Abacia e Mirditës

A

Antoni

Vizitor
Abacia e Mirditës

Shënime historike rreth Abacisë së Mirditës
Përveç legjendës së tre vllazenvet që u ndanë, njeri, i madhi tue marrë Shalën (prej kah Shala mori emnin si krahinë), tjetri shoshën, tue ngulë në Shosh dhe të tretit ma të voglit s'i mbet tjeter me thanë veç " E mirë dita qoftë për mue", nga ku del emni Mirditë. Etnografikisht emni Mirditë del rreth 1416, në Katedralën e Ljubiçit, bot. në Atarine fq. 46, lib. 14. Kah viti 1436 kaloi nëpër Raguzë i biri i princit Prengë, në vitin 1470 popullsia e Mirditës asht e zoja të qesin 12.000 luftëtarë.

Gjon Muzaka, kur shkruen historinë e shtëpisë së vet, në vitin 1510 nuk përmend aspak mirditasit, por vetëm thotë se shtëpia e Dukagjinasvet sundon Zadrimën, dy Fandet, Malin e Zi të Pukës, Pultin, Flatin, Qafen e Malit dhe bregun e majtë të Drinit. As Barleti nuk i përmend Mirditasit. Shtjefen Gaspari, në vitin 1671, shkruen se "popujt e Mirditës ishin futë në krahinën e Oroshit, ma parë Marin Borci shkruen se në vitin 1610 nuk e dojshin me e pranue reformën e Kalendarit Gregorian".

Ami Boué, balkanolog i përmendun, thotë se "Muhameti II mori Krujën, dhe rrethoi Shkodrën, Mirditasit qendruen vetëm me i ba ballë sundimit turk." Tue qenë se mbreti i Napolit nuk i strehoi ata që nuk kishin mujtë me emigrue, ia afruen vendin Dukës Karl Emanuelit të Savojës, por Europa nuk e çau kokën për ta e atëherë ranë në marrëveshje me Turkinë me qyshk që mos me u përzie në mes tyne" dhe nga ana tjeter Turkia i lente të lirë me mbajtë armët, mos me pague taksat dhe mos me i luejtë zotnimet.

Kah gjysma e shek. XVI, zgjodhën një princ prej familjes së Skanderbegut me emnin Zakari i cili xuni vend në Orosh.
Hecquardi, shkruen se, "Mirditasit, bile Prengë Lleshi prej fisit Skanderbeg Llesh, qe në shërbim të Ali Pashë Tepelenës, i cili nuk iu përzie në besim. Prenga, neveritë prej gjaksie të bame nga Mustafë Pasha, me mbytjen e të birëvet të Brahim Pashës, vojt e hyni në shërbim të Ali Pashës, mjesa Prengë Doda luftoi në Moré bashkë me Mustafë Pashën."

Mbas tij erdhi Lleshi i Zi i cili luftoi në Epir e në Greqi, shtini në dorë Tiranën, ku me dorë të vet vrau 9 (nandë) bejlerë. Mbas vdekjes së Mustafë Pashës ky qe mergue në Janinë. Në vitin 1844 del në shesh Bibë Doda i cili me Reshit Pashën luftoi në Epir dhe dekorohet me "Nishanin e Iftiharit e të Mixhidijes"; po në këte kohë edhe Papa i ep dekoraten e Shën Gregorit; ky luftoi edhe kundra Malit të Zi, dhe tue qenë se Ymer Pasha filloi me u përzie në punët e brendshme të Mirditës, populli u çue peshë, rrethoi shtëpinë e Bibë Dodës dhe qenë tue e djegë për së gjallit mos të hyjshin ndermjet Ipeshkvi i Lezhës, Konsulli i Anglisë dhe i Francës.1)

Shenim:
Dom Jak Bushati dhe Dom Prend Suli tregojnë se mirditasit mbas kungimit kishin zakon me pie venë, të cilën ia nepte prifti. Kjo venë në masen 8 okë, paguhej si e dheta e famullitarit. Shumë mirditas sidomos fandasit kanë emigrue në Kosovë. Dokumenti i parë i mungades së Shën Llezhdrit (Aleksandrit) mban datën e vitit 1319. Mirditasit kanë një nderim të veçantë për këtë Shejt, sikurse e verteton betimi, kur duen me dishrue të vertetën që përmbahen "për Arkë të Shejtit".

Abacia e Mirditës qe nën varësinë e dioqezës së Arbënit, sikurse e vërteton Imzot Karl Pooten në fq. 107, i mbështetun në Farlatin, ku thuhet se në vitin 1367, Aleksi prej Arbënit, mungar benediktin i kuvendit të Shën Llezhdrit të Malit d.m.th. të Mirditës, prej Urbainit V me 20 prill të atij viti, e krijoi Abat i kuvendit të Shën Mërisë së Rotes së dioqezës së Tivarit. Edhe përpara 1319, prej letrës së Gjonit XXII del në dritë se Abacia e Mirditës d.m.th. Kuvendi i Shën Llezhdrit qe nën dioqezës e Arbënit.

Gjithashtu gjejmë se me 1638 Mark Skura që qe ipeshkëv i Arbënit, pat pasë Abacinë e Shën Llezhdrit dhe kuvende të Shën Mërisë së Nderfandisë, e cila përmendet që më 1457. Kur me 1640 u ba arqipeshkëv i Durrësit, aneksoi edhe Ipeshkvinë e Arbënit, tue mbajtë klerin shekullar titullin e Abatit të Mirditës nën vartësinë e ipeshkvit të Lezhës. Ipeshkvi i Arbënit qe sufragan i arqipeshkvit të Tivarit.

Del se mbas Konçilit të Parë të Shqipnisë, famullitarët e Oroshit mbajtën titullin tradicional të kuvendit shejt të Oroshit që dikur qe i benediktinëvet a por, sikurse e vejnë disa, i bazilianëvet. Abati i Mirditës kishte nën juridiksion, posë Oroshit, edhe Spaçin, por dyja këto, nën varësinë e Abacisë së Mirditës.
Betimi që shpesh ndëgjohej nga goja e popullit, sidomos i atyne me të motnuemvet kur përbehen "për atë Shën Venedikt", dishmon se duhet të ketë qenë i Benediktinvet."

Pjeter Bjanku përmendet në Konçilin I shqiptar në vitin 1703; mandej vjen Abat Junku, e në vitin 1720 Abat Gazullori. Në vitin 1745 shkoi në Romë Abat Gasper Curri bashkë me Nikollë Kamsin shkodran. Abat Gjeçi, ardhë mbas tyne, qe mbytë natën në gjumë nga një lypës të cilin e kishte ndihmue abati tue nxjerrë para nga arka e Shejtit.
Më 1787, përmendet Abat Pal Doda e mbas tij Abat Merqija.
Në vitin 1820 përmendet Abat Krosi, mbas tij, si Vikar i Abatit vjen Dom Pjeter Zarishti, i cili la shumë poezi shqipe, mandej, në vitin 1863, vjen Abat Gasper Krasniqi. Me këtë heshtë seria e abatëve deri me ardhjen në atë seli të Abat Prend Doçit, me 25 tetuer 1888.


Me dekret të Kongregacionit Shejt të Propagandës dt. 23.X.1888, duel në vedi Abacia Nullius e Mirditës nën varësinë direkte të Selisë Shejte, me Abat mitrat Imzot Prend Doçin e i qenë shtue, posë famullisë së Oroshi e të Spaçit dhe Nderfandina, Kalivarja, Qafa e Malit, Blinishti, Fandi. Ma vonë me dekret dt. 30.IX.1890, nga dioqeza e Sapës u shkëputen Vigu, Mënela, Gomsiqja e Gojani, mandej me dekret dt.31.III.1894 iu shkëputen dioqezës së Lezhës e iu dhanë Mirditës, Kashnjeti, Korthpula, Shën Gjergji, Kaçinari, Frenga e Vigu.

Në vitin 1905 iu dha edhe famullia e Grykës së Gjadrit që përpara shkonte me Sapë.
Në vitin 1894 famullia e Gomsiqes i qe dhanë për sherbim fetar etenvet françeskanë.
Në vitin 1898, simbas Re. Missiones Chatolicas, Albacia e Mirditës numëronte 1.000 besimtarë, mjesa në vitin 1874-1879, konsulli i Rusisë në Shkodër, Z. Jastrebov la shenimet si vijojnë:

Krahina Shtëpi Banorë
Dibri 430 3.480
Oroshi 185 1.080
Fandi 300 2.500
Spaçi 415 3.450
Kushneni 205 1.808
Shuma 12.318

Por Abat Pal Doçi, e çon statistikën deri në 16.000 frymë.
Mbas vdekjes së Imzot Pal Doçit, Papa Benedikti XV emnoi Imzot Zef Gjonalin nga Kashnjeti, Abat të Mirditës, në vitin 1921 e emnoi ipeshkëv dhe qe shugurue në Romë. Mbas tij e mori sundimin, tue qenë zgjedhë ipeshkëv i Mirditës, Imzot Frano Gjini, e pushkatuen në Shkodër me 14 mars 1948.
Nga gushti i vitit 1951 Vikar i Përgjithshëm emnohet Imzot Lec Sahatçija me ndeje në Gëziq.
Vargu i ipeshkvijve të Arbënit

Viti Ipeshkvij
1166-Lazri, i cili mori pjesë në shugurimin e kishës së Kotorrit po në këtë vit.
1199-N.N.
1255-N.N.
1295-Mikeli.
1304-Martini, françeskan.
1316-Mikeli II.
1350-Lauri, rregulltar, shuguroi lterin e Shën Gjergjit në Perast.
1354-Nikolla.
1364-N.N.
1367-Deda.
1368 (rreth)-Andrea.
1370-Gjoni Lourlis, domenikan.
1392-Gjoni II.
1392-Gjoni III.
1411-Andrea II ipeshkëv i Dejës dhe i Sardës.
1423-Andrea III epirotas, ish-ipeshkëv i Lezhës.
vit i pasigurtë-N.N. Vdiq më 1495.
1494-Ejlli Maçerata nga Italia.
1506-Gjoni de Corona nga Jadri, domenikan, shuguroi kishën e Shëna Ndout në Jader në vitin 1512. Vdiq më 1515.
1518-Jakobi spanjol nga Mali Albo i Katalonjes.
1519-Ludoviku de Vivaldis, nga Montereggios Itali, domenikan.
vit i pasigurtë Martini Lalusa.
1554-Deda Bigarrei i Urdhnit të Fretenvet të Spalati të Jeruzalemit.
1578-N.N.
1610-N.N.
1615-Gjoni Klesi, françeskan.
Për sqarime, sa u rreshtue gjer tani, po çekim emnat e autorëvet që vlejnë si shenime historike:

Estina Guil. Comment in Pauli, Epist.VIII, fq. 2, Tit.12.
Acta Apost. XX, 1-2, Rom. XV.19.
Cornely, Introdu Compend. fq.543.
M.Hagen.
Thalloszy, Illir. Alb.Forsch, I. 218, 70, 71, 121, 111, 122, 216, 116, 115, 263, 219, 220.
Elçija, vjeti 1908, fq. 178-179.
Cordignano, Albania, etj. fq. 239, 398, 237, 94, 95, 242, 244, 248, 336, 245, 223.
Mommsen VI.
Guarnerio: Le orig. fq. 87, 255, 72.
Pouqueville 1837.
"Hylli i Dritës", Viti 1914, fq. 218, 313, Viti 1943, fq. 193, viti 1932, fq. 410, 518, viti 1935, fq. 227, 69.
F.Noli, fq. 259.
M.Barleti, fq. 72.
Dr. Nd. Nikaj "Historia...", fq. 62, bot. 1917.
Karlo Pooten, dorëshkrimet.
"Dituria", viti 1939, fq. 85.
Flet. Klerit Katolik, viti 1931, fq. 8.
Konçili Shqiptar, Litt. Inst.
Miscellanea dioq. Sapës.
"Lajmëtari i Zemres Krishtit",viti 1935, fq. 227.
L.Hagues, 1897.
Dom Gasper Gurakuqi, "Dioqeza i Sapës".
"Missiones Cattolicae", viti 1888.
Weigand, Alb. Deutscher.
Gjush Sheldija "Nika", dorëshkrim, viti 1956. Guidë Turistike për Qarkun Shkoders, viti 1957, etj., etj.
 

Miri

Anëtar drejtues
E lexova temën. Me të vërtete shumë interesante. Në rast se shkrimi nuk është i juaji duhet të vendosni linkun e burimit nga ku është kopjuar.
 
A

Antoni

Vizitor
E kam pasur në kompjutër dhe nuk e di se ku e kam kopjuar. Nuk më kujtohet.
 
Sipër