Buka e zezë parandalon kancerin e zorrës

A

agroni

Vizitor
Buka e zezë parandalon kancerin e zorrës

TIRANE- Kryefjala e çdo mjeku për të mos pasur probleme me shëndetin është ushqyerja e shëndetshme. Një dietë e pasur me vitamina e minerale dhe e varfër në brumëra apo karbohidrate zë vend gjithmonë në këshillat e dietologëve më të përgatitur. Megjithatë ne hyjmë në këto përbërës të dietës duke harruar shpeshherë bukën, një nga ushqimet bazë dhe më karakteristike të dietës së përditshme shqiptare. Për shumë persona mënjanimi i bukës nga ushqimi i përditshëm është i pamundur edhe pse nuk e dinë që buka e bardhë është një nga ushqimet që sjell probleme serioze për organizmin.

Këtë fakt e pohon edhe mjeku alternativ Azem Nela, i cili na shpjegon edhe vlerat ushqimore dhe kurative të bukës së zezë si dhe problemet që mund të shkaktojë në organizëm konsumimi i bukës së bardhë. Mjeku Nela na shpjegon se është cipa e grurit ajo që përmban vitaminat A dhe E që quhen dhe vitamina embrionale të cilat janë shumë të nevojshme kundër plakjes, sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe kancerit. Gjithashtu ai shpjegon se në cipën e grurit gjendet edhe vitamina B, e cila është e domosdoshme për ekuilibrin nervor. Por ajo që është më kryesorja është se vëzhgimet shkencore kanë vërtetuar se kjo cipë krahas ndikimit direkt që ka mbi proceset e tretjes, konsiderohet si një faktor mbrojtës ndaj kancerit të zorrës. “Në bukën e zezë ndodhen të gjitha substancat jetësore, përfshirë këtu kripërat minerale, vitaminat, hormonet bimore etj. Buka e bardhë është e zhveshur nga të gjithë këta përbërës, duke ruajtur kështu vetëm amidonin”,- thotë mjeku alternativ Nela. Duke mbajtur parasysh ushqimet e industrializuara që përdoren në ditët e sotme, të cilat janë të thata të konservuara dhe të privuara nga fibrat siç është edhe buka e bardhë, mjeku rekomandon përdorimin e bukës së zezë e cila ka në përbërjen e saj cipën e grurit, si mbajtësja e të gjitha vitaminave.

BUKA E BARDHË
Mjeku alternativ Azem Nela na shpjegon edhe proceset që ndodhin në organizmin tonë, në momentin që ne jemi duke konsumuar bukën e bardhë. “Gjatë proceseve metabolike të njeriut çlirohen dhe mbetje të helmëta, një pjesë e mirë e të cilave eliminohen nga zorrët nëpërmjet jashtëqitjes. Në zhvillimin normal të këtyre proceseve në zorrë, një rol të rëndësishëm luan flora bakteriale e cila është pjesë e tretjes dhe ruan ekuilibrin. Në rastet kur përdoren ushqime të varfra në fibra e celuzë, të cilat janë elemente thelbësore në funksionimin normal të florës bakteriale të zorrës, krijohet disbalancë dhe forma më tipike e këtij disbalancimi është konstipacioni ose siç njihet ndryshe, kapsllëku”,- thotë Nela. Duke qenë se buka e bardhë është e varfër në fibra atëherë kjo shkakton dhe mosfunksionimin normal të florës bakteriale e cila sjell dhe kapsllëkun. “Si pasojë e këtyre proceseve jo normale formohet një sasi e tepërt substancash helmuese si amoniak, indet skatal, gazra të shumta etj., të cilat në vend që të eliminohen me jashtëqitjen rithithen në gjak duke shkaktuar një vetëhelmim duke bërë që organizmi të luftojë me vetveten”,- vazhdon të shpjegojë Nela.

Gjithashtu ai sqaron se këto çrregullime manifestohen me dhimbje koke, ngacmueshmëri të lartë të sistemit nervor (nervozitet), pagjumësi, rrahje të shpeshta zemre etj. Mjeku vazhdon të shpjegojë se buka e bardhë ngre nivelin e kolesterolit duke favorizuar lindjen e sëmundjeve të zemrës. Ajo është e varfër me kripëra minerale e vitamina, gjë që favorizon reumatizmën si dhe degjenerime të tjera kockore si: osteoartroza, spondiliatroza por edhe anemi, prishjen e dhëmbëve etj. Nisur nga të gjitha këto, mjeku alternativ rekomandon përdorimin e bukës së zezë dhe sidomos atë të bluar në mulli me gurë pasi në këtë mënyrë nuk denatyrohen komponentët përbërës të grurit.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)
 
Sipër