Arkeologjia - Shteti i Arbërit

Miri

Anëtar drejtues
Arkeologjia - Shteti i Arbërit

shteti-i-arberit.jpg

Ndër gjetjet më me vlerë, jo vetëm të Mirditës, është Stema e Arbërit e zbuluar në Gëziq, në rrënojat e kishës së vjetër të Ndërfanës. Stema është një shqiponjë me një kokë, me vështrim djathtas. Sipas të dhënave është simbol i Dukagjinëve.

Së bashku me këtë, është gjetur dhe Mbishkrimi epigrafik i arkitraut të Bazilikës së Shënpremtes së Ndërfanës. Dokumentet, sëpari përmendin Progonin, i cili kishte hedhur themelet e shtetit që në fund të shekullit XII dhe kishte sunduar Arbërinë për 9 vjet, deri në vitin 1199, kur do t’ia linte drejtimin e shtetit djalit tij të madh Gjinit, i cili për gjatë 8 vjetëve sundim do t’a konsolidonte këtë shtet.


Më pas është Dhimitri, që po 8 vjet do të jetë në krye të shtetit, deri në vitin 1215, në kulmin e lulëzimit të tij. Ku e kishte selinë Shteti i Arbërit? Të dhënat e derisotme janë në favor të Ndërfanës, pasi në këtë kohë ishte një qendër e rëndësishme fetare dhe mbishkrimi i gjetur mund të hedhë dritë mbi princët e Arbërisë dhe epiqendrën e shtetit të tyre. Arbërit dhe territoret që zotëronin shpesh u bënë lakmi e interesave të Perandorisë Romake të lindjes dhe princëve të ndryshëm të perendimit, por dhe e mbretrive të sllavëve të jugut.


Lufta me pushtuesit Anzhuinë ishte fillimi i një lufte të re, që do të ndiqej nga pushtime të tjerë. Viti 1279 është viti i humbjes së parë për arbërorët, pasi humbën në luftë dy përfaqësues të shquar të dy dyerve të mëdha të kohës: Vlad Blinishtin dhe themeluesin e derës së Dukagjinëve, Duka Gjin Tanushin. Familja Blinishti shfaqet fillimthi si dera më me zë e mesjetës. Ka dhe një fshat në Zadrimë që quhet Blinisht me banorë të shpërngulur nga malet e Mirditës. Në shekullin XII-XIV, kur kjo familje pati zenitin e saj, Shënpali, vetëm dy kilometra prej Blinishtit, kishte Kuvendin Benediktin, një nga kuvendet më të rëndësishëm të Arbërisë në kohën e mesjetës.
Nuk ka të dhëna se kishte një kuvend të tillë në Blinisht të Zadrimës (kisha e këtij fshati mban emrin e kishës së Blinishtit të Mirditës, Shën Shtjefni). Familja Blinishti falë diplomacisë së saj zgjeroi mjaft territoret. Mirëpo rritja e kësaj dere solli konflikte të shumta midis sundimtarëve të tjerë arbërorë, por dhe me serbët, duke humbur dhe luftën me këta të fundit.


Një ndër dyert që po rivalizonte hapur me atë të Blinishtëve ishin Dukagjinët. Pas kreyngritjeve të viteve 1319-1336, kur në territoret e Blinishtëve po vendoseshin Dukagjinët, një pjesë e popullsisë për t’i shpëtuar sundimtarit të ri u nis drejt fushës ,duke u vendosur kryesisht në Zadrimë e duke marrë me vete dhe emrin e fshatit prej nga erdhën, tipar ky i mjaft banorëve që shpërngulen nga njëri territor në tjetrin. Dukagjinët siguruan daljen në Adriatik dhe sunduan mjaft territore. Jemi në një periudhë kur ka mjaft lëvizje të popullsisë nga njëri territor në tjetrin, nxitur nga pushtimet e ndryshme, por dhe për të siguruar kushte më të mira jetese.
Kësisoj nis e shfaqet dukuria e dobësimit të fisit dhe e krijimit të bashkësive fshatare mbi bazë territoresh të përbashkëta. Për shumë kohë territori që zotëronin Dukagjinët do të përkonte me territorin që do të quhej Mirditë më vonë. Toponimet e shumta me emrin Lekë në Mirditë, që çojnë tek Lekë Dukagjini, janë një dëshmi që në këto troje sundimtarë kanë qenë Dukagjinët.


Kuvendet Benediktine të Shpalit dhe i Shënllezhdrit në Orosh, Stema e Arbërit në Ndërfanë, janë tregues se zotërit e këtyre territoreve, pavarësisht emrave të tyre, e kanë patur epiqendrën në këtë vijë qendrash të afërta me njëra-tjetrën. Në vitin 1417 për herë të parë në rregjistrat kadastralë të Venedikut, gjejmë emrin Mirditë, si mbiemër i Gjon e Pjetër Mirditës, në Manzabardh të Shkodrës, tregues ky se emri i fshatit apo krahinës, ka qenë i formësuar më parë se ata të linin trojet e tyre, të paktën që me rënien e derës së Blinishtëve, derë e cila ka qenë shumë afër vendit prej të cilit mendohet se ka dalë e ka marrë përhapje emri Mirditë.
 
Sipër