Arti Ilir

Joni

Moderator
Arti Ilir

Në qytetet ilire mori zhvillim më të madh skulptura e rrumbullakët si dhe relievi që lidhej me ndërtimin e monumenteve. Në fillim skulptura u zhvillua duke përvetësuar elementë të artit helen, sidomos nga tradita korintike dhe korkyrase.

Më vonë, nga shekulli VI p.e.r., krahas lidhjes me traditën helene, arti ilir fiton veçori te reja, të dallueshme, brenda kuadrit helenistik. Apolonia dhe Durrahu që u bënë qendrat më të rëndësishme të artit në ato vite, kishin mjeshtrit e shquar vendas që gdhendnin dhe skalisnin në një stil me tipare të veçanta kundrejt veprave të importuara prej qytetërimit helen. Në muzeun e sotëm të Durrësit janë ekspozuar disa skulptura të papërfunduara, të gjetura në atë trevë. Ato dëshmojnë për gdhendjet që janë bërë në truallin shqiptar. Janë zbuluar gjithashtu edhe gjurmë të punishteve të hershme të qeramikës në Apolloni dhe Durrah. Aty u prodhuan shumë nga enët dhe vazot e bukura të stilit antik që ruhen në muzetë tona. Figurat e pikturuara paraqesin skena të ndryshme mitologjike, pamje nga garat atletike, skena luftimesh etj. Përgjithësisht janë me figura të zeza mbi sfond të kuq (shek. VI-V p.e.r.) dhe me figura të kuqe mbi sfond të zi (shek. IV deri në periudhën helenistike). Pikturimi i figurave është në lëvizje, plot harmoni dhe plasticitet. Në këtë periudhë realizohen edhe shumë statuja të vogla prej bronzi si dhe terakota, ku paraqiten edhe motive laike si dhe figura fëmijësh, barinjsh etj.

Figura me vlerë artistike ndeshim edhe në monedhat e shumta të kësaj periudhe që u realizuan në Apoloni, Durrah dhe Orik. Lulëzimi i disa qyteteve ilire dhe i kolonive helene solli një zhvillim të madh të artit që u pasua edhe me shumëllojshmëri formash e teknikash ; që nga afresket e deri te mozaikët e bukur monokrom dhe polikrom. Por në shekullin e I-rë u ngadalësua gjithë ai hov zhvillimi. Pushtimi romak që shkaktoi rënien ekonomike të qyteteve ilire, la gjurmë të dukshme edhe në art. Ndonëse Roma pushtuese u pushtua vetë prej artit helen, përsëri ndikoi në qytetet ilire me tipare të kulturës së saj provinciale romake.

U duk më qartë ndikimi në skulpturë, ku përgjithësisht u ndoq realizmi tipik i kohës, por ndjehet gjithashtu fryma klasike që mbështetet në traditën qindravjeçare. Qendrat kryesore të veprimtarisë artistike mbeten përsëri Apolonia, Durrahu, Botroti etj.

Në vitet e pushtimit romak prej artit zyrtar shkëputet arti i trevave fshatare, ku pasqyrohen motive nga jeta e përditshme. Me praninë e elementëve të thjeshtë artistikë, që dallojnë nga veprat e mëparshme, si dhe me skalitjen e veshjeve dhe emrave ilire, veprimtaria e këtyre viteve mund të vlerësohet edhe si një qëndresë ndaj asimilimit prej pushtuesve më të fuqishëm të kohës.
 
Sipër