007 dhe 2008-2009), një herë me Elbasanin (2005-2006) dhe një herë me Dinamon (2009-2010). Për doli shprehja: “ku luan Abrahami, skuadra del kampion”. Nigeriani ka luajtur në Greqi, Qipro dhe së fundi në Maqedoni. Te Besa u transferua në parametra zero nga Vardari i Shkupit.
 
Sipër