A do të dëshmojë një ditë shkenca (mos)ekzistencën e Zotit?

A

Antoni

Vizitor
A do të dëshmojë një ditë shkenca (mos)ekzistencën e Zotit?

TIRANE-Gjatë disa shekujve të fundit shkenca gradualisht është duke marrë primatin ndaj besimit tradicional në ekzistimin e Zotit.
Shumica e asaj që dikur ka qenë misterioze, siç është ekzistenca e racës njerëzore, kushtet e përkryera për jetë në tokë dhe funksionimi i gjithësisë, sot mund të shpjegohen me biologji, astronomi, fizikë dhe degët tjera të shkencës.

Edhe pse shumë mistere kozmike edhe sot mbeten të pashpjeguara, Sean Carroll, kozmologu teorik nga Instituti për teknologji në Kaliforni, beson që ekziston probabilitet i madh që shkenca më në fund të sjellë të kuptuarit e tërësishëm të universit, i cili nuk do të lërë hapësirë për besimin në Zot.

Siç thotë Carroll, ndikimi i religjionit është reduktuar në mënyrë drastikë në kohën moderne, sepse fizikanët dhe kozmologët kanë arritur të shpjegojnë fillimet e evolucionit të universit.

“Sa më shumë e kuptojmë universin, gjithnjë e më pak ka nevojë për të kërkuar ndihmën e të tjerëve”, ka thënë Carroll.

Shkencëtarët kanë mbledhur shumë dëshmi që mbështesin teorinë për Shpërthimin e Madh (Big Bang). Modeli për shpërthimin e madh nënkupton që universi gjatë 13,7 miliardë vitesh është zgjeruar nga gjendja e përflakur, e dendur pakufishëm deri në gjendjen e sotme. Kozmologët mund të modelojnë çdo gjë që ka ndodhur prej 10^-43 të sekondës pas shpërthimit e deri sot. E panjohur është vetëm një pjesëz e sekondës para shpërthimit.

Siç ka thënë Carroll para pak kohe, qëllimi kryesor i fizikës moderne është formulimi i teorisë e cila përshkruan tërë universin, nga niveli sub-atomik deri të madhësitë astronomike, brenda teorisë së njëjtë. Teoria e tillë, e quajtur gravitacioni kuantik, do të përshkruajë gjithçka që ka ndodhur në momentin e shpërthimit të madh.

Një nga këto teori thotë që në shpërthimin e madh nuk duhet të shikohet si në pikën fillestare, por si në periudhën tranzitore të universit të amshueshëm. Universi sillet si balonë, e cila periodikisht fryhet dhe shfryhet nën disa kushte të veta. Sipas asaj teorie, koha nuk ka pasur fillimin e vet, çka do të thotë që Libri i Gjenezës bëhet tërësisht irelevant.

Megjithatë, disa shkencëtarët besojnë që dëshmia për ekzistimin e Zotit ndodhet në shumë konstante fizike të cilat definojnë universin tonë, të cilat janë absolutisht të përkryera dhe të përshtatshme për përkrahjen e jetës. Nëse ndonjëra nga këto konstante do të ndryshonte edhe fare pak, universi do të ishte i panjohur.

Megjithatë, disa versione të teorisë së gravitacionit kuantik kanë shpjegim edhe për këtë. Sipas këtyre teorive, universi ynë është vetëm një nga shumë universe të pakufishme të cilët së bashku formojnë multiversumin. Në secilin prej atyre universeve situata është e ndryshme, ndërsa vetëm disa nga ato kanë kushte të përkryera për jetë.

(d.b/Koha/BalkanWeb)
 
Sipër